Nga SEJDO HARKA
Kush e njohu nga afër Prof.dr. Nexhip Mërkurin, dhe nuk u mrekullua nga fjala e tij e ngrohtë dhe miqësia e sinqertë, nga kultura e gjerë dhe veprimtaria e tij, plot vrull e intesitet. 46 vite me radhë punoi ai, mes nxënësve dhe studentëve, si mësimdhënës në të gjitha shkallët e arsimit, pa e ndjerë kurrë lodhjen dhe mërzinë. Me Nexhipin njihemi shumë herët, kur punonim së bashku në shkollat e ndryshme të Përmetit. Që në hapat e para të punës së tij si mësues, ai tregonte se e donte shkollën, profesionin e mësuesisë dhe auditorin si gjënë më të shtrenjë. Prandaj, çdo ditë e më tepër, ai bënte përpjekje serjoze për ta perfeksionouar më tej artin e mësuarit. Nxënësit, ai nuk i konsideroi kurrë si objekt, por si subjekt e bashkëpunues të afërt të punës për krijimin e dijeve të qëndrueshme dhe përgatitjene tyre për jetën. Pikërisht këtu qëndron edhe çelësi i sukseve, që ai arriti, që në vitet e para të punës së tij si mësues dhe drejtues në disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të Përmetit. Më pas, Nexhipin do ta shohim inspektor dhe metodist të gjuhës shqipe dhe letërsisë, pranë zyrës arsimore të Përmetit, ku me punën e tij të kualifikuar, dha një kontribut të veçantë për aftësimin profesional dhe metodik të mësuesve të këtyre lëndëve, në këtë rreth.
Krahas punës si mësimdhënës, ai rëndësi të veçantë i kushtoi vet kualifikimit të tij të mëtejshëm dhe punës hulumtuese e studimore në fushën e gjuhësisë. Që në vitin 1981 e në vazhdim, ai ka qenë bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Nga fundi i viteve nëntëdhjete, ai emërohet pedagog e më vonë, shef i departamentit të Gjuhës Shqipe e Letërsisë dhe zv. dekan i Shkencave Humane në universitetin’’Ismail Qemali’’në Vlorë. Për një kohë relativisht të shkurtër në këtë universitet, ai fitoi titujt e lartë shkencorë ‘’doktor’’ dhe më vonë ‘’profesor’’ i shkencave gjuhësore.
Në këtë universitet, krahas veprimtarisë mësimdhënëse dhe auditorit, rëndësi të veçantë, ai i ka kushtuar punës hulumtuese e studimore në fushën e gjuhësisë. Me përgjegjësinë dhe pasionin e tij krijues, ai ka përgatitur një seri artikujsh, studimesh e monografish, përmes të cilëve ka përcjellë mendimet e tij për mjaft çështje të kulturës, historisë së gjuhës së shkruar dhe të folur shqipe. Ka realizuar shumë konferenca e ligjërata në universitetet e vendit dhe të Evropës si: në Tetovë, Shkup, Prishtinë, Itali, Rusi, Bullgari, Poloni, Spanjë, Gjermani, etj. Po kështu, ka publikuar një seri artikujsh në disa revista e përmbledhje shkencore, që botohen brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar 17 libra për arsimin para universitar dhe atë universitar. Disa nga librat e tij më të njohura janë :‘’Onomastika krahasuese’’, ‘’E folmja e Përmetit’’, ’’Gjuhësia e krahasuar’’, ’’Probleme të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të leximit letrar’’ ,’’Gjuhësia e përgjithshme’’, ’’Modele të mësimdhënies’’,’’ Integrimi i mësimdhënies në lëndën e gjuhës shqipe, në kasat e ciklit të ulët’’, etj. Rëndësi, ai, i ka kushtuar hartimit dhe aplikimit të testeve dhe mjeteve didaktike digjitale në funksion të mësimdhënies e mësim nxënies. Gjatë veprimtarisë së tij si pedagog i Universitetit ‘’Ismail Qemali’’ të Vlorës, ka udhëhequr disa doktorata të studentëve të tij më të mirë.

Po, cilat janë disa nga problematikat më të rëndësishme të linguistikës dhe të mësimit të gjuhës shqipe, që Nexhip Mërkuri trajton në librat e tij më kryesore:
Në librin e tij, ’’Gjuhësia e krahasuar’’, i cili doli në qarkullim në dhjetor të vitit 2022, krahas çështjeve të tjera të gjuhës shqipe, një rëdësi të veçantë prof. N. Mërkuri i kushton: studimit të së folmes së Përmetit, fjalorit krahinor të kësaj treve dhe fjalorit të emërtimeve trashëgimtare të bimësisë. Ndërsa në librin ‘’Onomastika krahasuese’’, analizohen faktorët që ndikojnë në zëvendësimin e emërtimeve të një treve nga breza të ndryshëm njerëzish. Duke arsyetuar gjuhësisht shkaqet e qëndresës së emërvendeve për një kohë të gjatë, autori nxjerr konkluzuionin shkencor se, shndërrimet onomastike të emërvendeve, gjatë 30-vjeçarit të fundit të këtij shekulli, kanë ndodhur në përshtatje me ndryshimet e reja ekonomiko-shoqërore dhe me ligjet e brendëshme të evoluimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe. Njësitë e onomastikës, ai i sheh si një pjesë të pasurisë gjuhësore të bashkësisë përkatëse, të gërshetuar me shumë faktorë historikë dhe socialë të kohës. Në përpjekje për t’i dhënë një shpjegim sa më të qartë e bindës prejardhjes së emrit të qytetit të Përmetit, ai thekson:’’Emri i sundimtarit të këtij qyteti‘’Premti’’, me të cilin disa studjues janë munduar të shpjegojnë orgjinën e emrit të këtij qyteti, i ngjan më shumë një gojdhëne mitike, me të cilën është shpjeguar edhe prejardhja e emrave të disa qyteteve të tjera, sesa një argument gjuhësor historik e shkencor. Ky arsyetim del nga fakti se emri’’Premt’’, deri tani nuk del si emërtim në asnjë dokument të vërtetë historik. Kalimi nga emri ‘’Premti’’në ‘’Përmet’’, mbetet i pa dokumentuar dhe i pa shpjeguar gjuhësisht. Prandaj, thekson gjuhëtari Nexhip Mërkuri, nga hulumtimet e mia gjuhësore dhe onomastike kam nxjerë konkluzionin se, emërvendi ‘’Përmet’’, mund të jetë krijuar nga shkrirja e dy njësive të tjera onomastike. Për studiuesin Nexhip Mërkuri, në këtë trevë ekzistojnë dy emra të dokumentuar në lashtësi: Fisi Parauej dhe mali Meropi, të cilët, me kohë, mund të jenë shkrirë në një njësi onomastike njëfjalëshe, për të përgjithësuar konceptin e kompleksit tingullor:’’ pranëvjosar’’ dhe ‘’pranë me malin’’, që nëpërmjet bashkëveprimit gjuhësor, kanë krijuar emrin e sotshëm të qytetit, ‘’Përmet’’.
Në personalitetin e Nexhip Mërkurit harmonizohen mirë, njeriu i devotshëm me qytetarin e përgjegjshëm, intelektuali krijues me pasionin për dijen dhe shkencën, edukatori e mësimdhënësi i përkushtuar, me studiuesin prodhimtar. Objekt i librave dhe temave të tjera studimore të tij kanë qenë: veçoritë e ligjërimit popullor, kultura gjuhësore dhe purizmi, veçoritë e sociolinguistikës diakronike, elementet gjuhësore të të folurit në trevat buzë Adriatikut, problemet e formimit gjuhësor të nxënësve dhe studentëve, kultura gjuhësore dhe integrimi ndërlëndor, si dhe kurrikula, leximi i mesazhit letrar dhe konteksti gjuhësor, folklori ballkanik etj. Sot, thekson prof.Nexhipi, rëndësi të veçantë për shkollën merr puna për përgatitjen e brezave për epokën digjitale . Kjo është e lidhur me prurjet e revolucionit të sotëm digjital dhe konceptin e ri për “shkollën digjitale”, i cili, sapo ka trokitur në dyertë e të tre niveleve të shkollës së sotshme, e cila suksesin e kërkon tek të nxënit afatgjatë. Është koha që të përgatitim nxënës dhe studentë të suksesshëm, të cilët duhet t’i përgjigjen revolucionit të ri shkencor e digjital . Por, që shkolla të përgatisë njerëz të suksesshëm, duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë mësimit të gjuhës amtare letrare.

Për disa vite me radhë mësuesi, pedagogu dhe studiuesi Nexhip Mërkuri, rëndësi të veçantë i ka kushtuar përgatitjes së testeve për nxënësit e klasave të dyta, të treta dhe të katërta të ciklit fillor. Ky aplikacion vjen si një mjet tepër konkurues dhe realizues për rritjen e të nxënit në ciklin e ulët, i cili synon të shtrihet edhe në të gjitha klasat e arsimit 9-vjeçar.
Për N. Mërkurin, rritja e treguesve të të nxënit në lëndën e gjuhës shqipe, nuk arrihet vetëm nëpërmjet të një teksti, sado i mirë që të jetë ai. Prandaj, rëndësi për të merr përdorimi i mjeteve didaktike efikase, sidomos ato që kanë dhënë rezultate. Sot është e mundshme, që edhe gjuha shqipe të ketë mjetet didaktike bashkëkohore, si dhe për gjuhët e tjera të botës. Vlerësimi sa më i shpejtë e më i saktë i dijeve të nxënësve e studentëve do të bëhet i mundshëm nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja të TIK-ut.
Për punë të palodhur në fushën e arsimit, Nexhip Mërkuri është dekoruar me Urdhërin’’Naim Frashëri’’ të klasit III’’.
Së fundi mund të themi se, mësuesi dhe profesori Nexhip Mërkuri, me sjelljen, kulturën dhe dinjitetin e tij gëzon, jo vetëm respektin, e mijëra nxënësve dhe studentëve, nga të katra anët e vendit, që kanë dalë nga duart e tij, por dhe nga kolegët e prindërit, dhe veçanërisht nga vendlindasit e tij. Prandaj, Këshilli Bashkiak i qytezës së Këlcyrës, që është dhe vendlindja e tij, në shenjë mirënjohje, për ato që ai ka bërë për shkollën dhe gjuhën shqipe, këto ditë e nderoi njëzëri me titullin’’Qytetar Nderi’’.
