Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Bëhet fjalë për shumë vite të shkuara. Ndërsa shoqëroja një gazetar të gazetës “Bashkimi”, iu drejtuam portës hyrëse të Fabrikës së Letrës në qytetin e Lushnjes.
– Nga vini? – na u drejtua ai që ishte me detyrë në portë.
– Jemi gazetarë,- iu përgjigjëm.
– Ashtu? Keni ndonjë dokument?
– Sigurisht, që kemi.
Dhe nxorëm Dëshmitë e gazetarit.
– Më falni, me cilin do të takoheni?- na u drejtua tërë mirësjellje.
– Me drejtorin e fabrikës…
– Shumë mirë! Ja ku e keni drejtorin…
Dhe bëri shenjë me dorë drejt dikujt që ishte mes sheshit të fabrikës, që ecte drejt nesh.
Teksa e pa që drejtori çapitej ngadalë dhe me shumë kujdes, kolegu më drejtohet:
– Mos është i gjymtuar nga ndonjë aksident? Sepse e shikoj që ecën me një lloj vështirësie… Apo më bëhet mua sikur ecën ashtu?
– Jo, – i drejtohem, – nuk gaboni. Lili është invalid i Luftës.
I humorit dhe tepër transparent
Në ato minuta që prisnim, drejtori erdhi para nesh dhe, sapo u njoh që ishim gazetarë, na drejtohet:
– Keni ardhur të na hidhni lule, apo të na mbuloni me ferrë?
Foli kështu, shikoi nga kolegu im dhe vuri buzën në gaz. Pa pritur t’i kthenim ndonjë përgjigje, shtoi:
– Bëj shaka. Ne – detyrën, ju – detyrën.
Dhe na mori me vete për të shkuar në zyrën e vet, diku në katin e dytë të një ndërtese aty pranë.
– More, nuk ju pyeta; mos doni të dalim nëpër repartet e fabrikës që t’i shihni gjërat me sytë tuaj? Aty do të keni mundësi të flisni edhe me punëtorët. Se unë edhe mund t’ju përrallisë ë zyrë, kurse me ta është krejt ndryshe…
Ashtu bëmë. Të shoqëruar nga vet drejtori, kaluam repart më repart të fabrikës.
Antifashist i orëve të para
I lindur në qytetin e Lushnjes në vitin 1921, Lili Shtrepi do të rritej me frymën atdhetare të prindërve të vet. Me pushtimin fashist të vendit, sikundër shumë nga vërsnikët e vet, ai do të ishte në krahun e antifashistëve.
– Një e dy dhe mua do të më thërrisnin në Xhandarmëri, – na ka pas treguar vet Lili. – More, vërtet nuk ke qenë vet në atë aksion subversiv, por ama je ti prapa tyre. Ta njohim kokën ty, – më hakërroheshin tërë mllef.
Sidomos mbas Konferencës së Pezës Lili e harroi shtëpinë e vet. Nisi të dalë edhe fshatrave. Propagandonte krijimin e këshillave nacionalçlirimtare.
Në një rast, ndërsa ishte me shokë në fshatin Ngurrëz, dikush i pat dalë përpara dhe…
– Mos je çuni i Taq Shtrepit ti?
– Po, i atij jam, përse më pyet?
– Të pyes, sepse i je futur një pune që të rrezikon kokën. Shko, more çun, dhe ha bukën tate! Nuk ka mbetur kjo punë ta rregullosh ti…
Po Lili, si Lili! Nuk hoqi dorë që nuk hoqi dorë nga veprimtaria antifashiste që kishte nisur. Vazhdoi sikundër vazhdonin Skënder Libohova, Xhorxhi Robo, Hasan Gina, Irakli, Koli e Miti Bozo, Andrea Durri, Nikoll Gjeçi, Caush Bodo, Demir Liçi, Dervish Gega, Foto Puka, GoriTesho, Halim Haxhiu, Hamit Korreshi, Hekuran Turku e plot të tjerë.
Por erdhi një ditë dhe Lilin e arrestojnë. E arrestojnë dhe me duar të lidhura e dërgojnë në kampin e përqendrimit të Porto – Romanos në Durrës.
– Tani lëviz po deshe këtu! – i thanë teksa e përplasën mes shumë antifashistëve të tjerë nga mbarë Shqipëria.
Edhe brenda këtij kampi Lili nuk iu shkëput ndjenjës së antifashizmit. Kështu deri ditën kur do të kapitullonte Italia fashiste dhe do të shpërbëhej ai kamp i mallkuar!
Në shtëpi nuk do të qëndronte gjatë. Punë ditësh. Dhe menjëherë do të shkonte në fshatin Ngurrëz e Madhe, ku formohej Grupi I Partizan i Myzeqesë.
Kuadër i rëndësishëm në Grupin Partizan të Myzeqesë
Më 19 shtator të vitit 1943 në fshatin Ngurrëz e Madhe të ish rrethit të Lushnjes u krijua Grupi I Partizan i Myzeqesë me komandant Rrahman Uruçin dhe komisar antifashistin e orëve të para, durrsakun Pipi Bakalli.
Nisur nga arsimi që kishte, nga përvoja që zotëronte, si dhe nga aftësitë prej organizatori e drejtuesi, Lili Shtrepi caktohet komisar batalioni.
Vjeshta e vitit 1943 vërtet do të rrëzonte gjethet e pemëve, por ajo, ndërkohë, do të ngrinte djemtë e vajzat myzeqare në luftë kundër pushtuesve të rinj, atyre gjermanë, që sapo kishin shkelur truallin shqiptar.
Në zbatim të një urdhri luftarak, trimat e formacionit partizan të sapoformuar vazhduan marshimin drejt maleve të Beratit, të Skraparit e ca më tutje. Përballë do të kishin jo vetëm nazistë të tërbuar, por edhe bashkëpunëtorë të tyre.
Nuk vonoi shumë dhe hyri dimri i egër i viteve 1943 – 1944. Ndërkohë, shtabi nazist ndërmori një operacion në shkallë të gjerë. Kuptohet, për të zhdukur përfundimisht krejt lëvizjen partizane në këtë zonë e shumë më gjerë.
… Aty nga fillimi i janarit të vitit 1944, ndërsa komisari Lili Shtrepi ishte në krye të një kompanie partizanësh myzeqarë në fshatin Krushovë të Skraparit, nuk po bënte dot përpara. Shokët i vijnë menjëherë në ndihmë. Dhe ç’të shikonin! Lilit i ishin ngrirë këmbët. Plotësisht. I shtrirë mbi dëborë, u bën shenjë shokëve që ta linin diku te mulliri i fshatit dhe vet të bënin përpara. Se jo shumë larg gjendeshin nazistë e ballistë së bashku.
– Ta çojmë në atë shtëpinë atje, – tha dikush.
Dhe nuk priti më, por u bëri shenjë shokëve që ta ngrinin në krah.
– Po ku i dihet se ç’familje është ajo në atë shtëpi?!
– Të jetë ç’të dojë! Do t’i themi, se do të mbajë përgjegjësi të plotë për jetën e komisarit…
Dhe ashtu bën. Në atë mbrëmje të vonë trokitën në derën e asaj shtëpie dhe, pa e zgjatur, të sëmurin e lanë aty, duke i kërkuar të zotit të asaj shtëpie që ta ndihmonin me ç’të mundnin deri sa të ktheheshin për ta marrë.
Një aventurë që i shpëtoi jetën
Dhe partizanët morën rrugën për të zënë pozicione të reja përpara ndonjë përpjekjeje të mundshme me gjermano – ballistët.
Të zotët e shtëpisë, babë e bir, e vendosën në një postrehë, prapa shtëpisë, ku i ndezën një zjarr të mirë. Atyre çasteve i sollën edhe diçka për të ngrënë dhe vet kaluan në dhomën tjetër.
Ka pas treguar vet Lili: Aty nga ora dhjetë e natës dëgjova të flitej nga njerëzit e shtëpisë: “Tani do të na duhet të ushqejmë edhe këtë këlyshin e kuq të Moskovit?!” Tjetri i përgjigjej: “E po, na e lanë peshqesh! Nesër a pasnesër do të vijnë këtu për ta marrë, kështu që…” “Dakord, dakord, po sikur të na vijnë tanët dhe të na e gjejnë në shtëpi këtë palo komunist, si t’u themi?!”
Ndërkohë, dëgjoja të fliste edhe një grua: “Është njëri, more burrë; ta mbajmë mirë. Në fund të fundit, racionin e qenit e ndajmë përgjysmë, një copë qeni dhe një copë ky… Është rob zoti…”.
Aty nga ora dymbëdhjetë e natës vendosa që të largohesha. Ku i dihej, mendova. Këta edhe mund të më vrasin!
Mora një gunë të vjetër që gjeta aty ku rrija, dhe, duke lëvizur vetëm duart, sepse këmbët më ishin ngrirë, hapa deriçkën e postrehës dhe shtyhem tutje. Hëna kishte hedhur dritën e saj të zbehtë mbi dëborën e bardhë. Sakaq, dëgjova të lehurat e qenit. Me shumë vështirësi u zvarrita drejt disa pemëve të zhveshura prej dimrit. Ca më tej gjendej një rrëpirë. I mbledhur edhe me gunën e vjetër, lëshohem poshtë pa menduar se edhe mund të bija në ndonjë hon. Rrëshqita dhjetëra metro në rrëpirë dhe qëndrova në mes të disa shkurreve. Sakaq, vazhdova zvarritjet, duke shkuar poshtë e më poshtë, mjafton të largohesha nga ajo shtëpi e mallkuar ballisti.
Ndërkohë, të zotët e shtëpisë, që kishin dëgjuar të lehurat e qenit, kishin shkuar menjëherë në postrehë. Me sa mund të merret me mend, ishin habitur: partizani ishte larguar! Dalin për të kërkuar mysafirin që iu ishte lënë në shtëpi.
Teksa rrija thuajse i mbuluar me dëborë diku mes disa ferrave, shikoja dy njerëz që mbanin nga një sopatë në dorë. Dhe dëgjoj të flisnin mes tyre: “Që është diku afër, kjo nuk diskutohet, por hajde gjeje në këtë borë të madhe…T’i kishim futur një koqe plumbi që në fillim do të kishte qenë më mirë. Se ai na humbi, se na humbi…”.
Mbas disa minutave nuk u dëgjuan më. Si duket, qenë kthyer për në shtëpinë e tyre.
Duke përmbledhur edhe forcat më të fundit, vazhdova të zvarritesha e të zvarritesha, me mendimin se diku do të mund të ndeshesha me ndonjë shtëpi tjetër.
Aty afër mëngjesit dëgjoj të më vinin në vesh zëra njerëzish. Ndjeva gëzim. Ndoshta janë tanët, mendova. Pa kaluar shumë minuta, para meje u gjendën disa fshatarë. Teksa më kishin parë që zvarritesha nëpër dëborë, patën nxituar drejt meje. U munduan të më ngrinin në këmbë, por ishte e kotë.
– Nga vini? – më pyeti dikush.
– Nuk e di!
– Po këtu, ku je? – m’u drejtua një tjetër.
– Nuk e di!
– Je në Kapinovë. Je partizan. Je i yni…A dëgjon? Je i yni…
Kur dëgjova të flitej kështu, m’u duk sikur kisha pushtuar qiellin.
Dhe aty për aty, secili shprehu dëshirën për të më marrë në shtëpinë e vet.
– Unë mendoj ta dërgojmë në shtëpinë e Aliut, – dëgjova të fliste me zë të lartë një nga të pranishmit.
Dhe ashtu vepruan. Më morën në krah dhe më dërguan në shtëpinë e Ali Kapinovës.
– Atje më shërbyen dhe u ndjeva njësoj si në shtëpinë time, – ka treguar Lili.
Spital më spital për t’i garantuar shëndetin
Mbas dy javësh nën kujdesin e familjarëve të Ali Kapinovës gjendja e Lilit nisi të përmirësohej, por dukej se kërkohej me çdo kusht dora e mjekut. Në këto rrethana, komisarin e dërguan në spitalin partizan të Nikollarës.
Edhe pse mjekët bën të pamundurën për t’í ardhur në ndihmë, prapëseprapë nuk po shikohej ndonjë përmirësim i dukshëm. Të dërgohet në spitalin e Beratit, kishte urdhëruar komisari i spitalit partizan të Nikollarës. Dhe ashtu qe vepruar. Transportuar me kalë, Lili qe shtruar në spitalin e Beratit. S’është për këtu, ishin shprehur edhe mjekët e Beratit. Ky duhet dërguar urgjent në Tiranë. Tashmë komisari i dërrmuar fizikisht nuk vonoi të dërgohej në spitalin civil të Tiranës.
Shëruar pa shëruar mirë, Lili nxirret nga spitali dhe këshillohet të mjekohet në familje. Ashtu vepron. Por…ndjenja e zjarrtë e antifashistit e nxjerr jashtë shtëpie. Vazhdimisht gjendej mes njerëzve, duke propaganduar idetë e luftës për çlirim. Kështu deri ditën e 29 Nëntorit të lavdishëm.
Mbas çlirimit të Atdheut Lili Shtrepi dërgohet për kurim në spitalin e madh të Lajpcigut të ish Republikës Popullore Demokratike të Gjermanisë Lindore.
Vazhdimisht ndër kuadrot kryesorë të ish rrethit të Lushnjes
Mbas çlirimit të Atdheut Lili Shtrepi ka qenë ndër kuadrot kryesorë të ish rrethit të Lushnjes. Në vitet e para ka kontribuar si punonjës i Komitetit të Partisë, duke ndihmuar për emancipimin shoqëror të popullit myzeqar. Ai është i njohur, si partizan i flaktë i hapjes së shkollave në shumë fshatra, sidomos në ato të zonës kodrinore.
Vite më pas ka qenë zgjedhur sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit dhe, kohë më vonë, nënkryetar i këtij Komiteti. Dhe vazhdimisht, i lidhur ngushtë me punonjësit e qytetit dhe të fshatit.
Për shumë vite Lili Shtrepi ka qenë drejtor i Fabrikës së Letrës, duke u bërë shumë i njohur jo vetëm në Lushnje, por edhe në shkallë Republike.
Me daljen në pension ai u zgjodh kryetar i organizatës së veteranëve e të invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të ish rrethit të Lushnjes. Ishte këmbëngulja e tij që në shumë vende historike, jo vetëm në Lushnje, por edhe në trevat e Beratit, të Elbasanit e deri të Korçës, të ngriheshin simbole të ndryshme të Luftës. Ishte po këmbëngulja e tij që Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut të Lushnjes të vendoseshin në një vend shumë të përshtatshëm dhe të ndërtoheshin estetikisht të bukura.
Lili Shtrepi është ndër të parët që u shpall Qytetar Nderi i Lushnjes, një vlerësim ky plotësisht i merituar.