Nga Adrian Thano
Nuk është e vështirë për të kuptuar mekanikën se si korrupsioni i brendshëm shndërrohet në nënshtrim gjeopolitik. Korrupsioni nuk është vetëm një krim ekonomik, por një cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit kombëtar.
Sovraniteti i një shteti zakonisht matet me kufijtë e tij territorialë, ushtrinë apo njohjen ndërkombëtare. Por ekziston një përmasë tjetër, shumë më e brishtë dhe e padukshme: sovraniteti etik i drejtuesve. Kur një udhëheqje politike e humbet integritetin moral për shkak të korrupsionit të kapilarizuar, ajo njëkohësisht dorëzon edhe aftësinë për të mbrojtur interesin kombëtar. Korrupsioni eliminon lirinë e vendimmarrjes. Ai e kthen pushtetarin nga një përfaqësues të popullit në një aktor të shantazhueshëm.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia e fuqive të mëdha nuk vepron mbi sentimente, por mbi levat e trysnisë. Kur një lider ose drejtues politik i një vendi të vogël mbart dosje të rënda korrupsioni, zgjatja e qëndrimit në pushtet varet nga toleranca e kancelerive të huaja.
Të ndodhur përballë kërcënimit të izolimit, dosjeve penale apo përgjimeve komprometuese nga shërbimet e huaja të inteligjencës, politikanët e korruptuar detyrohen të bëjnë lëshime strategjike që dëmtojnë drejtpërdrejt shtetin
Lideri i shantazhueshëm pranon marrëveshje disavantazhuese që të blejë mbështetje apo heshtje ndërkombëtare për mbajtjen e pushtetit.
Rasti i Kosovës dhe Gjykata Speciale e Hagës është veç të tjerave edhe një shembull i këtij parimi. Pranimi i një strukture hibride juridike, që mban emrin e Kosovës, por vepron plotësisht jashtë kontrollit të saj sovran, nuk erdhi nga një vizion shtetformues, por nga gjendja e dobësisë së elitës politike të asaj kohe.
Edhe pse lufta e UÇK-së ishte një kauzë e drejtë çlirimtare, konsolidimi i pushtetit të pasluftës u shoqërua me afera korruptive dhe kapje të shtetit. Kjo brishtësi etike e bëri udhëheqjen e Prishtinës të pafuqishme për t’i bërë ballë trysnisë ndërkombëtare. Pranimi i Gjykatës Speciale u kthye në një “faturë” që u pagua për të ruajtur partneritetet diplomatike, duke krijuar një precedent ku sovraniteti juridik i shtetit të ri u fragmentua në mënyrë të pashmangshme.
Në Tiranë, modeli vepron me të njëjtën logjikë, por me mekanizma të tjerë. Prej dekadash, vendimet me peshë kombëtare janë përdorur si monedhë shkëmbimi nga timonierët politikë për të blerë jetëgjatësi në pushtet. Janë bërë marrëveshje gjeopolitike pa asnjë përfitim kombëtar, përkundrazi.
Është e qartë se një vend që nuk udhëhiqet nga parime etike, por nga llogaritë taktike të pushtetarëve të kushtëzuar nga mëkatet e tyre, mund të ketë flamur, himn dhe kufij, por në thelb mbetet një protektorat informal i diktuar nga interesat e atyre që zotërojnë “dosjet” e udhëheqësve të tij.
Ndaj beteja kundër korrupsionit nuk është thjesht reformë administrative apo kusht për hyrje në BE. Është akti më i madh i patriotizmit modern. Bota e sotme drejtohet nga interesa të ftohta. Pa drejtues me integritet etik, sovraniteti i Kosovës dhe Shqipërisë do të mbetet gjithmonë një koncept i cunguar, i gatshëm për t’u tregtuar në tavolinat e një gjeopolitike përditë e më cinike.
DITA
