Nga Dori Xhima
Shahu shqiptar ka shkruar histori në arenën ndërkombëtare. 16-vjeçari Mateu Boçi është shpallur Kampion i Evropës në shah për grupmoshën U-16, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian të të Rinjve 2026, i cili u zhvillua nga 4 deri më 12 nëntor në Hersonissos të Kretës, Greqi.
Shahisti i talentuar, i cili përfaqëson Klubin Sportiv Tirana dhe mban titullin prestigjioz Mjeshtër FIDE (FM), ka dominuar një garë të fortë mes talenteve më të mirë të kontinentit, duke ngritur lart flamurin kuqezi dhe duke regjistruar një nga sukseset më të mëdha për sportin e mendjes në Shqipëri.
Ky triumf dëshmon potencial të brezave të rinj në sportin e shahut, duke e vendosur Shqipërinë në majën e Evropës për grupmoshën.
Mateu realizoi një turne të jashtëzakonshëm, duke grumbulluar 8.0 pikë nga 9 të mundshme (7 fitore dhe 2 barazime). Ndonëse e nisi kampionatin nga vendi i 18-të në listën fillestare me koeficient 2334 Elo, 16-vjeçari shqiptar dominoi turneun që nga fillimi, duke mposhtur favoritët kryesorë dhe duke marrë një start perfekt me 7 fitore radhazi, përpara se ta menaxhonte kryesimin me dy barazime strategjike në dy raundet e fundit.
Pika e kthesës së turneut erdhi në raundin e katërt, ku Boçi me gurët e bardhë mposhti Mjeshtrin Ndërkombëtar austriak Lukas Dotzer (2464), i cili ishte lojtari me koeficientin më të lartë në të gjithë kampionatin.
Pas fitores ndaj Dotzer, shahisti shqiptar kaloi me sukses të plotë tre përballje radhazi ndaj rivalëve direktë për medalje me koeficient më të lartë: ukrainasin Yan Domin (2363) në një betejë taktike 45-lëvizëshe, izraelitin Ilay Zakin (2430) me gurët e zinj dhe azerbajxhanasin Pasham Alizada (2402) po me gurët e zinj, duke arritur kuotën e jashtëzakonshme 7/7.
Me 1 pikë avantazh të pastër pas raundit të shtatë, Boçi luajti me maturi në dy raundet përmbyllëse, duke ndarë pikët fillimisht me spanjollin Martin Krauchi Romero (2404) dhe më pas me gjeorgjianin Erekle Tabatadze (2356) në raundin e 9-të (pas 61 lëvizjesh), çka mjaftoi për ta kurorëzuar matematikisht Kampion Europe pa asnjë humbje!
DITA
