Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Lidhja e Prizrenit, ngjarje kulmore e historisë tonë kombëtare
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Histori > Lidhja e Prizrenit, ngjarje kulmore e historisë tonë kombëtare
Histori

Lidhja e Prizrenit, ngjarje kulmore e historisë tonë kombëtare

Published: June 14, 2023
Shpërndaje

Shaqir REXHVELAJ

 

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar 145 vjet më parë (10 qershor 1878), përbën pa dyshim një nga ngjarjet e rëndësishme në historinë e kombit tonë. Ajo nuk erdhi rastësisht, por pas përpjekjeve madhore të patriotëve shqiptarë.

- Publicitet -

Njëqindedyzetepesë vjet më parë, në  viset  e  katër  vilajeteve  u  bënë  tubime  për  të  përcaktuar  delegatët  që  do  të  niseshin  për  në  Prizren. Nga  viset  shqiptare  të  vilajeteve  të  Shkodrës, Manastirit dhe Janinës nuk u caktua si delegatë asnjë partizan nga  simpatizantët sulltanistë.

Influencë  më  të  madhe  ata  patën  në  disa  kaza  të  vilajetit  të  Kosovës,  ku  banonin  në  mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake (bullgarë  të  islamizuar).

Portës së Lartë  nuk  i  pëlqeu  ky  organizim  i  shqiptarëve dhe  thirri  në  Stamboll  në  fund  të  muajit maj 1878 disa personalitete të dëgjuara të  jetës politike shqptare, si  Iljaz  pashë  Dibrën,  Ali  bej  Gucinë,  Abdyl  Frashërin,  Ymer  Prizrenin,  Ahmet  Koronicën  dhe  disa të tjerë, dhe për disa ditë ju bëri presion që të zbatonin platformën e saj islamike.   Patriotët  shqiptarë nuk ju nënshtruan presioneve të Portës së Lartë dhe pa lejen e saj ata u  nisën për në Prizren.

 

10 qershor 1878, Kuvendi Kombëtar filloi punimet në Prizren

Me 10 qershor 1878, Kuvendi Kombëtar filloi punimet në Prizren. Por atë ditë në Prizren  nuk kishin arritë ende të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e  Shkodrës, të cilët ishte përpjekur t’i pengonte valiu turk Hysen Pasha. Po ashtu edhe nga  vilajeti i Janinës ishin të pranishëm vetëm dy delegatë, njëri prej të cilëve ishte Abdyl   Frashëri, të tjerët ishin në udhëtim. Si pasojë shumicën e delegatëve e përbënin pashallarë,  bejlerë, ulema shqiptarë. Bashkë me ta kishin ardhë në Prizren edhe disa feudalë sllavë  sulltanistë nga Bosnja, Hercegovina dhe Novipazari. Megjithëse mungonin shumica e  “sovranistëve” shqiptarë, Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar me qëllim  që kërkesat e shqiptarëve t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i  Berlinit. (13 qershor 1878).

Qysh në fillim u ballafaquan dy platforma politike rreth karakterit shqiptar apo islamik të  Lidhjes, por Lidhja, mbas shumë debatesh mori një orjentim me karakter patriotik shqiptar. Platformën patriotike e mbrojti Abdyl Frashëri, kryetar i Komitetit Kombëtar të Stambollit.  Ai ftoi të gjithë krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur  mbarë atdheun nga rreziku i  asgjësimit.

Abdyl Frashëri, ndër të tjera tha: “Qellimi i këtij Kuvendi është që t’ua presim hovin  armiqve të pashpirtë, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë  me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.” 

Mungesa, ditën e parë e delegacioneve të Shkodrës dhe të Janinës, ssi dhe prania e  delegacioneve boshnjake, hercegovinas dhe të Novipazarit krijoi vështirësi për t’u vendos  në  favor të platformës së “sovranistëve”. Në favor të tyre ndikoi gjithashtu edhe presioni i  autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil  beu, i  cili  ishte i pranishëm në punimet e Kuvendit.

Në këto rrethana, për të mos e vonuar formimin e organizatës së dëshiruar (për të cilën të  gjithë ishin në një mendje) u arrit në një farë kompromisi. U vendos themelimi i një  organizate me karakter politik dhe ushtarak, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të  saj në të gjitha krahinat e vendit –  një  “Lidhje” (itifak) pa e cilësuar as shqiptare dhe as  islamike – e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interest  e  vendit”.

Po atë ditë, pra me 10 qershor 1878, Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste të  propozuar nga Abdyl Frashëri, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri  kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje.

Sipas traditës, së bashku me formimin e “Lidhjes”, u shpall edhe një “besë” e përgjithshme  (edhe për t’i dhënë karakter kombëtar Lidhjes) në bazë të së cilës  duhej të pushonin dhe të  ndërpriteshin të gjitha ngatërresat që lidheshin me zakonin e gjakmarrjes midis krahinave  që ishin të përfaqësuara në Kuvendin e  Lidhjes së Prizrenit.

Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative

Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli  në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore.

Kryetar i këtij Këshilli u zgjodh Iljaz pashë Dibra.

Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qëndror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tre komisione, secili me një përgjegjës (kryetar) të veçantë, dhe konkretisht: Komisioni i punëve të jashtme – Abdyl Frashëri; Komisioni i punëve të brendshme – Haxhi  Shabani; Komisioni i të ardhura financiare  – Sulejman Vokshi. 

Krijimi i këtyre funksioneve pushtetrore ishte arritja më e madhe që fitoi krahu patriotik  “sovranist”, sepse për herë të parë u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti  të veçuar nga ai i Portës së Lartë, që do të thoshte se u hodhën “gurët e themelit” të  shtetformimit të kombit shqiptar.

Debatet për hartimin e Statutit të Lidhjes në  mes rrymës sulltaniste dhe asaj patriotike që  kërkonte t’i jepte Lidhjes më shmë karakter kombëtar vazhdoi për një javë rresht dhe   megjithë përpjekjet e tyre, varianti përfundimtar i  Statutit me emrin “Kararname” (Libri i  Vendimeve) u miratua me 17  qershor 1878 vetëm nga anëtarët e rrymës sulltaniste dhe  disa  nga anëtarët e krahut të “moderuar”, në mes të cilëve edhe Iliaz  pashë  Dibra. Krahu   patriotik dhe një pjesë krahut të moderuar nuk e votuan Statutin. Megjithëatë duhet thënë se  platforma fetare islamike dhe disa shprehje të besnikërisë ndaj Perandorisë nuk përfaqësonin  karakterin e vërtetë të këtij Statuti, pra  “Kararname-së”.

Me këmbënguljen e delegatëve patriotë, u miratuan edhe disa dispozita që nuk pajtoheshin  me interesat e Portës së Lartë dhe i shërbenin Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sidomos në  nenet ku bëhej fjalë për mbrojtjen e territoreve shqiptare, (neni 1 me  nenin 6)  apo ( neni  2  me nenin 14) të cilët lejonin hapësira duke dobësuar kështu autoritetin e Portës së Lartë  në Shqipëri.

Po atë ditë, Këshilli Qëndror miratoi edhe një Urdhëresë (Talimat), ku trajtoheshin aspekte  organizative politike dhe ushtarake të Lidhjes. Edhe në këtë Urdhëresë, Lidhja nuk cilësohej  si një organizatë shqiptare, por ndryshe nga Kararmaneja, ajo këtu ishte zhveshur nga  formulimet islamike osmaniste dhe nga deklaratat e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane.   Veç kësaj këtu funksionet pushtetore të saj ishin më të theksuara. Në  urdhër flitej haptas se  “Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga  përfaqësues të çdo sanxhaku, nga të cilët do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga Porta e  Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejtë nga Lidhja.

Lajmi i formimit të Lidhjes së Prizrenit u përhap menjëherë në mbarë territoret shqiptare  dhe pati një jehonë të madhe, por miratimi i “Kararmanesë” një javë më vonë, u prit ftohtë  nga masa dërrmuese e shqiptarëve, ndaj së cilës filluan edhe protestat.

Kundër platformës sulltaniste, protestues të shumtë nga krahinat e vendit i shprehën  pakënqësitë e tyre edhe përmes shumë memorandumeve që i dërguan gjatë ditëve që  mbahej  Kongresi i  Berlinit.

“Ashtu sikur nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të  gjitha  forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bënte (të na kthente duke na  ndryshuar identitetin tonë) në sllavë, austriakë, apo grekë”,- thuhej ndër të tjera në një memorandum drejtuar kryeministrit britanik, lordit Bikonsfilld (Beaconsfield), nënshkruar prej rreth 500 qytetarëve shkodranë, të cilët kërkonin respektimin e tërsisë tokësore të  Shqipërisë dhe formimin e një shteti  shqiptar të  pavarur.

Shumë telegrame ju dërguan Kongresit të Berlinit edhe nga përfaqësuesit e kazave shqiptare  të vilajeteve të Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit, të cilët kërkonin respektimin e  tërësisë territoriale të atdheut të tyre, Shqipërisë.

Sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi për mbrojtjen e territoreve ku shqiptarët ishin homogjen po  rritej edhe nga shqiptarët e mërguar jashtë, madje edhe nga një grup personalitetesh shqiptare   që banoin në Stamboll, pjestarë të Komitetit të Stambollit, si Pashko Vasa, Sami  Frashëri, Ali Danish Prishtina, Sermedi Seid Toptani, Abedin bej Dino që i derguan një  memorandum Ministrave të Fuqive të Mëdha më 20 qershor 1878, ku  mbasi  protestohej në  emër të popullit shqiptar kundër coptimit territorial të atdheut të tyre shtronin kërkesën për  t’i dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë (një formë qeverisje administrative), në bazë të  një projekti të hartuar nga një komisio i përbërë nga shqiptarë dhe të miratuar nga Porta e  Lartë.

 

Krijimi i Komitetit Kombëtar të Lidhjes

Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes u mblodh në Prizren, më 1 korrik 1878. Qarqet  sulltaniste  e mbrojtën me këmbëngulje platformën e “Kararnamesë”, (Akti i vendimeve),  por këtë herë  nuk patën sukses. Logjika e patriotëve dhe presioni  popullor ishin aq të fuqishme sa edhe  delegatët e krahut të moderuar, të cilët kishin pranuar më parë tekstin e Kararnamesë, tani u  bashkuan me platformën kombëtare “sovraniste”. Pas dy ditë diskutimesh Kuvendi i  Përgjithshëm miratoi me 2 korrik 1878, një Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit.

Kanuni iri e shpalli organizatën e formuar në Prizren si një Lidhje Shqiptare dhe organin e  saj qëndror e  quajti Komitet Kombëtar.

Statuti i ri ishte pastruar krejtësisht nga formulimet fetare islamike dhe nga besnikëria ndaj  Perandorisë Osmane. Në tekstin e saj thuhej shprehimisht se: Lidhja do të luftonte për të  drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në  trojet  shqiptare.  Ai i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në  qendrat e Sanxhakëve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur  trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë,  të  vilte për nevojat e veta buxhetore një seri taksash të ndryshme dhe të jepte dënime  penale  kundër dezertorëve nga Lidhja. Ky qe dhe programi i parë qeveritar i “sovranistëve”, që  buronte nga Komiteti  Kombëtar, që  hidhte themelet e shtetformimit, dhe që ka rëndësi të  madhe  historike.

Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën56 anëtarë nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve.  Midis tyre kishte shqiptarë myslimanë, ortodoksë e katolikë – që të gjithë përfaqsues të krahut radikal dhe të rrymës së moderuar.

Si  kryetar i tij mbeti përsëri Iljaz pashë Dibra, i cili tani ju bashkua linjës patriotike.

Tre komisinet e Komitetit, të pajisura me funksione dikasteriale mbeten ashtu siç ishin nën  kryesinë e Abdyl Frashërit, Haxhi Shabanit dhe Sulejman Vokshit.

Kanuni i miratuar me 2 korrik 1878 shënoi fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare  Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në këtë mënyrë Lidhja e Prizreni fitoi bazën  ligjore për të ngritur shkallë – shkallë  një shtet autonom shqiptar brenda  mbrenda  shtetit  perandorak  osman.

 

ÇËSHTJA  SHQIPTARE  NË  KONGRESIN  E  BERLINIT

Kongresi  i  Berlinit  u  hap  më  13  qershor  1878  dhe  zgjati  një  muaj  deri  më  13  korrik 1878.  Në  të  morën  pjesë  6  Fuqitë  e  Mëdha  të  Evropës:  Gjermania,  Anglia,  Franca,  Rusia,  Austro-Hungaria  dhe  Italia. Çështjet  të  cilat  do  të  shqyrtoheshi  kishin  të  bënin  me  rishikimin  e  Traktatit  të  Shën- Stefanit.  Punimet  e  Kongresit  të  Berlinit  i  drejtonte  kançelari  gjerman  Otto  Bismark  dhe  ishte  vendosur  që  vendimet  do  të  merreshin  në  dakortësi  të  plotë . Në  punmet  e  Kongresit  të  Berlinit  mori  pjesë  edhe  një  delegacion  qeveritar  i  Perandorisë  Osmane  i kryesuar  nga  ministri  i  saj  i  jashtëm  Kara  Theodhor pasha,  me  ndihmës  të  parë  Mehmet  Ali  pashën, një  marshall  turk  me  origjinë  gjermane. Delagacioni  turk  nuk  kishte  të  drejta  të  barabarta  me  ato  të  Fuqive  të  Mëdha.  Ai  mund  të  diskutonte  për  çdo  çeshtje  të  rendit  të  ditës,   por  nuk  kishte  të drejtë  të  votonte  për  vendimet  e  Kongresit.

Me  ftesën  e  Fuqive  të  Mëdha,   shtetet  ballkanike ;  Serbia,  Greqia,  Bullgaria,  Rumania   dhe  Mali  i  Zi  dërguan  në  Berlin  delegacionet  e  tyre  qeveritare,  të  cilat  parashtruen  dhe   mbrojtën  kërkesat  e  tyre   politike  dhe  territoriale.  Edhe  pse  në  Berlin  luhej  fati  i  popullit  shqiptar,  Fuqitë  e  Mëdha  e  injoruan  qënien  e  tij.  Duke  parë  rrezikun  që  po  i  kanosej  kombit  tonë  Lidhja  e  Prizrenit  dërgoi  në  Berlin  një  delegacion  për  t’i  parashtruar  kongresit  të  drejtat  e  Shqipërisë,  por  nuk  u  përkrah  nga  askush.                                                 Delegacioni  i  kryesur  nga  Abdyl  Frashëri,  në  një  takim  që  pati  me  kryetarin  e  Kongresit,  kancelarin  Bismark,  i  paraqiti  kërkesën  që  të  përfshinte  në  rendin  e  ditës  të  një  seance  edhe  çeshtjen  e  kombit  shqiptar.  Por  kancelari  gjerman  nuk  pranoi  duke  u  përgjigjur  në  mënyrë  brutale  se,  “nuk  ka  dhe  nuk  ekziston  një  komb  shqiptar” kështu  që  ajo  nuk  u  pranua   të   diskutohej  si  çeshtje  më  vehte  në  Kongresin  e  Berlinit.  Gjatë  zhvillimit  të  punimeve  të  Kongrsit  në  mes  Fuqive   të  Mëdha   u  shfaqën  kontradita  të  thella  midis  tyre.  Ato  nuk  u  udhëhoqën  nga   “parimi    i  lirisë  së  popujve” ,  por  nga  interesat  e  tyre  të  veçanta  imperialiste.

 

Cilat  qenë  rezultatet  e  Kongresit?

Sipas  traktatit  të  ri  përfitimet  politike  dhe  territoriale  të  Rusisë  u  pakësuen   si  në  Gadishullin  Ballkanik,  ashtu  edhe  në  Azinë  e  Vogël. Ideja  e  një  Pricipate  bullgare  nën  sovranitetin  e  sulltanit  mbeti  në  fuqi,  por  kufijtë  e  saj  u  zvogluen  gati  trefish.   Kongresi  i  Berlinit  vendosi  që  territori  i  saj  të  shtrihej  midis  lumit  Danub   dhe  maleve  Ballkan.  Viset  në  jug  të  maleve  Ballkan  do  të  formonin  një  provincë  autonome  të  Perandorisë  Osmane  me  emrin  Rumelia  Lindore. Viset  e  Maqedonisë  së  bashku  me  krahinat  lindore  të   Shqipërisë,  të  cilat  me  Traktatin  e  Shën – Stefanit  i  jepeshin  Bullgarisë,  do  të  mbeteshin  gjithashtu  nën  sundimin  osman.

Kongresi  i  Berlinit  i  njohu  pavarësinë :  Rumanisë,  Serbisë  dhe  Malit  të  Zi. Ai  ripohoi  gjithashtu  vendimin  e  mëparshëm  për  t’i  dhënë  Rumanisë ,  Dobruzhën  Veriore  dhe  për  t’i  shkëputur  asaj  provincën  e  Besarabisë  në  favor  të  Rusisë. Kufijve  të  Serbisë  dhe  Malit  të  Zi  ai  u  bëri  ndryshime  të  rëndësishme. Me  këmbënguljen  e  Austro – Hungarisë  u  vendos  që  Serbia  të  mos  zgjerohej  nga  ana  jugore  ( në  drejtim  të  Novipazarit,  Mitrovocës  dhe  Prishtinës,  të  cilat  Vjena  i  lakmonte  për  vehte),  por  nga  ana  juglindore  duke  i  dhënë  asaj  krahinat  e  Pirotit,  Trenit,  Vranjës,  dhe  Nishit,  të  cilat  me  Traktatin  e  Shën – Stefanit  i  qenë  premtuar  Bullgarisë.  Për  të  njëjtën  arsye  me  këmbënguljen  e  Vjenës,  Malit  të  Zi  iu  pakësuen  shumë  përfitimet  territoriale  nga  ana  veriore,  në  drejtim  të  Hercogovinës  dhe  Novipazarit.  Në  bazë  të  Traktatit  të  Berlinit,  ai  do  të  zgjerohej  kryesisht  nga  ana  jugore : ku  do  të  merrte  krahinat  e  Tivarit, Podgoricës,  Plavës,  Gucisë,  Rugovës,  dhe  Kolashinit. Aneksimi  i  Ulqinit  nuk  iu  njoh,   por  Cetina  fitonte  të  drejtën  që  anijet  tregtare  malazeze  të  lundronin  lirirsht  në  lumin  Bunë  dhe  në  liqenin  e  Shkodrës.

Përfitime  të  mëdha  tokësore  në  kurrizë  të  Perandorisë  Osmane patën  sidomos dy  fuqi  të  mëdha,  të  cilat  nuk  kishin  marrë  pjesë  fare në  luftën  ruso – turke:  Austro – Hungaria  dhe  Britania  e  Madhe.

***

Kongresi  i  Berlinit  nuk  i  njohu  Shqipërisë  asnjë  të  drejtë   kombëtare  dhe  as   nuk  u  përmend   emëri  i  saj  në  asnjë  nga  seancat  që  u  zhvilluen  gjatë  një muaji,  madje  ai  nuk  respektoi  as  tërsinë  territoriale  ku   banonin  prej  shekujsh   shqiptarët. Berlini   vazhdoi  ndarjen  e  territoreve  shqiptare  popujt  fqinjë;  kështu  Malit  të  Zi,  iu  dhanë  përsëri  disa  vise  shqiptare,  krahinat  e  Plavës,  Gucisë  e  Rugovës. Po  ashtu  Serbisë,  krahinat  e  Vranjës,  Trenit  dhe  Pirotit,  por  të  paktën   Bullgarisë  nuk  ju  njohën  viset  e  Shqipërisë  Lindore,  por  nga  ana  tjetër  ju  dhanë  Greqisë  viset  e  Çamërisë (si  dhuratë) pavarësisht  se  ajo  nuk  kishte  marrë  fare  pjesë  në  luftën  ruso – turke  dhe  për  pasojë   nuk  kishte  përfituar  asgjë  nga  Traktati  i  Shën – Stefanit.

Midis  vendimeve  të  tjera  që  mori  Kongresi  i  Berlinit,  dy  prej  tyre  preknin  aspektin  politik  të   trojeve  shqiptare  që  mbeteshin  nën  sundimin  e  Perandorisë  Osmane, njëra  tërthorazi,  dhe  tjetra  dretëpërdrejt.

E  para:  trajtohej  në  nenin  23  të  traktatit.  Sipas  këtij  neni,  Porta  e  Lartë,  detyrohej   të  hartonte  për  viset  ballkanike  që  ndodheshin  nën  sundimin   e  saj  të  plotë  “ rregullore  organike ”,   që  do  të  thotë  një  “administrim  autonom”  të  vilajeteve,  pak  a  shumë  të  njëjtë  me  ate  që  i  ishte  dhënë  ishullit  të  Kretës  në  vitin  1868.                                                            Me  qellim  që  këto “ rregullore”  dhe  kjo  “administratë”  t’u  përshtateshin  nevojave  të  vendit,  pra  popullatës  së  vilajeteve. Porta  e  Lartë  gjithashtu  duhej    të  ngrinte                             “komisione  të  posaçme”  në  të  cilat  “elementi  vendas (popullsia  vendase)  duhej  të  përfaqsohej  në  shkallë  të  gjërë.” Projektet  që  do  të  hartoheshin  për  vilajetet  –  thuhej  në  këtë  nen –  para  se  të  hynin  në  fuqi,  do  të  miratoheshin  edhe  nga  Komisioni  Evropian,  që  u  krijua  nga  Fuqitë  e  Medha  për  Rumelinë  Lindore.

E dyta:  që  ishte  përfshirë  në  Protokollin  nr.  13,  të  Kongresit  të  Berlinit  kishte  lidhje  me  “Venomet  e  Mirditës”.  Fillimisht  çeshtja  u  ngrit  nga  përfaqsuesit  e  Francës  dhe  të  Austro – Hungarisë.  Këta  kërkuen  nga  Porta  e  Lartë  që  ajo  t’i  respektonte  edhe  në  të   ardhmen   “privilegjet  dhe  imunitetet” (domethënë: Venomet), të  cilat  popullsia  e   Mirditës  i  gëzon “ab antique”  (që  nga  kohët  e  lashta ) . Përfaqsuesi  osman,  e  kundershtoi  këtë  vendim,  pasi  sipas  tij,  ai  binte  në  kundërshtim  me  nenin nr. 23, që  e  detyronte  atë,  që  të  zbatonte  reformat   administrative    në  vilajetet  e  Turqisë  evropiane. Megjithëate  ai  shtoi  se  Porta  e  Lartë  nuk  kishte  ndërmend  të  zbatonte  reformat  e  saj  në  Krahinën  e  Mirditës. Kështu  Fuqitë  e  Mëdha  mbetën  të  kënaquna  nga  dekleratat  e  përfaqsuesit  turk,  e  cila  u  përfshi  në  Protokollin  nr. 13,  duke  marrë  kështu  vlerën  e  një  zotimi  zyrtar.

Të  dyja  këto  vendime qenë  negative  për  Shqipërinë. Me  nenin  23,  Fuqitë  e  Mëdha,  cenonin  interest  jetike  të  Shqipërisë,  jo  pse  ato  e  detyronin  Perandorinë  Osmane  t’i  pajiste   viste  ballkanike  me  administratë  autonome  “të  përshtatshme”  me  nevojat  e  tyre,  por  me  të  drejtën  që  fitonte  serish  për  ta  mbajtur  edhe  në  të  ardhmen  ndarjen  administrative  që  ishte  në  fuqi,  pra  coptimin  e  trojeve  shqiptare  midis  katër  vilajeteve  të  ndryshme.  Realisht  reformat  administrative  autonomiste  i  kërkonin  edhe  vetë  qarqet  përparimtare  rilindëse,  por  ato  kushtëzonin  këto  reforma  me  bashkimin  e  trojeve  shqiptare  në  një  vilajet  të  vetëm  autonom. Sipas  mendimit  të  rilindasve,  pajisja  e  katër  vilajeteve  me  “rregullore  organike”  të  veçantë  gjoja  në  “përshtatje  me  nevojat  e  vendit”  do  t’i  vështirsonte  edhe  më  tepër  lidhjet  ekonomike,  shoqërore ,   politike  e  kulturore  midis  krahinave  shqiptare  të  këtyre  vilajeteve.  Për  më  tepër  ata  i  shqetsonte,  e  drejta  që  fituan  me  nenin  23,  Fuqitë  e  Mëdha  për  të  ndërhyrë  në  këtë  çeshtje,  siç  shkruente  më  vonë  Abdyl  Frashëri,  që  ata  t’u  jepnin  reformave  karakter  joshqiptar,  por  serb  në  vilajetet  e  Kosovës,  bullgar  në  atë  të  Manastirit  dhe  grek  në  atë  të  Janinës. Pra  me  zbatimin  e nenit  23,  shtohej  rreziku  në  të  ardhmen  i  aneksimit  edhe  më  të  madh  të  trojeve  shqiptare  nga  shtetet  fqinje  ballkanike  dhe  vështirësohej   në  këtë  mënyrë,  më  shumë  lufta  e  shqiptarëve  për  bashkimin  e   trojeve  të  tyre  në  një  vilajet  të  vetëm  autonom.

Po ashtu me  Protokollin nr. 13,  Fuqitë  e  Mëdha,   preknin   interesat  jetike  të  Shqipërisë,  sepse  çeshtjen   kombëtare    Shqiptare,  e  reduktonin  vetëm  si  problem  të  popullsisë  saj  të  vogël  katolike,   dhe  në  mënyrë  të  veçantë  ,  vetëm  si  një  çeshtje  të  një  krahine  të   saj  siç  ishte  krahina  e  vogël  dhe  e  prapambetur  e  Mirditës,   e   cila  sipas  tyre  nuk  pretendonte  asgjë   tjetër  veçse  të  ruante  statusin  e  saj  “partikularist”   dhe   patriarkal.

Protokolli  nr. 13,  i  hapte   kështu   rrugën  Vjenës,   e  cila  e  gëzonte  prej  kohësh  të  drejtën  e  mbrojtjes  së  popullsisë  katolike  të  Perandorisë  Osmane  (kulturo protektoratin),  me  qellim  që  të  ndërhynte  lirisht  në  jetën  e  brendëshme  të   Mirditës  dhe  ta  kthente  atë  në  një  pikëmbështetje    të  avancuar  për  ekspansionet  e  saj   të  mëtejshme  drejtë  brigjeve  shqiptare  të  Adriatikut  dhe  drejt  viseve  të  Ballkanit  Qendror.

Vendimet  e  Kongresit  të  Berlinit  e  shtuen   zemrimin  e  shqiptarëve   kundër  Fuqive  të  Mëdha,  por  edhe  kundër  Portës  së  Lartë.  Në   të   katër  anët  e  viseve  shqiptare  u  ngritën  zërat  për  protesta  kundër   shkëputjes  së  trojeve  shqiptare  në  favor  të  shteteve  fqinje.

Vendimi   i  Kongresit  për  t’i  dorëzuar  Plavën  dhe  Gucinë,  Malit  të  Zi  ishte  i  formës  së  prerë,  por  Porta  e  Lartë   po  e  vononte  dorzimin  e  këtyre  dy  krahinave   me  popullsi  shqiptare  sepse  nuk   i  interesonte   që  në  gjendjen  e  rëndë  që  ishte  të  krijonte  problem  me  popullsinë   prej  më  shumë  se  1.6  milion   shqiptarë   që  do  të  mbeteshin  mbrenda  kufijve të  Perandorisë.  Për  mbrojtjen  e  Plavës  dhe  Gucisë  në  Shkodër  u  zhvillua një  miting  popullor  ku  filluen  të  bëheshi  thirrjet  për  rregjistrimin  e  vullnetarëve  dhe  për  pak  ditë  u rregjistruen  mbi  6000  vullnetarë  për  mbrojtjen  e  Plavës  dhë  Gucisë.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Dosja “Aruba”: Hetimi i SPAK ngre dyshime për pastrim parash në Green Coast
  • 17 qershor 2026
  • VIDEO: Kur protesta flet me gjuhën e dashurisë
  • PURCHASE OF TWO VEHICLES FOR FIRE MANAGEMENT, ENFORSA-SUPPLY-3
  • I riu i thirrjes për marshim drejt Rinasit: Na kritikuan me të drejtë, por na ka ardhur në majë të hundës

Komentet e Fundit

  1. Realisti on Me “bukë me vete”? PO!
  2. Kokpalari 21 janarit on VIDEO: Kur protesta flet me gjuhën e dashurisë
  3. TITI on VIDEO: Kur protesta flet me gjuhën e dashurisë
  4. !!? on FOTO VIDEO: Nuk ka dorëzim, as përçarje, sheshi i protestës sërish plot në ditën e 17-të, ironizohet edhe Marta Kos
  5. Askushi on VIDEO: Kur protesta flet me gjuhën e dashurisë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?