Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Nga Hannah Arendt në ditët tona, Hungari 1956 – reflektim mbi ngjarjet
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Nga Hannah Arendt në ditët tona, Hungari 1956 – reflektim mbi ngjarjet
AnalizaHistori

Nga Hannah Arendt në ditët tona, Hungari 1956 – reflektim mbi ngjarjet

Published: October 22, 2026
Shpërndaje

Nga Profesor Dr. Përparim Kabo

Ngjarjet e Hungarisë së vitit 1956 tërhoqën vëmendjen dhe interesimin e studiueses Hannah Arendt, e cila tejkaloi përshkrimin historik dhe u fut thellë në brendinë antropologjike të tyre, duke analizuar aspektet e demokracisë përfaqësuese me një këndvështrim të gjerë dhe konkret-historik. Si shkruan ajo në reflektimet e saj: “Ajo që ndodhi në Hungari nuk ndodhi askund tjetër dhe dymbëdhjetë ditët e revolucionit përmbanin më shumë histori sesa e gjithë periudha që nga koha kur Ushtria e Kuqe e kishte “çliruar” vendin nga sundimi nazist.”[1]

Ç’do të thotë ky përfundim i Arendt-it, “përmban më shumë histori se 12 vjetët e çlirimit”, gjatë të cilëve në Hungari ishte vendosur regjimi komunist i diktaturës së proletariatit, sistemi njëpartiak ku drejtimin e kishte partia komuniste dhe ekonomia sundohej nga prona e përbashkët socialiste? Gjithçka ishte nën praninë e ushtrisë sovjetike. Periudha pas Luftës së Dytë Botërore kishte ndërruar krahun e ecurisë historike të popullit hungarez, së paku që nga viti 1848. Ngjarjet e revolucionit hungarez kanë të bëjnë me përpjekjen mbarëpopullore në qytet dhe në fshat për ta zhbërë realitetin e krijuar si imponim, për shkak të raportit të forcave mes fuqive të mëdha në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. E gjithë lëvizja nuk ishte një eksperiment shoqëror i yshtur thjesht nga pakënaqësia ndaj pranisë ushtarake sovjetike; kemi të bëjmë me një vetëdije kombëtare për të mos humbur historinë demokratike dhe pluripartiake që kishte sunduar para shpërthimit të luftës. Regjimet e imponuara që ndalojnë rrjedhat e historisë shkaktojnë shpërthime shoqërore të fuqishme. Historikisht, regjimet e imponuara që përpiqen të ngrijnë ose të kthejnë mbrapsht përparimin shoqëror, pothuajse në mënyrë të pashmangshme shkaktojnë trazira të fuqishme shoqërore. Kur një pushtet sundues përdor forcën për të shtypur evolucionin e natyrshëm politik, ekonomik apo kulturor, ai krijon një efekt “të një realiteti shpërthyes”.

- Publicitet -

Me kalimin e kohës, hendeku midis strukturave të ngurta të regjimit dhe aspiratave në rritje të popullsisë çon në kolaps sistemik, revolucion ose reforma rrënjësore. Ngjarjet e Hungarisë së vitit 1956 janë pararendëse të asaj që ndodhi me bllokun komunist pro-sovjetik në 1989. Në këtë kuptim ato 12 ditë janë ngjarje të guximshme dhe sakrifikuese për të mbrojtur historinë e Hungarisë, por përbëjnë edhe përpjekjen e parë serioze për të korrigjuar gabimet e Konferencës së Jaltës.

Kush e drejtonte Hungarinë në atë kohë, komunistët apo agjentët e Moskës? “Udhëheqësit vendas komunistë, ndaj të cilëve Moska ushqente mosbesim – me të drejtë apo pa të drejtë – u bënë objekt akuzash të fabrikuara në mënyrë brutale, u poshtëruan në gjyqe farsë, u torturuan dhe u vranë, ndërkohë që vendin e qeverisnin elementet më të neveritshëm dhe më të korruptuar të partisë – jo komunistë të vërtetë, por agjentë të Moskës.” [2] Influenca sovjetike ishte politika e forcës, e spiunimit, përndjekjes dhe asgjësimit fizik. Kjo politikë e kahershme e Rusisë cariste vijon edhe në ditët tona.

Ndërkallja kryhet me anë të korruptimit të udhëheqësisë, duke blerë drejtuesit e lartë apo sfidantët në zgjedhje, duke i financuar ata apo duke i mbështetur me të gjitha mënyrat. Hannah Arendt, si filozofe që i bëri anatominë nazizmit, e zotëron aftësinë dhe eksperiencën për të hedhur dritë mbi një totalitarizëm të majtë, siç është komunizmi ruso-sovjetik. Termi agjentë të Moskës që ajo përdori ka rezonim aktual. Rusia e ditëve të sotme përdor shtrëngimin përmes energjisë, dezinformimin mediatik, financimin e partive politike dhe konfliktet e ngrira për të ndikuar te udhëheqja e vendeve ish-komuniste dhe atyre post-sovjetike. Lukas Aubin, një kërkues shkencor, drejtor në institutin IRIS dhe specialist në gjeopolitikën ruse, shkruan: “Viti 2024 u karakterizua nga një numër i konsiderueshëm zgjedhjesh vendimtare në vende që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik ose që ndodheshin brenda sferës së tij të ndikimit, përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Rumaninë. Në secilën prej këtyre zgjedhjeve, partitë “pro-ruse” shënuan rezultate të mira dhe, në disa raste, u raportua për manipulime masive në favor të tyre. Njëkohësisht, Rusia po përpiqet të zgjerojë sferën e saj të ndikimit drejt vendeve të të ashtuquajturit “Jug Global”.[3]”[4]

Një pyetje që shtrohet në ditët e sotme për hungarezët është: “Si ndikon Revolucioni hungarez i vitit 1956 te pikëpamjet e hungarezëve për Rusinë sot?” Me fjalë të tjera, a e ka ruajtur peshën dhe ndikimin në ndërgjegjen dhe vetëdijen kombëtare ajo që ndodhi nga 23 tetori deri në 10 nëntor 1956, apo me kalimin e dekadave gjithçka është strehuar në kujtesën protokollare si festë kombëtare?

Duhet të mbajmë në vëmendje se ata që ishin 20-vjeçarë atë vjeshtë, sot, nëse jetojnë, janë 90-vjeçarë. Ndërsa 80-vjeçarët e sotëm kanë qenë 10-vjeçarë. Si shprehen gjeneratat e sotme ndaj ndërhyrjes brutale sovjetike dhe idealeve që frymëzuan revoltën mbarëpopullore hungareze? Këtë pyetje e shtroi online autori Tamas Varga. Pjesërisht për t’iu përgjigjur pyetjes dhe pjesërisht për të reflektuar në mënyrë indirekte mbi atë që shkruan të tjerët si përgjigje, autori ka nxjerrë këto përfundime:

“1-Hungaria kishte qenë thellësisht antikomuniste për shumë dekada para Luftës së Dytë Botërore. Për një hungarez të zakonshëm, kërcënimi i komunizmit ishte gjithmonë më akut sesa kërcënimi i nazizmit. Kjo është një nga arsyet pse Hungaria përfundoi duke mbështetur Gjermaninë e Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore.

2-Bela Kun, i cili përmendet si dëshmi e një lidhjeje hungarezo-ruse (të asaj kohe), ishte një figurë politike krejtësisht e refuzuar dhe margjinale (si atëherë, ashtu edhe tani). Ai nisi një revolucion gjysmë-komunist të dështuar në Hungari, të mbështetur nga Rusia; ky revolucion gëzonte mbështetje minimale brenda vendit dhe nuk kishte asnjë gjasë për të pasur sukses.

3-Horthy, politikani kyç i epokës para Luftës së Dytë Botërore, ishte ultra-konservator dhe krejtësisht antikomunist. Ai përfundoi duke u rreshtuar me nazistët, edhe pse vetë nuk ishte nazist. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur gjithçka dukej se po shembej (përfshirë vetë luftën për palën naziste), ai u përpoq të negocionte një lloj paqeje qoftë me rusët, qoftë me amerikanët, por pa sukses. Në atë kohë ishte e qartë se ushtria ruse do të përparonte me shpejtësi nëpër vend ndërsa marshonte drejt Berlinit dhe se asgjë nuk mund ta ndalonte. Madje, në atë fazë, edhe vetë Gjermania naziste e pushtoi Hungarinë për të penguar tërheqjen e saj nga lufta.

4-Një familje mesatare hungareze vuajti shumë më tepër nën pushtimin rus sesa nën atë gjerman. Përjashtim të dukshëm bëjnë hebrenjtë, të cilët u vranë ose u dërguan në kampe gjatë pushtimit gjerman, ndaj dhe këndvështrimi i tyre për këtë çështje është natyrisht i ndryshëm. Megjithatë, nga këndvështrimi i hungarezit të zakonshëm, ishin rusët ata që kryen mizori masive ndaj popullatës civile dhe që u urryen thellësisht. (Meqenëse edhe Hungaria e kishte sulmuar Rusinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, supozoj se nga këndvështrimi rus kjo shihej si një lloj hakmarrjeje).

5-Pas Luftës së Dytë Botërore, rusët imponuan në Hungari një sistem komunist që ngjalli urrejtje të madhe dhe që shkaktoi vuajtje të jashtëzakonshme. Shumë njerëz e lidhnin këtë sistem me rusët, pasi ishte ideologjia dhe sistemi politik i tyre që Hungaria detyrohej të pasqyronte.

6-Kjo çoi në revolucionin e vitit 1956, i cili u shtyp nga ushtria ruse.

7-Hungarezët i shikonin me përbuzje dhe i urrenin rusët për shkak të arsyeve të renditura në pikat 4 deri në 6, por kam përshtypjen se kjo nuk ndodhi domosdoshmërisht për shkak të revolucionit, por për shkak të gjithë periudhës dhjetëvjeçare që e parapriu atë.

8-Sot, nuk mendoj se te hungarezët ekzistojnë emocione shumë të forta, veçanërisht jo te brezi i ri. Meqenëse Hungaria ka dashur gjithmonë të arrijë Perëndimin dhe të bëhet pjesë e qëndrueshme e sferës kulturore e politike perëndimore, Rusia shpesh shihet si “drejtimi i kundërt” me atë që duhet të synojmë. Në thelb, kjo është e gjitha.

9-Politika e jashtme zyrtare e Hungarisë bazohet kryesisht në parimin e *Realpolitik*-ës; ne e dimë se jemi një vend i vogël i ndodhur mes blloqeve apo shteteve gjigante e të fuqishme, ndaj kryeministri Orbán përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Ai shpesh kritikohet politikisht, si brenda Hungarisë ashtu edhe në shtypin perëndimor, se është tepër miqësor me Rusinë, por unë personalisht nuk mendoj se kjo është e vërtetë.

10-Hungarezi mesatar di shumë pak për Rusinë bashkëkohore; shumë njerëz mendojnë se Rusia është ende një vend i fazës së vonë të komunizmit. Kjo ndodh për shkak të mungesës së njohurive, e jo për shkak të ndonjë ndjenje ekzistuese anti-ruse.”[5]

Si edhe del nga përfundimet e autorit, mësimi historik i ngjarjeve të 1956-s, se vullneti politik duhet të shprehë vullnetin e popullit dhe se pavarësia dhe integriteti territorial janë të shenjtë, i referohet më shumë realitetit aktual dhe jo mësimeve historike. Pas ngjarjeve në Ukrainë, sulmi ushtarak rus dhe shpërngulja masive e popullsisë ukrainase që u strehua dhe jeton në Hungari i sollën në vëmendje jehonat historike dhe rifreskuan vetëdijen e ditëve të sotme.

Dy janë përfundimet gjithkohore të Hannah Arendt-it: rreziku që vjen nga diktaturat totalitare dhe ajo që ndodh me vendet e vogla satelite të tyre. Ngjarjet e Hungarisë ishin një paralajmërim serioz për vendet që shtriheshin nga deti Balltik deri poshtë në detin Adriatik. Rusia sovjetike nuk nguroi ta përsëriste më 1968 në Çekosllavaki dhe tani së fundmi, pas rënies së perdes së hekurt, në Ukrainë. Mësimet historike nuk duhet të mbyllen në kujtesë arkivale. Ngjarjet që harrohen dhe nuk vlerësohen në vijimësi në një formë apo në një tjetër mund të përsëriten.

“”Udhëheqja kolektive” ishte një term i krijuar nga Stalini në vitin 1925; në partitë komuniste jashtë vendit, kjo çoi sërish në një përpjekje të ethshme për t’u rreshtuar pas njërit prej udhëheqësve dhe për të formuar një fraksion rreth tij. Kështu, Kádári ishte po aq i mbrojturi i Hrushçovit sa ç’kishte qenë Nagy i Malenkovit.”[6] Këtë mënyrë infiltrimi, që krijonte grupime, fraksione apo veprime të fshehta ndarëse, Stalini e quante “kali i Trojës”, një metodë që e përdori fillimisht në Republikën Demokratike Gjermane. Kjo metodë përçan udhëheqjen vendase dhe nxit pasionet për pushtet personal apo të një grupi kundër një grupimi apo grupimeve të tjera. Kjo taktikë përdoret sot e gjithë ditën nga organet e inteligjencës ruse me joshje jo më ideologjike si dikur, por me interesa tregu dhe biznesi, deri tek blerja e vendimmarrjes, që shfuqizon demokracinë kolektive përfaqësuese duke e shndërruar atë në një formalitet të pavlerë. Udhëheqja kolektive e dikurshme e para 100 vjetëve është shndërruar në “blerjen e udhëheqjeve lokale për të mbajtur drejtimin kolektiv në ish-zonat sovjetike”.

*****

Ngjarjet e 1956-s në Hungari janë quajtur revolucion sepse plotësojnë disa nga detyrat që kryhen në revolucion: përmbysja e pushtetit ekzistues dhe shndërrimi i formës së qeverisjes, pjesëmarrja e gjerë e popullit në këtë lëvizje, shpërfaqja e ideve të reja që formulohen dhe shpërndahen nga intelektualët dhe shkollarët, përfshirë studentët, lufta me armë për arritjen e qëllimeve, ndryshime të thella në raportet pronësore dhe në legjislacion, sakrificat deri në therori për ta realizuar këtë përmbysje. Kur Arendt mori për herë të parë lajmin mbi zhvillimet në Hungari, ajo i shkroi të shoqit Heinrich Blücher për gëzimin e saj: “Më në fund, ata demonstruan se si janë gjërat me të vërtetë!”, shkroi ajo. Gjërat ishin ashtu si ajo pati thënë tek Origjina e Totalitarizmit, por tani kjo po zbulohej nga njerëzit që po merrnin pjesë në rebelimin e parë madhor kundër totalitarizmit nga brenda.[7]

Totalitarizmin, Hannah Arendt e analizon në këndvështrimin e lirisë së munguar dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor, ndaj dhe luftën për rrëzimin e tij ajo e vlerëson si revolucion. Ngjarjet në Hungarinë e 1956-s ishin ato që vunë në shenjëstrën e protestës totalitarizmin sovjetik, pra regjimin e diktaturës së proletariatit. Nëse vendet e ish-Lindjes komuniste do ta kishin bërë këtë përmbysje, sa do të kishte fituar historia njerëzore? Aq sa humbi duke kaluar më shumë se pesë dekada në atë rrugë me pasoja të rënda ekonomike, shoqërore dhe psikologjike. Arendt është ndalur në analizën antropostrukturore të revolucionit Hungarez të 1956-s. Fillimisht ajo vë në pah mungesën e një udhëheqësi. Ja si shprehet ajo, në refleksionet e saj për të. E citoj: “Ishte një rast unik në histori që revolucioni hungarez nuk kishte asnjë udhëheqës. Ai nuk ishte i organizuar dhe nuk drejtohej në mënyrë të centralizuar. Dëshira për liri ishte forca lëvizëse në çdo veprim.”[8] Ndoshta, nëse revolucioni nuk do të ishte shtypur nga ushtria sovjetike dhe Perëndimi do ta kishte ndihmuar realisht popullin hungarez, gjatë lëvizjes do të ishte formësuar dhe udhëheqësia politike. Gjithsesi një përpjekje u bë për të zëvendësuar regjimin me një qeverisje direkte përmes këshillave. Në udhëheqjen ekzistuese ndodhi çarja dhe u ravijëzuan dy grupime: grupi pro Moskës dhe grupi që kërkonte lirinë, ndjekjen e traditës kombëtare dhe lirinë fetare e që shprehte pakënaqësinë ndaj dhunës, ashtu si edhe studentët. Rebelimi nisi nga intelektualët dhe studentët e universitetit, dhe në përgjithësi nga brezi i ri. A ruhet kjo trashëgimi në gjykimin e realitetit dhe marrjen e përgjegjësisë për ecurinë e demokracisë dhe të lirive e të drejtave të njeriut në Hungari, frymëzuar nga ngjarjet e 1956-s?

“Shumë argumentojnë se studentët dhe intelektualët hungarezë trashëgojnë një detyrim moral për të vepruar si ndërgjegjja e kombit, duke tërhequr paralele të drejtpërdrejta me vitin 1956:

  • Mbrojtësit e Normave Demokratike: Mbështetësit e kësaj pikëpamjeje besojnë se qytetarët e arsimuar kanë detyrë të vlerësojnë në mënyrë kritike qeverisjen, të mbrojnë pavarësinë institucionale dhe të flasin kundër korrupsionit ose prapambetjes demokratike.
  • Trashëgimia e Protestës Studentore: Në vitet e fundit, studentët e universitetit kanë kanalizuar frymën e vitit 1956 gjatë demonstratave të mëdha. Lëvizjet e rëndësishme përfshijnë protestat për zhvendosjen e detyruar të Universitetit të Europës Qendrore (CEU), ristrukturimin e mbështetur nga shteti të Universitetit të Arteve të Teatrit dhe Filmit (SZFE) dhe demonstratat e vazhdueshme që kërkojnë reformë arsimore dhe kushte më të mira për mësuesit. Nga kjo perspektivë, studentët mbeten katalizatorë jetikë për mobilizimin qytetar.” [9]

Faktet tregojnë se fryma dhe ndjenja e përgjegjësisë kombëtare dhe qytetare vijojnë t’i referohen dhe të frymëzohen nga ai qëndrim heroik dhe i drejtpeshuar historikisht në stuhinë e ndeshjes në 1956. Faktori i jashtëm mbetet me rëndësi të madhe, por përgjegjësia e detyrimit qytetar nis nga vetëdija për të mbajtur nën kontroll qeverinë dhe qeverisjen e vendit tënd. Nëse në vjeshtën e 1956-s, qeveria hungareze do të ishte me popullin dhe në ballë të tij, prirur nga interesi kombëtar, ngjarjet do të kishin marrë një tjetër rrjedhë. Gjithsesi edhe këto dy shtresa shoqërore nuk janë të paprekshme nga mjetet komprometuese që përdor sistemi totalitar siç janë mirëqenia materiale dhe indoktrinimi ideologjik. Arendt në refleksionet e saj e prek edhe këtë çështje duke iu futur në mekanizmin e saj në realitetin hungarez të 1956-s dhe më gjerë. Në refleksionet e saj ajo shkruan: “Jo vetëm që ryshfeti nuk funksionoi, por ngritja e ideologjive dhe lëvizjeve totalitare ka tërhequr gjithmonë shtresën intelektuale; përvoja ka treguar se askush nuk mund të blihet apo të frikësohet aq lehtë për t’iu nënshtruar absurdit, sa studiuesit, shkrimtarët dhe artistët.”[10]

Dinjiteti kombëtar dhe detyrimet historike përballë joshjes, miklimit dhe blerjes së shpirtit, ky është realiteti historik dhe ai konkret. Shembulli i intelektualëve dhe shkollarëve hungarezë i bën nder historisë së popullit hungarez, por shërben edhe si një model referimi. Në ditët tona bota është e trazuar me lëvizje dhe ndeshje gjithfarësh, ndaj dhe historia e sotme mund të këndvështrohet dhe si histori e “mbajtjes së përgjegjësisë”. Faktorë të ndryshëm luajnë në skenë dhe në prapaskenë. Ca dalin si violinë e parë, të tjerë si sufler skenik. Veçse një gjë mbetet e pandryshuar. Sa më e thellë të jetë kriza, aq më e pamundur bëhet mundësia e daljes prej saj me mjetet e vetë krizës. Aspekti etik dhe përgjegjësia morale thirren të rikthehen në ndihmë të shoqërisë globale. Janë studiuesit dhe njerëzit e kulturës që qetësojnë gjakrat dhe që rekomandojnë rrugën e paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Mosdëgjimi i zërit të tyre është gabim i rëndë, pasojat e të cilit po i vuan shoqëria e turbokapitalizmit si shoqëri e lëvizjes maramendëse që propozon shoqërinë pa parime morale, por me interesa tregu dhe luftë mes tyre.

“Dëgjimi i intelektualëve dhe studentëve lidhur me problemet sistematike të turbo-kapitalizmit është thelbësor, pasi ata ofrojnë këndvështrime të veçanta e kritike që lidhin analizën sistematike me aktivizmin e orientuar drejt së ardhmes. Turbo-kapitalizmi – i karakterizuar nga çrregullimi i shpejtë, globalizimi i pakontrolluar, hiper-financiarizimi dhe përshpejtimi i pandalshëm digjital – shpesh i jep përparësi efikasitetit afatshkurtër të tregut përballë mirëqenies afatgjatë shoqërore.”[11]

Intelektualët vështrojnë thellësisht kuadrin historik dhe përdorin mjetet analitike për të parë e gjykuar përtej prirjeve të atypëratyshme të tregut. Ata kanë aftësitë për të diagnostikuar shkaqet rrënjësore strukturore të krizave moderne, për të gjetur rrugët e daljes prej tyre apo të shmangies së tyre sa të jetë e mundur. Gjykimet e tyre karakterizohen nga vështrimi në kontekstin historik dhe tejshikimi përmes analizës gjithëpërfshirëse. Vlerësimet e tyre janë të qarta dhe të kthjellta kur japin shpjegime për çështje globale të ndryshme – si pabarazia në pasuri, monopolet e korporatave dhe dobësimi i institucioneve demokratike – duke treguar se si këto janë të ndërlidhura thelbësisht me forcat e çrregullta të tregut. Për këto arsye intelektualët e pastër, të pakorruptuar, janë ata që bëjnë parashikimin e rreziqeve: “Akademikët dhe studiuesit shpesh japin alarmin për rreziqe afatgjata, si kriza klimatike apo rreziqet etike të inteligjencës artificiale, shumë kohë përpara se këto të shfaqen si prioritete financiare afatshkurtra për korporatat.”

Jeta dhe sfidat e saj nuk mjafton të vështrohen në të sotmen e tyre të afërt. Zhvillimi i qëndrueshëm kërkon kujdes për ekonominë, çështjet sociale, arsimin, kulturën, ekologjinë dhe trashëgiminë identitare edhe për brezat e ardhshëm.

Nëse e sotmja politike dhe bashkëpunëtorët e saj, subjektet e tregut, e bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh për këto probleme, janë gjeneratat e reja që e shohin realitetin ndryshe, duke marrë përgjegjësinë për pritshmëritë dhe zhvillimin në të ardhmen. Ruajtja e së “ardhmes së përbashkët”, kjo është një nga detyrat e dorës së parë. Studentët dhe të rinjtë përfaqësojnë brezin që do të trashëgojë pasojat afatgjata të politikave ekonomike të sotme. Perspektiva e zhvillimit duhet të jetë ajo gjithëpërfshirëse ose si njihet, e “Palëve të Interesuara”: Ndryshe nga bordet e korporatave të përqendruara në fitime të menjëhershme, studentët e shohin ekonominë përmes lenteve të mbijetesës së brezave, duke mbrojtur qëndrueshmërinë afatgjatë në vend të nxjerrjes së fitimeve afatshkurtra.

Gjeneratat e reja nxjerrin në dritë të diellit “sjelljen institucionale”. Ndërsa hyjnë rishtaz në fuqinë punëtore dhe në arsimin e lartë, studentët ndiejnë ndikimin e drejtpërdrejtë të turbo-kapitalizmit përmes kostove marramendëse të strehimit, pagave reale të pamjaftueshme dhe borxhit dërrmues, duke i bërë ata barometra autentikë të ashpërisimit ekonomik. Gjeneratat e reja dhe intelektualët e pakomprometuar nga pushteti dhe tregu janë faktorët vendimtarë për nxitjen e reformave sociale dhe mbajtjen e pikërëndesave etike. “Historikisht, ndërthurja e teorisë intelektuale dhe aktivizmit studentor ka qenë motori kryesor i ndryshimeve të mëdha shoqërore.”

Intelektualët ofrojnë kuadrin për format alternative (si ekonomia rrethore, të ardhurat bazë universale apo kapitalizmi i palëve të interesuara) që nevojiten për të përfytyruar një botë përtej hiper-konsumizmit. Ndërsa studentët zotërojnë energjinë, shkathtësitë dixhitale dhe qartësinë morale të nevojshme për t’i shndërruar kritikat intelektuale abstrakte në lëvizje masive, duke i detyruar qeveritë dhe korporatat të reagojnë. Së bashku, ata sfidojnë rrëfenjën se vlera njerëzore përcaktohet vetëm nga produktiviteti ekonomik dhe zakonet e konsumit, duke i mbajtur çështjet etike mbi dinjitetin, komunitetin dhe barazinë në qendër të diskutimit publik.[12]

Në ngjarjet e Revolucionit Hungarez të 1956-s u provua roli i intelektualëve dhe rinisë studentore në lirinë e fjalës dhe krijimin e opinionit të pavarur nga propaganda shtetërore, që siguroi mbajtjen e marrëveshjes me të vërtetën dhe demaskimin e gënjeshtrës. Vetëm për këto arsye mëtonte Hannah Arendt: “…shtypja lihet mënjanë dhe kërkohet liria.” Shqetësimi për lirinë e mendimit që zuri vend dhe ngrihej nga ngjarja në ngjarje rriti rebelimin i cili kaloi nga intelektualët tek masat e gjera popullore duke marrë trajtën e një revolucioni mbarëpopullor, duke lënë mënjanë vetëm policinë politike dhe ata hungarezë që mbronin regjimin. Studentët e paarmatosur që fillimisht ishin një grup i vogël i zgjeruan radhët e tyre dhe me një kurajo për t’u marrë shembull edhe në ditët tona, kërkuan heqjen e monumentit të Stalinit nga sheshi ku ishte vendosur në Budapest.

Në ditët që pasuan disa dhjetëra studentë shkuan te godina e Radios “për të bindur stacionin që të transmetojë gjashtëmbëdhjetë pikat e manifestit të tyre.” Siç shprehet Arendt, e citoj: “Ajo që kishte nisur si një demonstratë studentore ishte shndërruar në një kryengritje të armatosur brenda më pak se njëzet e katër orëve.”[13] E rëndësishme nuk ishte sa zgjati liria e shprehjes dhe e mendimit përmes kësaj veprimtarie gjithëpopullore; e rëndësishme, nënvizon Arendt, ishte institucionalizimi i lirisë, e cila tashmë ishte një fakt i kryer.

“Këshillat revolucionare dhe këshillat punëtore ishin disa organizma të cilët për më shumë se 100 vjet kishin dalë në pah sa herë që njerëzve u është lejuar, për disa ditë, javë apo muaj, të ndjekin rrugën e tyre politike pa një qeveri (ose program partie) të imponuar nga lart.” [14]  Arendt në refleksionet e saj ndalet dhe shpreh interes studimoro-historik për “këshillat punëtore” dhe misionin e këtij tipi institucioni që do ta karakterizonim të “demokracisë direkte”, por që tentoi të kombinonte aspektin legjislativ me atë ekzekutiv.

“Në rastin e Revolucionit Hungarez – shkruan Hannah Arendt – në mënyrë më të dallueshme sesa në rastet e mëhershme, krijimi i këshillave përfaqëson hapin e parë praktik të ndërtimit të rendit dhe riorganizimit të ekonomisë hungareze në baza socialiste, por pa kontrollin e rreptë të partisë apo aparatit të terrorit.”[15] Kemi të bëjmë me një veprim praktik masiv për të çmontuar sistemin parti-shtet dhe për të siguruar lirinë ekonomike jashtë kontrollit të segmenteve shtetërore që ushtronin terror. Kjo mënyrë organizimi ekonomik binte ndesh me planifikimin socialist të centralizuar dhe akumulimin socialist, me shpërndarjen e të ardhurave dhe politikat e furnizimit të ekonomisë dhe tregut me mallrat e përdorimit të përditshëm. Pra ajo që gjoja u ruajt, baza socialiste si pronë e përbashkët, do të mbetej vetëm si fasadë. Projekti i hapte rrugë ekonomisë së tregut dhe trajtimit të aseteve dhe prodhimit si pasuri dhe kapital i atyre që punonin duke krijuar produkte për treg dhe njëherësh duke shtuar kapitalin dhe makineritë prodhuese. Një ide shumë e përparuar për kohën por edhe për ditët tona. Një lloj kapitalizmi popullor. Hannah Arendt e parashijoi këtë gjë dhe u entuziazmua, ndaj në vijim të refleksioneve për këtë çështje me shumë rëndësi, ajo e shtyn shpjegimin më tej duke theksuar se: “Kështu, këshillat u ngarkuan me dy detyra: njëra politike dhe tjetra ekonomike; dhe ndonëse do të ishte e gabuar të besohej se vija ndarëse mes tyre ishte krejtësisht e qartë, mund të supozojmë se Këshillat Revolucionare kryenin kryesisht funksione politike, ndërsa Këshillat e Punëtorëve pritej të menaxhonin jetën ekonomike.”[16]

Ky lloj organizimi ishte një reagim kundër sindikatave, të cilat nuk përfaqësonin punëtorët dhe interesat e tyre, por ushtronin kontrollin partiak mbi ta. Vepronte teoria staliniste që i quante sindikatat si rripa transmisioni që lidhnin partinë me masat punonjëse. Megjithëse një përvojë e shkurtër, për Hannah Arendt mënyra e zgjedhjes së përfaqësuesve nga vetë punëtorët ndryshonte nga mënyra burokratike partiake e cila rekomandonte kush do të zgjidhej dhe votimet ishin një formalitet që shprehte autoritetin imponues “të makinerisë partiake”. “Për më tepër – konkludon në parashtresën e kësaj çështjeje Arendt – zgjedhja e votuesit nuk nxitej nga ndonjë program, platformë apo ideologji, por ekskluzivisht nga vlerësimi i tij për një individ, tek integriteti personal, guximi dhe gjykimi i të cilit votuesi besonte mjaftueshëm sa për t’i besuar përfaqësimin e tij.”[17]

Me fjalë të tjera nënvizon Hannah Arendt: “Këshillat do të kontrollonin palët, ato nuk do të ishin përfaqësues të tyre.”[18] Pas 70 vjetësh kjo formë e demokracisë direkte vjen vetëm si një referencë historike që flet për përpjekjet kundër sistemit totalitarist stalinist, si shprehje e luftës për lirinë antikomuniste dhe përpjekjeve për pavarësi, apo ka edhe qëndrime që shohin edhe një aspekt aktual të asaj përvoje? Forcat politike të majta dhe studiues të pavarur kanë një vështrim me orientim kritik ndaj realitetit të sotëm kapitalist. “Historianët e pavarur dhe analistët e së majtës e shohin Këshillin Qendror të Punëtorëve të Budapestit të Madh dhe këshillat lokale të fabrikave si një shprehje të mirëfilltë të demokracisë së drejtpërdrejtë nga baza, si dhe një alternativë vetëmenaxhimi demokratik ndaj burokracisë shtetërore dhe kapitalizmit perëndimor.”[19]

Në Hungari u vu re krijimi i njëkohshëm i llojeve të ndryshme këshillash, disa prej të cilave u korrespondonin grupimeve ekzistuese ku njerëzit jetonin së bashku ose takoheshin rregullisht, ndaj edhe e njihnin njëri-tjetrin. “Këshillat revolucionare lindën nga lufta e përbashkët; këshillat e shkrimtarëve dhe artistëve – mund të thuhet – u krijuan nëpër kafene; këshillat e studentëve dhe të rinjve në universitete; këshillat ushtarakë në ushtri; këshillat e nëpunësve civilë në ministri; këshillat e punëtorëve në fabrika, e kështu me radhë. Formimi i këshillave brenda secilit prej këtyre grupeve të ndryshme e shndërroi një bashkësi të rastësishme në një institucion politik.”[20]

Kjo formë e angazhimit qytetar në pothuaj të gjitha shtresat shoqërore është një shembull i ndërgjegjes kombëtare dhe asaj qytetare. Elementet e shoqërisë civile nga oponenca qytetare shndërrohen në subjekte politike, ose si i quan Arendt, në një institucion politik. Kjo metamorfozë karakterizon aktivitetin e demokracisë direkte. Përvoja hungareze e 1956-s la gjurmë edhe në këtë aspekt të dialogimit të domosdoshëm mes civiles dhe politikes. Në ditët tona takohen studiues dhe politologë të njohur që e kanë përpunuar këtë problematikë. “Sipas politologut dhe ekspertit zviceran të demokracisë së drejtpërdrejtë, Andreas Gross, demokracia e drejtpërdrejtë shërben si një urë që i shndërron strukturat e shoqërisë civile në institucione politike formale. Në shkrimet e tij të gjera – siç është *Die unvollendete Direkte Demokratie* (Demokracia e Drejtpërdrejtë e Papërfunduar) – dhe në raportet për Këshillin e Europës, Gross e koncepton demokracinë jo thjesht si një sistem qeverisës, por si një proces të vazhdueshëm të të mësuarit dhe si një kornizë për vetërealizimin shoqëror.”[21]

Termi demokracia si “vetërealizim shoqëror” është një formulim i hapur që e sheh demokracinë si proces shoqëror në veprim edhe njëherësh si shprehje e pakënaqësisë ndaj institucioneve të sistemit demokratik të burokratizuar që shpërdoron sovranitetet e deleguara. Qeverisja sado demokratike në formë dhe në pamje, në strukturë dhe referim ligjor, kur nuk shpreh interesat dhe nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve, por vë mes vetes dhe zgjedhësve autoritetin e pushtetit të fshehur tinëz pas atij të ligjit, as më shumë e as më pak, ajo nuk është më shprehje e demokracisë reale, të besueshme dhe me parime morale.

Ndaj është me rëndësi nënvizimi që ka bërë Hannah Arendt në reflektimet e saj për këshillat e krijuara në ditët e Revolucionit Hungarez të 1956-s. Është e rëndësishme se cilët zgjidhen në këshilla dhe bazuar në cilat kritere. Ja si shprehet Arendt: “Burrat e zgjedhur ishin komunistë dhe jo-komunistë; përkatësia partiake duket se nuk ka luajtur asnjëfarë roli, ndërsa kriteri – sipas fjalëve të një gazete – ishte thjesht që “mes tyre të mos ketë asnjë që do ta keqpërdorte pushtetin apo do të mendonte vetëm për pozitën e tij personale”. Dhe ky është më tepër një kriter kualifikimi sesa moral. Kushdo që e keqpërdor pushtetin ose e shndërron atë në dhunë, apo interesohet vetëm për çështjet e veta private pa u shqetësuar për të mirën e përbashkët, thjesht nuk është i përshtatshëm për të luajtur një rol në jetën politike.”[22] Shërbimi demokratik shoqëror është për të mirën e përbashkët.

Keqpërdorimi i pushtetit deri në dhunë, kjo këmbanë historike hungareze, paralajmëroi dobësitë dhe tiparet negative jo vetëm të pushtetit komunist, por edhe të atij borgjez. Privatja në njërën anë dhe publikja në anën tjetër, në mes tyre pushteti dhe institucionet, cili nga këta dy faktorë tërheq vendimmarrjen pushtetore? Në ditët tona ka jo vetëm praktika, por qarkullojnë dhe teori e madje dhe doktrina që i japin prioritet privates. “Depërtimi i sferës private në atë publike dhe tërheqja përkatëse e qeverisjes shtetërore në favor të interesave të tregut përbëjnë një krizë qendrore të demokracisë liberale bashkëkohore. Teoritë moderne politike dhe shoqërore argumentojnë se ky nuk është thjesht një ndryshim politikash, por një ristrukturim rrënjësor i shtetit, ku vendimmarrja demokratike minohet gjithnjë e më shumë nga pushteti privat, menaxhimi teknokratik dhe logjika e tregut.”[23]

Tema e diskutimit për këtë çështje që zuri rrënjë që nga ngjarjet e Hungarisë së vitit 1956 dhe që vjen  në qendër të debatit të sotëm është: “Qeverisja neoliberale dhe “zhvlerësimi rrënjësor” i demokracisë. Duke u mbështetur gjerësisht te leksionet e Michel Foucault[24]-së mbi biopolitikën, teoricienë si Wendy Brown[25] argumentojnë se neoliberalizmi është shumë më tepër sesa një grup politikash ekonomike (siç janë privatizimi dhe heqja e rregullimeve). Përkundrazi, ai funksionon si një racionalitet politik që i shtrin vlerat e tregut në të gjitha institucionet shoqërore dhe politike.”[26] Ndoshta nuk është teprim të themi se përfundimi i profesores Wendy Brown me mbrojtjen që u bën interesave shoqërore bart dhe një lloj porosie historike që vjen nga jehonat e ngjarjeve të Hungarisë së 1956-s.

“Një nga aspektet më mbresëlënëse të revolucionit hungarez është se ky parim i sistemit të këshillave jo vetëm që rishfaqet, por edhe se, brenda dymbëdhjetë ditëve të shkurtra, një pjesë e konsiderueshme e potencialit të tij mundi të dilte në pah. Anëtarët e këshillave sapo ishin zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, kur këto këshilla të reja filluan të koordinoheshin lirisht për të zgjedhur, nga gjiri i tyre, përfaqësuesit për këshillat më të larta – deri te Këshilli Suprem Kombëtar, që përbënte ekuivalentin e qeverisë së zakonshme; dhe nisma për këtë erdhi nga Partia Kombëtare Fshatare, e cila sapo ishte ringjallur dhe që ishte padyshim grupi i fundit që mund të dyshohej për ide ekstreme.”[27] Në këtë mekanizëm ia vlen të ndalemi në disa hapa historikë dhe të hedhim dritë në aspektin konkret të ditëve tona. “Zgjedhja përmes votimit të drejtpërdrejtë”, si dhe zgjedhja nga gjiri i tyre e përfaqësuesve për këshillat më të larta.

A është kjo një metodë revolucionare e takuar në kushte specifike të Hungarisë së vitit 1956, apo kemi të bëjmë me një mekanizëm të demokracisë direkte? Në prezantimin e raportit të Komisionit për Çështje Politike dhe të Opinioneve, Andreas Gross është shprehur si më poshtë: “Thelbi i të drejtave të njeriut është dinjiteti. Nuk ka ekzistencë më dinjitoze sesa ajo ku individi mund të marrë përgjegjësinë për veten. Kështu, edhe demokracia është një e drejtë e njeriut dhe jo një privilegj i ndonjë qytetari. Nuk ka ekzistencë dinjitoze pa mundësinë për të ecur me kokën lart, gjë që nuk mund të arrihet pa pasur të drejtën e vetëvendosjes… Nëse do të pyesnim qytetarët në vendin tonë (dhe ky raport është hartuar kryesisht nga këndvështrimi i tyre, pasi cilësia e demokracisë përcaktohet nga kjo perspektivë e bazës, e jo nga ajo e përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve apo e shoqërisë civile), vështirë se do të gjenim dikë që nuk do të ishte i zhgënjyer me cilësinë e demokracisë sonë.”[28]

Në mbyllje të këtij arsyetimi Hannah Arendt deklaron: “Ngritja e këshillave – e jo rikthimi i partive – ishte shenja e qartë e një hovi të vërtetë të demokracisë kundër diktaturës, e lirisë kundër tiranisë.”[29] Për këtë arsye Hannah Arendt i mbyll refleksionet: “Goditja e parë e shtypjes së përgjakshme u drejtua kundër Këshillave Revolucionare, organit të veprimit dhe përfaqësuesit të popullit në tërësi.”[30]

*****

Rishikimi i ngjarjeve historike është i rëndësishëm sepse provat e reja, perspektivat e freskëta dhe nevojat për ndryshim të shoqërisë na lejojnë të korrigjojmë paragjykimet e së kaluarës, të kuptojmë më thellë sfidat e sotme dhe të parandalojmë përsëritjen e gabimeve të mëparshme.

“Të çjerrësh maskën e hipokrizisë nga fytyra e armikut, ta përgënjeshtrosh atë, të demaskosh makinacionet dhe manipulimin e sofistikuar që e lejon të sundojë pa përdorimin e mjeteve të dhunës, do të thotë të provokosh veprime duke marrë parasysh edhe rrezikun e shfarosjes dhe kjo me qëllimin e vetëm që e vërteta të triumfojë.”[31]

[1] Hannah Arendt; “Reflections on the Hungarian Revolution”- “1956 – The Hungarian Revolution and War for Independence.”, faqe 623.

[2] Po aty, faqe 623.

[3] Russia in the Post-Soviet Space: What Strategies of Influence?- Interviews 9 December 2024

https://www.iris-france.org/en/russia-in-the-post-soviet-space-what-strategies-of-influence/

[4] “Jugu Global” përfshin afërsisht 130 deri në 150 vende në zhvillim, në rritje ekonomike dhe me të ardhura të ulëta deri në të mesme, të vendosura kryesisht në Afrikë, Amerikën Latine, Azi dhe Oqeani https://www.google.com/search?q=Which+countries+does+the+Global+South+include%3F&rlz=1C1GCEA_enAL809AL809&oq=Which+countries+does+the+Global+So

https://www.quora.com/How-does-the-Hungarian-Revolution-of-1956-influence-Hungarians-views-of-Russia-today

[6] Hannah Arendt, libri i cituar faqe 624

[7] Hannah Arendt; “Mbi Revolucionin” botimi shqip faqe 20-21.

[8] Hannah Arendt, “Reflections on the Hungarian Revolution”, libri i cituar faqe 625.

[9] Arguments for Historical Responsibility and Activism. https://www.google.com/search?q=Do+the+intellectual+class+and+university+students+in+Hungary+bear+responsibility+today+for+the+fate+of+the+country%2C+followin .

[10] Hannah Arendt; “Reflections on the Hungarian Revolution”; libri i cituar faqe 627.

[11] https://www.google.com/search?q=Why+is+it+important+today+to+heed+the+voices+of+intellectuals+and+students+regarding+the+problems+of+turb

[12] Për më shumë, në lidhje me rolin e intelektualëve dhe rinisë studentore shikoni në linkun e mëposhtëm https://www.google.com/search?q=Why+is+it+important+today+to+heed+the+voices+of+intellectuals+and+students+regarding+the+problems+of+turbo

[13] Hannah Arendt, “Reflections on the Hungarian Revolution”; faqe 629.

[14] Po aty, faqe 630.

[15] Po aty, faqe 631

[16] Po aty, faqe 631

[17] Po aty, faqe 633

[18] Po aty, faqe 634

[19]Për më shumë shiko linkun: https://www.google.com/search?q=How+is+the+experience+of+the+workers%27+councils+formed+during+the+events+of+1956+viewed+in+Hungary

[20] Hannah Arendt; “Reflections on the Hungarian Revolution”, libri i cituar, faqe 634-635.

https://www.google.com/search?q=Andreas+Gross+on+direct+democracy%3A+how+civil+society+structures+transform+into+political+institutions.&rlz

[22] Po aty, faqe 635.

https://www.google.com/search?q=The+encroachment+of+the+private+upon+the+public+in+liberal+democracy.+The+withdrawal+of+governance+from+

[24] Michel Foucault (lindur më 15 tetor 1926 në Poitiers, Francë – vdekur më 25 qershor 1984 në Paris) ishte filozof dhe historian francez, një nga studiuesit më me ndikim dhe më të diskutueshëm të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Foucault mbrojti tezën e tij të doktoraturës në ENS në vitin 1961. E botuar fillimisht me titullin *Folie et déraison: histoire de la folie à l’âge classique* (“Çmenduria dhe jologjika: Një histori e çmendurisë në epokën klasike”), ajo mori vlerësime nga kritika, por pati një audiencë të kufizuar. (Një version i shkurtuar u përkthye në anglisht dhe u botua në vitin 1965 me titullin *Madness and Civilization: A History of Insanity in the Age of Reason*.) Midis viteve 1971 dhe 1984, Foucault shkroi disa vepra, përfshirë *Surveiller et punir: naissance de la prison* (1975; *Disiplinë dhe ndëshkim: Lindja e burgut*), një monografi mbi shfaqjen e burgut modern; tre vëllime të një historie të seksualitetit perëndimor; si dhe ese të shumta. Foucault vazhdoi të udhëtonte gjerësisht dhe, ndërsa fama e tij rritej, kaloi periudha të gjata në Brazil, Japoni, Itali, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Ai krijoi një lidhje të veçantë me Berkeleyn në Kaliforni dhe zonën e Gjirit të San Franciskos, si dhe shërbeu për disa vite si pedagog i ftuar në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley.

Foucault vdiq në vitin 1984 nga septicemia, një ndërlikim tipik i AIDS-it, ndërsa vëllimi i katërt i historisë së tij të seksualitetit kishte mbetur ende i papërfunduar. https://www.britannica.com/biography/Michel-Foucault

[25] Wendy Brown është një teoriciene politike amerikane dhe Profesore Emerita e Fondacionit UPS në Institutin për Studime të Avancuara (Institute for Advanced Study), si dhe Profesore Emerita e Shkencave Politike në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. Ajo njihet gjerësisht për analizën e saj kritike mbi pushtetin, neoliberalizmin, politikën e identitetit dhe demokracinë bashkëkohore. Puna e saj me ndikim të madh ndërthur këndvështrimet e mendimtarëve si Karl Marx, Friedrich Nietzsche, Max Weber, Sigmund Freud, Michel Foucault dhe Shkollës së Frankfurtit https://politicalsciencenow.com/wendy-brown-receives-the-2026-benjamin-e-lippincott-award-for-states-of-injury-power-and-freedom-in-late-modern

https://www.google.com/search?q=The+encroachment+of+the+private+upon+the+public+in+liberal+democracy.+The+withdrawal+of+governance+from+

[27] Hannah Arendt, nga libri i cituar faqe 635.

[28] Andreas Gross; The report by the Political Affairs Committee and of the opinions. https://assembly.coe.int/Sessions/2007/Debate/ENGross.pdfç:~:text=Presentation%20by%20Andreas%20Gross%20of,unless%20an%20individual%20ca

[29] Hannah Arendt, marrë nga libri i cituar faqe 636.

[30] Po aty, faqe 636.

[31] Hannah Arendt, libri me titull: “Mbi dhunën” botimi shqip faqe 80. Enti botues, Pika pa sipërfaqe.

DITA

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Nga Hannah Arendt në ditët tona, Hungari 1956 – reflektim mbi ngjarjet
  • Protesta shqiptare, nuk ngjan me të tjerat…
  • Shifra dhe analizë: Pse Shqipëria nuk zhvillohet pa rininë
  • U dënua me 25 vjet / E bija e Jakup Krasniqit: Babai po refuzon kontrollet mjekësore në Hagë
  • VIDEO / Berisha konfirmon Ramën: Pas protestës jam unë

Komentet e Fundit

  1. Vlora 97 on “Arrestoje, por mos e qëllo në kokë”
  2. T on ​As nami, as gogoli. Përgjigjet që jep Kushtetuta për pyetjen ‘apokaliptike’: Po iku ky, kush vjen?
  3. Rn'S Bn'L on ​As nami, as gogoli. Përgjigjet që jep Kushtetuta për pyetjen ‘apokaliptike’: Po iku ky, kush vjen?
  4. ANA on U dënua me 25 vjet / E bija e Jakup Krasniqit: Babai po refuzon kontrollet mjekësore në Hagë
  5. K R on Deutsche Welle: Nga Greqia shkoi te Irani dhe Rusia, tani është Antifa. Kush po ia “lëviz” fijet Ramës?

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?