Nga Ramazan Çeka
Unë isha atje mes këtyre njerëzve kaq të dashur e të pasionuar pas këngës shqiptare, por në mënyrë të veçantë isha atje për të ndjekur nga afër miqt e mi, ikonat e këngës shqiptare Shkurte Fejza, flaka që ndez zemrat e patriotizmit dardan, si dhe këngëtari Nikollë Nikprelaj, burim i pashtershëm dhe përçues i vlerave të mëdha artistike, të cilët u ngjitën në skenë për të performuar jo vetëm perlat e këngëve shqiptare nga repertori i tyre i mrekullueshëm, por në mënyrë të veçantë këngët e reja, si dhe duetin “Ah moj motër” që këtë verë u bë hit.
Për të pasqyruar me vërtetësi kontributin e artistëve malësorë në kulturën shqiptare, mund të përmendim: të paharrueshmin, Artistin e Merituar Sali Mani, si rapsod i papërsëritshëm, poetin Dodë Kaçaj, rapsodin Jonuz Delaj, virtuozin Lukë Kaçaj, por dhe artistët e përmasave kombëtare Angjelin Përlocaj, Shaban Bercaj, Rrok Gjelaj, Arben Delaj, Violeta Deda, Hanë Nikprelaj, Gjyste Vulaj etj, etj. Ata janë shumë dhe secili prej tyre meriton vlerësimin më të madh, por në këtë shkrim të përgatitur për gazeten “Dita” do të ndalem më gjatë për këngëtarin e Malësisë Nikollë Nikprelaj.
Në afirmimin, pasurimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, vlerave universale të popullit shqiptar, të kulturës tonë kombëtare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe këngëtari i mirënjohur Nikollë Nikprelaj.
Ai është një nga këngëtarët më të pëlqyer në të gjitha trojet shqiptare, ku njihet për zërin e tij të mrekullueshëm dhe repertorin me këngët e tij të shumta, si një ndër ikonat e muzikës dhe këngës popullore e folklorike shqiptare.
I ka kënduar maleve, Kreshnikëve të Malësisë, historisë së lavdishme të popullit të kësaj treve, heronjve kombëtarë dhe të zonës së Malsisë, jetës së Malsisë në përgjithsi, Kosovës, bukurisë natyrore, bukurisë njerëzore, intelektualëve dhe vlerave të tyre të veçanta në mrrëdhënie me Malësinë.
U ka kënduar mërgimtarëve, rinisë, shpresës, bëmave të Çun Mulës, etj. Ka marrë pjesë edhe në ngjarjet familjare, gëzimet, fejesat, dasmat, por edhe në koncerte të ndryshme që janë organizuar jo vetëm në vendlindje, por edhe në Shqipëri e Kosovë.
“Mjeshtri i Madh” Nikollë Nikprelaj është pjesë e televizioneve në Shqipëri e Kosovë. Ka organizuar disa koncerte të ndryshme, duke qenë i pranishëm, i dashur, i thjeshtë dhe virtuoz.
Më shumë se kushdo tjetër i ka dhënë jetë, shpresë dhe gjallëri vendlindjes së tij, duke u bërë kështu një vlerë e Kombit tonë.
Sukseset janë evidente si në drejtim të cilësisë muzikore po ashtu edhe të nivelit të teksteve, duke i pasqyruar kështu këto vlera në interpretimin brilant në çdo skenë ku ka debutuar.
Rruga artistike e Nikollës filloi me interpretimet brilante, duke marrë famë jo vetëm në Mal të Zi e Kosovë, por edhe në të gjitha trevat shqiptare, duke u bërë kështu i dëshirueshëm edhe nëpër Europë e më gjërë, ku jetojnë shqiptarë.
Përveç trevave shqiptare ka përformuar në të gjitha vendet e Europës, si në Gjermani, Francë, Zvicër, Belgjikë etj, si dhe në vendet skandinave Norvegji, Danimarkë e Suedi, deri në Amerikë dhe Australi.
Aktiviteti i Nikollës është shumë i larmishëm. Repertori i këngëve të tij ka bërë që ata të jenë gjthmonë pjesë e gëzimeve familjare, aktiviteteve rinore, diskove prestigjoze dhe televizioneve më në zë që kanë në progamacionin e tyre muzikën e bukur shqiptare.
Gjatë sezonit veror është i angazhuar pothuajse nëpër të gjitha trojet shqiptare. Në dasma ftohet rregullisht në të gjtha qytetet e Kosovës si dhe në Shqipëri. Gjithashtu edhe në Ulqin, Tuz, Preshev, Bujanovc, Tetov, Gostivar, Kumanov, etj.
Përveç talentit, i cili është dhe starti i këtij rrugëtimi artistik, një ndër elementët e suksesit është edhe bashkëpunimi me kompozitorë të shquar shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria, ku mund të veçojmë dis prej tyre, pasi numri është i shumtë.
Me këngëtarët: Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Shaqir Cervadiku, Mahmut Ferati etj. Kompozitorët: Edmond Zhulali, Valton Beqiri, Wirusi, Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Florent Boshnjaku, Ilir Berani etj.
Bashkëpunim të suksesshëm ka pasur edhe me poetët, .tekstshkruesit: Gjokë Beci, Agim Doçi, Faruk Tasholli Ramazan Çeka dh Gjovalin Lumaj.
Është vlerësuar shumë herë, por ai zakonisht veçon Festivalin “Akordet e Kosovës” në vitin 1985 ku u vlerësua me dy shpërblimet e para, atë të jurisë profesionale, kryetare e së cilës ishte Nexhmije Pagarusha si dhe shpërblimi i parë i publikut.
E veçanta e Nikollës është se, përveçse përformon live, njëkohësisht është i njohur edhe si instrumentist i talentuar, pasi është një artist që pothuajse i zotëron të gjithë instrumentët muzikorë, si lahutën, fyellin, çiftelinë etj, duke mos anashkaluar edhe tekstet që ai shpesh herë i bën vetë, çka përbën një veçori shumë pozitive, në raport me këngëtarë të tjerë.
Të këndosh live është meritë, pasi nxjerr në pah talentin e vërtetë. Nga ana tjetër, tingëllimi e orkestrës kur është perfekt.
Kënga e Nikollë Nikprelës ka vite që është e pranishme në të gjitha trevat shqiptare. Ai me galerinë e këngëve të tij ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm të pasurisë së madhe artistike dhe shpirtërore të Trevës së Malësisë, si dhe për ta përjetësuar madhështinë e kësaj vlere shpirtërore.
Ai ka qëndruar pranë shqiptarëve me zemër e mendje dhe me këngën e tij ka nxjerrë në dritë figurat e shquara të Malsisë së Madhe, Tuzit, Rrethinave dhe qytetit të Shkodrës me një histori të lashtë dhe legjendare, për të cilat kurrë nuk është kursyer.
Në repertorin e këngëve të tia, ndër këngët më të njohura mund të përmendim: “Oj lulja e Malsisë”, hiti i parë, si dhe “Jem Ilira jem Teuta”, “Pse jem toskë e pse jem gegë”, “Kaçurrelja”, “Jam nji djalë fukara”, etj.
Në të vërtetë puna e Nikollë Nikprelës si këngëtar i shquar ka shkëlqyer për 40 vjet në festa e dasma në Tuz, Ulqin, Kosovë e Shqipëri, por edhe në kurbet në Amerikën dhe Australinë e largët, duke qenë motivi, krenaria dhe frymëzimi i Nikollës, Atdheu dhe Kombi.
Për kontributi për Kombin tonë e në veçanti për Trevat Veriore të Atdheut, duke treguar fuqishëm mirënjohje e respekt për këngën dhe artin shqiptar, Nikollë Nikprelaj u vlerësua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titulluin më të lartë “Mjeshtër i Madh”.
Këtë ai e manifestoi edhe këtë fundvere me tre koncerte madhështore që u ndoqën nga mijëra spektatorë në venlindjen e tij në Tuz, ku kishin ardhur nga gjithë trevat shqiptare, nga Europa, Amerika e Australia, dashamirë e fansa të tij që i mbyllën në mënyrë kaq të bukur pushimet e tyre në Atdhe.
Performanca e orkestrës që shoqëronte këngëtarin Nikollë Nikprelaj ishte në nivelin më të lartë artistik dhe ekzekutiv, pasi instrumentistët Samir Beqaj, Indrit Kodraliu, Arsid Çeka dhe Albin Nikprelaj janë vetë muzikantë të talentuar dhe virtuoz.
Unë pata fatin t’i ndiqja nga afër këto tre koncerte, të njihesha edhe më gjërë veprimtarinë artistike të Nikollë Nikprelës.
Si qershia mbi tortë u paraqit para spektatorëve Albini, djali i Nikollës, i cili performoi si këngëtar dhe instrumentist, duke premtuar se do të ndjek rrugën e të atit.
