Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Microsoft ka shkaktuar probleme të konsiderueshme në mbarë botën, duke lënë miliona përdorues pa akses në platformat Outlook dhe Microsoft Teams, si dhe në shërbime të tjera të kompanisë që përdoren për komunikimin dhe aktivitetin e përditshëm të bizneseve dhe institucioneve.
Problemi, i cili nisi të enjten, 12 nëntor, u shtri me shpejtësi në dhjetëra vende, duke prekur sektorë të ndryshëm, përfshirë bankat, administratën publike, gjykatat, shkollat dhe kompanitë private.
Sipas të dhënave të platformës Downdetector, raportimet për ndërprerjen e shërbimeve arritën në 74 vende dhe territore brenda një ore. Edhe pse fillimisht Microsoft identifikoi probleme në Amerikë, situata u përhap më pas në Evropë, Azi dhe Australi.
Pasojat u ndjenë veçanërisht në Australi, ku disa institucione qeveritare dhe gjykata patën vështirësi në funksionimin normal. Shkollat nuk arritën të zhvillonin mësimet online, ndërsa disa biznese raportuan probleme me sistemet e faturimit dhe komunikimit.
Në Hong Kong, punonjës të institucioneve financiare, përfshirë banka të mëdha ndërkombëtare, raportuan se nuk mund të hynin në postën elektronike dhe në Teams. Probleme u evidentuan edhe në Japoni, ku institucionet shtetërore iu drejtuan dokumenteve fizike për të vijuar punën, si dhe në Filipine, ku gjykatat paralajmëruan për vonesa në përgjigjet ndaj emaileve dhe kryerjen e transaksioneve.
Ndërprerja pati pasoja edhe në aktivitetin e kompanive private. Prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike Workhorse Group njoftoi shtyrjen e publikimit të rezultateve financiare tremujore, duke argumentuar se problemet globale të Microsoft kishin ndikuar në organizimin e aktivitetit të tij.
Microsoft: Nuk kemi rikuperim të qëndrueshëm
Pavarësisht përpjekjeve për rikthimin e shërbimeve, Microsoft pranoi se situata nuk ishte stabilizuar plotësisht.
Kompania njoftoi se kishte arritur një rikuperim të pjesshëm në disa rajone, por masat e ndërmarra për stabilizimin e serverëve dhe menaxhimin e trafikut nuk kishin sjellë ende një rikthim të qëndrueshëm të shërbimeve.
Ndërkohë, drejtuesi i kompanisë Charles Lamanna konfirmoi se nuk kishte indikacione që ndërprerja të ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik apo aktivitet keqdashës.
Bankat paralajmërojnë për mashtrime
Një tjetër shqetësim që ka shoqëruar ndërprerjen lidhet me mundësinë që kriminelët kibernetikë të shfrytëzojnë situatën për të mashtruar përdoruesit.
Disa banka ndërkombëtare u kanë bërë thirrje klientëve të tregohen të kujdesshëm ndaj telefonatave, mesazheve dhe emaileve nga persona që pretendojnë se ofrojnë ndihmë teknike për rikthimin e shërbimeve të Microsoft.
Institucionet financiare paralajmërojnë se mashtruesit mund të kërkojnë fjalëkalime, të dhëna personale apo kode njëpërdorimëshe, duke u paraqitur si pjesë e ekipeve të asistencës teknike.
Përdoruesve u është këshilluar të mos hapin lidhje të dyshimta, të mos ndajnë të dhënat e tyre personale dhe të verifikojnë çdo kërkesë për ndihmë përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse.
Ndërprerja ka rikthyer në vëmendje edhe varësinë e madhe të ekonomisë dhe institucioneve globale nga një numër i kufizuar gjigantësh teknologjikë. Ekspertët paralajmërojnë se një problem i vetëm në infrastrukturën e këtyre kompanive mund të shkaktojë pasoja zinxhir në funksionimin e bizneseve dhe shërbimeve publike në mbarë botën.
j.l./ dita
