Intervista /Kuratoroja Adela Demetja, e cila nuk rresht me projektet e saj. Një kuratore që arrin t’u flasi dhe të përfshihet në gjenerata të ndryshme artistësh, nga ata më të rinjtë deri tek ata artistë që sot njihen si artistë të “papërfaqësuar” dhe shpesh duke i ndërthurur këto pozicione artistike së bashku
Ishte viti 1999 kur Shqipëria filloi të marri pjesë në Bienalen e Venecias. Ndërkohë që shtete si Belgjika, Austria, Franca, Gjermania jo vetëm që kanë ndërtuar Pavijonet e tyre me arkitektë të famshëm të kohës, mënyrë kjo për të treguar dhe status quo-në e estetikave arkitektonike përkatëse, por madje kanë përshtatur dhe ndërtesat bazuar regjimeve të kohës (psh pavijoni i Gjermanisë në vitet kur vjen regjimi nazist në pushtet). Pavijoni i Shqipërisë gjendet sot në Arsenale (një zonë e re që i është shtuar Bienales në vitet 80′) çdo dy vjet rimerret me qira për gati një periudhë kohe prej tetë muajve. Edhe pse e çuditshme, kjo është hera e parë që Shqipëria prezantohet nga një artiste femër, Lumturi Blloshmi.
Puna e saj vihet në dritë nga kuratoroja Adela Demetja, e cila nuk rresht me projektet e saj, një kuratore që arrin t’u flasi dhe të përfshihet më gjenerata të ndryshme artistësh, nga ata më të rinjtë deri tek ata artistë që sot njihen si artistë të “papërfaqësuar”dhe shpesh duke i ndërthurur këto pozicione artistike së bashku. Shembulli më i mirë mbase do ishte ai i ekspozitës Synime (në Galerinë Kombëtare të Tiranës dhe më pas atë të Kosovës), por asnjëherë për t’i unifikuar këto pozicione.
Non unified narratives është ajo që Demetja kërkon, metodologji individuale. Dhe në rastin e Lumturi Blloshmit ka qenë e njëjta gjë. E sot në kuadrin e Bienales së Venecias, jo vetëm publiku ndërkombëtar ka pasur mundësinë të njoh punën, historinë, zhvillimin artistik të Lumturi Blloshmi (1944-2020), por edhe ai shqiptar.
Një punë e fortë është bërë dhe me përçimin e kësaj pune në media, emisione mëngjesi, panele, konferenca, online. Kam ndjesinë se asnjëherë nuk është folur kaq gjatë (gjatë në kohë) për një ngjarje të tillë në fushën e kulturës në kryeqytetin shqiptar, ku është dhe gjithë përqendrimi i medias së vendit.
Demetja me siguri është duke sjellë një frymë të re dhe në këtë drejtim. Dëshira për t’iu përgjigjur dhe ndërvepruar me mediat lokale është po aq e fortë dhe e rëndësishme për të, si ajo kundrejt revistave ndërkombëtare të artit.
Pavijoni është i cilësuar nga artikuj të ndryshëm si nga pavijonet më të veçantë. Nga redaksia e revistës* dy javë pas botimit të intervistës më marrin në telefon dhe më thonë që këtë herë artikulli është nga më të lexuarit; shokë nga bota më dërgojnë foto në mediat sociale për të më treguar që kanë arritur ta shohin punën e artistes nga afër.
Puna e Blloshmit qëndron me ato qindra artiste që Cecilia Alemani, kuratorja e përgjithshme e gjithë edicionit të 59-të të Bienales ka zgjedhur ti tregojë publikut.
Janë Leonora Carrington, Lenora De Barros, Tomasa Binga, por edhe artiste të reja që janë duke shkruar një histori si Giulia Cenci apo Ambra Castagnetti.
Më poshtë një intervistë me kuratoren Adela Demetja.
-Ndërsa përgatisja pyetjet e kësaj intervistë përfundova në historinë e Christine Sun Kim, artiste e bazuar në Berlin. Lexoja për ato qindra mënyra që ka përdorur për të përçuar komunikimin artistik si artiste me kufizim në dëgjim. Në kuadër të jetës së saj i është dashur të mësojë gjuhën e shenjave të vendeve të ndryshme – atë angleze, më pas gjermane. Për të ndërvepruar me profesorët, kuratorët, institucionet e artit ka përdorur grafikat, video, tekste, vizatime, audio. Më trego më tepër si ka qenë në rastin e Lumturisë.
Blloshmi dëshironte të bwhej balerinë dhe këngëtare, kështu që muzika ka luajtur një rol të rëndësishëm që në një moshë shumë të vogël të saj. Në moshën 5-vjeçare për shkak të meningjitit, Lumturia humbet dëgjimin, por në të njëjtën kohë ka fatin që të mbijetojë. Pas rikuperimit shëndetësor, humbet dhe aftësinë të flas, por nëna e saj vendos që ta dërgojë në një shkollë të zakonshme, të ashtuquajturat deri vonë normale.
Evanti Ciku, mësuesja e shkollës fillore me shumë durim i përçon aftësinë që të guxojë të flasë sërish. Artistja në këtë mënyrë nuk e mësoi kurrë gjuhën e shenjave, preferoi kështu të mësonte leximin e buzëve dhe i besoi aftësisë së një verbaliteti personal. I pëlqente të bëntë gjëra vetëm, të ishte e pavarur. Edhe pse shpesh miq e moderonin ne biseda, artistja besonte në fuqinë e shkrimit, kështu që sa herë diskutoheshin gjëra të rëndësishme kërkonte një konfirmim, e njëjta gjë dhe në marrëdhënien tonë. Duke përdorur këtë lloj mënyre sot kemi fatin të kemi një arkiv shumë të pasur me shënime, korrespondenca, letra.
Por në të njëjtën kohë “paaftësia” për të folur e bëri edhe më të vështirë përfshirjen dhe prezencën në skenën a artit. Por unë besoj se trupi ishte zëri i saj i vërtetë, mënyra si ruante dhe përçonte energji nëpërmjet tij. Kjo lloj cilësie shihet dhe tek veprat e saj, tëcilatshkojnë përtej formës. Unë kam ndjesinë se të gjitha punët e saj flasin, më mire akoma të them ato rezonojnë dhe kjo bën atë bukuri që arti ndonjëherë mund të ofrojë, të flas përtej kufijve të gjuhës, të jetë i aftë të komunikojë me periudha të ndryshme, me vende të ndryshme. Për këtë artistja ishte e ndërgjegjshme, që një pjesë e ekzistencës së saj shkonte përtej kohës, së tashmes dhe unë kam ndjesinë që ky perceptim ndihet në punët e saj. Dhe një here për t’iu kthyer trupit, artistja kuptoi që kjo masë ishte në të njëjtën kohë një mjet, një kontenitor, për këtë arsye u përpoq që ta përvetësonte në mënyrë që pastaj ta animonte plotësisht.
-Pjesë e Pavijonit është dhe filmi dokumentar që është realizuar nga regjisori meksikan Tin Dirdamal dhe ju. Çfarë shpalos filmi mbi jetën e artistes dhe si është trajtuar?
Dëshira për të bërë një dokumentar eksperimental ka ekzistuar që në vitet që Lumja ishte ende pranë nesh. Në ata kohë një fond që kishim aplikuar nuk u mundësua, domethënë financimi nuk erdhi. Pas konfirmimit të pjesëmarrjes në Bienale, mendova që ky qe momenti i duhur për ta rimarrë këtë projekt në duar. Nuk ka qënë e lehtë të bëjë një punë të tillë. Lumja nuk qe më pran nesh, dhe Tini nuk e kishte takuar asnjëherë artisten. Megjithatë Tini ka një mënyre shumë specifike pune, filmat janë të fokusuara në introspeksione të thella, janë poetike dhe ai gjithmonë kërkon në atë që është e fshehur, e panjohur, ose që të paktën në pamje të parë na duket e panjohur. Gjithmonë është pjesë e asaj që bën, është prezent në punën e tij dhe mua kjo më pëlqen. Sot një gjë e tillë nuk haset shumë shpesh. Filmi që po realizojmë prek detaje relevante nga jeta e Lumes, është një përpjekje për të bërë të prekshme tonalitet e saj, ndjesitë, shprehitë. Gjeneza është e tashmja, është një film që realizohet duke marrë parasysh një shikues/e të ardhshëm/e, i/e cili/a ashtu si Tini nuk e ka njohur Lumturinë, por i lejon që ta njoh atë hap pas hapi.
Puna është bashkëpunim, është një kombinim shkrimesh e shënimesh qe ka lënë Lumturia, dhe regjistrimeve tona nëpër vende që kanë pasur kuptime të veçanta për artisten. Filmi është dhe një mënyrë për ta shkëputur shikuesin nga veprat dhe për ta lënë atë vetëm me artisten.
-Lumturi Blloshmi ka lënë një trashëgimi të madhe me punë, artifakte; ju keni patur fatin ta njihni personalisht dhe të punoni me të që prej vitit 2016. Do doja të pyesja nëse ka pasur persona që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në njohjen e periudhave të mëparshme, të aspekteve të tjera të punës të artistes?
Së pari familja, sidomos nipi i saj Ervin Blloshmi, i cili gjithashtu ka studiuar vet në Akademinë e Arteve, me të cilin artistja kishte një lidhje të veçantë. Është me një rëndësi shumë të madhe që familja e artistes është e ndërgjegjshme për vlerën e kësaj pune dhe ka dëshirën ta ndajë me publikun. Ndërsa ndër vite kam njohur dhe bashkëpunëtore të tjerë të Lumes, shkrimtarin dhe artistin Rudi Erebara, fotografin Albes Fusha, publicistin dhe shkrimtarin Krenar Zejno, kërkuesen e artit dhe kuratoren Suzana Varvarica, kërkuesen e artit Eleni Laperi, koreografin Gjergj Prevazi.
Të gjitha kata profesionistë që përmenda kanë bashkëpunuar me artisten, e kanë mbështetur në rrugëtimin e saj the jam shumë e lumtur që me njohurinë e tyre kanë qënë dhe një mbështesë për mua. Duhet ta theksoj dhe një herë që ky prezantim është shumë i rëndësishëm, hera e parë që një artiste grua përfaqëson vendin me një prezantim solo. Por mbështetja më e madhe në këtë udhëtim për mua ka qenë vet Lumja, me gjithë arkivat që ka lënë, shkrimet, punët. Në mënyrë që të vazhdoj të shpalos e analizoj e të bëj më të aksesueshme këto materiale për publikun do më duhet të kaloj më shumë kohë me to dhe shpresoj që mbas përfundimit të Bienales të mundem.
-Çfarë do doje të realizoje për punën e Lumturi Blloshmit në të ardhmen? Të pyes këtë sepse kam shumë kohë që shoh në punën time galeri arti që përveç mbështetjes të artistëve të rinj, mbështesin dhe hedhin dritë mbi artistë të ashtuquajtur të papërfaqësuar (disa jetojnë, të tjerë/a kanë ndërruar jetë vitet e fundit). Kur them këtë më vjen në mëndje Galeria Tiziana Di Caro në Napoli që ka bërë një punë masive për artiste që prezanton si Tomaso Binga (*1931), Betty Danon (1920-2002), Simona Weller (*1940); apo puna e galeristit berlinez Tobias Posselt me veprën e Erich Reusch (1925-2019) ose galeria franceze Ciccia-Levi me punën e të paharruarës Lisetta Carmi (1924-2022). Cili është qëndrimi juaj, çfarë do doje të arrije për trashëgiminë e Lumturisë, dhe çfarë mendimi ke për artistët e të ashtuquajtur të papërfaqësuar?
Sot kemi gjithëllojë artistësh, për mua kanë rëndësi apo më bien në sy ata artista që bëjnë art sepse është një force e brendshme që i shtyn, që e shohin procesin kreativ si gati një mision shumë më të madh për të transferuar një eksperiencë më të gjerë.
Shumë nga këta lloj artistësh që und përmend shpesh kanë punuar në mënyrë të pavarur nga bota e artit, edhe pse kushtet nuk kanë qenë të lehta. Për këtë arsye më duket shumë e rëndësishme të eksploroj pikërisht këta, edhe mbas shumë viteve, sepse pikërisht këta artist mbartin një rëndësi që nuk ka kohë, vend, hapësirë. Blloshmi ka qenë një nga këto artiste, kjo i ka dhënë dhe sigurinë që ishte gjithmonë në kohën e duhur, në vendin e duhur.
Në të njëjtën kohë ishte dhe koshiente që punën e saj ta bënte më të prekshme, te dukshme. Ndërkohe është detyra jonë, e ne kuratorëve/kuratoreve, institucioneve, historianëve/historianeve të artit të ruajmë këto punë, ti bëjmë publike dhe p të ndërmjetësojmë mënyrën se si këto vepra shikohen. Dhe unë besoj që arti me vlerë herët ose vonë do ta gjejë rrugën drejt publikut.
Blloshmi është një artiste e në nivel ndërkombëtar, për këtë arsye do punoj fort që ta çoj këtë punë në koleksione dhe muzeume të rëndësishme. Ëndrra e artistes ka qënë që një ditë të ekzistonte një muze dedikuar veprës së saj dhe shpresoj që dhe kjo të arrihet me ndihmë. Do ishte një dhuratë kundrejt botës së artit dhe artistes. Lumturia nuk e ka lënë kurrë Shqipërinë, nuk donte të emigrante, ishte e lidhur fort me realitetin shqiptar, edhe pse shpesh kishte probleme me të. Do ishte shumë e rëndësishme të kishim një muze të saj këtu, kjo do ishte e rëndësishme dhe me vlerë dhe për gjeneratat e tjera të artistëve.Shënim: Intervista e mësipërme është ribotim. Botimi i parë i saj ka ndodhur në revistën austriake për art dhe kulturë “Les Nouveax Riches” (Mars, 2022)/ Nga Erka Shalari