Nga Ahmet Ҫollaku, SHBA
Parku Allegheny…. Ngjyra e gjelbër e gjetheve më gëzon prandaj me gjithë zemër i falem natyrës, përulem si rob. Ketrat me bishta të ngrehur nuk lodhen, bëjnë maratona marra mëndëshe, sa andej këndej. Ngjiten dhe zbresin pemëve, prezantohen dhe fshihen, si ëndërrat. Dhe, s’pushojnë së ndjekuri njëri-tjetrin, se s’ngopen me dashuri. Kurse ne njerzit, s’lodhemi me luftë!
Një vit më pare, gjetkë, në një park tjetër, të ndjerit Sotiraqit nga Korça, një ketër i tillë kështu, i rrëmbeu bukën nga dora, dhe e… kashoi. Ai lëngoi ca ditë, por nuk u hakmor ndaj ketrave.
Këtu ka edhe shumë pëllumba, vijnë si dhuratë nga qielli, kur ulen në tokë, prezantohen delikatë si mbretëreshat.
Në park gjithmonë ka evenimente, ka panaire, simposiume, ekspozita, koncerte, këndojnë grupe fëmijsh, ka nga India, Domenika, nga gjithë bota. Para disa vitesh këtë park e frekuentonin disa shqiptarë. Një ish-mësues nga Roskoveci, ekspresiv dhe energjik që kishte shumë afinitet me një ish-oficer nga Fieri.
Ata luanin shah në mes të parkut, në njërën nga ato tavolinat prej hekuri. Unë shikoja nga kutia e tyre të shahut dhe më bëhej sikur ajo mbante brenda gjithë gëzimet, çlodhjet, për të cilat kemi aq shumë nevojë. Ata edhe grindeshin, por më pas bënin marrëveshje, caktonin ditë tjetër kur do të luanin sërish. Kështu ditët përcjellin me buzëqeshje njëra-tjetrën.
Nga Covidi-19 e këtej gjerat ndryshuan. Parku e humbi bukurinë, por çuditërisht ka disa kohë që frekuentohet më shumë nga të rinjtë dhe polakët. I doli fjala atij polakut që para disa vitesh më tha: Interesant me ju shqiptarët, ju bëni të kundertën tone, ne duam të jemi sa më afër, ju sa më larg… Daleko!
Parku Allegheny mban mënd shumë ngjarje, “të gjitha ngjarjet e botës”, thotë poeti. Qentë sado të racave të ndryshmë, luajnë dhe zhgërryhen, kurse zogjtë kërcejnë nëpër degë dhe janë miqësorë me pëllumbat. Të gjithë shpendët i gëzohen ushqimit dhe kërcejnë gjithë delikatesë…
Parku ka disa stola druri anash, po në qëndër dhe këtej nga hyrja, nga kisha polake, stolat janë prej hekuri. Në njërin nga ata stola dikur ulej Muharremi, ai vlonjati, që kish ardhur për vizitë te vajza. Gruaja i kishte vdekur ca vite më parë. “Isha më mire para kësaj flame demokraci, – më thoshte ai.
Më pas Muharremin e lane gjunjet, gjeti një shkop, që të mbahej, mos rrëzohet, se këtu në Amerikë, nuk të hedhin sytë po të gremisesh. Në Shqipëri dikush do të të shoh, do ta ndiejë rënkimin tend, dhe do të zgjatë një dorë, apo të hedh sytë, kurse këtu… Eh, kam plot shkopinjë të forte në Kuç, po ku Kuçi, ku unë.
Muharremi nuk ka fuqi të ndjekë fëmijtë shpërndarë nëpër botë, një në Itali, një në Angli… Shqiptarët ikën jashtë Atdheut të kërkojnë fatin gjetiu, po Muharremi, çfarë fati po gjurmon në këtë botë të keqe? Fatin e kishte të mire atje në Shqipëri, ku kishte gruan dhe fëmijët pranë. Po t’i kujtosh këtë, Muharremi nis të qajë.
E ftova të pimë birrë, po ai ma fshehu fytyrën dhe me shpinë e dorës fshiu lotët. – Jo, do ta jap unë,-nguli këmbë ai. Unë ngela i vrarë.
Këtë park e frekuentojnë si emisare të Nënë Terezes edhe disa gra shqiptare me nënshtetësi amerikane. Ato, çdo ditë që vijnë këtu, së pari i bëjnë parkut rekonjucion të ri, si të jenë satelitë, të zbulojnë gjithçka. Po ndersa janë futur brenda, nuk lodhen s’ foluri. Nuk vendosin dot ku të ulen, sepse stoli tyre është pushtuar. Këmbët i cojnë tek ai stoli që është afer azilit, por kur afrohen aty pendohen, nuk e pëlqejnë atë vënd për dy arsye: e para se stoli është në atë kryqëzim rrugësh, ku ndihet një erë e keqe, dhe arsyeja e dytë, se aty janë shumë afër me ndërtesën ku ato furnizoheshin me ushqime kur u shfaq Covid-19.
Ato nuk harrojnë kurrë ditën dhe orën kur shperndahen ushqimet, kutitë e mëdha prej kartoni që çfarë s’kanë brenda. Tani këto shqiptare amerikane ngjajnë si tri turiste që kanë ardhur të vizitojnë Amerikën.
Pasi debatojnë ca, vendosin të shperngulen ne një stol tjeter, në të majtë, pranë pemës që para ca kohë e goditi rrufeja.
Ato zënë vend, si gurë të rëndë në fushat e Myzeqesë, dhe unë jo per humor, dua t’i krahasoj me figurat historike, Ҫurçill, Rosevelt dhe Stalin. Megjithëse kanë zbuluar gjithëçka që ka parku, me siguri do të gjejnë diçka për të debatuar, pse jo edhe për t’u grindur…
Flasin për atë që kanë përballë.
-Moj cili është ai atje tej, apo më bëjnë sytë? – pyet ajo e mesit, një grua e rritur, që ka ardhur e para në Amerikë.
– Ai është, e kush tjetër ulet në atë stol – thotë tjetra dhe vazhdon. -Ngeli si qyqar, ngeli pa grua…
– Kur e kishte gjallë e torturonte, si linte asnjë lekë – plotëson tjetëra, gruaja e dobët.
Këto gra dine gjithçka për të, çfarë pune ka bërë në Shqiperi, në cilën parti ka milituar, sa rrënje ullinjë ka pasur në fshat.
-Ky është socialist i flakët, po Ramën nuk e do, – thotë njera.
– E, nga e di ti? – nxehet ajo e mezit, që duket më solide.
– Si nga e di unë, unë kam punuar me të ndjerën. Ajo m’i tregonte të gjitha, ajo nuk kish dashur të vinte në Amerikë, po ai e kishte marrë me zor.
Në muhabet e sipër, tej ne rrugën kryesore shfaqet halla, shoqja e tyre e parkut, ajo më e rritura, që ka marrë shumë mungesa. Kjo treshe e pret sa ajo të afrohet, pastaj e përshëndesin, po nga që aty s’ka vend, e këshillojnë të ulet ne stolin tjetër, gati një meter më tej, sado që ajo është më e rritur.
-Hallë, ku ishe brëmë, të pritëm?, – i drejtohet ajo e dobëta. Po ndër kohë, shpërthen tjetra, pa i dhënë hallës mundësi të përgjigjet.
-Hallë pse m’u fshehe dje në drekë, kur të pashë në rrugën Almond? Do shkoje tek ajo. Ti edhe me ne, edhe me atë…
Kështu, në këtë park të bukur, këto shqiptare që kanë boll ushqime për të ngrënë, shpallin Luftën e Tretë Botërore, me sloganin, me Ramën apo me Berishën? Me cilin je…
