Zhak Prever
Stinë e bukur
E uritur, e humbur, e ngrirë,
Krejt e vetme, pa një grosh,
Statujë në këmbë
Një vajzë 16 vjeçare.
Te sheshi Konkordë kështu
Një mesditë 15 gushti.
Fjalim për paqen
Nga fundi i një fjalimi tej mase të rëndësishëm
burri i madh i shtetit duke u penguar
mbi një frazë të bukur, por boshe,
ra brenda
dhe i hutuar hapi gojën e madhe.
Duke gulçuar,
tregoi dhëmbët e prishur
nga arsyetimet paqësore,
ku iu ngjall nervi i luftës
për çështjen delikate të të hollave.
Tufa me lule
-Ç’ bën ti vogëlushe
Me këto lule të sapokëputura?
-Ç’bën ti vajzë e re
Me këto lule kaq të bukura?
-Ç’bën ti grua e lezeçme
Me këto lule të venitura?
-Ç’bën ti grua e moshuar
Me këto lule të thara?
-Pres fitimtarin!
Vjeshtë
Një kalë rrëzohet në mes të udhës
Gjethe të verdha bien sipër tij.
U drodh dashuria jonë
Dhe dielli gjithsesi.
Paris at night *
Tri shkrepse të ndezura njëra pas tjetrës në errësirë:
E para për të parë fytyrën tënde të plotë
E dyta për të parë sytë e tu
E treta për të gjetur gojën tënde…
Dhe e gjithë nata për t’i kujtuar të gjitha këto
duke të shtrënguar në krahët e mi.
——-
* Parisi natën (angl.)
Kam parë shumë…
Kam parë dikë që që ishte ulur mbi kapelen e një tjetri
ishte i zbehtë
dridhej,
priste diçka… s’ka rëndësi se çfarë…
luftën… fundin e botës…
e kishte krejt të pamundur të bënte një gjest ose të fliste
dhe tjetri
tjetri që kërkonte kapelen e tij ishte edhe më i zbehtë
edhe ai dridhej
e përsëriste papushim
kapelja ime… kapelja ime…
e ishte gati të qante.
Kam parë dikë që lexonte gazetat
kam parë dikë që nderonte flamurin
kam parë dikë që ishte veshur me të zeza
kishte një orë
një zinxhir ore
një portofol
legjionin e nderit
dhe syze me kapëse.
Kam parë dikë që tërhiqte fëmijën për dore dhe bërtiste
kam parë dikë me një qen
kam parë dikë me një shkop si shpatë
kam parë dikë që qante
kam parë dikë që hynte në kishë
dhe një tjetër që dilte prej saj…
Për ty, dashuria ime
Shkova në pazarin e zogjve
Dhe zogj bleva
Për ty
dashuria ime.
Shkova në pazarin e luleve
Dhe lule bleva
Për ty
dashuria ime.
Shkova në pazarin e hekurishteve
Dhe zinxhirë bleva
Zinxhirë të rëndë
Për ty
dashuria ime.
Më vonë shkova në pazarin e skllevërve
Dhe të kërkova
Por nuk të gjeta
dashuria ime.
Kopshti
Mijëra e mijëra vjet
Nuk dihet në mjaftojnë
Për të thënë
Sekondën e vockël të amëshuar
Kur ti më përqafove
Dhe unë të përqafova
Një mëngjes në dritën e dimrit
Në parkun Monsuri në Paris
Në Paris
Mbi Tokë
Mbi Tokën që është një yll.
Këngë
Çfarë dite jemi
Ne jemi gjithë ditët
mikja ime
Ne jemi gjithë jeta
dashuria ime
Ne duhemi dhe jetojmë
Ne jetojmë dhe duhemi
Dhe nuk e dimë që kjo është jeta
Dhe nuk e dimë që kjo është dita
Dhe nuk e dimë që kjo është dashuria.
Mëngjesi
Ai hodhi kafen
në filxhan
qumështin
në filxhanin e kafes
sheqerin
në kafen me qumësht
me një lugë të vogël
pastaj e trazoi
e piu kafen me qumësht
dhe filxhanin e la
pa më folur
Ndezi një cigare
bëri disa rrathë
me tym
dhe shkundi hirin
në taketuke
pa më folur
pa më vështruar
U ngrit
vendosi
kapelen në kokë
veshi mushamanë
pasi binte shi
dhe u nis
nëpër shi
pa thënë një fjalë
pa më vështruar
Unë
mora kokën në duar
dhe qava.
Karroca e dorës
ose shpikjet e mëdha
Palloi me bishtin formoi rrotën
Rasti bëri ç’mbeti
Zoti u ul në të
Dhe njeriu e shtyu.
Nuk duhet…
Nuk duhen lënë intelektualët të luajnë
me shkrepse
Sepse zotërinj kur lihet vetëm
Bota mendore Zotërinj
Nuk është aspak e shkëlqyer
Dhe meqë mbetet vetëm
Punon arbitrarisht
Duke u mburrur me vetveten
Me gjoja bujarinë për nder të punëtorëve
të ndërtimit
Një vetë-monument
E përsërisim Zotërinj
Kur lihet vetëm
Bota mendore
Gënjen
Monumentalisht.
Koha e humbur
Para portës së uzinës
punëtori papritmas u ndal
koha e bukur e tërhoqi për xhakete
dhe si u kthye
e pa diellin
e kuq e të rrumbullaktë
duke buzëqeshur në qiellin e tij të plumbtë
i shkeli syrin
miqësisht
Më thuaj pra shoku Diell
nuk e gjykon
se është idiotësi
të japësh një ditë kaq të mirë
për padronin?
Eklips
Luigji XIV që thirrej edhe Mbreti Diell
ulej shpesh në një karrige të vjetër
nga fundi i mbretërimit të tij
Një natë pus të errët
Mbreti Diell u ngrit nga krevati
Shkoi të ulej në karrige
dhe mbaroi.
Për të bërë portretin e një zogu
Për Elsa Enrikezin
Vizato në fillim një kafaz
me derë të çelur
Vizato pastaj
diçka tërheqëse
diçka të thjeshtë
diçka të bukur
diçka të dobishme
për zogun
vendose pastaj pëlhurën pranë një peme
në një kopsht
në një pyll
a në një korije
dhe fshihu pas pemës
pa folur
pa lëvizur…
Ndonjëherë zogu mbërrin shpejt
por mund të vonojë edhe me vite
para se të vendosë
Ti mos u dekurajo
Prite
prite qoftë edhe me vite
shpejtësia ose ngadalësia e mbërritjes së zogut
nuk ka asnjë lidhje
me mbarimin e tablosë
Kur zogu vjen
nëse vjen
ruaj heshtjen më të thellë
prit që zogu të hyjë në kafaz
e pasi të ketë hyrë
mbyllja me kujdes derën me penel
pastaj
fshiji një nga një telat e kafazit
duke bërë kujdes mos prekësh ndonjë nga pendët e zogut
Pastaj bëj portretin e pemës
duke zgjedhur më të bukurën e degëve të saj
për zogun
vizato gjithashtu gjethen e blertë dhe flladin e freskët
polenin e diellit
dhe thashethemet e insekteve të barit në një ditë vere
pastaj prit që zogu të fillojë këngën
Nëse ai nuk këndon
është shenjë e keqe
shënjë që tobloja nuk është e mirë
Por nëse ai këndon
atëherë po
mund të nënshkruani
Atëherë shkulni me shumë kujdes
një nga pendët e zogut
e shkruani emrin tuaj në një cep të tablosë.
Zhan P. Manson
Shkruar në gjumë
Njëherë pashë në ëndërr
Se shkoja
të vidhja
Një puthje
E s’kisha guxim!
Por, ruaju: unë
ende po fle…
Marsel Prust
Kushtim Robert Bilit
Si lule vjeshte, shpirti yt hyjnor
Na dhemb madhërisht.
Një ditë ne do të ritregojmë
Dhimbjen e bukurisë.
Kohë me shi
Ndoshta ty të pëlqen më pak se mua ky rrebesh.
Mundet! Mendësitë ndryshojnë krejt midis nesh.
Dordrecht
Qielli yt pakëz blu
gjithnji
Mëgjesi shpesh
me pakëz shi
Dordrecht kaq i bukur
Varr
i iluzioneve të mia të shtrenjta
Kur përpiqem të vizatoj
Kanalet e tua, çatitë, kambanat
Ndiej se sa i dua
Vendet
…………….
Luizë Mishel
Epitaf
Lavdi zgjimit të njeriut!
Lavdi dhe për ata që, duke rënë,
Hapën me mundim
Portat e së ardhmes!
Përktheu nga origjinali frëngjisht Xhevdet Shehu
