Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Mbi prozën e tironsit Bedri Alimehmeti
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Mbi prozën e tironsit Bedri Alimehmeti
Kulture

Mbi prozën e tironsit Bedri Alimehmeti

Published: September 24, 2022
Shpërndaje

Shpendi Topollaj

E vërteta është se Tirana ka pësuar ndër vite ndryshime të mëdha. Është modernizuar dhe ka marrë pamjen e një qyteti mirëfilli evropian. Edhe njerëzit kanë ndryshuar bashkë me të dhe janë shkolluar. Tani në kryeqytet kanë ardhur për të banuar dhe punuar nga të katër anët e vendit, që pa drojë mund t`i quajmë konglomerat. Numri i tyre ka mbërritur te një milioni. E folura gati – gati është ajo zyrtarja e pranuar të paktën qysh nga viti 1972. Ndërtesat e larta moderne kanë zëvendësuar shtëpitë një katëshe me qerpiç dhe ato oborret karakteristike me hurma e lule gjithfarësh. Kudo zotërojnë rrugët e gjëra të asfaltuara dhe ndriçuara me neon dhe rrallë, shumë rrallë të sheh syri ndonjë rrugicë me kalldrëm. Sa për gomerë, karroca e druapre as që bëhet fjalë. Furra për të pjekur tava në çdo lagje, nuk të zë më syri. Vargu i makinave luksoze nuk ka të mbaruar. Opingaxhinjtë, samarxhinjtë, qeleshexhinjtë, teneqepunuesit, bakraxhinjtë e hallvaxhinjtë me shokë janë zhdukur me kohë. Bagëtia as shitet e as theret shesheve. Edhe hoxha nuk hipën më në minare, por ndez altoparlantin. Kështu që brezi i ri as që e ka idenë se si ka qenë Tirana dikur.

Dhe për të mos humbur imazhi i saj, shkrimtari tiranas Bedri Alimehmeti “Mjeshtër i madh” etj., pas shumë librave në gjini të ndryshme, që mbajnë autorësinë e tij, i sjell lexuesve “Tregimet e Tironës”, botim i vitit 2021 nga ALSAR. Vërtetë ai qysh në krye shkruan: “Gurët e kalldramit do të t`i puth / Edhe pragjet e portave me radhë / Mëhall`e vjetër malli i zjarrtë prush / Po më djeg e përvëlon si stërall…”, por realisht, më shumë se nga nostalgjia e natyrshme, ai kërkon të na japë atë që mbeti përherë e pandryshuar te tiranasit e vjetër: dashurinë për vendlindjen, ndershmërinë dhe zemërbardhësinë e tyre. Pra, ai në të gjitha tregimet e këtij libri, i mëshon vetive dhe vlerave të mrekullueshme të banorëve autoktonë të qytetit, cilësi këto që aq bukur i promovon edhe shoqata “Tirana” e drejtuar me përkushtim nga zoti Arben Tafaj. Dhe për t`i bërë ato histori sa më të besueshme, Bedriu ka zgjedhur edhe guhën dhe dialektin e përdorur nga ata. Madje do të thoshja se pikërisht kjo i jep vërtetësi, forcë e kolorit të veçantë tregimeve të tij. I bën ato të këndshme me atë të folurën që tani thuajse nuk përdoret më, por që ai e zotëron si askush, madje edhe duke bërë sqarimet e nevojshme për turqizmat e kohës. Te tregimi hyrës ai ka gjetur një shpjegim për këtë, duke vënë në gojën e Lasgushit bukurinë e dialektit teksa merret me etimologjinë dhe transformimin e fjalës nga Tirana në Tirona. Për më tepër ai ndihet krenar kur prej Lasgushit të pavdekshëm artikulohet shprehja: “Dhe neve na vjen mirë dhe i gëzohemi pa masë yllësisë së tyre. Ndaj dhe ky popull i urtë dhe punëtor, mikpritës në kulm, dashamirës e bujar, që nuk di të përgojojë askënd e ka një arsye të fortë që nuk i thotë kurrë Tirana, por Tirona qytetit të tij, të cilin sigurisht e dashuron më shumë se sa ne”. Në tregimet e para “Hafiz Ibrahimi dhe gjuha shqipe”, “Qyteti i kërcënuar” dhe “E xhumaja e hafiz Mustafait” autori na fut në situata që na përgatisin përsa do vijojnë më tej. Një botë që po perëndon, që është në kërkim dhe pritje të diçkaje të re, e ka kuptuar si domosdoshmërinë e ruajtjes me fanatizëm të humanizmit ashtu edhe atë të arsimimit. Vetëm pse u mësonte shqipen, hafiz Bërhimit, zaptijet i ngarkojnë në kurriz të parin e lypsave, Burdadën dhe e shëtisin rrugëve për ta poshtëruar. Por ai deklaron: “Kujtoni se tuj m`dhonë mu kësisoj munimi e sikleti, i rren menja turqit se, po hek dorë ka shqipja. Kurrën e kurrës nuk hek dorë Ibrahim Dalliu, nesër po prap kom për t`i mbledh çunat”.

Të gjithë kemi dëgjuar emrin e dervish Hatixhesë, por jetën dhe veprën e saj thuajse nuk e njohim fare. Kështu që Bedriu e ka përshkruar guximin e saj për të ndihmuar e shpëtuar nga thonjtë e vdekjes aty nga mesi i shek. të XVIII – të, qytetarët, të rinj e të moshuar, kur kolera po i korrte pa mëshirë. Ajo me atë që bëri jo vetëm u pagëzua nga populli me titullin e lartë Dervish, por edhe meritoi fjalët e mësuesit të saj të parë Haxhi Ymer Kashari se “Ajo ishte substancë e grave më të pastra”. Të gjitha tregimet e këtij libri janë mjaft interesante, por dy prej tyre “Mallkim me gjamë” dhe “Vdekja e berberit” janë të denja për t`u përfshirë në çdo antologji të prozës shqiptare. Për më tepër, do të thoja se ato përbëjnë burimin e skenarëve për të realizuar filma që do të nderonin çdo regjisor. E para është një ngjarje tronditëse ku autori dhe shokët e tij bëhen dëshmitarë të orgjisë së oficerëve të sigurimit atje në breg të lumit dhe të nesërmen përjetojnë pushkatimin barbar prej tyre të tre njerëzve, faji i të cilëve qe se e donin atdheun me Kosovën bashkuar, dhe varrosjen sikur të ishin qen, në gropat që i kishin detyruar t`i hapnin vetë.

- Publicitet -

Tani të vimë te tregimi i mrekullueshëm kushtuar Kadri Berberit, njeriut të mirë që u shërbente pa përtuar të gjithëve, por që fillimisht e krejt padrejtësisht u keqkuptua. Shkrimtari i madh amerikan Ernest Heminguej diku pohon se i kishte dëgjuar dhe zbatuar me kujdes porositë e gazetarit të vjetër dhe njeriut të mirë Mois për tregimin. Ai thosh: “Tregimin ngrije mbi bazën e mbarështrimit të të vërtetave objektive… Nuk ke pse luan rolin e vrojtuesit dorëjashtë, por as rolin e “Zotit të Gjithëditur”, aq më tepër kur kjo bëhet brenda një paragrafi. Shkurt fjalët, marifetet duhen shmangur”. Dhe Bedri Alimehmeti, sikur t`i qenë drejtuar atij këto fjalë, ashtu si në të gjithë tregimet e tij edhe këtu, ka zgjedhur të rrëfejë thjeshtë, pa lojra fjalësh, pa dashur të duket. Berberi Kadri, një pesonazh i marrë nga jeta, të cilit as mbiemrin nuk ja kujtojnë, e ka artin e bukur te vepra e tij, te shpirtmadhësia e pashoqe. Ai në dukje është mizantrop. Shoqërohet vetëm me dyqanxhiun Reshit dhe në klub nuk ulet për të pirë ndonjë gotë me të tjerët. I mjafton vetëm një filxhan kafeje. Pikërisht për këtë, të tjerët nuk e duan, duke e quajtur dorështrënguar. Njëri prej tyre, Tuti, shprehet me mllef: “Ku ka me i çu gjith ato pare! Kon me iu qelb aqe m`gropët ku i ka fut. Si dreqin ka për t`mësu, kërkushi s`ka për t`i shku m`xhenoze, kur t`shoj m`at rrugë ku s`ka për t`u kthy mo”. Dhe kur fare papritur Kadri Berberi, pasi futi një trandafil në gotën e ujit që ta kishte për të nesërmen, vdes, ata vendosin të mos i shkojnë në varrim. Kështu donin ta turpëronin Kadriun fatkeq. Mirëpo ndërkohë vjen shoku i tij Shiti dhe u thotë se gjithë ata para që unë u kam dhënë kur keni fejuar e martuar fëmijët dhe ju nuk m`i keni kthyer, janë të Kadri Berberit i cili m`i jepte për ju sa herë të kishit nevojë, por pa ja zënë emrin e tij me gojë. “Deri m`sot nuk jua kom thonë, – kumboi zëri i Reshitit – por sone e shof ka ardh vakti me jua kallxu. T`Kadri Berberit kon qen t`gjitha. T`njatij burri që ka myll sy sone, t`atij robi që ka ndrru jetë vetëm dy sahat mo parë, t`njatij tironci që ju, lidh n`fjal me njoni qetrin doni me flliq, mos me i shku m`xhenoze”. Përfytyroni tani situatën që u krijua në pijetoren ku mbretëronte qetësia: “Dikut i kishte ngri xhezmja e kafes m`dorë, Tuti ishte mbledhur e qe bërë sa një grusht në karrike. Meti Shabon Çelës kishte varur kokën mbi gjoks, kurse Dullë samarxhiut i qe mbaru krejt cigarja e duhanit, ndërsa bishti i saj kishte nisur t`i përcëllonte buzën e trashë”. Skena të tilla të kujtojnë forcën e penës së Hygoit apo të penelit të Rembrandit. Ama për nga madhështia dhe humanizmi i veprimit, tironci Kadri Berberi nuk qëndron aspak larg heronjve që ata përjetësuan. Edhe në tregimet e tjera të këtij libri, ndeshim akte të ngjashme. Dikush i gjindet komshiut kur ka hall, me para, dikush u bën dhuratë vajzave të vogla që qajnë, ndonjë fustan për Bajram e dikush mbledh ndihma dhe ja lë te porta Rexhep Lalmit, dy baule me pajën e vajzës së tij Fitnetes, që do e martonte, por s`kishte me se. Dhe ja sesi i thotë ai të ëmës: “Ka burra Tirona ije, si askërkun n`Shqipni. Burra që nuk t`lojn kurrë vetëm, por t`gjinen mu aty ku nuk ta pret menja. Ta bojn nerin pa u ni dhe nuk dun ta mori vesht askërkushi se kush e ka bo… Nji shpirt – bardhësi si kjo zor të boj vaki në ndonji vend qetër”. Dhe sa dhimbje ndjejnë banorët për vdekjen e Nuries që këndonte dasmë më dasmë “Qajnë lulet për lulen o bo bo! / Lules ia këputën jetën o bo bo!” Ajo kishte mbetur shtatzënë me të fejuarin, por ende kjo ishte e turpshme, ndaj duke dashur të dështonte, nuk i pushonte hemoragjia dhe… ajo që kishte kënduar për të tjerat, tani sikur u thosh atyre këndoni ju për mua. “Ndërkohë, arkivoli me trupin e Nurijes kalonte nëpër duart e fuqishme të burrave deri sa zuri vend në karrocën e funeralit. Edhe e pajetë, ajo vijonte të ishte ende e bukur…” Të gjithëve u vinte keq e derdhnin lot për të, se e vjetra po shembej dhe po vinin kohë e mentalitete të reja.
Por tironsi Bedri Alimehmeti edhe për atë kohë që po jepte shpirt, sikur do të na kujtojë se kishte mjaft gjëra të mira, të moralshme e të virtytshme që nuk duhen hedhur pas krahëve, por duhen çuar akoma më tej. Dhe shkruan për to, deri edhe me zhargon, sot që vlerat e larta njerëzore janë vënë në dyshim. Po të më lejohej, për të do të perifrazoja fjalët e thëna për Yasunari Kawabatan se “është prozatori më japonez se të gjithë prozatorët e tjerë të këtij vendi”, se edhe Bedri Alimehmeti “është prozatori më tironas se të gjithë prozatorët e tjerë tiranas”.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Balla zemërohet pse Reuters transmeton live protestën në Tiranë: Kanë hall tjetër
  • Rama: Projekti i Zvërnecit nuk do ndalet, pavarësisht protestave
  • Aksident tragjik në bypassin e Vlorës, përplasen tre makina, humb jetën një 40-vjeçar
  • Sot provimi i dytë i Maturës Shtetërore, mbi 26.600 maturantë i nënshtrohen testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë
  • Rama për Al Jazeera: Nuk po e shesim Shqipërinë, projekti do realizohet

Komentet e Fundit

  1. . on VIDEO: Shqipëria e bukur është në shesh
  2. K R on VIDEO: Shqipëria e bukur është në shesh
  3. Detari on VIDEO: Shqipëria e bukur është në shesh
  4. nastradini on Shqipëria, në një vit, 33 mijë të rinj më pak
  5. Tosi on Shqipëria, në një vit, 33 mijë të rinj më pak

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?