– Me rastin e 100 vjetorit të shkollës fillore dhe 75 vjetorin e asaj 7 vjeçare të fshatit Sinicë në rrethin e Devollit-
Fuat Memelli
Në historinë e çdo kombi ka ngjarje me përmasa të mëdha, të cilat nga pikëpamja e rolit që kanë luajtur, përbëjnë kulme të historisë. Hapja e së parës shkolle laike shqipe në pranverën e vitit 1887 në Korçë, pa dyshim shënon një kulm në përpjekjet titanike të popullit tonë për shkrim e këndim, si pjesë përbërëse e luftës për të drejta kombëtare dhe emancipim shoqëror.
Nuk dimë që mësimi i shkrimit dhe këndimit të gjuhës amtare në vendet rreth e rrotull nesh, të ketë kërkuar aq shumë sakrifica dhe dëshmorë të dijes, sa i është dashur të japë popullit tonë. Kur fqinjët e kishin me pash të drejtën të shkruanin gjuhën e tyre, madje të çelnin shkolla në truallin e Shqipërisë, të parëve tanë u ndalohej të mësonin gjuhën amtare. Akoma në fillim të shekullit të njëzetë, Perandoria Osmane në kalbëzim, regjimi më reaksionar i kohës, pengonte me fanatizëm afirmimin e kombit shqiptar. Po sado vështirësi, pengesa, mund e sakrifica kërkonte rruga e diturisë, asnjëherë nuk reshtën përpjekjet e patriotëve shqiptarë. Dhe bashkë me shpresat, mbinë intrigat, presionet, burgimet, plumbi dhe helmi që këputën jetën e shumë mëmëdhetarëve.
Burimet historike na lejojnë të konkludojmë se në lëvizjen për hapjen e shkollave shqipe u përfshi aktivisht edhe treva e Devollit të sipërm, mes tyre edhe fshati ynë, Sinica. Para Sinicës, në Devollin e sipërm ishin çelur shkollat shqipe në dy fshatrat fqinjë, Qytezë e Dardhë. Sinica, një “hap” larg tyre, nuk mund të rrinte pa shkollë në gjuhën amtare. Në hapjen e shkollës shqipe të Sinicës ndikuan emigrantët sinicarë, të cilët nëpër konakë ku jetonin, kishin filluar të mësojnë autodidaktë shkrim e këndim. Sipas të dhënave gojore, abetaren e parë e ka sjellë sinicari Andon Bixhaku. Kjo abetare kaloi dorë më dorë te sinicarë të tjerë.
Një rol të veçantë për nxitjen e frymës patriotike dhe mësimin e gjuhës shqipe, pati vizita në Sinicë e patriotëve Çerçiz Topulli e Mihal Grameno, të cilët u pritën me ngrohtësi nga sinicarët. Mihal Grameno i dhuroi një abetare të riut Nuredin Memelli, të cilën e kishte familja deri në vitet e para të çlirimit.
Papa Kristo Negovani, figurë e shquar e lëvizjes për çeljen e shollave shqipe, ka qënë në Sinicë në janar të vitit 1905. Krahas dëshmisë së sinicarëve të vjetër, ky informacion theksohet në përvjetorin e shkollës së vitit 1987 nga mësuesi i ndjerë, Jani Depo. Në janar të vitit 1905 patriotë korçarë e strehuan në Sinicë Papa Kristo Negovanin që ndiqej nga turqit e shovinistët grekë. Aty u prit me entuziazëm nga pleqtë patriotë të fshatit. U strehua në shtëpinë e Serafin Gjergos. Gjatë kohës që qëndroi në Sinicë, punoi intensivisht me fshatarët për të mësuar e shkruar gjuhën shqipe.
Pesë vjet para hapjes së shkollës së Sinicës, ishte hapur shkolla e Dardhës. Atëherë disa familje sinicare i dërguan fëmijët në shkollën e Dardhës. Pas shumë përpjekjesh më në fund në vitin 1922 në Sinicë u hap shkolla shqipe. Mësuesi i parë i shkollës fillore ka qenë Leonidha Ballkameni, i cili mësonte nxënës të moshave nga 8-15 vjet. Në vitet 1933-1942 mësuesi i apasionuar Mantho Dono bashkë me gruan e vet Theodhorën edhe ajo mësuese, lanë gjurmë e tyre në shkollën e Sinicës. Numri i nxënësve nga 70 arriti në 94. Në vitin 1936 me kontributin e sinicarëve të Shoqërisë “ Përparimi” të Amerikës, u ndërtua shkolla e re, godina e të cilës është edhe sot, por fatkeqësisht pa “cicërima” nxënësish.
Në vitin 1947 në Sinicë hapet shkolla 7 vjeçare me emrin e dëshmorit “Bajram Islam Memelli”, ngjarje e shënuar jo vetëm për sinicarët, por edhe dardharët e qytezarët, që dërguan aty fëmijët e tyre. Përkohësisht pati nxënës nga Arrëza e Mirasi. Pajisjet shkollore bankat, dërasat e zeza, dollapët u siguruan nga banorët e fshatit. Thuhet se “mësuesit e mirë mësojnë nga zemra, jo nga libri”. Të tillë kanë mbetur në kujtesën e ish-nxënësve dhe fshatarëve mësuesit e talentuar Dhimitër Farmaqi, Petraq Samsuri, Dhimitër Kere, Jani Skënde, Dhionis Themeli, Jani e Arthimi Depo, Stavri Dimashi, Shadije Batelli, Nasi Zarkadhe e plot të tjerë.
Nga shkolla fillore e hapur në vitin 1922 si dhe asaj 7 (8) vjeçare, kanë dalë rreth 900 nxënës. Shumica vazhduan shkollat e mesme, një pjesë e konsiderueshme shkollat e larta. Po përmend disa nga ish-nxënësit që lanë gjurmë të pashlyera në vite: shkrimtari Teodor Laço, fizikanti i shquar Petrit Skënde, fizikanti me emër Vasil Pajçini, ekonomisti Niko Ketri, mjeku Thoma Ketri, inxhinieri i pyjeve Sotir Dimashi, pedagogu i matematikes, Nikolla Dimashi, mjekja Praksithe Pano (Themeli), ish-deputeti Ligoraq Karamelo, ndërtuesi i njohur Albert Hysolli, mësuesi i shquar Kosta Suljoti, veterineri Nasi Iskali, matematikani Nasi Xeka, poetja dardhare Lida Lazaj (Xhamo) si dhe plot të tjerë.
Sot rrugët e jetës i kanë shpërndarë ish nxënësit e kësaj shkolle në Shqipëri e nëpër botë, po malli për vendin e tyre është gur i rëndë që nuk lëviz kurrë. Zëri i ziles së shkollës na fton të rreshtohemi në oborrin e saj, ashtu siç rreshtoheshim çdo mëngjes kur ishim nxënës; të ngjitim shkallët e gurta e të hyjmë në klasat ku mësuam; të qeshim dhe bëjmë shaka si atëherë; të kujtojmë ato vite të largëta pasi kujtimet janë fijet që na lidhin me të kaluarën; të bëjmë fotografi e filmime, t’i marrim me vete si copëza të bukura kujtimesh nga kjo ditë e paharruar e t’i shohim kudo ku na kanë hedhur valët e jetës, në Shqipëri e nëpër Botë. Dhe kjo ditë e shënuar do të jetë 28 gushti që po troket.
Fuat MEMELi me te lumte sa beni. kete 100Vjetor te shkolles fillore te Sinics sa 75 vjtorin e 7 vjecares, sjelle. Dite NJEMIJE u ruroj,une 86 vjecari mesues nje jete Biri i *Damgellise Naimjane, Pasues veteranei*,qe me nostalgji kujtoj rrugen e shkolles sone ne mbare vendin sa shume shkolla pas 90tes mbyllur.,(Ne Dangelline tone,sot thuajse fshatrat pa to,deri shkolla e mesme ne Frasher, mbyllur.)..Pershenetie gjithe banoreve te asaj zone sa mbare shqiperisesa ruajtia e kujtimeve,lene MESUES nxenes nje jete,ne Mbare fshatrat tona,qe pas clirimi 1944 solli zhvilim te pa pare.
Sidoqofte kujtimet dhe mbresat rruhen e duhet te ruhen ne breza. Lavdi BREZAVE MESUES NXENES te viteve ngadhnjyese ne mbare vendin.pas clirimit.
Faleminderit emigranteve kudo jane,kane hapur shkolla per ruajtie e gjuhes dhe shkrimit Shqip.Nga Tornto ju pershendes,qe kemi shume per te folur per mire,ne kete drejtim.Faleminderit mesuesve te angazhuar sa shoqatave mbare shqiptare Kkrah tyre. une 86 vjecari, nje jete mesues ne Atdhe,ne malsine e Tirane nis(1964)sa aktivizuar ne emigracion sot e 30 vjet.Faleminderit mbeshtetesve..nga Athina ne Toronto.. Mbrodhesi ATDHEUT tone. Dite NJEMIJE i nderuar Fuat Memeli te uroj me shume dashamires ne Toronto. *Pasuesi veteran*Dhimiter M Xhoga.