Nga FATOS TARIFA
Koha për një fillim të ri
Shqipëria jeton sot nën hijen e një pushteti arrogant, autoritaritarist dhe klientelist. Kriza që përjetojmë nuk është thjesht politike; ajo është, mbi të gjitha, një krizë morale, një krizë besimi. Shkaku më i thellë i saj është humbja e dimensionit emancipues të politikës dhe degradimi i saj në instrument dominimi.
Pas vitit 1991, e majta shqiptare ishte zëri i barazisë dhe i dinjitetit njerëzor; sot ajo është shndërruar në një strukturë për administrimin dhe kontrollin e pushtetit. Ajo që i mungon së majtës shqiptare sot nuk është vetëm programi dhe demokracia në strukturat organizative të saj, por vetë fryma e lirisë, e solidaritetit dhe e përgjegjësisë.
Partia Socialiste, dikur familja politike e punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve progresistë, nuk është më partia e solidaritetit dhe e mendimit kritik.
Ajo është shndërruar në një strukturë hierarkike burokratike dhe autoritariste, ku idealet sociale dhe bindjet politike janë zëvendësuar nga servilizmi dhe oreksi për favore; ku besnikëria personale ndaj kryetarit çmohet më shumë se besnikëria ndaj idealeve dhe interesit publik.
Ky nuk është thjesht problemi i një njeriu, por i një sistemi të tërë që ka zëvendësuar meritën me klientelizmin, lirinë me frikën dhe kurajën me nënshtrimin. Siç paralajmëronte C. Wright Mills, një nga themeluesit e së Majtës së Re (New Left), kur politika kapet nga një elitë e pushtetit, ajo shndërrohet në aparat dominimi dhe humbet lidhjen me shoqërinë. Ky paralajmërim i Mills-it, që frymëzoi brezin e së Majtës së Re, mbetet aktual sot, sepse edhe në Shqipëri politika është kapur nga një elitë e ngushtë që e ka kthyer pushtetin në mjet sundimi, jo në forcë emancipimi shoqëror.
Një organizatë politike që ka humbur busullën morale, demokracinë në përfaqësim dhe vendimmarrje, pasurinë dhe forcën intelektuale, ka humbur edhe aftësinë për t’u vetëkorrigjuar dhe reformuar. Një kënetë me ujë të ndenjur nuk pastrohet duke lëvizur baltën e saj; ajo pastrohet vetëm duke krijuar prurje të reja uji të pastërt.
Pse duhet një forcë e re e majtë?
Shqipëria ka nevojë për një të majtë moderne, europiane, demokratike e sociale. Një të majtë që mbron punën, jo privilegjin. Një të majtë që vlerëson dhe mbron njerëzit e ndershëm, jo të korruptuarit. Një të majtë që mbron shtetin social, jo oligarkinë. Një të majtë që e sheh qytetarin si qëllim të politikës, jo si statistikë dhe instrument elektoral.
Në një kohë kur pabarazitë ekonomike e sociale thellohen, kur të rinjtë largohen nga vendi, kur profesioni i mësuesit dhe ai i mjekut humbasin dinjitetin që u takon si shtylla të shoqërisë, dhe kur pensionistët—një e katërta e popullsisë—jetojnë në kushte aspak dinjitoze, Shqipëria përjeton pikërisht atë që Karl Polanyi, më shumë se 80 vite më parë, e quante “utopi e pamëshirshme” e tregut vetërregullues, një logjikë që shkatërron substancën njerëzore dhe natyrore të shoqërisë.
Përballë këtij realiteti, vendi ka nevojë për një alternativë të re progresiste, e cila nuk mund të lindë nga strukturat e sotme të Partisë Socialiste, e aq më pak nga koka e një individi të vetëm, por nga një lëvizje e re qytetare dhe intelektuale që e sheh politikën jo si pronë të pushtetit, por si një forcë emancipuese, si një instrument çlirimi, progresi dhe përgjegjësie kolektive
Dimensioni europian i së majtës së re
Orientimi europian është po aq i domosdoshëm sa vetë ringritja e së majtës. Integrimi në Bashkimin Europian nuk është thjesht një proces teknik negociatash, por një projekt transformimi demokratik e shoqëror. Për ne, shqiptarët, Europa nuk është vetëm tregu i përbashkët apo fondet e zhvillimit; Europa është hapësira e shtetit të së drejtës, e institucioneve të pavarura, e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e solidaritetit dhe e dinjitetit njerëzor—vlera që përputhen natyrshëm me idealet më të mira të së majtës.
Ringjallja e së majtës shqiptare është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë europiane. Thellimi i pabarazisë dhe kriza e përfaqësimit kanë rikthyer nevojën për politika progresiste, për një shtet më të drejtë dhe një demokraci më pjesëmarrëse. Demokracia nuk është vetëm pjesëmarrje në zgjedhje, por një proces i vazhdueshëm diskutimi publik, ku, siç vinte në dukje Habermas, vendimet marrin legjitimitet nga pjesëmarrja aktive e qytetarëve në vendimmarrje (një demokraci deliberative), përmes komunikimit dhe debatit të lirë. Pas dekadash shkëputjeje nga baza e vet shoqërore, socialdemokracia po kërkon të rifitojë shpirtin e saj.
E majta e re shqiptare duhet të frymëzohet nga kjo traditë europiane, duke mbrojtur punën, solidaritetin dhe barazinë e mundësive, pa rënë në dogmatizëm apo nostalgji. Ajo duhet të ndërtojë një program që i përgjigjet sfidave të sotme: pabarazisë, emigrimit, dobësimit të institucioneve dhe degradimit të shërbimeve publike. Dimensioni europian është ura që lidh kritikën ndaj gjendjes aktuale me vizionin e një alternative të re politike.
Një thirrje për socialistët e zhgënjyer
E sotmja është koha që socialistët e ndershëm të flasin e të organizohen. Jo për hakmarrje ndaj ledershipit të tyre aktual, por në emër të idealeve të tyre sociale. Kjo nismë duhet të mbledhë së bashku personalitete me integritet, njerëz të mençur e të drejtë, që nuk e kanë shitur mendimin e tyre për favore apo për konformizëm politik. Nuk ka rëndësi se kush e udhëheq këtë proces; rëndësi ka që ai të nisë, sepse heshtja, në një kohë si kjo, do të ishte tradhti ndaj së majtës dhe ndaj dinjitetit qytetar.
Një identitet i qartë socialdemokrat
Nisma e re duhet të ketë një identitet të qartë socialdemokrat. Emri i lëvizjes apo i organizatës që mund të krijohet ka rëndësi, por më shumë rëndësi se emri ka përmbajtja: rikthimi i traditës socialdemokrate europiane—drejtësia sociale, ekonomia e tregut të përgjeshëm, shteti ligjor, meritokracia dhe solidariteti.
Kjo lëvizje duhet të jetë e hapur dhe të tërheqë në gjirin e saj intelektualët dhe profesionistët më të mirë të vendit. Ajo nuk duhet të ndërtohet si një makinë elektorale, por si një komunitet vlerash, idesh dhe vullnetesh njerëzore për progres shoqëror. Programi politik i saj duhet të lindë nga debati i hapur, jo nga një grup i vogël sektar apo nga zyra e një kryetari. Sepse asnjë rilindje politike nuk është e mundur pa rilindje intelektuale, pa mendim të lirë racional e kritik. Pa filozofinë e lirisë dhe pa etikën e përgjegjësisë, politika humbet dimensionin e saj njerëzor dhe kthehet në një instrument të ftohtë pushteti.
Një kontratë e re morale
Nismëtarët e kësaj lëvizjeje duhet të deklarojnë qartë se nuk e ndërmarrin këtë nismë për poste qeveritare. Qëllimi nuk është karriera personale në politikë dhe përfitimi personal prej saj, por ringritja e së majtës. Shqiptarët janë lodhur nga politikanë që flasin për ideale dhe në emër të interesit publik, por mendjen e kanë vetëm te pushteti dhe pasurimi i tyre. Ajo që presin qytetarët është e kundërta: njerëz që sakrifikojnë pushtetin për ideale dhe për të mirën publike, sepse vetëm kështu politika rifiton dinjitetin e saj dhe vihet në shërbim të shoqërisë.
Për një Shqipëri më të drejtë
Një politikë e re progresiste duhet të ndërtohet mbi parimin e drejtësisë si barazi. Siç argumentonte John Rawls, parimet e drejtësisë duhet të zgjidhen sikur askush të mos dinte pozitën e tij shoqërore, në mënyrë që të jenë njëlloj të drejta për të gjithë. Kjo kontratë morale e re nuk mund të lejojë që pushteti të shërbejë vetëm për të fortët, por duhet të garantojë që çdo pabarazi të justifikohet vetëm nëse rrit mirëqenien e më të dobëtëve, ndërkohë që shoqëria garanton barazi të vërtetë mundësish për të gjithë.
Në Shqipëri kjo nënkupton se arsimi, punësimi, strehimi dhe shëndetësia nuk mund të jene privilegj i një pakice njerëzish të pasur e me pushtet, ose të lidhur me të, por duhet të garantohen si të drejta universale e të barabarta për çdo qytetar. Po kështu, në një shoqëri që po humbet gjakun e saj të ri dhe po plaket përditë e më shumë, shoqëria dhe shteti duhet t’i shpërblejnë më mirë dhe t’i trajtojnë me më shumë dinjitet pensionistët për kontributet që ata kanë dhënë në zhvillimin e vendit, për të mos i thelluar edhe më tej pabarazitë sociale.
E majta e re duhet të flasë qartë për plagët e vendit: pagat e ulëta, pensionet e pamjaftueshme, emigracionin, krizën e strehimit, arsimin publik, shëndetësinë, mjedisin, të drejtat e punës dhe korrupsionin. Ajo duhet të ndërtojë një ekonomi që shpërblen punën, jo lidhjet me pushtetin, dhe ta rikthejë politikën nga një strukturë pushtetmbajtëse në një forcë transformuese, ku pushteti nuk është privilegji personal, por përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe nën kontrollin e saj.
Një rilindje e majtë
Historia politike e Shqipërisë, ashtu si ajo e vendeve të tjera, dëshmon se partitë nuk janë të përjetshme. Kur devijojnë nga parimet dhe humbasin misionin e tyre, ato zëvendësohen nga forca të reja. Partia Socialiste ka humbur shpirtin e saj progresist, por kjo nuk do të thotë se e majta në Shqipëri ka vdekur. Kjo do të thotë se e majta duhet të rilindë. Jo si nostalgji për të shkuarën, jo si revoltë personale, jo si projekt karriere politike, por si një lëvizje e re qytetare, intelektuale dhe politike që rikthen në qendër të vëmendjes dhe të kujdesit dinjitetin e njeriut, interesin publik, drejtësinë sociale dhe demokracinë.
Koha është tani. Koha për të ringritur të majtën.
DITA
