Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) bën me dije se malaria vijon të mos jetë një sëmundje me transmetim endemik në Shqipëri. Rastet e konstatuara ndër vite kanë qenë sporadike dhe të importuara, si pasojë e ekspozimit ndaj infeksionit në shtete ku kjo sëmundje është e përhapur.
Rasti i fundit i raportuar është trajtuar në kohë dhe sipas protokolleve mjekësore në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pas trajtimit dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ka lënë spitalin dhe aktualisht ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Sipas ISHP-së, rasti është i importuar dhe nuk përbën dëshmi të transmetimit të sëmundjes brenda territorit shqiptar
12 raste të raportuara nga viti 2022 deri në vitin 2026
Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022–2026 në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 12 raste me malarie.
Shpërndarja e rasteve sipas viteve paraqitet si më poshtë:
2022: 1 rast
2023: 5 raste
2024: 3 raste
2025: 2 raste
2026: 1 rast
ISHP sqaron se të gjitha rastet e identifikuara gjatë kësaj periudhe janë të importuara, pasi personat e prekur janë ekspozuar ndaj infeksionit jashtë territorit të Shqipërisë. Gjatë pesë viteve të fundit nuk është konstatuar asnjë rast i transmetimit të malaries brenda vendit.
Ndërkohë, në kuadër të vlerësimit të situatës, një ekip multidisiplinar i Institutit të Shëndetit Publik, me specialistë të Epidemiologjisë, Entomologjisë dhe Shëndetit në Punë, po zhvillon vlerësime epidemiologjike dhe entomologjike në terren.
Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se monitorimi vijon përmes sistemit të survejancës epidemiologjike dhe bashkëpunimit me strukturat shëndetësore, me qëllim identifikimin dhe trajtimin në kohë të çdo rasti të mundshëm.
ISHP rithekson se rastet e raportuara në Shqipëri janë sporadike dhe të importuara, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë evidencë për transmetim të malaries brenda vendit. Situata vijon të jetë nën monitorimin e vazhdueshëm të autoriteteve të shëndetit publik.
j.l./ dita
