Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Murgu i Manastirit të Letërsisë, Jakov Xoxa sipas profesor Nasho Jorgaqit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Murgu i Manastirit të Letërsisë, Jakov Xoxa sipas profesor Nasho Jorgaqit
Kulture

Murgu i Manastirit të Letërsisë, Jakov Xoxa sipas profesor Nasho Jorgaqit

Published: June 13, 2023
Shpërndaje

Nga Nasho Jorgaqi / 1931-2022

Duke u afruar në kohë, Jakov Xoxa do të bënte lidhjen mes brezit të vjetër dhe brezit tim letrar. Ai i takonte letrarëve të ardhur nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe të frymëzuar e të brumosur me idealet për një shoqëri të re. Me Jakovin do të më bashkonte jo vetëm Myzeqeja dhe deri diku afria e moshës, përpjekjet për një letërsi me frymë ndryshe nga ajo e traditës, por dhe një miqësi e pastër dhe e sinqertë.

Nuk e di, por, kur kujtoj Jakov Xoxën, mendja sepse më shkon në rininë time shumë të hershme. Ishte koha, kur sapo kish filluar të më zgjohej interesi për letërsinë, apo më saktë për librat. Atëherë unë jetoja në Fier dhe qenë vitet e para të pas Çlirimit.

- Publicitet -

Qyteti i ynë, aso kohe relativisht i vogël, me 5-6 mijë banorë, megjithëse i sapodalë nga Lufta, plot plagë e vraga të prapambetjes e të padijes, bënte një jetë të gjallë. Edhe pse kish varfëri e halle plot, njerëzve nuk u mungonte entuziazmi. Ata ëndërronin e përpiqeshin për të ndërtuar një shoqëri tjetër.

Ndryshimet që po ndodhnin, unë e shokët e mi i shikonim dhe i përjetonim gjithë gëzim. Kështu, u hap e para shkollë qytetëse, u ngrit biblioteka e parë publike, raftet e librarisë u mbushën me libra të rinj, filluan të organizohen herë-herë koncerte dhe shfaqje teatrore. Nga Tirana vinin rregullisht gazeta dhe revista. Gjithë kjo që po ndodhte, nuk kish si të mos na mbushte me shpresa ne adoleshentëve të etur e të dëshiruar për dije e kulturë.

Dhe do të qemë ne të parët, që jo vetëm do të shkonim me gëzim në shkollë, por do të frekuentonim edhe bibliotekën e libraritë e vogla të qytetit. Në këto vende ne kishim gjetur shokë të mrekullueshëm, të mençur e të dashur, siç qenë librat. Po më shumë se librat e shkollës, do të ishin librat e tjerë, veprat letrare që na kishin bërë për vete. Mendjes dhe zemrës sonë të re u flisnin aq bukur tani librat me poezi dhe ato në prozë.

Dhe pyetja që na mundonte do te qe për ata që i shkruanin këto libra. Ç’ishin këta magjistarë, që me ato që shkruanin na ndiznin fantazinë e na nxisnin kureshtjen, për me tepër, na zgjonin emocione te fuqishme? Për herë të parë asokohe do ta mësoia edhe emrin shkrimtar e me naivitet do te pyesja: ku gjendeshin këta dhe a kish ndonjë të tillë në qytetin tonë?

Dhe unë me një nga shokët e mi të ngushtë, u vumë në kërkim. Rastësisht na kish rënë në dorë një libërth me vjersha dhe skica letrare me titull “Xixëllonja” dhe s’di se kush na kish thënë se autori i tij, Hysen Emiri, ishte nga qyteti ynë. Ç’është e vërteta, libri qe botuar para Çlirimit dhe kjo s’para na pëlqente, sikundër dhe fakti që emrin e këtij autori nuk e kishim ndeshur në shtypin e kohës.

Por, më shumë se emri i tij, një emër tjetër nga qyteti ynë shfaqej herë pas here nëpër gazeta dhe ky ishte emri Jakov Xoxa. Ai botonte vjersha, tregime, artikuj në gazetën “Përpjekja e rinisë”, që dilte në Vlorë dhe në gazetën “Rinia” që botohej në Tiranë. Emri i tij ishte tipik myzeqar dhe na tingëllonte familjar. Po nuk ishte vetëm emri dhe fakti që ai vinte nga një fis i njohur i qytetit tonë, por dhe se në shkrimet e tij trajtoheshin tema nga kjo trevë dhe gjuha kishte frymën dhe ngjyrat e saj.

Të gjitha këto do të na joshnin mua e shokët e mi dhe kishim dëshirë ta njihnim sa më parë nga afër. Madje, ndjeheshim krenarë që qyteti ynë kish nxjerrë një shkrimtar, por që ne fatkeqësisht as e kishim takuar, as e kishim parë ndonjëherë.

Por, ndërkaq, morëm vesh se ai e kish shtëpinë në lagjen Belik, një shtëpi dykatëshe, me oborr buzë rrugës kryesore të qytetit, nga kalonim gati përditë, se ishte djali i xha Nasit, Nas Xoxës, një burrë i shkurtër, me kapele republike, që e kisha parë tek lëvizte nga lagja jonë me nje biroçe të vogël. Por ajo që më entuziazmoi më tepër do të ishte fakti se ai qe vëllai i Alekos, të cilin unë e njihja, pasi gjatë luftës kishim punuar në pushimet e verës si çirakë tek një farmaci.

Atëherë si ishte e mundur të mos e njihja Jakovin? Kjo gjë, sa do të më mundonte, aq dhe do të më gëzonte. Do të më gëzonte, sepse familjet tona njiheshin, madje ishim në rreth farefisnie. Kjo për mua kish rëndësi të veçantë, nga që do ta kisha më të lehtë për ta njohur e lexoja shumë, por kisha filluar të hidhja në letër gjëra që s’di se si dhe për t’u afruar. Ishte koha kur unë jo vetëm isha dhënë pas librave

Ndoshta kisha gjetur njeriun që mund të më ndihmonte dhe tani t’i quaj dhe kisha nevojë që dikush të m’i lexonte e të më këshillonte. vetëm prisja rastin ta shihja një herë dhe pastaj ta takoja. Dhe ai rast erdhi thuajse papritur, kur një mbrëmje kisha shkuar në kinema të shikoja shfaqjen “Mbrëmja e madhe”, një dramë e huaj, që jepte trupa amatore e qytetit.

Një shoku im, që ma dinte dëshirën e fshehtë, tek kishim zënë vend në radhët e para dhe prisnim të hapej perdja, më thotë në vesh: “Shiko, rreshti i dytë, djathtas, është ai, pra, Jakovi!” Unë hapa sytë dhe u ktheva në drejtim të tij. Vërtet të ishte ai? Por nuk arrita ta shikoja mirë, sepse në atë çast u fikën dritat e sallës dhe u ngrit sipari. Po fillonte shfaqja, kështu vëmendja ime u nda më dysh, mes skenës dhe njeriut që po e ndiqte nga rreshti i dytë, djathtas.

Tani kur i kujtoj, më vjen për të qeshur me naivitetin tim. Pastaj e harrova fare shfaqjen dhe u përqendrova tek shkrimtari, dy radhë më tej, mbi të cilin binte drita e skenës. E dallova mirë. Kish një trup mesatar dhe një fytyrë që m’u duk e kuqërremtë, me flokë të drejta e ballë të gjerë. Ai e ndiqte me vëmendje shfaqjen, në një kohë kur unë e ndiqja përmes reagimeve të tij. Ndërkaq, shoku im e vuri re se ç’po ndodhte me mua dhe më pëshpëriti në vesh: “Shiko, o burrë i dheut dramën, se Jakovin aty e ke!”

Kur mbaroi shfaqja, ne e ndoqëm Jakovin tek lëvizte në drejtim të daljes dhe e pritëm te sheshi para kinemasë. Mezi e mbaja dëshirën për ta takuar, por nuk guxoja e, megjithatë, iu vumë prapa dhe e shoqëruam nga larg deri sa ai arriti në shtëpinë e tij. Shoku im nuk ma prishi qejfin, por ndërkaq do të më qesëndiste me ndonjë romuz.

Më vonë dhe unë do të qeshja me veten, por ç’nuk mund të ndodhte me një djalosh provincial të asaj kohe, të magjepsur pas ëndrrës së madhe të letërsisë. Isha ndeshur për herë të parë me një shkrimtar, e kisha vështruar nga afër fizikisht dhe kjo nuk qe pak. Sot çfarë nuk do të jepja ta përjetoja atë gjendje shpirtërore, që nuk u përsërit kurrë më.

Kaluan kohë, ndoshta një muaj, kur një ditë, ndërsa lexoja në bibliotekën e Shtëpisë së Rinisë, që ishte çelur në ish-sarajet e Vrionasve, pashë në një nga tavolinat Jakovin, që kish hapur letrat dhe po shkruante. Çfarë mrekullie të shikoja një shkrimtar duke punuar, dy metra larg nga vendi ku unë isha ulur. Të gjithë në sallë lexonin, dhe i vetmi që shkruante ishte Jakovi.

Në çast, harrova librin që po lexoja dhe, duke mbajtur kokën mes dy duarve, shikoja vetëm atë. Ai ishte i tëri i përqendruar duke shkruar, ndërsa herë- herë rrinte e mendohej me vështrim nga dritarja. Gjithë sa vëreja, më ngjante si një shfaqje, bile më shumë se një shfaqje, sepse kureshtja ime ishte në kufijtë e çudisë: për herë të parë po vija re se si krijonte një shkrimtar, si lindtte një vepër, me fjalët e hedhura në fletët e bardha.

Ndryshe nga sa kujtoja, ai shkruante ngadalë, kur unë zhgaravisja pa pushim dhe kjo më bëri të kuptoja se duhet të mendohesha mirë para se t’i hidhja fjalët në letër.

Pas asaj dite Jakovi mungoi për afro një javë ne bibliotekë dhe kjo më mërziti. Dëshira ime e fshehtë për ta takuar sikur u rrezikua, por ja që shkrimtari erdhi përsëri dhe unë prita me zemër të dridhur deri sa ai mbaroi punë e mblodhi dorëshkrimet, i futi në xhep dhe u ngrit të dalë. Atë çast unë i kisha zënë pritë te dera dhe ashtu i druajtur u afrova dhe i thashë ca fjalë të shkëputura, gati pa kuptim, që donin të thoshin se i kisha lexuar tregimet e tij dhe se më kishin pëlqyer.

Ai më buzëqeshi dhe, duke më vënë dorën mbi sup, më falënderoi dhe më pyeti se djali i kujt isha. Dhe kur unë iu përgjigja, ai gati sa nuk thirri: “O, djali i gjykatësit je ti? Po ti qenke goxha djalë. Të shoh këtu që vjen e lexon. Të lumtë. Libri veç të mira të sjell”. Këto fjalë më gëzuan aq shumë, sa u hutova dhe nuk arrita t’i thosha se dhe unë përpiqesha të shkruaja. Ai, me sa duket, nxitonte. Kur më zgjati dorën, shtoi se do të shiheshim, pasi ishim edhe tanët!

Vërtet kishim një lidhje krushqie dhe prindërit tanë ishin miq, por për fatin tim të keq s’u takuam më. Ishte fundi i verës dhe ai u largua nga vendlindja. Më vonë mora vesh se kish shkuar për studime jashtë shtetit. Por këtë takim nuk do ta harroja dhe ndjehesha i privilegjuar që e kisha njohur. Kisha njohur nga afër një shkrimtar, një model, për t’u bërë dhe unë një ditë si ai!

Kështu, shkuan vite dhe unë, pasi kreva shkollën unike të Atje do të ndeshesha krejt rastësisht më Jakovin. Tek shikoja një Fierit, u largova dhe shkova në Shkodër për të ndjekur gjimnazin. pasdite vitrinën e Librarisë së Madhe, më kapi syri një libër me një kopertinë e titull fare të thjeshtë: Novela dhe sipër Jakov Xoxa. U gëzova si fëmijë, thua se kisha takuar një të afërm timin në qytetin verior, ku akoma s’isha ambientuar mirë. E bleva librin dhe u ktheva në konvikt, ku rashë përmbys deri sa e mbarova në të zbardhur.

Nuk i harroj emocionet që më zgjoi libri. Më tepër se një çmallje me autorin, ishte një çmallje me vendlindjen e me njerëzit e saj, që në Shkodër më mungonin. Ai tregonte për Myzeqenë, për jetën dhe mjediset e saj, për psikologjinë myzeqare dhe të gjitha këto i përshkruante aq bukur, me një gjuhë plot kolorit, që mua më prekte dhe më bënte ta ndjeja shumë të afërt autorin. Të afërt emocionalisht, por të afërt dhe në përpjekjet e mia të para për t’u marrë me letërsi. Te Jakovi sikur gjeja shëmbëlltyrën e të shkruarit: vija nga i njëjti mjedis, njihja pak a shumë po ata tipa, flisja po atë gjuhë krahinore, ndjehesha gati pjesë e tij.

Por gëzimi im mori një goditje të papritur, kur pas pak kohësh lexova në shtyp një artikull të rreptë kritik për librin. Kritikohej për cene ideologjike, për doza impresionizmi, madje kishte vërejtje dhe për anën artistike, megjithëse nuk mohohej talenti i autorit. U mërzita e u revoltova, sikur të kishin shkelur me këmbë një vepër me vlerë të letërsisë sonë të pasluftës, që sapo hidhte shtat. Por nuk vonoi, kur, për çudinë dhe kënaqësinë time, u botua një artikull tjetër, që e merrte në mbrojtje autorin e novelave dhe i kundërvihej artikullit skematik. Aq u gëzova sa isha gati t’i shkruaja një letër e solidariteti, por nuk e dija se ku ndodhej asokohe Jakovi. Atëherë nuk e merrja me mend se një ditë do të bëhesha njeri i afërt i tij.

Dhe kjo ndodhi në fillim të viteve 50, kur ai ishte kthyer nga studimet jashtë shtetit dhe unë isha student në degën gjuhë-letërsi të Institutit të Lartë Pedagogjik në Tiranë. Diferenca e moshës dhe e pozitës nuk na pengoi të afroheshim. Jakovi do të tregohej i dashur dhe dashamirës. Mbaj mend se, kur i rrëfeva se si e kisha përjetuar fatin e librit të tij, ai u prek dhe do të ma dhuronte një kopje me autograf, ku kishte shkruar fjalët: “Nashos, peng dashurie”. Prej asaj kohe ne do të mbeteshim miq përgjithëmonë.

Në Tiranën e fundit të viteve ‘50 dhe fillimit të viteve ‘60 zhvillohej një jetë e gjallë letrare. Krijonin njëherësh disa breza shkrimtarësh dhe kjo s’kish si të mos e bënte interesante dhe pak intriguese atmosferën artistike. Pavarësisht se nga brezi i vjetër mungonin disa prej emrave të shquar të letërsisë shqipe, pasi ata ose qenë ndarë nga jeta, ose qenë goditur politikisht apo ishin mënjanuar, prapë ndjeheshin të pranishëm shkrimtarë të njohur të atij brezi, si H. Stërmilli, M.S. Gurra, A. Asllani, N. Bulka, S. Spasse, V. Kokona, etj.

Por nuk do të qenë këta që do t’i jepnin tonin jetës letrare. Ishte plejada e shkrimtarëve që i takonte brezit të viteve ‘30 dhe pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si, Dh. Shuteriqi, Sh. Musaraj, A. Varfi, K. Jakova, etj., të cilëve u bashkoheshin emrat e rinj si F. Gjata, Ll. Siliqi, A. Abdihoxha, L. Qafzezi, Q. Buxheli, K. Trebeshina etj. Në mes të këtyre të fundit do të radhitej edhe emri i Jakovit. Unë atëherë vija nga një brez fare i ri, që tentonte të debutonte në letërsi duke u shfaqur në faqet e shtypit me vjersha, skica dhe tregime të ndryshme.

Në mjedisin letrar të asaj kohe unë do ta ndjeja veten të afërt me Jakovin, jo vetëm për shkak të lidhjeve të vjetra, por dhe se ai do të tregonte vëmendje e kujdes ndaj përpjekjeve të mia letrare. Jakovi, me sa më kujtohet, pasi kish kryer studimet për letërsi në Sofje, nuk e gjeti menjëherë vetveten. Do të punonte në fillim në Institutin e Shkencave, por, me sa duket, nuk i pëlqeu ajo natyrë pune.

Lëvizi prej andej dhe u sistemua në redaksinë e gazetës “Zëri i rinisë”, ku do të hapte e drejtonte “Tribunën Letrare”. Ky suplement do të luante rol të rëndësishëm në lëvizjen e letrarëve të rinj të atyre viteve dhe merita kryesore do t’i takonte Jakovit. Jakovi, me emrin e nderuar që kish, me formimin dhe taktin që e karakterizonte, i sjellshëm dhe dashamirës siç ish, do të fitonte zemrat e shumë të sidomos me rinjve letrarë. Ai do të bëhej mësues dhe koleg i tyre, raportet që krijonte, raporte gjithnjë serioze, kur ishte fjala për letërsinë.

Në këtë fushë ai kish kërkesa, ishte këmbëngulës dhe i rreptë, nuk të falte dhe këtë qëndrim do ta mbante me të gjithë, veçanërisht me ata më të talentuarit. Sepse për të debutimi në letërsi i brezave të rinj i përngjante një krosi pranveror, ku hidhen në garë me qindra dhe arrijnë në finish vetëm disa. Dhe këta disa do të përballeshin me gjykimet e tij të paanshme dhe profesioniste.

Edhe unë do të bashkëpunoja me “Tribunën letrare” dhe mbaj mend një herë që kisha çuar një tregim me subjekt dashurie, temë jo fort e rekomandueshme atëherë. Jakovi do ta mirëpriste dhe do ta çmonte për vlerat emocionale, por, nga ana tjetër, do të më kërkonte ta lehtësoja nga notat sentimentale. Kujtoj që më tha me të qeshur. “Ruhu mos të marrin me vete dallgët e ndjenjave, dhe mos i mësho shumë dhembjes”. Sepse tregimi im trajtonte historinë e një dashurie lektisëse, që përfundonte me ndarje. Temën e ndarjes kish pasur edhe teksti i një kënge, që më kish kompozuar E. Dheri.

Vite më pas, botova librin tim të parë, novelën “Dashuria e Mimozës”, të cilën Jakovi ma çmoi shumë, por me humorin e tij do të vërente: “Ore, ç’bëhet kështu me ty! Edhe kësaj here i ndave të dashuruarit!”

Sigurisht unë nuk do t’ia merrja për keq, aq më tepër që tani nuk lidhte vetëm letërsia, por ishim bërë dhe miq, madje, herë-herë dhe konfidentë. Duke punuar atëherë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” kisha dëshirë ta ndihmoja, siç më kish ndihmuar ai, por me sa më kujtohet, prita gjatë deri sa solli romanin “Lumi i vdekur”, vepra që e futi triumfalisht në rrugën e letërsisë. Një herë i pata propozuar të përkthente një vëllim me tregime të klasikut bullgar Elin Pelin. Ai e mirëpriti në fillim, por pastaj hoqi dorë. “Jo, – më tha, – më pengon punën kryesore”. Dhe puna kryesore e Jakovit në ato vite ishte proza.

Me kohë do ta kuptoja që ai nuk dinte apo nuk donte të bënte punë paralele dhe këtë stil pune e shprehte me fjalët: “S’mundem të mbaj dy gra”.

Kontaktet tona do të bëheshin të shpeshta, kur filluam të japim leksione të dy në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit, ai si pedagog i brendshëm dhe unë si i jashtëm. Tani Jakovi ishte larguar përfundimisht nga shtypi dhe mbante në fakultet një nga lëndët më të vështira, atë të teorisë së letërsisë. Do të na lidhte puna e përbashkët, me ngarkesë të madhe, po të kemi parasysh numrin e madh të studentëve të ditës e të natës, e pa harruar ata të korrespondencës. Pra, do të kishim interesa dhe shqetësime të përbashkëta, gjë që do të më bënte ta njihja më mirë.

Gjithnjë serioz e i rregullt, ai dallonte për leksione me nivel dhe për faktin që e bënte për vete auditorin. Ishte sa i afërt, aq dhe kërkues me studentët, bile dhe me ata të natës, që ishin të rritur dhe me detyra shtetërore. Ai nuk pranonte asnjë ndërhyrje a rekomandim, kur vinte koha e provimeve. Nuk më harrohet rasti i një mikut tonë të përbashkët, gazetar, që ndiqte studimet me korrespondencë dhe vajti për të dhënë provim te Jakovi. Pasi mori tezën dhe u përgatit, u ul para tij të përgjigjej. Ishin të dy të emocionuar.

“Studenti” kërkoi që ta fillonte përgjigjen nga pyetja e dytë e tezës, që e dinte, siç duket më mirë, por Jakovi i kujtoi rregullin. Shkëmbyen fjalë, aq sa “studenti”, i prekur në sedër, mblodhi fletët e provimit dhe u ngrit të ikte. Jakovi nuk e priti këtë që po ndodhte dhe u përpoq pastaj ta qetësonte duke e ftuar të përgjigjej si të donte, por ai, tani i nxehur, e përshëndeti dhe u largua.

Ky do të qe një rast episodik, të cilin në shoqërinë tonë të ngushtë, do t’ia kujtonim Jakovit duke bërë shaka. Më shumë se i ngurtë, ai ishte tepër i ndershëm. Asnjëherë nuk desh të ngatërronte detyrën me shoqërinë.

Pedagogu i teorisë së letërsisë gëzonte respekt, bile kish fituar admirimin e studentëve, që me lëndën e tij të vështirë, përgatitur në një nivel të lartë shkencor dhe të shoqëruar me shembuj të gjallë nga letërsia shqipe dhe ajo botërore, bënte për vete auditorin. Ai tregohej vërtet artist me fjalën e tij të bukur e të saktë, me procedimin e këndshëm që ndiqte dhe mbi të gjitha me argumentet e qarta e të kapshme që sillte. Për brezat e studentëve ishte fat që patën për pedagog të teorisë së letërsisë një shkrimtar me emër si Jakovi, një krijues me përvojë, që e njihte nga afër procesin letrar, që sillte në auditor të dhëna nga laboratori i punës krijuese.

Më ka qëlluar t’i dëgjoj disa nga leksionet që jepte, ligjërimin e tij tërheqës që ngrihej mbi një lëndë të pasur dhe i drejtohej studentëve në mënyrë të përshkallëzuar, pa inflacion fjalësh e pa fraza parazitare apo retorikë boshe. Ai ishte artist i fjalës dhe në leksione.

Ne do të takoheshim herë pas here në mbledhjen e katedrës së letërsisë. Jakovi mbaj mend që vlerësohej si një nga pedagogët më të mirë, që e lavdëronin për leksionet, por jo për detyrat jashtë mësimeve, si kujdestaria, zboret, puna fizike, etj. Angazhimi i tij mbetej gjithnjë mësimi, ndërsa detyrat e tjera i dukeshin pengesë për punën krijuese. Prandaj herë-herë do të kritikohej, bile për këtë do të merrte dhe ndonjë vërejtje verbale. Por ai, besnik i natyrës dhe kritereve që kish zgjedhur, nuk desh t’ia dijë dhe vazhdonte punën siç dinte vetë.

Edhe temat e punës shkencore, ndryshe nga kolegët, do t’i zgjidhte kryesisht nga fusha e tij dhe do t’u shmangej kërkesave të ditës, që ishin larg interesave të tij studimore.

Ai tregohej veçanërisht aktiv në fushën që mbulonte, jo vetëm me gjykime e mendime të specializuara, por dhe me projekte dhe vepra konkrete. Kështu, ishte ai që hodhi idenë e organizimit të një kursi për kritikën letrare apo mbajti dy leksione të zgjeruara me mësuesit e letërsisë (“Sistemi ynë i vjershërimit” dhe “Marrëdhëniet midis kompozicionit dhe personazheve në një vepër letrare”), organizoi e drejtoi kurse speciale me tema nga problemet e stilistikës dhe metrikës.

Fryt i punës së tij të përkushtuar në fushën që mbulonte është edhe punimi “Stilistika shqipe”, që u diskutua në katedër dhe u vlerësua nga kolegët e tij si një kontribut i çmuar shkencor dhe tekst i nevojshëm për studimet e letërsisë. Në fakt, Jakovi si shkrimtar gëzonte të drejtën e gjysmës së normës pedagogjike dhe kjo e lehtësonte nga disa detyra të tjera të fakultetit. Këtë të drejtë e kishin dhe disa kolegë të tjerë, por askush nuk e shfrytëzonte në mënyrë racionale si ai. Jakovi do të ishte i pari që, për të fituar kohë të lirë, do t’i përqendronte leksionet në 2-3 ditë të javës ose të mbledhura në një semestër, për t’u marrë pjesën tjetër të kohës me punë krijuese. Me sa kuptoja, ai e ndjente veten më parë shkrimtar sesa pedagog.

Askush nga ne të tjerët nuk e kish atë përkushtim si Jakovi. Gjithnjë do t’i shmangej detyrave dhe ngarkesave jashtëletrare për të bërë pak a shumë jetën e një shkrimtari të lirë. Kjo u duk qartë kur ai zuri të largohej nga Tirana dhe të zbriste në Myzeqe. Ishte vetëm fillimi i asaj që do të ndodhte më vonë. Jakovi e mendonte punën e shkrimtarit si një profesion serioz, që kërkonte përkushtim tërësor. Pra, synonte e përpiqej që një ditë të bëhej shkrimtar profesionist, siç edhe ia arriti në fakt me kohë.

Tani unë e Jakovi ishim miq e kolegë dhe në këto raporte vendin kryesor do ta zinte letërsia. Si më i ri që isha, e ndiqja me interes dhe jo pa përfitim punën e tij krijuese. Ishte ky vazhdim i njohjes sonë të hershme, i rrugës që kish ndjekur Jakovi si shkrimtar. Isha djaloshar atëherë, siç e kam thënë dhe më lartë, kur lexova vjershat e tij të para të botuara në shtypin e viteve ‘40, pa filluar akoma Lëvizja Nacionalçlirimtare.

Pas furtunës së luftës, ku Jakovi mori pjesë, ai m’u shfaq në 1944, me shkrimet që do të botonte në gazetën “Përpjekja e rinisë” dhe që drejtohej nga vetë Jakovi. Do të kujtonim me nostalgji atë kohë. Bile, ai do të më tregonte se në ato vite i kish mbledhur vjershat e tij në një vëllim të titulluar “Tërfilat e fatit” por që nuk kish arritur ta botonte. “Ndoshta më mirë që nuk e botova, – më thoshte, – se do të kishte vend për t’u turpëruar”. Dhe kështu, ai nuk bëri emër si poet. Jakovi do ta gjente veten në prozën e shkurtër, si tregimtar.

Talenti i tij do të tërhiqte menjëherë vëmendjen e lexuesit e të kritikës dhe do të dallohej midis shkrimtarëve të rinj të brezit të pasluftës. Nuk më harrohen dhe sot tregimet “Kurorat e Masar Beut”, “Shëmbëllimi”, “I urituri”. Ato më bënin për vete jo vetëm me subjektet origjinale, por dhe me mënyrën e rrëfimit, që të kujtonte disi prozën rrëfimtare të Kutelit, por që ruante origjinalitetin e tij, me tematikën dhe atmosferën e veçantë e sidomos me gjuhën karakteristike të Myzeqesë.

Një prozë e tillë do të linte mbresa të pashlyeshme tek unë, sepse e ndjeja tepër familjare tematikën dhe gjuhën. U mundova të ndjek edhe unë shembullin e tij, duke shkruar bile dhe disa tregime të tilla, por pa sukses. Nuk e arrija dot konceptimin dhe shtjellimin origjinal të temave të Luftës e atyre të jetës së fshatarësisë myzeqare, as vizatimin e karaktereve e as mënyrën e rrëfimit, e lëre pastaj gjuhën e pasur popullore, që përdorte Jakovi.

Shpejt do të hiqja dorë nga kjo rrugë, aq sa, kur u bëmë miq, do t’i thosha me të qeshur: “Nuk u bëra dot nxënësi yt. I mbajte për vete të fshehtat e zanatit”. E ai ma kthente: “Si duket, ty nuk të pëlqenin rrugët e Myzeqesë. Ndoqe rrugë tjetër”. Në këtë mes nuk ishte çështje dëshire, po përcaktuese ishin përvoja, formimi, natyra e talentit.

Për një kohë emrin e Jakovit nuk do ta hasja në shtyp. Në fakt ishte periudha e mbledhjes së forcave, e reflektimit, e gjetjes së vetvetes në lëmenjtë e letërsisë, për t’u hedhur në një start të ri. Vetëm në 1959 ai ribotoi të ripunuar librin “Novela”, të pasuruar me tregime të tjera. Jakovi do të tregohej i përmbajtur, jo aq nga kërkesat e kohës, sesa nga kërkesat që kish ndaj vetes. Gjithnjë i matur dhe ekzigjent, brenda natyrës së tij.

Ndërkaq, unë vazhdoja ta ndiqja me interes krijimtarinë e tij dhe ashtu si opinioni letrar, prisja prej Jakovit vepra nga fusha e prozës. Por, për habi, një ditë më tha se ishte në mbarim të një drame. Kujtova se i qe kthyer një dashurie të vjetër. Më 1945 ai kish shkruar dramën “Pionieri”, me të cilën kish marrë dhe një çmim letrar. Drama ishte vënë në skenë nga trupa amatore e Vlorës dhe mbaja mend se e kisha parë edhe unë.

Kështu, pas një kohe të gjatë pune në heshtje dhe i tërhequr, siç e kish zakon, Jakovi doli para lexuesve me një dramë të re, nën titullin “Buçet Osumi”. Ajo u botua në revistën “Nëntori” (1957) dhe, siç më tha, kish punuar për afro dy vjet. Pavarësisht nga gjinia, tema e dramës ishte pak a shumë ajo e tregimeve: stigmatizimi i bejlerëve dhe lidhja e tij shpirtërore me fshatarësinë myzeqare.

Nuk di të them se përse asokohe Jakovi iu kthye dramaturgjisë, kur tanimë ishte afirmuar si tregimtar me një vokacion origjinal. Ndoshta nga që repertori i teatrit tonë kish nevojë për vepra kombëtare, por kam përshtypjen se më shumë se ky motiv, ishte prirja e Jakovit për të trajtuar konflikte të mprehta sociale dhe dramaturgjia ia jepte këtë mundësi më shumë se proza e shkurtër. Nga ana tjetër, për dramaturgjinë kombëtare të kohës, që vuante nga mungesa e veprave serioze, aktivizimi i një talenti si ai i Jakovit ishte një ogur i mirë.

Dramën, ç’është e vërteta, e lexova me shumë interes, ndonëse me intervale, sepse u botua në tre numra të revistës dhe, pavarësisht nga disa vërejtje dhe rezerva që kisha, e urova dhe e përgëzova. Ishte në terrenin e tij, aq i parapëlqyer prej meje. Ishte bota myzeqare, me njerëzit dhe hapësirat e saj, i ngritur mbi një konflikt të fuqishëm, me situata e skena intriguese.

E kish shkruar në vargje, me nota poetike, vende-vende tepër e fuqishme, me gjuhë të bukur e të pasur, plot elegancë. Fryma poetike, notat e spikatura lirike s’di pse do të më sillnin jehonën e tragjedive të Shekspirit të përkthyera nga Noli. Vërtet në pjesët më të mira kjo frymë të bënte për vete e të rrëmbente, por, e vështruar mirë, ndjehej një erë pasromantike. Madje, për të qenë i saktë, mund të them se atmosfera e kohës që jetonim e bënte dramën pak anakronike, çka kritika mund t’ia merrte për të madhe, por që e shpëtonte fryma antifeudale.

Ç’është e vërteta, këto konstatime unë, duke e njohur natyrën e Jakovit, nuk do t’ia thosha njëherë për njëherë. Por ato që nuk ia thashë unë, ia thanë të tjerët. Drama bëri jehonë dhe ngjalli debate në rrethet letrare e teatrore. Për këtë u zhvilluan dhe dy diskutime publike, një në Lidhjen e Shkrimtarëve e tjetra në Institutin e Lartë Pedagogjik, ku morën pjesë shkrimtarë, regjisorë, aktorë, studentë e lexues të ndryshëm. Mbaj mend që drama u diskutua si vepër letrare, por akoma më shumë si vepër skenike. U vunë në dukje vlerat artistike, si thurja dramatike dhe konflikti, atmosfera që krijonin disa skena të goditura dhe, mbi të gjitha, gjuha e bukur dhe e pasur me nota lirike.

Por pati vërejtje dhe rezerva për frymën disi anakronike të dramës, për një tingëllim jo aq bashkëkohor. Dhe këto mendime i shfaqën më shumë shkrimtarët, kurse regjisorët dhe artistët u morën kryesisht me dramën si vepër skenike. Ngjalli debat çështja e vënies në skenë, ku mendimet u ndanë mes atyre, që e konsideronin një dramë më tepër letrare sesa skenike, dhe të tjerëve, që e shihnin si një vepër që u përgjigjej kërkesave të skenës. Bile një nga regjisorët, P. Stillu më duket, e merrte përsipër për ta inskenuar.

Për të gjitha problemet që nxirrte drama. u shfaqën mendime dashamirëse e të sinqerta, por kish dhe diskutime tendencioze e ndonjëherë nihiliste. Në këtë atmosferë të ndezur unë prapë nuk fola, sepse mund ta rëndoja në situatën e krijuar. Por ia thashë më vonë veças, kur kaloi jehona e debateve, dhe ai u mërzit.

Në përgjithësi Jakovi nuk tregoi mirëkuptim dhe qetësi ndaj vërejtjeve që iu bënë. Thoshte se drama nuk është kuptuar, ose keqinterpretohet pa të drejtë, se disa tregojnë dashakeqësi dhe zili. Ai ngulte këmbë në vlerat e saj, të cilat unë i çmoja dhe nuk i vija kurrsesi në dyshim, por i përmbahesha mendimit se, pavarësisht këtyre, në tërësi ajo qëndronte larg frymës dhe shprehjes së kohës. Dhe këtë mendim nuk e kisha vetëm unë. Fakti që drama s’u botua libër dhe nuk u vu asnjëherë në skenë, e tregon këtë gjë.

Megjithatë, Jakovi nuk do ta braktiste dramaturgjinë. Ai e ndjente si një nevojë të brendshme për t’u shprehur në këtë gjini të vështirë. Nuk më tha gjë, por ndërkaq mora vesh nga Dhurata, e shoqja, se po shkruante një dramë tjetër. Dhe, vërtet, një vit më vonë (1958), ai botoi dramën “Zemra”, përsëri në revistën “Nëntori”, e cila nuk pati jehonën e dramës së parë. Unë vetëm sa e urova dhe nuk guxova të shfaqja ndonjë mendim. Pas asaj që kish ndodhur, Jakovi, ndryshe nga rastet e tjera, me sa kuptoja, nuk para kish qejf të bisedoje për dramën.

Ai ishte i bindur për vlerat e dramave të veta, sidomos për “Buçet Osumi”, aq sa edhe kur kapi majat e suksesit me romanin “Lumi i vdekur”, i mbronte ato duke iu kundërvënë kritikave të hershme për dramën e parë me arsyetimin se “ata e kanë gjykuar veprën time jo nga kokrrat, por nga gjethet”. Ngulte këmbë se “nuk është kuptuar ajo që kam dashur të them unë” dhe, siç do të deklaronte në një takim me lexuesit, se “nuk kam prashitur në ujë” dhe se “nuk e braktis time bijë, pavarësisht nga vërejtjet që më bëhen”.

Pas përvojës jo dhe aq të këndshme që pati me dramat, duke ndjerë thirrjen e brendshme të narratorit, por dhe sugjerimet e sinqerta të miqve, Jakovi iu kthye prozës, “bukës së vjetër” siç thoshte. Kësaj here rikthimi i tij në këtë fushë, ku e kish provuar veten me aq sukses si një tregimtar krejt i veçantë, ku kish aq lëndë të pasur dhe hapësira të gjera e, mbi të gjitha, kish lidhje të forta shpirtërore, do të ishte fatlum. Do të qe hapi i tij i parë drejt prozës së gjatë, një ndërmarrje serioze, që e realizoi me novelën “Kapedani”.

Besnik i temave sociale, ai kësaj here do të frymëzohej nga jeta e kaçakëve myzeqarë, duke trajtuar revoltën individuale të kryengritësve të fushës kundër bejlerëve. Një subjekt dramatik, plot jetë, për të cilin do të më tregonte gjatë kohës kur e shkruante. Me këtë rast, mbaj mend që folëm për folklorin e Myzeqesë, që unë kujtoja se ish kryesisht lirik, kurse Jakovi më shpjegoi se kish dhe këngë të epikës historike. Aq e madhe ishte shtypja dhe dhuna e bejlerëve, sa këngët e trimërisë qe vështirë të thureshin e të këndoheshin publikisht.

E megjithatë, populli i thurte dhe këtë e dëshmonin këngët e kaçakëve, që këndoheshin qoftë dhe nën zë. “Kapedani” do të sillte në letërsi figura kaçakësh, psikologjinë dhe aktet e tyre burrërore të dhëna nga Jakovi me aq realizëm dhe emocion. Edhe sot më kanë mbetur në mend hapësirat e pafundme të fushave të Myzeqesë, ku lëvizin personazhet, të skalitur mjeshtërisht e me vërtetësi. “Kapedani” do të ishte një sukses i padiskutueshëm, që nuk kaloi pa jehonë, por, ç’është më e rëndësishme, kjo qe një shtytje e fuqishme për Jakovin për të shkuar më tej në lëmin e tij të prozës.

Nga fundi i viteve ‘50 takimet tona sikur s’ishin më të parat. Shiheshim më rrallë, flisnim herë-herë në telefon, veç kur, pas kohësh, u takuam një ditë rastësisht. “Po ku je, mor burr’ i dheut, – thirra duke u përqafuar, – se u bëmë për mall?” Ai, me atë fytyrën e qeshur, ma priti: “Aha, tani kam vetqarkulluar. Jam kthyer te rrënjët”. Dhe pastaj më tregoi për inkursionet e tij në Myzeqe, duke i grupuar leksionet e javës në dy ditë, për t’i pasur të lira ditët e tjera.

Pa ma thënë akoma se ç’po shkruante, e ndjeva se këtë herë ai ishte angazhuar dhe i qe futur ndonjë vepre të prozës së gjatë, për të cilën më kish folur larg e larg. “Po kërkon romanin”, – i thashë. “Ke goditur në shenjë” – më tha dhe shtoi se po shkruante një roman për Myzeqenë. Ishte entuziast dhe dukej i vendosur aq sa nuk e kisha parë ndonjëherë. “I kemi borxhe atij vendi të bekuar, atyre njerëzve që na kanë bërë kokën!”

Në muajt e mëpasmë, romani që po shkruante do të bëhej tema kryesore e bisedave tona. Në rastet më të mira, gjendja shpirtërore e Jakovit më dukej si ajo e një adoleshenti që kish rënë në dashuri. Ndjehej i tëri i pushtuar nga ethet e veprës. Një angazhim dhe përkushtim total, pa të cilin nuk mund të kuptohej Jakovi kur krijonte, aq më tepër një roman. Dhe një roman për Myzeqenë, që unë e kisha aq për zemër, nuk qe vetëm një ogur i mirë, por dhe një përjetim i vërtetë.

E quaja fatlume për letërsinë, që këtë temë do ta trajtonte në përmasat e një romani Jakovi, një shkrimtar i sprovuar, një njohës i thellë dhe i dashuruar pas Myzeqesë, që kish dëshmuar me tregimet e tij të mrekullueshme se ç’ishte në gjendje të shkruante, kur ishte fjala për vendlindjen.

Nga rrëfimet e tij do të merrja vesh se ideja e një romani për Myzeqenë ishte e hershme. Ai e kish bartur brenda vetes nëpër vite dhe, në një farë mënyre, do të ishte kjo majaja, siç e cilësonte ai, prej së cilës do të lindnin tregimet që kish shkruar. Po kjo ishte e pamjaftueshme. Kish ardhur koha që t’i zgjeronte kufijtë dhe përmasat e trajtimit dhe pasqyrimit të Myzeqesë. Novela “Kaçakët” ishte vetëm hapi i parë që kish hedhur. Emocionet dhe mbresat, materiali jetësor i grumbulluar nëpër vite, njohja e njerëzve dhe e mjedisit, ngjarjet dhe përjetimet qenë aq të mëdha, sa kërkonin romanin. Në vështrimin e shkrimtarit Myzeqeja nuk ish vetëm fusha e bekuar dhe hambari i Shqipërisë, po dhe getoja e shtypjes dhe e vuajtjeve, e padrejtësive dhe e varfërisë së fshatarësisë shqiptare.

Mbaj mend që më pat thënë se embrioni i romanit i pat lindur shumë herët, fill pas Çlirimit, në kohën e reformës agrare. Jakovi e kish përjetuar thellë këtë ngjarje të madhe dhe, megjithëse nga ajo kohë kishin kaluar afro 15 vjet, ai i ruante të gjalla emocionet. Bile gjatë këtyre viteve, siç më tregonte, kish tentuar disa herë t’i hynte një vepre të gjatë, që s’dinte si ta quante. Kish shkruar dhjetëra faqe, i kish vënë dhe titullin “Legjenda e Lumit të Vdekur”, dorëshkrimin e të cilit e kishte akoma në dosjet e veta.

Por, me gjithë dëshirën që kish pasur, ndjente që për të si shkrimtar i ri të shkruante një roman atëherë, ishte një punë e papërballueshme dhe e parakohshme. Por edhe duke qenë në këtë situatë kundërthënëse, prapë gjithë pasurinë emocionale do ta ruante dhe do ta mbante përbrenda.

Ishte ky pra themeli, nga i cili po nisej shkrimtari për të gatuar romanin e tij të parë. Iu vu punës për të shkruar një vepër me përmasa të gjera kushtuar Myzeqesë, jo asaj të sotmes, por të djeshmes, të një kohe që kish kaluar tanimë në histori, po që jetonte e gjallë në kujtesën e njerëzve. Për fatin e mirë të letërsisë sonë, ajo gjallonte e tillë edhe në mendjen dhe shpirtin e Jakovit.

Përpara kësaj ndërmarrjeje të madhe atij do t’i buisnin sa e sa kujtime, do t’i zgjoheshin situata e personazhe të një kohe të kaluar, do t’i përftohej atmosfera e një epoke të tërë. Jakovi, i lindur e i rritur në Myzeqe, ishte mbrujtur e gatuar me baltën e saj, me ajrin e diellin mesdhetar, kish hedhur shtat e kish lëvizur nëpër hapësirat e saj pa anë e fund, fliste gjuhën e saj të butë e, mbi të gjitha, kish shpirtin vital të myzeqarit. E ç’mund të kërkonte tjetër një krijues për të shkruar një vepër të vërtetë e të bukur!

Lidhjet e Jakovit me Myzeqenë do të qenë të gjithanshme. E, kur them Myzeqenë, kam parasysh fshatin, ato hapësira që shtriheshin përtej kufijve të qytetit të tij. Atje ku hapeshin fushat, ku nxinin kasollet, ku qelbeshin kënetat e ku harliseshin zhukat e kallamat. Atje ku kishin kaluar jetën sa e sa breza skllevërish të tokës, nën çizmen e kamxhikun e bejlerëve, ku varfëria dhe malaria shkretonin e shkurtonin jetën e myzeqarëve.

Jakovi do t’i sillte nëpër mend të gjitha këto tek përgatitej për të shkruar romanin. E s’kish si mos u bënte thirrje kujtimeve të vegjëlisë e të djalërisë, që lidheshin jo aq me natyrën e bukur e të me vegjetacionin e pasur dhe pjellorinë e tokës së Myzeqesë, jetën e rëndë të myzeqarëve, me dramat dhe fatet e dhimbshme të tyre, me konfliktet dhe padrejtësitë sociale, me shtypjen feudale.

Akoma i kishin mbetur në sy imazhet e atyre njerëzve të mpakur e të zverdhur, të zbathur e të zhveshur, me takijen mbi kokë, skelete që hynin e dilnin nëpër kasollet e tyre të varfra, ngritur me baltë e kallama, pa dritë e pa oxhak, streha të mjerimit njerëzor.

Tek evokonte atë kohë, Jakovi, siç do të më thoshte, do të provonte dhimbje dhe revoltë. Ndjenja këto që i vinin nga vitet e hershme, kur fëmijë shkonte nëpër fshatra me të atin apo bujtëte me ditë të tëra tek miqtë e familjes. Sepse familja dhe fisi i xoxallarëve kish lidhje e miqësi me dyer të njohura fshatarësh. Ata mbanin krahun e tyre dhe ishin në armiqësi të përhershme me bejlerët Vrionas. Madje, stërgjyshi i Jakovit do të njihej si mik i Rrapo Hekalit dhe kryengritësve myzeqarë që i vajtën pas. Edhe xhaxhai i tij, në vitet ‘20, kish qenë në luftë të vazhdueshme me bejlerët, duke marrë anën e fshatarëve.

Në këtë mjedis dhe me këtë psikologji do të rritej Jakovi. Kohët, me ngjarjet që erdhën më pas dhe që çuan në përmbysjen e bejlerëve, veç do ta thellonin e kristalizonin botëkuptimin e tij prej qytetari të lirë e human, për t’i hyrë punës së romanit kushtuar Myzeqesë.

Por krijimi i një romani për të kaluarën e fshatarësisë myzeqare nuk ishte vetëm çështje e pozicionit politik dhe e botëkuptimit të shkrimtarit. Kjo kish sigurisht vlerën e vet të pazëvendësueshme në konceptimin realist të veprës dhe të pasqyrimit saktë të së vërtetës historike, por, për një artist si Jakovi, kryesore do të ishin lidhjet shpirtërore, përjetimet emocionale, kujtimet dhe mbresat nga jeta myzeqare, mbi të cilat do të ngrihej romani.

Unë që e njihja nga afër Jakovin, mund të them me plot bindje se kurrkush veç atij nuk ishte i përgatitur mendërisht dhe shpirtërisht për të trajtuar një temë të tillë e në ato përmasa. Dhe, kur një ditë u ulëm të bisedojmë për projektin që kish për romanin, unë i entuziazmuar i thashë: “Kovi, më beso se kush ka marrë vesh që i je futur romanit për Myzeqenë thotë se më në fund e gjeti puna të zotin” dhe pastaj e arsyetova besimin e opinionit letrar tek ai.

Kujtoj se atij iu bë shumë qejfi, por vura re që i mblodhi vetullat dhe tha: “Megjithatë, e shoh se nuk mjaftojnë vetëm kujtimet dhe mbresat e kaluara. Duhet t’i kthehem seriozisht asaj ane, të shkel prapë baltën e saj, në moshën e tanishme dhe me synimet që i kam vënë vetes”.

Kishte plotësisht të drejtë. Unë që e njihja natyrën e Jakovit, seriozitetin që e karakterizonte për çdo detyrë që i vinte vetes, dhe në radhë të parë, në fushën e letërsisë, rrokja me mend angazhimin e tij total. Them kështu se ai asnjë punë nuk dinte ta ndante përgjysmë. E dija mirë këtë, sepse, kur isha sekretar kolegjiumi i gazetës “Drita”, për t’i ardhur në ndihmë ekonomikisht, i propozova të vinte të merrte dieta shërbimi, për të shkruar ndonjë reportazh nga Myzeqeja.

Ai mezi pranoi dhe ne e planifikuam reportazhin, por, si kaloi ca kohë, ai, në vend që të na sillte shkrimin, ktheu paratë e dietës. “Nuk e bej dot, tha, s’i mbaj dot dy kunguj nën një sqetull”. Shokët e redaksisë u habitën, se, tek e fundit, ç’do t’i kushtonte atij një reportazh, por unë që ia dija “huqet” s’kisha si të mos e mirëkuptoja.

Ai tani kish nisur rrugën e mundimshme të konkretizimit të romanit. Kish kohë që po zbriste në Myzeqe jo si gazetar, por si shkrimtar. Dhe si shkrimtar nuk do të thoshte të kënaqeshe me një a dy inkursione në bazë, por të ngeleshe atje dhe të përjetoje e të krijoje veprën në gurrat e jetës myzeqare. Ai arriti, më në fund, t’i mbledhë orët e mësimit në një semestër dhe gjithë semestrin tjetër t’ia kushtonte romanit.

Dhe kjo, falë këmbënguljes së madhe, duke kapërcyer mbi pengesat burokratike dhe paragjykimet, por dhe të besimit e bindjes në vlerat e tij, që kish ngjallur te kolegët dhe eprorët. Bile ai mundi të marrë edhe leje të posaçme krijuese nga Lidhja e Shkrimtarëve. Në këto hapësira të gjera kohore, Jakovi tani ishte krejt i lirë. E pra, kush ishte si ai. Erdhi koha që nuk e mbante më Tirana. Të gjithë do ta merrnin vesh se Jakovi e kish ngritur shtëpinë në mes të Myzeqesë. Asnjë shkrimtar deri atëherë nuk e kish bërë këtë që po bënte Jakovi.

Nga kontaktet e herëpashershme që do të kisha, dashur pa dashur do të mësoja itineraret e lëvizjeve të tij. Në fillim, ai do të ndërmerrte disa ekskursione përtëritëse, duke shkelur nëpër fshatra, kryesisht në zonat mes Fierit dhe Semanit, në vende që ai i njihte nga e shkuara dhe e lidhnin kujtime të hershme, për t’u shtrirë pastaj në hapësirat ndërmjet Semanit dhe Vjosës.

Që në krye të herës Jakovi përcaktoi dhe zgjodhi vendin se ku do të vendosej. Për këtë nuk pati asnjë mëdyshje. Zbarkoi menjëherë në Apolloni dhe u strehua në një nga dhomat e manastirit. Kështu, Apollonia u bë për të shtëpia e tij e dytë, një zgjedhje vullnetare, që asnjë shkrimtar nuk e kish praktikuar. Ishte ky, si të thuash, një vetqarkullim, shumë përpara se shkrimtarët të qarkullonin me urdhër nga lart.

Por, kush e njihte mirë karakterin e Jakovit, gjithë kjo që bëri ishte një zgjidhje brenda natyrës së vet. Duke e konsideruar punën krijuese frymëmarrjen e tij të dytë, ai do të kërkonte kushte që ta lejonin të thithte ajrin e trevës, mbi jetën e së cilës do të ngriheshin themelet e romanit. Pra, vendosi të bëhej, qoftë dhe përkohësisht, banor i Myzeqesë dhe ajo që çuditi shumëkënd, ishte fakti që nuk qëndroi në Fier, ku kishte kushtet e qytetit, as në fshatin e madh Pojan, por vajti dhe “u mbyll” në manastirin e Apollonisë.

Manastiri i Shën Mërisë, i kthyer asokohe në muze arkeologjik, ngrihej mbi kodrat e buta të Pojanit, krah Sopit, fshatit të tij të fëmijërisë. Një ngrehinë e lashtë mesjetare, mes rrënojave të “qytetit hijerëndë” të Apollonisë së lashtë, nga ku Jakovi do të sodiste peizazhin antik, amfiteatrin, statujat, shtyllat…, por që, për hir të së vërtetës, sado që e çmonte dhe ndjente peshën e qytetërimit të nxjerrë nga nëntoka, interesimi i tij i vërtetë ishte jeta mbi tokë.

Shkrimtarit i dhanë dhomën më të mirë të manastirit, “dhomën e dhespotit”, sipër në katin e dytë, mbi qemerin e portës së madhe, të cilën ai e ktheu në kabinet pune. Këtu, Jakovi do të bënte për disa vjet një jetë vetmitare, po të mbajmë parasysh se manastiri ishte thuajse i zbrazët. Më kujtohet vizita e parë që i bëra, kur ai s’kish shumë kohë që ishte sistemuar aty. I shkova papritur dhe e gjeta në dhomë tek punonte.

U gëzua dhe më tha se kish dy ditë pa dalë, pasi e kish “lidhur keq puna”. Dhoma ishte e madhe, me tavan të lartë, gati e zhveshur, ku binin në sy shtrati në krye dhe në krah skrivania. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte dritarja e madhe nga binte drita bardhoshe e vetëtitëse e fushës dhe e detit. Tek soditja në heshtje mjedisin e varfër përreth dhe hidhja sytë përtej dritares, padashur zura të përfytyroja jetën spartane të Jakovit. Mendoja se si mund të ngrysej e të gdhihej njeriu fill i vetëm aty. Them i vetëm, pasi, veç rojës së muzeut dhe vizitorëve të rrallë, në pjesën më të madhe të vitit atje nuk shkelte njeri.

Ndërkaq Jakovi, sikur ta ndjente shqetësimin tim, zuri të më tregojë se çdo gjë shkonte mirë, se tanimë ishte mësuar, bile nuk mund të punonte pa këtë vetmi. “Vetmia këtu, – mbaj mend që më tha, – është në shkallën më të lartë dhe, kur krijuesi e arrin këtë, e ka dhuratë nga qielli”.

Pastaj, duke më ftuar të vështroja nga dritarja, me dorën e djathtë drejtuar përpara, foli me një zë ngazëllues: “Shiko se ç’mrekulli duket prej këndej. Fushë pa skaj e fund dhe deti që shkrihet me horizontin plot dritë. Kjo pamje është frymëmarrja ime artistike, që nuk e gjej asgjëkund, veç këtu”.

E besoja, aq sa gati u magjepsa nga gjithë sa më shihnin sytë. Më pas do të arsyetoja se ky pozicion që kish gjetur Jakovi, ishte ndoshta leva e Arkimedit të punës së tij si krijues. Gjithë këtë gjetje ai do ta formulonte në një bllok shënimesh me fjalët “Unë dua horizont që të shkruaj. Prandaj jam mësuar të shkruaj në Apolloni, në dhomën e madhe përballë detit”.

Dhe kjo nuk ishte një fjalë goje, por një realitet, që në fillim më dukej thuajse i pabesueshëm, më shumë një dëshirë e përpjekje kalimtare, por që fatmirësisht nuk ndodhi kështu. Jakovi do të kalonte këtu jo disa muaj, por disa vjet. Do të ngujohej këtu në moshën 35 vjeçare dhe do të largohej prej këndej afër të pesëdhjetave. Dhe këto do të qenë vitet e punës më intensive e më prodhimtare, kur krijimtaria e tij arriti majat.

Nën qiellin e Apollonisë, mes rrënojave antike dhe mureve mesjetare të manastirit, do të lindte kryevepra e Jakovit dhe një nga romanet përfaqësues të letërsisë shqipe.

Nuk besoj të ketë një rast të dytë në jetën tonë letrare si rasti i Jakovit. Në qoftë se atëherë mund të dukej në vështrim të parë si një kokëshkrepje, tani, kur e mendoj, them se e gjitha sa ndodhi me të, qe një akt i lartë vetësakrifikimi. Kush tjetër, për hir të krijimit, bëri jetën e murgut jo aq në kuptimin se u ngujua në një manastir, por që u tërhoq në vetmi, u përball me ditët e netët e dimrit e të beharit dhe iu përkushtua tërësisht botës së artit.

Ngujimi i tij disavjeçar, edhe tani kur e mendoj, do të tregonte se Jakovi, përpara se të jetonte jetën e vet, do të jetonte jetën e veprës. E përfytyroj ashtu të vetmuar, tek lëvizte nëpër hapësirat e shkreta të manastirit, herë në dhomën e tij të madhe, herë nëpër korridoret e shkallët e gurta, për të dalë pastaj në oborrin e kishës e më tej në rrënojat e heshtura të qytetit të vdekur.

Ngaherë fillthi vetëm apo, më saktë, në shoqëri me mendimet dhe imazhet e veprës, me personazhet dhe situatat, që prisnin të hidheshin në letër. Ishte kjo poezia e jetës së Jakovit krijues, por të mos harrojmë prozën e ashpër të jetës së tij të përditshme. Një përditshmëri e vështirë, ku i duhej t’i shërbente vetes në kushtet e mungesës së komoditetit thuajse minimal, pa lidhje me botën, pa telefon dhe pa kujdesje e ndihmë nga të tjerët.

Deri dhe për ushqimin e përditshëm, Jakovi detyrohej të zbriste poshtë në Pojan, të merrte atje racionet që i takonin në mensën e kooperativës.

Për jetën që bënte Jakovi në Apolloni do të mësoja dhe kuptoja, kur një ditë prej ditësh do të shkoja përsëri ta takoja duke ndenjur më gjatë. Është pak të them se sa u hutova e u habita nga gjithë sa pashë e dëgjova prej tij. Gjëja e parë që bëri, pasi më priti i ngazëllyer, më shëtiti nëpër manastir dhe më tregoi për botën që kish krijuar. Një botë që për të nuk mbyllej brenda mureve.

Nga lartësia e kodrës, prej dritares së madhe, e akoma më shumë, nga kullat e manastirit, ai rrokte hapësirat hutuese të Myzeqesë, peizazhet e ditës dhe të natës, që ndërronin ngjyrë sipas stinëve. Harrohej pas lojës së dritave të qiellit, siç i preheshin sytë nëpër relievin e butë të këtij anëdeti mesdhetar. Ai që kish thithur ajrin e Myzeqesë qysh fëmijë, ndjente nga çdo kënd i manastirit frymëmarrjen e fushës, aromat e florës së saj të pasur, kundërmimet e kënetës, të zhukës e të kallamave.

Mbi të gjitha, ai dehej nga era e jugës së bardhë, që vinte bashkë me zërat e shpendëve dhe zbriste nga qielli bashkë me dritën e qashtër të ditëve të vitit.

Të gjitha këto do t’i merrja me mend ato orë të paharruara, që kaluam së bashku kur shkova ta takoja. Ai fliste e tregonte me natyrën e tij të çiltër, pa u ankuar për asgjë e pa u mburrur për sakrifikimin e vetvetes. E kish pranuar këtë sakrificë fisnike në emër të artit. Atë ditë do të kuptoja se vetmia dhe ajo qetësi manastiri, që herë-herë më ngjante misterioze, ishte bërë pjesë e pandarë e ekzistencës së tij.

Nga zërat që hynin në bisedën tonë, qenë ato të kukuvajkave dhe bretkosave, që vinin nga këneta, për t’u shuar në orë të caktuar nga tingujt buçitës të kambanave të kishës. Të them të drejtën, s’e kisha përjetuar aq shumë vetminë sa ato orë, sidomos kur zuri të bjerë mbrëmja. Një vetmi që mua sepse m’u duk paksa frikshme, por që për Jakovin ishte krejt normale.

Dhe duke admiruar këtë kurajë e ekuilibër shpirtëror të tij, nuk mund të mos e imagjinoja se si ky njeri, duke u gjendur përballë hapësirave plot do të përballej pastaj dhe me vetminë që i krijonte mjedisi i dritë të lirisë së plotë, që përftonin fushëtira dhe qielli i Myzeqesë, manastirit, ajo atmosferë mistike, që zbriste nga muret e gurta, nga kryqet dhe objektet e kultit.

Në një atmosferë të tillë s’kish si mos të të zgjoheshin mendime e paragjykime, besëtytni e ndjesi të vjetra, ngrihej mbi këto dhe bënte jetën e tij prej krijuesi. që vinin nga fëmijëria e që ai duhej t’i përballonte vetmevete. Jakovi ngrihej mbi këto dhe bënte jetën e tij prej krijuesi.

Në një moment, kur po dilnim nga porta e manastirit, nuk di se si më erdhi dhe e pyeta: “Si nuk ke frikë këtu nga hijet, o Kovi?” Ai vetëm buzëqeshi. Një buzëqeshje që nuk e kuptova. Ishte ajo ironia e tij e mençur ndaj pyetjes sime pak si naive apo habi për çka i kërkoja?!

Kohë më vonë, duke iu kthyer këtij momenti, do të përpiqesha të hyja në psikologjinë e tij artistike, që, më shumë se me një farë romantike të krijimit, kish të bënte me natyrën e procesit të punës, më atë veçanti origjinale të Jakovit, që vetëm duke qenë me këmbë në Myzeqe, mund të shkruante një vepër madhore mbi të. Nga kodra e manastirit, ai do ta kishte para syve gjithë Myzeqenë.

Vështruar në distancë, gjithë sa ndodhte me Jakovin në atë kohë, nuk ishte një episod i veçuar, që do të zgjaste disa javë apo muaj. Në një hapësirë kohore disavjeçare do të rridhte jeta e tij me atë përditshmërinë e vet, me rutinën dhe monotoninë, me vështirësitë dhe mungesat, të cilat ai do t’i përballonte duke i kthyer në ditë pune, në përjetime dhe situata, në emocione dhe mendime. Kështu, nga dita në ditë do të hidhte shtat romani. “Lumi i vdekur”.

Ishte ky një proces i vështirë, tepër i vështirë po të marrim parasysh pasqyrimin e atij realiteti në përmasat e një romani, por dhe shumë i dhimbshëm për nga lënda njerëzore, gatuar me vuajtje, varfëri e padrejtësi të tejskajshme. Dhe raportet e Jakovit me këtë realitet nuk ishin ato të kronistit apo të historianit, por të artistit, pra, të krijuesit, që e përjeton së thelli jetën emocionalisht dhe e rikrijon atë artistikisht. Unë që do ta njihja nga brenda Jakovin dhe që e kisha dëgjuar të më tregonte për vështirësitë e punës, mund të them se “Lumi i vdekur” do të ishte një lindje e vështirë, një vuajtje shpirtërore e fizike.

Mund të kujtoj një rast që padashur u bëra dëshmitar. Ndodhi që kisha shkuar në Fier të shihja prindërit e mi dhe u hodha deri në Apolloni për të takuar Jakovin. Ngjita shkallët e manastirit dhe i vajta drejt e në dhomë. Por në vend që ta gjeja në tavolinën e punës, siç kish ndodhur herë të tjera, e gjeta shtrirë në krevat, mbledhur kruspull nën tre velenxa leshi tek lëngonte. Iu afrova dhe i thirra duke i zbuluar kokën. Ai lëvizi paksa, hapi sytë dhe, kur më pa, mu duk sikur të ishte zgjuar nga një ëndërr e gëzuar.

Pastaj, duke buzëqeshur, bëri të ngrihej ndenjur dhe më tha me zë pak të ligur: “Po bëj ethet e myzeqarit. Ti e di si kanë qenë një herë e një kohë këto ethe këndej. Mblidheshin myzeqarët malarikë kokë më kokë në orë të caktuara të ditës dhe dridheshin së bashku për orë të tëra deri sa u kalonin ethet. Sot kjo duket e tmerrshme, s’ta beson kush, po kështu ishte vërtetë dhe letërsia nuk e ka përshkruar akoma”. “Me sa duket, ti Kovi, do ta përshkruash i pari”, i thashë. “Po, – ma ktheu – e kam një kapitull në roman për ethet malarike dhe këtë po mendoja dhe përjetoja sot”.

Më pas mora vesh se Jakovi dy ditë më parë kish shkuar vetëm për gjah në kënetën e Hoxharës dhe atje e kish zënë furtuna e ishte ftohur. Tani po vuante pasojat, fill vetëm, pa dashur të shqetësonte njeri.

Tregova vetëm një rast nga telashet e vështirësitë e jetës, që i duhej të përballonte Jakovi “i vetëqarkulluar” në Apolloni. Por ajo që më bënte përshtypje dhe që ishte një gjë krejt e veçantë kish të bënte me faktin se, gjithë sa ndodhte me të, ai e përjetonte thellë dhe, si shkrimtar, e kthente në vlera të veprës që po shkruante.

Fakti që për disa vjet Jakovi e ngriti shtëpinë në një manastir, nuk do të thoshte se ai bënte jetën e murgut. E vërteta është se jeta e tërhequr i krijonte kushte për një proces të qetë pune, aq i domosdoshëm e i dëshiruar për çdo shkrimtar serioz. Këto do të qenë orët që kishin të bënin drejtpërdrejt me punën e shkrimtarisë, ekzistonte dhe jeta tjetër, që, siç do të më rrëfente, ai do të dinte ta organizonte dhe këtë në shërbim të detyrës, për të cilën kish ardhur deri këtu.

Nuk e teproj të them se pothuaj gjithë Myzeqeja e dinte tanimë që Jakov Xoxa kish lënë Tiranën dhe po jetonte në Apolloni. Do të krijoheshin kështu raporte mes shkrimtarit dhe njerëzve të trevës përqark, në radhë të parë, të kooperativës së Pojanit e pastaj të fshatrave të tjera, me miq e të njohur të vjetër, po akoma më shumë me të rinj. Do të qenë këta fshatarë të thjeshtë, sidomos pleq e plaka, nga të cilët do të vilte lëndë nga jeta dhe historia e Myzeqesë, po dhe njerëz të shkolluar, mësues, agronomë, inxhinierë e drejtues të kooperativës.

Gjatë verës Apollonia do të popullohej nga arkeologë e studentë, siç do të shkelej nga dhjetëra e qindra vizitorë apo turistë të huaj, që do ta gjallëronin jetën e Jakovit. Bile, kish nga këta të fundit që ishin të dëshiruar apo kureshtarë dhe tregonin interes ta njihnin e të bisedonin me shkrimtarin, që kish zgjedhur të jetonte këtu mes rrënojave të qytetit antik.

Mbaj mend një herë, kur shoqëroja një grup kolegësh të Universitetit të Prishtinës dhe shkuam në Apolloni, ata u befasuan që ai jetonte aty dhe deshën patjetër ta takonin. Unë i çova fjalë dhe Jakovi erdhi e i takoi, duke iu uruar mirëseardhjen me atë bujarinë e tij karakteristike. Pastaj u ulëm dhe biseduam vëllazërisht e dolëm më pas në fotografi. Miqtë e ftuan të vinte në makinën tonë e të darkonim atë natë në Fier, por Jakovi me takt e refuzoi ftesën dhe u nda përzemërsisht.

Pasi vizituam muzeun dhe po zbrisnim me makinë nga kodra e manastirit, pamë Jakovin, hipur mbi një qerre me dy rrota, ngarkuar me bar dhe e përshëndetëm me dorë. Miqtë mbetën të habitur, sidomos nga thjeshtësia e tij dhe përshtatja me jetën e fshatit.

Një herë tjetër u takuam prapë në Apolloni, kur shkova së bashku me shokët e mi të vjetër të fëmijërisë, piktorin V. Kilica dhe arkitektin S. Mosko. Atë ditë ndenjëm gjatë, folëm e qeshëm, kujtuam ngjarje e personazhe nga e kaluara, hëngrëm drekë dhe nuk e patëm të lehtë të ndaheshim. Madje, kur u ndamë, sikur na erdhi keq që po e linim vetëm.

Në Pojan, po dhe në fshatra përqark, kish dhe të ardhur të tjerë nga Tirana, kuadro të arsimit e të kulturës, disa nga të cilët e quanin veten me fat që ishin në shoqëri me një shkrimtar të njohur si Jakovi. Jakovi për ta ishte një ngushëllim, po të marrim parasysh se kish zbritur vullnetarisht në baltën e Myzeqesë, kurse ata qenë të emëruar e të caktuar nga shteti. Mes tyre ishte dhe një mësuese nga Tirana, që punonte në Pojan, e cila, sa herë më takonte, më jepte të fala nga Jakovi.

Ajo ishte një vajzë e bukur, sykaltër e flokëverdhë dhe tepër e këndshme dhe tërheqëse, jo vetëm për nga hijeshia, por dhe e zgjuar dhe e emancipuar. E dhënë pas librave, me të mund të bisedoje e të diskutoje për ato çka lexonte dhe përgjithësisht për botën e artit. Ndoshta do të ishte një rrethanë gati fatlume për Jakovin që në kushtet e vetizolimit dhe të “etheve” të krijimit, shoqëria me mësuesen do t’ia zbukuronte e lehtësonte jetën shkrimtarit.

Në manastir apo poshtë në shkollën e fshatit, në udhëtim për në Tiranë apo anasjelltas, ata takoheshin e bisedonin dhe, me sa kuptoja, kjo i sillte gëzim Jakovit. Unë që e dija, e ngacmoja dhe mbaj mend që njëherë i thashë: “Ç’mrekulli është magjia e bukurisë!” dhe ai buzëqeshi e uli sytë, por, kur e lidha bukurinë e saj me një tregim të Çehovit, atij sikur nuk i erdhi mirë dhe më tha myzeqarçe: “Ohu dhe ti, sa e tjerr”.

Megjithatë, unë prapë do të këmbëngulja dhe, kur i thosha t’i bënte të fala prej meje, ai shpesh refuzonte me arsyetimin “Jo, jo, se kujton se bëjmë thashetheme”. Ndërkaq, edhe pse ngacmimet e mia do t’i kalonte me të qeshur, kjo nuk do të thoshte se në bisedat që bënim për jetën e tij në Apolloni, emri i saj nuk do të përmendej. Në këto raste Jakovi më ngjante si një adoleshent i ndrojtur.

Tani kur e mendoj këtë histori të largët, sepse kam nostalgji dhe e kuptoj akoma më qartë shpirtin fisnik të Jakovit, natyrën e tij delikate, emocionet e përkora që ndrynte brenda vetes. duke biseduar në kafe Flora për romanin e tij të fundit, sesi kujtuam Apolloninë dhe unë e nxora fjalën te mësuesja.

Ai më tha: “E di si thotë Brehti? Kur fëmijët arrijnë moshën e dashurisë, prindërit e kanë kaluar atë kohë”. Unë qesha dhe e kundërshtova me fjalët: “S’ka si t’i ketë thënë këto fjalë Brehti se ai nuk ka pasur fëmijë”.

Jeta e Jakovit në Apolloni nuk mund të merret me mend pa xha Pilon, Pilo Samarxhiun, kujdestarin dhe ciceronin e parkut arkeologjik të qytetit të lashtë. Ai do të ishte njeriu më i afërt dhe më i gjendur për të. Një personazh, nga shumë pikëpamje, i veçantë e tepër interesant, që kam pasur fatin ta njoh dhe unë, por që e njoha dhe më mirë në shoqëri me Jakovin.

Ai ishte tipi i myzeqarit të zgjuar dhe shumë energjik, që të bënte për vete me sjelljen fisnike, me elokuencën e shkëlqyer, humorin e përmbajtur, por dhe me kulturën e tij historike, megjithëse autodidakt, njohës i disa gjuhëve, njeri që kish parë botë dhe i kish rastisur të rrinte apo të punonte me burra të nderuar. Për disa vite kish qenë emigrant në Amerikë dhe për vite të tëra i kish shërbyer arkeologut francez Leon Rei, kur bënte gërmime në Apolloni.

Mikun e vjetër ai e kujtonte me nostalgji dhe nderim të thellë. Mburrej me të e mbante dhe korrespondencë. E thoshte këtë me zë të lartë, meqë, siç tregonte, i kish marrë leje Enver Hoxhës, kur kish ardhur njëherë në Apolloni. Xha Piloja ishte aq kulturëdashës, sa adhurimin më të madh pas shenjtorëve e kish për intelektualët e shquar, një nga të cilët perëndia, siç më tha njëherë, ia kish sjellë në Apolloni.

Gjithë këtë adhurim të tij për Jakovin unë do ta vëreja e do ta ndjeja sa herë që do të qëndronim bashkë. Ai e quante veten me fat, që i bënte shoqëri dhe i shërbente një njeriu, që kish lënë rehatin e shtëpisë e Tiranën dhe ish ngujuar në manastir, me qëllimin fisnik për të njohur dhe përshkruar jetën plot derte të myzeqarëve të kohës së bejlerëve. Por dhe Jakovi, kam bindjen, nuk di se ç’do të bënte pa xha Pilon, pa praninë dhe ndihmën e tij, pa ato thesare që ai bartte. Nga goja e plakut buronte dhe ligjëronte e folmja e Myzeqesë, prej të cilës shkrimtari do të vilte herë pas here fjalë e shprehje të panjohura, por për më tepër, siç e karakterizonte Jakovi, xha Piloja ishte një pus i pashtershëm.

Një pus nga ku, sa herë hidhte kovën nxirrte “minerale” të historisë dhe të jetës së Myzeqesë, të psikologjisë e mentaliteteve, të kulturës shpirtërore e materiale të kësaj treve. Dhe xha Piloja, jo vetëm i njihte dhe i çmonte këto vlera të vendlindjes, por dhe i mbronte e u dilte për zot kur ishte nevoja.

Përkushtimi dhe ndershmëria e tij, aftësitë dhe dinjiteti, të çmuara nga të gjithë, i kishin dhënë autoritet dhe nder. Kështu, për të kuptuar unë peshën e fjalës së xha Pilos, Jakovi më tregoi se, kur kryheshin punimet për hapjen e kanalit të madh vaditës, që kalonte nëpër zonën arkeologjike dhe kish rastisur të vinte në Apolloni kryeministri Mehmet Shehu, ai kish kërkuar prej tij të ndërrohej drejtimi i kanalit vetëm e vetëm që të mos rrezikoheshin vlerat e qytetit antik. Dhe ia kish arritur qëllimit.

Xha Piloja do të ishte për Jakovin njeriu më i afërt në Apolloni, që jo vetëm do t’i bënte shoqëri e do të mësonte prej tij, por nëpërmjet tij do të lidhej dhe me fshatin, me njerëzit, me gjithçka ndodhte poshtë kodrës së manastirit.

Ndaj, merret me mend se sa të rëndë e ndjeu Jakovi humbjen e mikut të tij, kur një ditë ai u nda nga jeta. Por dhe ditët e fundit plaku i kish kaluar me optimizëm. “Po shkoj te Nasi,- i kish thënë Jakovit, duke i kujtuar të atin. Mos u bëj merak!” Dhe më vonë jo rastësisht, shkrimtari, njërit prej protagonistëve të romanit “Lumi i vdekur”, Pilo Shpiragut, i kish vënë emrin e tij.

Gjahu do të ishte pjesë e pandarë e jetës së Jakovit në Apoloni. Ndoshta e vetmja shoqëri e gjerë dhe e qëndrueshme, që pati gjatë asaj kohe, qe ajo me shokët e gjahut. Gjahun e kishte pasion të vjetër, të trashëguar nga i ati, por që iu rizgjua kur erdhi në Apolloni.

Veç ta dëgjoje kur fliste për të, si të fliste për një dashuri, që i jepte kuptim e kënaqësi jetës së tij, jo vetëm si sport e mënyrë për t’u relaksuar, por dhe si një mundësi për t’u njohur me natyrën, me psikologjinë e njerëzve, me situata dhe aventura, që t’i dhuron vetëm gjahu kolektiv.

Jakovi do të lidhej që herët me gjahtarët e fshatit. Do t’ia lehtësonte këtë lidhje një nga të njohurit e vjetër, siç do të më tregonte. Prandaj nuk vonoi të blejë dhe një çifte e më pas të gjejë dhe një zagar, që e pagëzoi me emrin Lori. Për Lorin do të fliste gjithnjë si për një shok të pandarë në jetën e vetmuar të manastirit. Nuk do të mungonin pastaj dhe rrobat e gjahut, kostumi prej lëkure dhe çizmet. Me këtë uniformë ka dalë dhe në fotografi mes shokëve.

Shokët e gjahut, që ishin fshatarë, mësues apo kuadro të kooperativës, po dhe ndonjë nga qyteti, do ta kishin për nder që në grupin e tyre do të qe dhe Jakovi. Aq më tepër se Jakovi ishte një gjahtar shembullor, gjithnjë korrekt e i përpiktë në zbatimin e rregullave të gjahut, që dinte të bashkëvepronte në kolektiv. Kjo e bënte dhe të suksesshëm, sado që tregohej modest.

Ai nuk vuante nga sëmundja e vetëmburrjes së gjahtarëve. Jakovi do të ishte, si të thuash, udhëheqësi shpirtëror i grupit jo vetëm me emrin që gëzonte si shkrimtar, por dhe me qytetarinë humane, që manifestonte në raste të ndryshme. Kështu, bie fjala, ai nuk pranonte, bile këshillonte dhe shokët, të gjuante në stinën e riprodhimit, pra, të vriste shpendë a kafshë në çdo kohë.

Me sa kuptoja, gjahu për Jakovin në kohën e “ekzilit” të tij krijues nuk do të ishte pasion në vetvete, por pjesë aktive e të qenit shkrimtar. Gjahu i kish zgjuar dhe i ushqente shpirtin e aventurës, dëshirën dhe nevojën për të lëvizur. Duke marrë rrugët e Myzeqesë, nëpër pyje e këneta, nëpër fusha dhe ugare, natën dhe ditën, në të ftohtin e dimrit dhe zhegun e verës, Jakovi do të përballej me mrekullitë e natyrës, po dhe me situata e rrethana që e bënin të zbulonte karakteret e njerëzve, po dhe botën aq piktoreske te kafshëve dhe të shpendëve.

Tek qëndronim një mesditë vere ne kullën e lartë të kambanores së Kishës dhe soditnim pamjen madhështore që na hapej para syve, ku në vijën e horizontit bashkohej fusha, deti dhe qielli, Jakovi, thua se pëshpëriste, sikur të mos donte ta trazonte solemnitetin e çastit, tha: “Ja, nëpër këto hapësira endem e shtegtoj unë. Eci me këmbët e gjahtarit dhe fluturoj me imagjinatën e shkrimtarit”.

Dhe, pasi kaloi ky moment mbresëlënës, që unë dhe tani pas shumë vitesh e ruaj brenda vetes, ai zuri të më tregojë me dorë emrat e vendeve, fshatra, këneta, pyje, kanale, udhë, kisha, një toponimi e tërë, që ai e dinte symbyllur. Për herë të parë, nga tregimi i Jakovit, pashë e ndoqa me sy tragën e Lumit të Vdekur, nga i cili do të merrte emrin romani apo fshatin, të ashtuquajturin Trokth, ku kish lokalizuar ngjarjet e veprës që po shkruante.

Nga bisedat e Jakovit për gjahun më kanë mbetur në mendje ca hollësi, që tregonin se si e nisi me gjuajtjen e peshkut, kaloi pastaj në atë të shpendëve, për t’u bërë gjahtar i vërtetë në gjuetinë e kafshëve të pyllit, që lypte aftësi dhe përkushtim. Në këto raste, do të më bënte përshtypje jo aq pasioni sesa dijet që zotëronte, njohja e mjedisit, informacioni i pasur që kish për florën dhe faunën.

Më habiste leksiku i tij për llojet e shpendëve, kafshëve e peshqve. Më fliste për llojet e rosave e të patave, të thellëzave e turtujve, me ca emra që më tingëllonin bukur në vesh. Por akoma më interesant bëhej rrëfimi i gjahut, kur fliste për zagarët e në radhë të parë për Lorin e tij, që e trajtonte si shok dhe komunikimin e habitshëm që kish vendosur me të. “S’ka shok më të mirë se zagari”, përsëriste duke përmendur vetitë e virtytet gati njerëzore.

Biseda për zagarët zgjerohej, kur tregonte për llojet e tyre, racat, të ndarë sipas aftësive, reflekseve e zakoneve që kishin dhe që përcaktonin mbarëvajtjen e gjuetisë. Më bënte përshtypje trajtimi human që u bënte ai këtyre kafshëve fisnike, jo vetëm Lorit, por dhe atyre të shokëve. Më tha njëherë se kishte ardhur në Tiranë me një nga zagarët, që ishte plagosur në gjah e sipër dhe e kish sjellë për ta mjekuar në Institutin e Lartë Bujqësor, ku punonte si pedagog, i vëllai, Alekoja.

Sigurisht, më shumë se për Lorin dhe zagarët, Jakovi rrëfente për shoqërinë e tij të gjahut, për shokët, që i bashkonte i njëjti pasion dhe që ia gjallëronin dhe pasuronin jetën e vetmuar të shkrimtarit. “Ti nuk e kupton, – më tha njëherë, – se ç’është kjo shoqëri, sa gëzim më sjell dhe ç’përjetime më jep”.

Dhe pastaj, për të më bindur, shkonte më tej, kur më thoshte se jeta në një kolektiv të tillë është luftë, luftë e përbashkët, pse duhet të përballesh në beteja të herëpashershme, ku secili ka detyrën dhe vendin e vet. Dhe se atij si shkrimtar i krijohej mundësia jo e zakonte të njihte njerëzit, që në kushte normale s’është aq e lehtë. Njeh trimin dhe frikacakun, të drejtin dhe dinakun, të zotin dhe të pazotin.

Jakovi bëhej pjesë e tyre, bile i barabartë në mes të barabartëve, pa pretenduar për privilegje, duke iu nënshtruar si të gjithë detyrave që i ngarkoheshin nga grupi. Ai e shoqëronte këtë dhe me rrëfime për ngjarje dhe episode të ndodhura gjatë aksioneve, të ngarkuara me aventura nga më të çuditshmet, që s’i shpëtonin hiperbolave, aq sa unë ndonjëherë e ngacmoja me skepticizmin tim. Jakovi nuk i shiste shokët, duke më thënë se s’kish asnjë teprim dhe synim, që do të thoshte se bënin gjah të ndershëm.

Nga aventurat e gjuetisë Jakovi veçonte sidomos çastin e pritjes së gjahut, kur të gjithë kishin zënë pozicionet dhe ishin para detyrës së përbashkët. “E di ç’do të thotë të presësh gjahun?” pyeste për t’i hapur më pas udhën rrëfimeve për ngjarjet e ndodhura, të cilat i ilustronte me episode konkrete. Dhe nga të gjitha ato që tregonte, ndihej gjahtari, por akoma më shumë artisti. I dyti në ato çaste i bënte hije të parit. Brenda tij zgjohej vrulltas krijuesi, me gjithë aksesorët e vet, që viheshin në lëvizje.

Në situatat që sillte gjahu, i rritej ndjeshmëria e i mprihej syri dhe e përjetonte realitetin në një mënyrë krejt të veçantë. Një realitet që s’kish të bënte tani me gjahtarin, por me artistin. Dhe duke u ndjerë i tillë, harronte për një çast detyrën, sidomos kur vepronte në grup. Pra, qëllonte që t’u prishte ndonjëherë punë shokëve, të cilët i kërkonin shkrimtarit të ishte gjahtar i përkushtuar. Kwshtu, ndodhte qw Jakovi mos qëllonte në çastin e duhur dhe gjahu të largohej. Ndonjë nga shokët e rrëmbyer nxehej dhe e qortonte shkrimtarin duke dyshuar ne reflekset e tij prej gjahtari.

Kjo do të ndodhte sidomos në fillim, por ndonjëherë dhe më vonë, sepse, siç do të më thoshte Jakovi, atij nuk do t’i bënte zemra të qëllonte mbi ato kafshë e shpendë të gjora, që i dilnin përpara. Si mund të qëllonte mbi bukurinë dhe hijeshinë e tyre? Këtë mund ta bënte shumë-shumë me kafshët e egra, me derrat apo dhelprat, por jo me kaprojtë apo fazanët! Gjahu, nga kjo pikëpamje, do të ishte dhe dhimbje për Jakovin, por, sado që me kohë do të mësohej, prapë herë pas here do të ndjehej zemërlënduar.

E megjithatë, gjahu do të bëhej pjesë e jetës së Jakovit, nevoje e pasion, lëvizje dhe refleks, argëtim e variacion jete, që do të ushqente krijimtarinë e tij. Rrëfimet për gjahun, do të ishin të pranishme në bisedat tona, aq sa unë, jo njëherë do t’i thosha se me njohjen dhe përvojën që kish, me tërë ato episode dhe situata të përjetuara, mund të shkruante një vepër me vlera origjinale për gjahtarët shqiptarë.

Do të kurorëzonte atë që kish nisur Kristoforidhi me “Gjahun e malësorëve” dhe do t’i jepte letërsisë sonë atë që bëri I. Turgenievi në letërsinë ruse me “Kujtimet e një gjahtari”. Ai nuk do ta refuzonte një ide të tillë, por gjahu në angazhimet e tij krijuese ishte një luks përpara veprës kushtuar jetës së dhimbshme të myzeqarëve.

Në kujtimet e mia për Jakovin një vend të veçantë zënë ato për romanin “Lumi i vdekur”, ku krijimtaria e tij arriti kulmin. Kjo vepër, që s’e kam lexuar vetëm një herë dhe që e rilexoj pjesërisht herë pas here, në çdo kohë më zgjon emocione. S’ka dyshim që ai hyn në romanet më të mira të letërsisë sonë, por, në rastin tim, ndikon dhe një rrethanë vetjake.

“Lumi i vdekur”, sa herë e lexoj, më shfaqet si një afresk magjepsës, ku projektohet fëmijëria ime, një kohë që e kam jetuar dhe përjetuar, e që më trondit dhe sot e kësaj dite. Ndaj e quaj veten të privilegjuar që pata fatin ta ndjek nga fillimi deri në fund rrugëtimin e krijimit të kësaj vepre. “Lumi …” do të hynte herë here në bisedat tona dhe unë do të bëhesha dashur padashur dëshmitar i mendimeve dhe i shqetësimeve të autorit.

Me këtë nuk dua të them se Jakovi vinte e këshillohej posaçërisht me mua për hallet e romanit, por romani padyshim do të ishte për një kohë të gjatë pjesë e lidhjes sonë. Kush e ka njohur Jakovin, e di se nuk ishte në natyrën e tij që të shtronte drejtpërdrejt për gjykim e aq më tepër të bënte objekt diskutimi veprën që shkruante.

Nga kjo pikëpamje, ai ishte pak i mbyllur, kish, si të thuash, kokën e tij. Sa i hapur ishte si njeri, aq i përmbajtur tregohej si krijues. Nuk e di se nga i vinte kjo. Ndoshta pas “incidenteve” që i kishin ndodhur me librin “Novela” dhe dramën “Buçet Osumi”, ishte bërë i tërhequr.

Por në rastin e “Lumit …”, duke u gjendur para një vepre të madhe, me probleme komplekse, do të dilte herë pas here nga vetja dhe do t’i ndante me mua ato shqetësime dhe dilema, që i nxirrte romani në punë e sipër.

Nuk e harroj takimin me Jakovin në kafe “Tirana”, lokalin e njohur të viteve 50-60, kur ai më dha “sihariqin” se kish nisur frontalisht punën me “Lumin …”. Nuk e mbaj mend ta kisha parë ndonjëherë aq optimist e besimplotë. “E kush tjetër më mirë se ty, -i përsërita besimin tim, – mund ta shkruajë romanin e Myzeqesë!”.

Dhe isha vërtetë i gëzuar, tepër i gëzuar, që Jakovi më në fund i kishte hyrë një vepre të tillë. Ishte fjala jo për një vepër dokudo, por për një roman, kur letërsia jonë e pasluftës sapo kish dhënë veprat e para në këtë gjini jo të lehtë. Unë kisha bindjen e plotë se ai do t’ia dilte mbanë detyrës së vështirë që kish marrë përsipër. Dhe koha tregoi se nuk u gabova.

Do të mjaftonte kjo bisedë e parë për “Lumin…”, që unë ta ndiqja pastaj herë pas here ecurinë e punës së Jakovit me këtë vepër. Një rrugë e gjatë, që u shtri në 4-5 vjet, po të llogarisim që e nisi në vitin 1957 dhe e kreu më 1961. Nga bisedat e kësaj kohe më ka mbetur në mendje fakti se, më shumë sesa rrëfimi i ngjarjeve të romanit, ishte arsyetimi dhe logjika e motivimit të problemeve, e tipizimit të personazheve, e kompozicionit, pra, trajtimi dhe interpretimi estetiko-letrar.

Natyrisht, ky nuk ishte një diskutim i thatë, por i pleksur me brendinë e romanit. E, megjithatë, mua më bënte përshtypje arsyetimi i tij teorik, gjë që e shpjegoja me ndikimin që ushtronte tek ai lënda e teorisë së letërsisë, të cilën e jepte në Universitet. Në dëgjim të parë më dukej se ky lloj racionaliteti do të rrezikonte anën emocionale të veprës, por nuk ndodhi kështu. Qartësia teorike e Jakovit do të kthehej në të mirë të romanit.

Kur i hyri punës për “Lumin e vdekur”, Jakovi e mblodhi mendjen se këtej e tutje fusha e tij, bile, e vetmja, do të ishte romani. Dhe, vërtet, po ta vëresh nga afër, prej kësaj kohe ai lëvroi tërësisht këtë fushë. Që në fillim, siç do të më tregonte, i lindi ideja dhe zuri të mendojë konkretisht për një projekt të gjerë, që të shkruante një cikël romanësh, që ai do ta quante pentalogji.

Pra, pesë romane, që do të rroknin dhe pasqyronin jetën dhe historinë e Myzeqesë e të trevave përreth, në dy epoka, në të kaluarën dhe në të tashmen. Ishte një ndërmarrje goxha e madhe, e para në praktikën tonë letrare, me probleme të vështira të natyrave nga më të ndryshmet, para të cilave ai nuk do të tërhiqej. Përkundrazi, sa herë që më fliste për këtë projekt, ndjeja entuziazmin dhe vendosmërinë e tij të përmbajtur, që më shumë se me fjalë, shprehej në sy dhe tonalitetet e rrëfimit. “Po e nis nga jeta e fshatit myzeqar para Çlirimit, me “Lumin”, – do të më shpjegonte, por do të shkruaj dhe për jetën e myzeqarëve sot, një roman nën titullin “Juga e bardhë”, për të dalë te një roman tjetër, prapë për të shkuarën, që do ta quaj “Lulja e kripës”.

Dhe përsëri do t’i kthehem të sotmes, pa u larguar nga fushat e Myzeqesë, po kësaj here, për nëntokën e saj, një roman për fushat e naftës, që mund ta titulloj “Ari i zi” ose “Gjaku i zi”. Ndërsa vepra që do të lidhë të gjithë pentalogjinë, do të jetë romani “Dielli lind nga malet”, kushtuar Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.”

Ky do të ishte projekti madhor i Jakovit, për të cilin punoi afro një çerek shekulli. Shkroi tre romane, “Lumi i vdekur”, “Juga e bardhë” dhe “Lulja e kripës”. Mbetën në mendjen dhe zemrën e tij dy të fundit, që iu kthyen në pengje dhe si të tillë i mori me vete.

Nuk ishte gjë e lehtë ta ndiqje Jakovin në këtë odise nëpër vite. Në qoftë se për “Lumin …” ne do të mbanin kontakte dhe, sipas rastit, do t’i gjendesha pranë, me romanet e tjera lidhjet tona do të qenë më të rralla. Me jetën që ai bënte jashtë Tiranës, mundësitë e kontakteve u vështirësuan.

Pas “Lumit …”, Jakovi do të dilte dhe nga “ngujimi” i manastirit. “Juga e bardhë” do ta nxiste të lëvizte pa u lodhur nëpër kooperativat e Myzeqesë e të lidhej më shumë me hallet e problemet e ditës. Kurse veprat e tjera e çuan më larg, në Ballsh, në Nartë, në Përmet e më tej. Tani kohën do ta ndante mes kabinetit të punës dhe terrenit të njohjes. Kështu, ai do të shkelte nëpër fushat e naftës, do të ngjitej e zbriste kodrave të Mallakastrës, do të shkonte në vendngjarjet e Luftës.

Jakovi i kësaj kohe nuk mund të merrej me mend pa motoçikletën e tij, “Javën” e njohur nga të gjithë, me të cilën do të bënte qindra kilometra ditën dhe natën, në të ftohtë e në të nxehtë, nëpër shi e pluhur, nëpër rrugë pa rrugë, gjithnjë i palodhur dhe entuziast. Vështirë që të kish një të dytë nga shkrimtarët, me përjashtim ndoshta të Dritero Agollit, që t’i ngjante Jakovit për nga lëvizja në terren, kontaktet me njerëzit, nga përjetimet e drejtpërdrejta, siç ndodhi me të veçanërisht vitet e fundit të jetës.

Por unë nuk mund të dëshmoj për këtë kohë, sepse, jo vetëm nuk iu ndodha pranë, por, siç e përmenda më lart, kontaktet dhe bisedat tona për veprat që shkruante u rralluan. Lidhjet e mia mbetën ato te “Lumi i vdekur”, prej të cilave ruaj mbresa dhe kujtime të veçanta.

Unë do të bëhesha padashur dëshmitar i lindjes së kësaj vepre, i procesit, që ndoqi autori për ta ngritur në këmbë e për t’i dhënë jetë, jetën e pavarur që bën një vepër e vërtetë arti. Nga gjithë sa kujtoj, kuptoj se rruga që ai ndoqi, do të ishte e gjatë, me zigzage e plot të panjohura. Vërtet ai shkoi në Myzeqe, shkeli në terren, kontaktoi me njerëzit, voli materiale të pasura dhe u shkëput nga Tirana, duke u ngujuar në manastir, por kjo, sipas tij, ishte vetëm puna përgatitore, kur akoma nuk kish lindur romani.

Këtë situatë tranzitore ai do ta përshkruante me fjalët “Kisha gjetur rrënjët e nëndheshme të jetës, por ende nuk kisha endur lulet që ushqehen nga ato …”. Dhe shtonte se “i gjithë ky proces i ngjante një anijeje misterioze, nga e cila do të duken majat e direkut me flamurin e kombit”.

E gjitha kjo i kërkoi një kohë të gjatë, kohë në të cilën ai do të përjetonte lëndën e begatë, të mbledhur e të selitur me aq mundime e të sjellë në laboratorin e punës. Në këtë rast unë nuk mund të mos çuditesha me gjithë çka po ndodhte me Jakovin, aq sa fillova të dyshoj se mos atij i qe ndërruar mendja. Ndërkaq kur takoheshim, ai më tregonte për ngjarje e njerëz, për histori që i kishin tërhequr vëmendjen ose e kishin prekur, por akoma nuk po kuptoja se sa ato kishin të bënin drejtpërdrejt me veprën e ardhshme.

Pritja dhe habia ime morën fund një ditë, kur ai kish ardhur në Tiranë dhe u shtruam në muhabet. Kësaj here m’u duk krejt ndryshe, gati i ngazëllyer, kur, sapo u ulëm, më tha: “Më në fund, u zgjidh lëmshi. E gjeta ngjarjen-maja!”

Unë akoma nuk po kuptoja se për çfarë e kish fjalën konkretisht, sepse vetë togfjalëshi më tingëllonte i paqartë. Vetëm kur më shpjegoi, mora vesh se kish gjetur më në fund ngjarjen që do të lidhte lëndën e mbledhur e do të ngjizte veprën.

“Si vjen puna, më tha, njoha rastësisht një mësues nga Shën Pjetra e Semanit. Nuk di nëse e njeh, se edhe ai shkruan. Aristotel Mici e quajnë. Më ftoi bile dhe në shtëpinë e tij në fshat, ku u takova me të ëmën. Ajo ishte një arkiv i gjallë. Këtë e ndjeva, kur u shtruam në muhabet. Familja e tyre kishte një histori sa dramatike aq dhe heroike. Ishte historia e një familjeje myzeqare, vrarë e gjakosur me bejlerët, për të cilën këndohet dhe një këngë, këmbëkryq.

Fisi i Micallarëve është nga Griza, por armiqësia me gjë e rrallë kjo në këto anë, ku shtypja dhe padrejtësia ishin ulur bejlerët e shpërnguli prej andej dhe i solli në Shën Pjetër. Nuk e ke idenë se sa u gëzova nga gjithë sa më treguan. Gati sa nuk thirra eureka. Ishte si të kisha gjetur levën e Arkimedit, pikën mbështetëse për të zhvendosur botën në hapësirë. Kurse për mua si shkrimtar, nuk ishte fjala për të zhvendosur botën, por për të krijuar botën, botën time artistike. Pas kësaj, m’u hap rruga drejt hapësirave, ku do të ngre romanin.”

Nga kjo bisedë vizioni im për veprën, që ai po shkruante, u bë konkret dhe do të ishte kjo pikënisje për biseda të tjera, kur ai do të më fliste më gjerë e më hollësishëm. Kështu, mbaj mend që në një tjetër takim ai do të më tregonte për fabulën dhe subjektin, duke më shpalosur sidomos arkitekturën e romanit, problemet e kompozimit të tij që ai, si profesor i teorisë së letërsisë, i kish aq për zemër.

Vepra do të shtjellohej në dy linja, me synimin që të përfshihej në të jo vetëm drama e fshatarësisë myzeqare në të kaluarën, por dhe më gjerë. Dhe për ta dhënë këtë, Jakovi ishte kapur pas një fenomeni të mprehtë social, siç qe shpërngulja e dhunshme e fshatarëve nga tokat stërgjyshore.

“Në romanin tim, do të më shpjegonte, do të gërshetohen dy emigrime, një i brendshëm, ai i Shpiragajve, që, të armiqësuar keqazi me bejlerët, dëbohen nga vendlindja dhe vendosen në fshatin Trokth, siç e quaj unë, dhe tjetri, ai i jashtëm, emigrimi fshatarëve kosovarë, shpërngulja e tyre nën dhunën e shovinistëve serbë nga tokat e veta dhe vendosja në Myzeqe. Mbi këto dy shtylla është ngritur romani.”

Nga bisedat e bëra do të merrja vesh që, në qoftë se për emigracionin e brendshëm ai do të kishte si pikënisje fatin e fisit të Micallarëve, por të pasuruar dhe nga burime të tjera, për emigrimin e jashtëm do të mbështetej te historitë e familjeve kosovare të shpërndara në Myzeqe e sidomos në kujtimet e tij, që i ruante nga koha e ardhjes së tyre në këto treva.

“Isha fëmijë, rrëfente ai, kur një mbrëmje, ndaj të ngrysur, pashë një karvan qerresh, burra me plisa të bardhë në kokë, që tok me fëmijë e gra të ndryshme nga ato të Myzeqesë, erdhën te Hani i Bishanakës dhe u ndeshën me një karvan tjetër, që ishin të dëbuar myzeqarë.”

Me këtë ngjarje të vërtetë Jakovi e kish nisur, në fakt, romanin për ta shndërruar pastaj gjithë materialin jetësor të vjelë me aq kujdes në një realitet artistik. Një realitet artistik, me të cilin unë do të mësohesha nga një bisedë në tjetrën, kur ai do të më fliste për Pilo Shpiragun dhe Ferhat Tafilin, për Vitën dhe Adilin, për Koz Dynjanë apo për ngjarje që prisja të merrnin zgjidhje, pa harruar situatat për të cilat ai ndonjëherë kërkonte mendime.

Aq u familjarizova me botën që kish krijuar Jakovi sa, kur takoheshim e pyesja për fatin e personazheve dhe drejtimin e ngjarjeve. Për mua ishte veçanërisht një gjetje e guximshëm dashuria e Vitës me Adilin, po të mendoje kushtet e atëhershme, dasitë fetare dhe paragjykimet e kohës. Një lidhje kjo që ngjalli dhe diskutime, kur u botua romani, që dhe unë, kur Jakovi punonte mbi të, do të ngulja këmbë për një motivim psikologjik e social sa më të besueshëm. Aq sa një ditë, duke diskutuar, ai shpërtheu:

“Po ti e di se çfarë magjie ka dashuria? Ajo sulmon qiejt e kalon nëpër ferr, pa pyetur fare. Pastaj mos harro, vajza është myzeqare dhe njerëzit e saj janë shpirtbutë. Ndryshe do të ishte sikur vajza të qe kosovare. Atëherë problemi mund të mos kish zgjidhje, rrezik të plaste pushka. Si mund t’ia jepnin ata vajzën kosovare një lale!”

Pavarësisht nga ky merak i imi, Jakovi arriti ta japë dashurinë e Vitës me Adilin me vërtetësi dhe bukuri, përmes situatave psikologjike të motivuara, me frymëzim e ndjenja të holla. Pa këtë linjë të fuqishme lirike as mund të merret me mend suksesi i “Lumit të vdekur”.

Pas pesë vjet pune të përkushtuar, Jakovi më në fund ia doli mbanë detyrës që i kish vënë vetes. Unë që e kisha ndjekur nga afër, e dija se nëpër ç’rrugë të mundimshme kish kaluar vepra, duke e punuar e ripunuar, duke e parë e riparë, duke e skalitur gjuhën që e kish aq për zemër, duke e shkarkuar nga çdo gjë e tepërt, me synimin për të ruajtur tempo-ritmin.

Edhe sot e kësaj dite i kujtoj emocionet e thella që më la romani, kur e lexova në dorëshkrim. Por s’ishin vetëm emocionet, por dhe gjykimi gjakftohtë përtej tyre, që më bënte ta vlerësoja e çmoja lart romanin. Do të ishte vërtet një ngjarje e shënuar për letërsinë tonë, sidomos për romanin shqiptar, dhe kjo do të dukej qartë kur u botua në revistën “Nëntori” dhe pastaj si libër më vete, duke u nderuar bile dhe me çmimin e parë në konkursin e 20-vjetorit të Çlirimit (1964).

Për suksesin e tij do të fliste dhe tirazhi i lartë, leximi masiv, jehona që pati te lexuesit dhe vlerësimi i kritikës, mirëpritja entuziaste, veçanërisht në Myzeqe e sidomos në fshatra, nga rinia dhe inteligjencia rurale.

Nuk e kisha parë Jakovin më të gëzuar se ato javë e muaj të paharruar. Priste urime e përgëzime nga njerëz të njohur e të panjohur me atë buzëqeshjen e tij fisnike, gjithnjë fjalëpakë e modest, po dhe me siguri e besim në vetvete, i bindur në vlerat e tij. Vështruar tani në distancë them se gjithë ç’ndodhte, i kalonte caqet e suksesit të një autori. Jakovi i kish dhënë letërsisë shqipe të parin roman-epope, me nivele, që deri atëherë nuk i kish arrirë romani shqiptar.

Ky triumf që arriti Jakovi me “Lumin e vdekur” nuk mund të mos i jepte zemër për të vijuar punën në fushën e romanit. Dhe fakti është që në këtë atmosferë ai u angazhua në një roman tjetër, kësaj here me temë nga jeta e fshatarësisë së kohës së tij, të lokalizuar po në Myzeqe. Ky ishte romani “Juga e bardhë”, përsëri në përmasat e të parit, në tre vëllime, për të cilin punoi afro dhjetë i autorit, guximi qytetar dhe artistik për të trajtuar konflikte dhe vjet dhe e botoi në vitin 1971.

Një vepër ku ndjehej talenti i fuqishëm i autorit, guximi qytetar dhe artistik për të trajtuar konflikte dhe probleme të mprehta të kohës, për të rrokur tablo të gjera të jetës, serioziteti dhe ndërgjegjja e lartë artistike, vlerat e reja me të cilat probleme të mprehta të kohës, pasuroi rrëfimin e tij. Por, megjithëkëtë, romani i dytë nuk arriti të përsërisë suksesin e “Lumit të vdekur”.

Ngjalli debate e pati kritika, që i nxorën telashe dhe i shkaktuan shqetësime autorit, disa herë të pamerituara, megjithëse vepra u nderua në konkursin kombëtar me çmimin e parë. Kam përshtypjen që Jakovi kësaj here doli pak nga vetja, po të kemi parasysh që problemet ekonomike-politike që shtroi në roman e që kërkonin një angazhim e frymë militante, nuk i përgjigjeshin natyrës së tij apolitike dhe delikate.

E megjithatë, ai gjeti forca në vetvete, u ngrit mbi këto telashe dhe u angazhua në romanin e tretë, me temë përsëri nga e kaluara, që e titulloi “Lulja e kripës”. Kjo do të ishte vepra e tij e fundit, e cila u botua e postume, pangjashme në disa pikëpamje me “Lumin e vdekur”, por që për fat të keq Jakovi nuk e gëzoi dot.

Kishin kaluar vite dhe Jakovin tani nuk e mendonim ndryshe, veç duke punuar e lëvizur larg Tiranës. Kish kohë që ai ishte shpërngulur nga Apollonia e tij e dashur dhe ishte vendosur në Ballësh. Ishte angazhuar në plane të tjera krijuese, për të cilat do të më tregonte, kur kthehej herë pas here në Tiranë. Krahas “Lules së kripës”, që po i jepte dorën e fundit, ai tani punonte për dy romane të tjerë, sidomos për “Arin e zi”.

Kjo vepër e kish sjellë në Ballësh dhe e kish bërë të zinte një apartament dhe të ngrinte aty kabinetin e punës. Kohën në Ballsh ai do ta ndante mes punës në tavolinë dhe lëvizjeve e kontakteve me naftëtarët dhe fshatarët e Mallakastrës. Ndoshta kjo ishte jeta më intensive që kish bërë ndonjëherë. Ballshi, ku ndërtohej rafineria e naftës, kishte atëherë gjallëri dhe Jakovi do të bëhej pjesë e saj me njohjet dhe interesat e shumta që tregonte.

Imazhi i tij tani identifikohej tek lëvizte me motoçikletë dhe në shoqëri me njerëzit e punës, po dhe ata të Luftës, prej të cilëve vilte e mblidhte materiale për dy romanet e ardhshëm. Kjo jetë tepër aktive kërkonte kohë dhe energji, përkushtim shpirtëror, po dhe sakrifica fizike. Miku dhe biografi i tij, Kristaq Shtëmbari, do ta kujtojë këtë kohë si periudhën më të ngarkuar të jetës së tij, gati cfilitëse, ngaherë i zënë dhe i kudogjendur. Dukej sikur nxitonte të kapte kohën.

Dhe vërtet, erdhi një ditë kur koha zuri ta tradhtonte. Filloi të mos ndjehej mirë. Kristaqi e kujton këtë moment, kur ai ankohej për lodhjen, dhe kjo i lexohej në fytyrë. I dobësuar dhe i hequr, pa atë shkëlqim vetëtitës të syve, i mërzitur e fjalëkursyer. Për herë të parë do të pranonte se, nga kjo këputje e përgjithshme, i qe zvjerdhur puna. Rastësisht këto më kishin ardhur në vesh edhe mua, por nuk i dhashë rëndësi. Ndoshta ishte lodhja e punës së tepruar, por që mund t’i kalonte. E kërkova në telefon, por asnjëherë nuk më doli.

Veç, kur një mëngjes, një miku ynë i përbashkët më tregoi të vërtetën mbi shëndetin e tij. Ai ishte shtruar në spital me një diagnozë fatale, që kish të bënte me pleurën dhe i jepte dhimbje të forta. U trondita. Si ishte e mundur që jeta e Jakovit të ishte vënë në pikëpyetje, bile siç thuhej, ishte pa shpresë?

Më mbuluan mendime dëshpëruese. Ishte në lulen e burrërisë, 55 vjeç, dhe e keqja e kish zënë në punë e sipër, një punë kolosale, që zhvillonte prej vitesh dhe që padrejtësisht po e paguante me jetë! E kish tradhtuar trupi në mes të rrugës, por jo zemra dhe mendja. Do të shkoja atëherë ta vizitoja në spital. E gjeta në një dhomë më vete, i rrethuar nga aparate, i shtrirë në gjendje përgjumjeje, symbyllur dhe Dhuratën te koka e krevatit. Ndjeva menjëherë frymëmarrjen e tij të rëndë dhe vërejta fytyrën e ligur, pa ngjyrën e zakonshme.

Ai hapi pak sytë, me një vështrim të përhumbur dhe i mbylli përsëri, pa folur asgjë. Dhurata, që e priste ardhjen e një të treti, gjeti rast ta zgjonte. “Ka ardhur Nashoja” i tha me zë të dridhur, duke i fërkuar ballin. Ishte një rast që ai të ndjehej e të zgjohej. Por prapë s’u ndje dhe kaloi një grimë kohë, kur ai hapi sytë dhe u mundua të buzëqeshë.

“Si je, o kapedan i Myzeqesë” iu drejtova, duke i fshehur emocionet. Ai lëvizi buzët, por fjalët nuk arriti t’i artikulonte. Ndërkaq, Dhurata i afroi gotën e limonadës. Pas dy gllënjkave që piu, dëgjova të thotë me zë gati të shuar: “E kanë vënë poshtë kapedanin… Nuk e di, a do të ngrihet një ditë apo …”. “S’janë fjalë për kapedanin këto…” – ia prita.

Kaloi një hop në heshtje, kur pastaj më zgjati dorën nga poshtë batanijes dhe ma shtrëngoi, një shtrëngim i dobët. “S’më hiqet mendja nga ata, dëgjova të thotë,- atje më rri gjithë kohën”. Nuk po e kuptoja atë çast. “Tek kush?”, e pyeta. “Tek kush tjetër, – tha, te romani … I kam lënë vetëm, ata presin, kurse i zoti rri këtu shtrirë …”

E kish fjalën për personazhet “E po, i zoti është lodhur, arsyetova, nga që e kish marrë me yrysh. Duhet të çlodhet pak, pa të marrë yrysh prapë.” Puliti sytë dhe pëshpëriti: “Më duket se s’ka më yrysh …ç’kish, e harxhoi.” “S’janë fjalë këto, – ia pata. – Këtu do të jemi dhe do të shohim, kur t’i hipësh përsëri “Javës” dhe të kthehesh tek ata që të presin ..”. Pllakosi një heshtje e thellë, gati dramatike, aq sa unë nuk guxoja ta shihja në sy, qoftë dhe Dhuratën. “Gjynah, më zuri në vlagën e punës …”, u dëgjua zëri i tij i mekur.

Qenë këto fjalët e fundit të Jakovit. Dhe fjala e tij e mbrame do të qe fjala punë, që për të do të ishte baras me fjalën jetë, e që ai i kish bërë sinonim të njëra-tjetrës. E gjithë kjo më ka mbetur e paharruar nga takimi i fundit me Jakovin.

Pas disa javësh ai do të shuhej në një nga spitalet e Budapestit, mes dhimbjeve të forta dhe gulçeve të frymëmarrjes së vështirë. Dha frymën e fundit ashtu shtrirë, pa mundur dot më të ngrihej në këmbë.

Në këmbë do t’i qëndronin veprat, të populluara nga sa e sa personazhe, të cilëve ai u kish dhënë jetë nga zemra dhe mendja e tij për dekada të tëra. Por gjithësesi, Jakovi kish ikur me pengun që disa personazhe, të cilët i kish nëpër duar, s’i kish sosur dot. Edhe atyre u qe ndërprerë jeta në mes ashtu si vetë të zotit….

—-

Botuar nê DITA, nga libri “Koha e Kujtimeve”

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Rama vijon të relativizojë temën e pronësisë: I ka dalë pronari edhe Teatrit të Butrintit
  • Totalisht e dështuar, por RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend
  • Asfalia greke, UDB, rusët, Albin Kurti dhe iranianët: A është kjo e vërteta e protestës së Tiranës?
  • Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  • “Ai na tha që jemi grekë…” Edhe i riu me aftësi ndryshe, në protestë

Komentet e Fundit

  1. sadiku on Protesta dhe analiza e deklaratave të Edi Ramës për Zvërnecin
  2. Ke parajsa e satëme on A po e sjell Zvërneci fundin e tranzicionit shqiptar?
  3. Glaukias on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  4. Glaukias on Rreth 200 milionë euro për Zvërnecin, nga vëllezërit sirianë, drejt llogarive të Artur Shehut
  5. Futja kot on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?