Gazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Lajmi i fundit
Avokati i Bllakos: Akuza për korrupsion nuk ekziston, çështja penale ndaj tij duhet pushuar!
Aktualitet Kronike
Messi feston Botërorin me golin e 800-të personal, Laporta e josh: Derën e Barcelonës e ka të hapur
Aktualitet Sport
Vrasja në Belgjikë/ Kush është spiuni “Fati”, që sipas të penduarit Nuredin Dumani, shiti “Arjanin e vogël” te Çopjat
Aktualitet Kronike
Skema e Sylvinho/ Shqipëria pritet të luajë me tre sulmues kundër Polonisë
Aktualitet Sport
Ish-shërbyesi denoncon presidentin e PSG: Pësova ngacmime dhe presione në punë! Al Khelaifi: Është kriminel dhe shantazhist!
Aktualitet Sport
Aa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Jeta në cift
  • Kopertina
  • Arkiva
Duke lexuar: Mato Hasani me derte
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Aa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Jeta në cift
  • Kopertina
  • Arkiva
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kosovë
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Mato Hasani me derte
Kulture

Mato Hasani me derte

Published 15 Mars, 2023
Shpërndaje
Shpërndaje

Ilirian Ballaj

 

Në se të tjerët, në lëmin e vjershërimit popullor, kishin mbushur “një hejbe me këngë labe”, Mato Hasani i Brate i kishte mbushur e lënë hararët plot e përplot, madje që herët. I kishte mbushur hararët, i kishte botuar në gazetën “Zëri i Vlorës”, në fletën satirike “Zegali” ”Tyrjela” dhe ne revistën “Hosteni”  e më vonë i kishte lënë në heshtjen e tyre, në vetminë e tyre, si armë të mbetura nga lufta, që rrinë varur në mure  e që presin të tjera luftëra. Mato Hasani i ndrydhi brenda shpirtit të vet një pjesë të këngëve të  tij, për një kapriço të kohës, për vetëm dy vargje popullore ku bënte thirrje për ujdi, për paqe e qetësi mes palëve në luftë:

Ç’kini a thika u gristë,

Jo ballistë, jo komunistë.

 

Ai i kishte lënë aty këngët si Homeri i lashtësisë, që një ditë të riktheheshin sikurse rikthehet kujtesa, shpesh e hedhur, e pluhurosur, por kurrë e varrosur. Këngët e tij shpërndajnë edhe sot  erën e barutit, erën e lirisë, erën e  maraqit, (esenca bimore aperitive malore, e rrallë në Labëri), ato kanë të freskët erën e trëndelinës dhe rigonit të Stogoit mitik të Bratit e të maleve përreth, ato këngë rrjedhin edhe sot si gurdare-të  qelibar të Mihoçit, plot freski, plot kthjellësi, që të shuajnë etjen e të freskojnë, të rinojnë e të mbajnë gjallë.

I lindur më 12 dhjetor 1866 e vdekur më 1966, që ca thonë po në 12 dhjetor, jetoi gjatë e s’kishte si të ndodhte ndryshe, poshtë Stogoit lindnin djem e bëheshin burra atdheu, lart rriteshin bredha e bëheshin pyje jete. Kur lindte një fëmijë, thoshin atje, lart mbinte një bredh, djali bëhej burrë e bredhi tëndë për të gjithë.  U rrit në Brataj të Vlorës xha Matoja, marrë e përthithur që në rini, tërë mençurinë e atjeshme, i bredhur tutje shkretëtirave të Aleppos, Sirisë sot, për trembëdhjetë vite nizam, Mato Hasani do ta njihte jetën shumë e kjo do t’i bënte mirë në vjershërimet e tij, sepse sikurse shkruhej që në Ilirinë tonë, poezia është së pari njohje, ndjesi e shpirt,  e pastaj rimë e ç’janë ato të tjerat, që s’i dinte xha Mato fare  se ç’ishin e që do ta përsëriste këtë edhe Dritëro Agolli në Universitetet tona, megjithëse jepte teorinë e letërsisë. “Poezia së pari është jetë, njohje, shpirt, ndjesi e pastaj….ç’janë ato të tjerat: varg e rimë e ….”.

Në se do të mundoheshim ta vidhnim në bejtet e tij të madhin Mato, shumë modestisht,  do të vargëzonim për të:

Mato Hasani me derte,

Rrënjët në gurë si rrepe.

Gjoksin hapur mbi Stogua,

Si shqiponjë a si fajkua,

Loz me retë e, çfarë thua?!

 

Mato Hasani është një aisberg, që lëviz butë në oqeanin e vjershërimit, që  një e shtata e pjesës së tij duket lart  mbi ujë, pjesa tjetër është poshtë. Ai lëviz e lëviz edhe sot në oqeanin e etnokulturës labe e më tej, në zhanrin e poezisë, të këngës popullore. Ta zbërthesh Mato Hasanin në llojin që përfaqëson në poezinë popullore, duhet shumë punë, duhen shumë çelësa e kaçavida a mbase edhe një mors i madh që ta çmontosh, duhen shumë net dasmash e vdekjesh, duhen shumë urime e ngushëllime, shumë këngë e vaje, sikurse ka qenë e është…  jeta, shumë punë e mendje. E ai mbetet një temë më vetë edhe për të ardhmen, në atë që përfaqëson, në madhështinë e tij të vargut popullor. Në krijimtarinë e tij gjen shumë përvoja, ato rinore e luftarake, ato djaloshare e erotike, ato burrërore e kuvendore, ato të heshtura e të pathëna prej kohës, ato pleqërore e anekdotike, e që do t’i shkonin vargjet:

O bilbil, bilbil gjyzar’

Pse s’këndon si në behar?

Si në prill  e si në maj.

Këndoj, po zëri m’u var!!!

 

Ai shpërfaqet madhështor sikurse ishte, i thellë në mendim, shpesh i nënkuptueshëm e alegorik në ato që shprehte, duke përdorur edhe një  sarkazëm therëse për vete e që diku larg godiste, tutje, shumë tutje tij. Në vargun e Matos është shpërfaqur epizmi dhe lirizmi, satira dhe humori, metafora dhe metonimia, krahasimi dhe paralelizma, analiza dhe sinteza, dhe ajo që e bën më të këndshme krijimtarinë e tij, është edhe e folura me koloritin krahinor, lokal, sikurse është folur shqipja në rrënjë. Aty, edhe në libra, edhe në leksione e referenca është Matoja, Kongolëmi, Brati, Lumi i Vlorës, Labëria, është e gjithë Shqipëria e më tej, kudo në viset e saj brenda dhe jashtë kufijve të padrejtësisë historike ballkanike dhe europiane. Aty Matoja vjershëron sikurse këndon bilbili në maj mbi gurët e zallin, ku fryn livë (erë e ngrohtë) në mbrëmje. E Matoja ishte bilbili i krojeve labe, i lëndinave, i gurgullimave të përrenjve, nëpër gurë, i gurdareve të malit, i zallit të lumit…Ai ishte edhe shqiponja që valëzonte me retë sipër Çikës, syrit të së cilës nuk i shpëton as milingona në tokë. E këlthiste e arratisej tutje luginës, kapërcente edhe male e i lëshohej, nën rrymën e erës duke anuar vetëm krahët, detit paanë.

Njerëzit janë dy llojesh, shkruan një filozof hindu, një pjesë kanë ardhur në këtë jetë për t’u djegur, për t’u përvëluar për të tjerët (sikurse Naimi ynë do të thosha unë), një pjesë kanë ardhur për t’u ngrohur në zjarrin e tyre. Ata, të parët, janë si pemët që digjen në shkretëtirë nën diellin mbi kokë për t’u bërë hije të tjerëve. Mato Hasani, është një pemë e madhe, që u dogj vetë në sy të diellit për t’u bërë një mriz i të tjerëve, ai është një gur i madh qoshi a themeli sikurse thashë, ai është një ajsberg, madhështia e tij mbase nuk iku bashkë me të, edhe pse koha e la pak pas për arsye jo të tijat, por për arsyet e vet kohës. Matoja nuk kishte problem me kohën, pati koha me Maton. Matoja nuk kishte nevojë për kohën, kishte koha nevojë për të. Ai iku sikurse ikin njerëzit e mëdhenj, lehtë e qetë e pa zë, si me majat e këmbëve, për të mos trazuar kurrkënd, sepse e dinte, që  “Zeusi”, kur prishej me të vetët, i hidhte që nga maja e Olimpit. E hodhën dhe Maton, mbase që nga Stogoi e përposh, por ai qëndroi në këmbë.

Për një këngë kishte ndodhur ftohja, aty kishte ndodhur ngrirja, aty kishte ndodhur mëria e mënjanimi, prishja me të e Matoja ishte tërhequr në vetminë e tij, në heshtjen e vet, e për të kishte mjaftuar vetëm e shkuara, këngët për pavarësinë, për Njëzetën, për Gjormin, për Kotën, për Ismail Qemalin, Llogoranë, Janinën, për Avni Rustemin, për Osmën Haxhiun, ai jetonte mes aromës së maleve, gurgullimës kërkëllitëse në rrjedhën e tij uji i Mihoçit, tallazitjes së reve, aromës së vetëtimave. Vjershërima e Mato Hasanit ka qenë  gjallë jo vetëm në Brataj, që e sillnin Meto Cano, Sefer Memo, Kadri Brahimi në këngët që këndonin, e Matoja radhitej krahas Selim Hasanit, Qazim Ademit, Tartar Zekës, Xhemil Veli Dukës, Xhebro Gjikës, Perlat Hasanit, Miftar Shuaipit, Hyso Salatit, Isak Sejdinit, Hamit Sitës, Sinan Xhelit, Ali Dines, Miserdhe Rexhepit, e të tjerë vjershëtorë.  Ishin profesorët e mëdhenj të folkloristikës shqiptare, atje në universitetet shqiptare, që shpesh pyesnin për Mato Hasanin, ishin Hetem Haxhiademi, Zihni Sako, Kozma Vasili, Arsen Mustaqi, të cilët edhe psherëtinin për atë mungesë të krijimtarisë së Matos kohët e fundit, jo se nuk dinte Matoja të vjershëronte e  të këndonte, se  ai ishte si bilbili. Humbet kënga tek bilbili? Jo! Por sepse koha, ishte edhe jokoha… Ai u kthye në shqiponjë që  këlthiste në vetminë e vet, në Stogua a Qeramëngë e që i bënin iso edhe Çika e Çipini. Atij do t’i shkonin shumë vargjet e Lasgush Poradecit:

Një shqiponjë e arratisur,

Fluturon në Mal të Thatë.

 

Atij do ti shkonin shumë vargjet e prozës poetike të Gorkit:

Mbi të thinjin shesh të detit,

Era frynë e tunden retë.

Midis detit dhe reve,

Kryelartë shkon zgalemi.

                       Dhe… këlthet.

Ai nuk e bënte dot kanarinën e kafazit, të kuvlisë. E këtë Matoja nuk e bënte dot kurrsesi. Kam lexuar se mendimin më të fuqishëm, më të shëndoshë, më të kursyer, e kanë memecët. Ne, me gojë e veshë, i lexojmë apo edhe s’i lexojmë dot  mendimet e të tjerëve kur na trokasin tek veshi nga që shpesh nuk e kemi vëmendjen,  ndërsa memecët e rrëmbejnë fjalën që kur lëshohet nga buzët e tjetrit. Matoja atje, në Mal të Brate, mbase mblidhte dhe retë rreth tij e ia merrte këngës përmes shkreptimave, mbase mblidhte edhe shqiponjat e ia mbërthente valles me valëzime malesh, mbase isoja e këngës së tij, ishte edhe uturima e detit poshtë këmbëve të tij, mbase… Kur thinjet deti nga tallazi, shkruante Gorki i madh, zgalemët ngrihen lart, dhe këlthasin mbi të thinjurin shesh të detit.

Vjershërimi i Mato Hasanit ishte një institucion i tërë, ishte një shkollë më vete, ai kishte parimet e tij, teknikat e tij, mjetet e tij, psikologjinë e vet, ndjesinë e vet dhe mjeshtërinë e vargëzimit, por që të ishte më rehat me vetveten, e kishte përqendruar krijimtarinë tek autoportreti, tek vetvetja, tamam si piktorët e mëdhenj Rembrand e Van Gog. E ai vjershëronte:

 

 

 

“Shokë, ç’do t’ju them nashti,

Le ta dëgjojë një botë.

Unë jam Mato Hasani,

Me këngën u bëra shok.

Një njeri që s’kamte shkollë,

Këngët ua jap me okë.”

 

Matoja i shrynte bulçitë si Poseidone, i qasej pranë gjithë erënaja e kohës, ai dhe kënga kishin ngelur dy shokë të mirë, që nuk u ndanë kurrë. Pastaj ai shpërthen: “këngët ua jap me okë”.  Matoja kishte thënë në heshtjen e vet se ishte ai që kishte qenë e do të ishte ai që është, ai kishte parimet e veta morale e mbi gjithçka qëndronte dinjiteti e personaliteti i tij, askurrë zvarritja. Shkollë dhe kulturë është edhe të shohësh botën sikur e kishte parë Matoja për trembëdhjetë vjet, dhe e kishte parë jo në paqe, por në luftë, edhe të bësh me njerëz të zgjuar e në Brataj, Matos nuk i kishin munguar, ai kishte biseduar edhe me Brahim Musa efendinë e Pënjo Koçin, kishte marrë pjesë në kuvende burrash. Ai donte këngën, donte paqe, donte njerëzit:

“Mato Hasani bidat,

Kur jeshje i ri, bajrak!

S’doje pronë e s’doje hakë,

Doje këngë, s’doje gjak.

Tani thonë vdiq një plak. ”(bidat- mbetur brenda)

Tash, thotë, unë nuk jam më edhe pse nuk ishte edhe aq i plakur, por i “shtëmëngur” që  do të thoshte, me zhargonin e vet, i shmangur. Por unë do të pranoja për më të saktë fjalën “shtëmëngur”, shtyrë, hedhur dhe munguar. E në këtë pikëpamje vlerë do të kishte që edhe e folura e tij, leksiku, strukturat gramatikore të tij, fjalëformimi, fleksibiliteti emëror  dhe foljor,  autoktonësia e vargut të Mato Hasanit, të ishin bërë objekt studimi edhe gjuhësor edhe letrar më mirë se deri tani në shkollat tona, apo edhe stilistika e tij:

Njëqind vjet jetë kam parë,

Sikur kam ngjitur një shkallë,

Se veshët më janë tharë,

Se sytë zënë e më qajnë

Ndaj, o djem u vaftë mbarë!

S’ë dynjaja për të qarë.  

 

E gjitha kjo është një sarkazëm e thellë për vetminë, mbase, më bën të shkoj tek Dante Aligheri, tek apologjia e shkruar për të nga nobelisti Montale, që thotë, citon Danten:

Jeta, në se shikoj pas,

E shkurtër sa shtegu i dhisë,

Në humnerë,

Në  se… e kaloj!!!!!

 

Poezia e Matos të ngjit lart, ku gërvish llërët, mes  gjithësisë. Ai iu kthye vetes, me autoportretin, sepse ajo i kishte ngelur, por ai qëndron shumë lart në lëmin e atdhetarisë, traditës, zakonit, heroizmit, elegjisë, dhimbjes. Në bisedën me Osman Haxhiun më 1927 në një dasmë në Lubonjë,-shkruan Gaçe, Osmëni e kishte pyetur Maton në se gjatë jetës si nizam për trembëdhjetë vjet, a ishte takuar ndonjëherë me vdekjen:

-Disa herë- kishte thënë, pa e zgjatur, sikurse ia kërkonte protokolli në biseda me njerëz të mëdhenj si Osman Haxhiu. –Më ka ndenjur vdekja mbi kokë si gaboi, e unë, hë më merr sot e hë nesër.

E Osmën Haxhiu i kishte thënë: “Mato, s’të merr dot gaboi, ti je një shqiponjë që fluturon shumë më lart se ai.”

Ai jetoi gjatë, shumë gjatë, sa shqiponja, natyrisht një rastësi. Por jo. Në Brataj njerëzit jetojnë shumë, ata hanë inat me bredhat e malit, por janë edhe të freskët, të kthjellët deri sa vdesin. Në Brataj zor se ngatërrohet llafi edhe kur kalojnë të njëqindat. Kur e pyetën në Dibër një lurian 110 vjeç se nga i kishte ardhur tërë ajo jetëgjatësi, kishte thënë:

-Pyet këto- për pishat. E pishat Brati i ka mbi kokë. Ato ishin hije, ato mbulonin tëndën e stanin, ato ishin shtroje, ato ishin aromë, ato ishin kuvende, prandaj pleqtë e brate hanin inat me to, kush rron më shumë.

Vetë figura e tij ngeli si një mitologji po e gjallë, klithma e tij si një kushtrim drithërues shqiponje a zgalemi dhe ironia e tij si uji që e ushqen gjelbërimin në rrënjët poshtë pa u dukur, pa u shfaqur.  Mençuria e hollë e njerëzve të kalibrit Mato, ashtu bratshe, është mbase një temë hulumtimi, që duhet e mbase do të bëhet. Hambari tij që të ushqen me këngë, është plot e i përmbushur, ai, ka ushqyer e do të ushqejë lirikën dhe epikën labe e më tej, por që i mungon një memorial, duhet.

Kur them se vargëzimi i tij është një shkollë, nënkuptoj edhe poezinë, edhe këngën, edhe vallen e tij, të cilat i thurte aty për aty, i këndonte ose i “dridhte”, në se kishte pranë shokët e vet, të Brataj,  e folkloristika, si një pjesë integrale e etnokulturës, duhet të depërtojë tek mesazhet e Mato Hasanit.

Ai edhe sot është një shqiponjë e arratisur që fluturon mbi Çikë e Stogua, kush do atje e ka, atje e gjen, mes reve, mes barit, trëndelinës, rrufeve, a mbase edhe në ballin e një tënde me sharkun (brrucin) shtruar… në gjumë… që mos kujto se fle…

 

J L 15 Mars, 2023
Shpërndaje këtë artikull
Facebook TwitterEmail Printo

Lajmi i Fundit

  • Avokati i Bllakos: Akuza për korrupsion nuk ekziston, çështja penale ndaj tij duhet pushuar!
  • Messi feston Botërorin me golin e 800-të personal, Laporta e josh: Derën e Barcelonës e ka të hapur
  • Vrasja në Belgjikë/ Kush është spiuni “Fati”, që sipas të penduarit Nuredin Dumani, shiti “Arjanin e vogël” te Çopjat
  • Skema e Sylvinho/ Shqipëria pritet të luajë me tre sulmues kundër Polonisë
  • Ish-shërbyesi denoncon presidentin e PSG: Pësova ngacmime dhe presione në punë! Al Khelaifi: Është kriminel dhe shantazhist!

Komentet e Fundit

  1. intelektuali në NJË MARRËVESHJE “PAR EXCELLENCE”
  2. intelektuali në Rama për BBC: T’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim
  3. Tironci në Rama për BBC: T’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim
  4. Tironci në NJË MARRËVESHJE “PAR EXCELLENCE”
  5. intelektuali në Rama për BBC: T’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim
Gazeta DitaGazeta Dita

© Copyright Gazeta Dita 2022. Te gjithe te drejtat e rezervuara

Removed from reading list

Hiq
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?