Një reagimi të mjekut Taulant Muka dje në këtë gazetë, që mori shkas nga një komunikim mes akademikëve të nderuar Rexhep Qosja dhe Fatos Tarifa, ky i fundit i përgjigjet sot me këtë kritikë në vetë të dytë.
Nga Fatos TARIFA
Taulant! Miqtë e mi më këshillojnë të mos merrem me ty dhe më japin shumë arësye, të cilat, të seleksionuara, i rendis më poshtë, siç i kanë formuluar ata. Unë vetë, duke i qëndruar një etike habermasiane në komunikim, nuk do ia lejoja vetes të të cilësoja (siç ti e meriton plotësisht) duke përdorur të njëjtat fjalë si ata.
“Mos u merr me të”, më sugjeron një shok, “nuk ia vlen të merresh me një lepur”. “Ky ia fut kot”, shkruan një tjetër, “si kau pelës i themi ne nga Vlora”. Një tjetër: “Nuk ia vlen të merresh me këtë njeri, që nuk di çemër t’i vesh”. Tjetri: “Është kohë e humbur të merresh me të, vari pafidhen”, më thotë një shoku im gjirokastrit. (Pafidhe në Gjirokastër i thonë teneqes). “Ku Qosja dhe ti, e ku ky pizeveng”, thotë një tjetër etj, etj.
***
Pa as më të voglën dëshirë për t’u marrë me ty, sepse të merrem me dikë si ty është nën dinjitetin tim, zgjodha të të përgjigjem, pra të merrem me ty—me ty dhe jo me prindërit e tu (siç merresh ti me prindërit e mi)—sepse prindërit s’të kanë asnjë faj, pra as janë përgjegjës për ato çfarë shkruan, çfarë thua dhe çfarë bën ti, Taulant.
Do të merrem me ty vetëm këtë herë, sepse nuk kam as kohën tënde, as zellin tënd, as karakterologjinë tënde, atë struktrurë të deformuar karakteri që ke, të cilën do të duhej një Wilhelm Reich që ta analizonte siç duhet. Dhe Reich, për njerëz të vegjël si ty, ka shkruar një libër: Listen, Little Man! Të rekomandoj ta lexosh. Do mësosh shumë prej tij.
Reich ka shkruar: “Ti, o njeri i vogël, je mendërisht i gjymtuar; ti ndihesh impotent, i tensionuar, i ngurtësuar, pa jetë, bosh. Unë dua që t’i të heqësh dorë nga frika që ke prej vetes. Dua që të jetosh më i lumtur, më mirë; dua që të ndihesh një trup i gjallë dhe jo i ngurtë”.
***
Po merrem me ty, Taulant, vetëm këtë herë, sepse nuk i përkas sërës tënde. Dhe, nëse në përgjigjen që i ktheva Prof. Rexhep Qoses, një njeriu që me kohë ka bërë vend në altarin e njerëzve të ditur, të mençur e të shquar të këtij kombi, nuk e përmenda emrin tënd, këtë e bëra sepse as të njoh, as më intereson ti vetë, si person, por dukuria që ti përfaqëson. Edhe pse dukuria që ti je nuk bën pjesë ndër ato dukuri që kanë tërhequr ndonjëherë vëmendjen time, aq më pak interesimin tim, mendoj se ti meriton një përgjigje.
Ti, Taulant, u more jo vetëm me emrin tim, por, paturpësisht, edhe me emrin e nderuar të tim eti. Çështje formimi, edukate dhe karakteri! Thjesht, provincializëm!
Sidoqotë, këto radhë nuk i shkruaj për t’i dalë në krah tim eti, që iu preftë shpirti në paqë atje ku ne, fëmijët e tij, e strehuam me dhimje e plot respekt. Këto radhë i shkruaj sepse sot kam pak kohë të lirë dhe sepse dua të të jap ndonjë këshillë.
Ti ke studjuar për mjekësi, por nuk e di nëse e ushtron profesonin e mjekut, nëse sheh me sy dhe viziton pacientë, apo thjesht shkruan për shqetësimet e tyre shëndetsore duke bërë shkencën e madhe.
Ti, Taulant, je më i ri në moshë se sa të dy djemtë e mi, por më dukesh më i vjetër në mendime e në energji jetësore se sa unë, prindi i tyre, që po u afrohem të shtatëdhjetave. Jo i plakur, por më i vjetër. Sepse, ndërsa plakja ka të bëjë me moshën e trupit e të organeve të tij, vjetërsia ka të bëjë me moshën e mendjes, më saktë me ato që i quajmë “mental habits”.
Këto shprehi mendore që vë re te ty më duken ato të një njeriu të moshuar e pa jetë, përveçse edhe i ngjajnë një kategorie të caktuar njerëzish në sistemin që përmbysëm. “Doli prapë ky?! Si spiun i sigurimit të shtetit”, më shkruante mbrëmë një miku im, pasi kishte lexuar reagimin tënd të përçartë në Dita. “Këtë punë ka bërë prej vitesh”, më shkruan një tjetër, “33 vite demokraci dhe ky karafil vazhdon e merret me biografitë e njerëzve. T’u marrë të keqen prindërve tanë”.
***
Ti mund të merresh me studimin e ndryshimeve epigjenetike që ndodhin me plakjen e njeriut, por “shkenca” jote nuk arrin të kuptojë se pleqëria nuk ka të bëjë me moshën, pra as me vdekjen, por me jetën. Nuk plaket, ose plaket më vonë ai njeri, i cili përgatitet për pleqërinë që kur është i ri. Nëse nuk përgatitesh për këtë, kur bëhesh 70 vjeç, sa jam unë, 35-vjeçari brenda teje (sa je ti sot) do të të pyesë: “Ç’ndodhi me mua”?
Ti je ende sot në një moshë të re, Taulant; mos i shpërdoro vitet e jetës tënde duke u marë me skuthllëqe, sepse kur të arrish moshën time do të jesh një hiçasgjë.
Mark Twain thoshte: “Age is an issue of mind over matter. If you don’t mind, it doesn’t matter”. Mosha e njeriut ka të bëjë, pra, me rëndësinë që ne vetë i kushtojmë moshës sonë; nëse nuk i kushtojmë rëndësi moshës që kemi, ajo nuk ka rëndësi. Në qoftë se njeriu vetëm rri e pret që ndryshimet epigjenetike që ti studion të bëjnë punën e vet, e vetmja gjë që ndodh me të është se ai plaket.
***
Taulant, njerëzit e mençur kurrë nuk i thurrin lavde e nuk i këndojnë këngë vetes së tyre. As ata më të shquarit. Modestia intelektuale është një virtyt në shkencë, por duket se nuk është një virtyt i yti. Ky virtyt ty të mungon krejtësisht. Ti mendon se ke arritur qiellin, njëlloj si nipi im pesë-vjeçar që thotë se kap qiellin sa herë ngre grushtin e tij të vogël në ajër. Për t’u ngjitur në lartësitë e dijes, Taulant, nuk duhen krahë prej dylli, as krahët e të tjerëve. Dhe për të njohur e shpjeguar botën duhet më parë të kesh formuar lëndën biologjike dhe aftësitë intelektuale për të njohur veten.
***
Ti nuk lë rast pa u mburrur se je autor i 160 artikujve të botuar në revista me faktor impakti, në shtatë apo tetë vite, të themi nga koha kur ishe një student doktorant. Kjo do të thotë se ke botuar mesatarisht mbi 21 artikuj të tillë çdo vit, ose gati dy artikuj çdo muaj. Sikur të ishin simite të gatshme që vetëm sa piqen në furrë.
Do të ishte e ndershme të thoje se në sa prej këtyre artikujve je i vetmi autor, në sa të tjerë je autor i parë dhe në sa je autor i dhjetë apo i njëzetë. Një kolegu im kish vene re se, një prej artikujve përfshirë në CV-në tënde, ka 52 bashkautorë dhe ti je (jo në rend alfabetik) i 24-i ndër ta!
Unë e di fare mirë se shkenca është një sipërmarrje kolektive dhe shumë e vështirë. Shumë studime kërkojnë kontribute nga më shumë se një disiplinë dhe nga më shumë se një kërkues i vetëm. Madje, në ditët e sotme, studimet më të sukseshshme dhe arritjet e zbulimet më të rëndësishme në shkencë realizohen në pikëprerjet e disiplinave të ndryshme.
Por, unë di edhe këtë: shumë herë, artikujt me shumë bashkautorë u njohin “merita” të pamerituara edhe njerëzve që nuk kanë asnjë kontribut në ata artikuj. Një kolegu im në Universitetin e Miçiganit, në moshë dy herë sa tëndja sot, kishte edhe ai një bilanc të pasur artikujsh akademikë, 160 të tillë, sa ti në këtë moshë krejt të re. Por vetëm gjysma e tyre ishin puna e tij, të tjerët ishin artikuj të shkruar nga një prej kolegëve të tij në një tjetër universitet. Marrëveshja mes tyre ishte kjo: sa herë njëri prej tyre shkruante një artikull, e botonte atë duke shënuar edhe emrin e tjetrit si bashkautor të dytë. Një marifet i njohur në qarqet akademike. Ndodh kudo. Ndodh rëndom te ne, siç ndodh edhe në Amerikë, siç unë mendoj se ka ndodhur e ndodh edhe me ty.
Rri i qetë, Taulant. Askush nuk ka si e provon këtë, siç ti lehtësisht dhe me shumë zell prej vitesh je angazhuar në një “mision çlirimtar” për universitetin dhe jetën akademike në Shqipëri, duke zbuluar raste plagjiarizmi.
Plagjiarizmi, kudo, pra edhe në shkencë, është i dënueshëm, por ai plagjiarizëm që ti thua se “zbulon” është më pak i rrezikshëm se sa plagjiarizmi që mund të kesh “mbuluar” ti vetë duke përvetësuar rezultatet e punës kërkimore të të tjerëve përmes përfshirjes së emrit tënd në mes një duzine apo më shumë emrash të tjerë pa dhënë, ndoshta, asnjë kontribut.
Për dijeninë tënde, në 80 për qind të artikujve botuar nga unë jashtë vendit unë jam autor i vetëm. Në vetëm dy a tre raste jam bashkautor i dytë, kur kemi qenë vetëm dy autorë dhe në shumicën dërrmuese të rasteve, kur bashkautor ka qenë një studiues i huaj, jo më shumë se një (amerikanë, suedezë, hollandezë apo italianë), ose edhe studiues shqiptarë, kam qenë autor i parë.
***
Ti më pyet mua, krejt paturpësisht, se çfarë kam botuar unë nga viti 2014 (!) e këtej, pra gjatë këtyre nëntë viteve të fundit. Duket se jo vetëm nuk më njeh (and that’s OK), por nuk ke as etikën më elementare kur komunikon me dikë që nuk e njeh. Sidoqoftë, më ke dhënë shkak të të sqaroj.
Përvoja dhe krijimtaria ime në fushën akademike nuk nis në vitin 2014, kur ti ishe ende një student, as në fund të viteve 1980, kur ti sapo kishe ardhur në jetë, por në fillimet e asaj dekade. Pra, në mos vite drite, jemi të paktën 35 vite larg.
Ardhja tënde në jetë, Taulant, mua më gjeti doktor në shkenca dhe autor të tre librave.
Kur ti ishe ende në fillore, unë mbrojta një doktoraturë të dytë, duke fituar gradën PhD në një prej universiteteve më të mirë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, duhet të kem qenë i pari student shqiptar pas vitit 1990 që ka fituar një PhD në Amerikë. Dhe jo nga një universitet dosido, por nga UNC, Chapel Hill, programi doktoral i të cilit në sociologji në atë kohë—me shumë gjasa edhe sot—renditej i katërti ndër më të mirët në të gjithë universitetet amerikanë, duke lënë pas edhe Harvardin, edhe Çikagon, edhe Kolumbian, edhe Berklin.
Ti duhet të kesh qenë dy ose tre vjeç kur unë fillova të botoj artikujt e parë në Perëndim dhe as pesë vjeç kur botova artikullin e parë në një revistë me faktor impakti, si East European Politics and Societies (botuar nga Sage).
Ti ishe ende një nxënës i fillores kur një studim i imi u botua në Shtetet e Bashkuara në njërën prej tre revistave më të mëdha sociologjike në botë, Social Forces (botim i Oksfordit), ndërkohë që sot jam në Bordin Editorial të kësaj reviste.
***
Ndryshe nga ty, Taulant, unë nuk mburrem me arritjet e mia akademike dhe nuk pretendoj t’i kem kontribuar zhvillimi të shkencës sociale. Ka shumë studiues të njohur shqiptarë në botë sot, të lindur edhe ata në Shqipëri, si ti dhe unë, që kanë arritur shumë sukses. Një ndër më të shquarat është Laura Mersini, një kozmologe dhe fizikante në UNC-CH, e cila ka zhvilluar një teori të vetën mbi origjinën e kozmosit. Unë kurrë nuk kam dëgjuar as atë, as ndonjë tjetër, me merita shumë më të mëdha se meritat e tua të dyshimta, që të mburren me arritjet e tyre, siç bën ti.
Je shumë i vogël, Taulant, për të qenë një shkencëtar me kontributet e mëdha që i njeh vetes, pavarësisht artikujve që ke botuar në bashkëautorësi me dhjetra autorë të tjerë. Mungesën e modestisë ti e shfaq me çdo prezantim që i bën vetes sa i përket formimit tënd akademik. Vizita 3-4 mujore në Cambridge ose në Harvard nuk janë as shkollim, as specializime në këta universitete.
Një shoku im të krahason ty me personazhin e një filmi të vjetër shqiptar, që quhej Kiu. Kiu bënte gjithnjë kurse 4-mujorë; sa mbaronte një kurs për mundje, bënte një kurs tjetër për bletërritës, pastaj një tjetër për balet, një për fizarmonikë dhe kështu, thoshte ai, “Kiu fiu këtu, Kiu fiu atje”.
Veç kësaj, nuk është as parë, as dëgjuar, më thotë një kolegu im, që një person të jetë njëherësh edhe një “PhD student” edhe një “PhD scientist”, siç shënon ti në një prej CV-ve të tua. Një shkencëtar ende pa mbrojtur doktoraturën!
***
Unë vetë, modestinë akademike e kam mësuar prej profesorëve të mi të nderuar, modestë e xhentlemenë, në Tiranë—Alfred Uçi, Zija Xholi, Luan Omari, Arben Puto—dhe në UNC-CH nga një legjendë e tillë në sociologji, si Peter Blau, nxënës i të cilit them (me krenari) se kam qenë.
Ndryshe nga ty, unë nuk i përmend me mburrje studimet që kam botuar, por më vjen mirë që për arritjet e mia modeste kanë folur e shkruar disa nga sociologët më të shquar në kohën tonë. Më detyron për një çast që ta lë modestinë mënjanë, duke përmendur disa prej tyre: Anthony Giddens, Craig Calhoun, Amitai Etzioni dhe Michael Burawoy, ndër sa e sa të tjerë.
Si një ekspert i njohur investigimesh në Internet që je, e ke të lehtë t’i “zbulosh” (sepse jam i sigurt se nuk i njeh) se ç’përfaqësojnë këta emra në shkencën e sotme sociale. Me dy të parët të ndihmoj unë: Giddens dhe Calhoun kanë qenë, në kohë të ndryshme, drejtorë të London School of Economics.
***
Ti paturpësisht përflet dy universitete privatë shumë të vlerësuar në Shqipëri—UET dhe UNYT—të vetmit institucione të arsimit të lartë në të cilët unë kam punuar pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara. Dhe, natyrisht, si për shumë gjëra të tjera, edhe për ta ja këput kot.
UET është një universitet privat që, për të dytën herë radhazi, ka plotësuar një “International Quality Review” nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë në Britaninë e Madhe (Quality Assurance Agency for Higher Education—QAA) dhe unë jam i nderuar që për shumë vite u kam dhënë mësim studentëve të këtij universiteti.
UNYT, universiteti në të cilin punoj aktualisht, është i pari universitet privat në Shqipëri, sot në vitin e tij të 22-të. Me një program të dyfishtë studimi me Empire State Universitety në New York, diploma e këtij universiteti njihet kudo në botë. Duket se ti di shumë pak, por flet e shkruan shumë për të tjerët, Taulant, dhe ke nevojë të edukohesh—edhe të korigjosh njohuritë e tua, edhe të marësh edukatën që të mungon.
Ti nuk e di se 65 për qind e pedagogëve shqiptarë që japin mësim në UNYT (26 ndër 40), të cilët kanë gradën PhD, e kanë fituar këtë gradë nga universitete shumë të mirë perëndimorë (4 në Shtetet e Bashkuara, 5 në Angli, 2 në Japoni, 2 në Gjermani, 5 në Itali, 1 në Francë etj.).
Të gjithë këta pedagogë kanë bërë e bëjnë për arsimin e lartë në Shqipëri atë që ti as e ke bërë, as do e bëje dot, edhe pse me shumë fodullëk deklaron se të dhimbset cilësia e universiteteve shqiptarë dhe vend e pa vend u kujton shqiptarëve se ke qenë zëvendësministër i arsimit—zëvendësministër vetëm për dy a tre javë, më sqaroi një punonjës i ministrisë së Arsimit, sepse ajo detyrë t’u duk një barrë shumë e rëndë për shpatullat e tua të vogla.
Ndërkohë, mëso edhe një fakt tjetër lidhur me UNYT: 25 për qind e stafit akademik të këtij universiteti janë shtetas të huaj, me një PhD të fituar në vende të tjerë, siç janë të huaj edhe rreth 10 për qind e studentëve (nga rreth 20 shtete të ndryshëm) që studiojnë në të.
***
Ti insiston të dish se ç’kam bërë unë nga viti 2014 e këtej—në këtë vit fillon ora jote akademike, por, siç vura në dukje më sipër, jo e imja.
Unë jam kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku deri atëherë jepja mësim në Universitetin e Miçiganit Lindor, në verën e vitit 2008. Tre vitet e fundit të punës sime në Michigan botova 4 libra dhe 10 artikuj, jo 100 simite.
Mund të kisha qendruar në atë universitet, ose në ndonjë universitet tjetër në atë vend, edhe për shumë vite të tjerë, por zgjodha të kthehem në Tiranë.
Kuptova se do të isha më i dobishëm në vendin tim, sesa në një vend si Amerika, me mbi 4,000 kolegje e universitete. Në vend që të vazhdoja t’u jepja mësim studentëve amerikanë, njohuritë e mia, të fituar nga një shkollim i gjatë dhe nga një punë kërkimore shumëvjeçare, do të ishin shumë më të dobishme për studentët shqiptarë.
Dhe këtë bëra. A do e bëje edhe ti?
Me kthimin në Tiranë, “misioni” im për t’i kontribuar sociologjise dhe shkencës politike ishte përfunduar, ndryshe nga “misioni” yt që vijon. Këtu, studentët dhe publiku nuk kishin nevojë për teoritë dhe “shkencën e madhe”, por për studime mbi realitetin shqiptar dhe mbi zhvillimet ndërkombëtare.
Ky u bë “misioni” im i ri në akademinë shqiptare. Unë kuptova një gjë fare të thjeshtë, që ti duket se nuk e kupton dot, atë se shkenca botërore nuk ka nevojë për mua, në fakt, për asnjërin nga ne; isha unë ai që kisha nevojë për realitetin e vendit tim.
***
Kur ti sapo ishe diplomuar si një mjek i ri në Universitetin e Tiranës, unë shkrova për publikun e vendit tim disa libra mbi reformimin e arsimit të lartë në Shqipëri: Kërkimi në shkencat sociale dhe politikat sociale në Shqipëri (2011), Dija, universiteti dhe demokracia (2012), Shkencat e shoqërisë: Sociologjia si disiplinë integruese për studimin e jetës shoqërore, me Parathënie nga Anthony Giddens (2013), Arsim i lartë për një shoqëri të hapur (2013).
Kur ti, Taulant, sapo kishe dalë në publik me flamurin e reformimit të sistemit tonë universitar e të kërkimit shkencor (“mbetën shkenca dhe universitetet në duart e Taulantit”, ironizonte dje dikush me ty), unë kërkoja publikisht që i gjithë profesorati shqiptar t’i nënshtrohej një vetingu si ai në sistemin e drejtësisë.
Nëse kaq informacion ende nuk e kënaq kureshtjen tënde të sëmurë, të sqaroj se, ndërsa botimi në revista perëndimore nuk ishte më për mua një përparësi (edhe pse botime të kësaj natyre kanë vijuar), përpari u bënë e mbeten studimet sociologjike dhe ato në sferën e gjeopolitikës, si dhe botimet monografike në këto disiplina—shumë të tilla, mbi njëzet, nga koha e kthimit në Shqipëri.
Për mua, çdo vëllim i botuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve ka kërkuar më shumë punë dhe ka pasur e ka më shumë rëndësi se sa pjesa më e madhe e artikujve që kam botuar ndër vite në revista perëndimore, sepse publiku i tyre ka qenë dhe është lexuesi i vendit tim, të rinjtë shqiptarë, jo ata amerikanë, anglezë, belgë apo kinezë.
Me pak fjalë, për të mos u zgjatur edhe më tej—sepse edhe me kaq të kam kushtuar më shumë vëmendje e kohë nga sa ti meriton—pasi jam kthyer nga Shtetet e Bashkuara unë i shërbej vendit tim. Po ti, Taulant, kujt i shërben? Shkallës së “impaktit” tënd në shkencën botërore me ca artikuj që kanë dhjetë, njëzet apo pesëdhjetë bashkautorë?
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016