Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Një fotografi që flet prej 106 vitesh
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Një fotografi që flet prej 106 vitesh
Kulture

Një fotografi që flet prej 106 vitesh

Published: October 27, 2022
Shpërndaje

Nga Ilmi S. Qazimi

E shikoj këtë fotografi dhe nuk çmallem dot. E vështroj përsëri e përsëri dhe gjene nuk ndjehem mirë. E kundroj me ngadalë, pjesë pjesë, një nga një …dhe më pushton një ndjenjë e furishme krenarie! Pastaj çoç më hipën një trishtim i brydhtë por shpejt e marr veten dhe them: Eh ç’burra ka patur ky truall! …(Vallë a ka edhe tani të tillë? Andej dhe këtej meridianëve që ndajnë Amerikën me Shqipërinë? Me siguri, ma thotë mendja se ka ; natyrisht në kushtet e reja të zhvillimit njerëzor dhe ekonomik kapitalist).

Kjo është një fotografi që flet. Oh sa shumë që flet kjo foto! Është foto historike dhe plot magji! Po ja more zotërinj dhe zonja, a nuk iu bën përshtypje ju se këtu janë 35 burra nga Shqipëria në mes të Amerikës zë zezë këtu e 106  vjet më parë? Kaluar një shekull ! Mu afër Bostonit!

- Publicitet -

Janë 35 gjithsej. Të moshës 25 deri 35 vjeç. Shqiptarë të organizuar nga kryeshqiptari Fan Noli dhe atdhetari tjetër erudit po aq shqiptar sa i pari, Faik Konica, në shoqërinë “Vatra”. Dalin në fotografi rrëzë një peme të madhe. Mua më ngjan si lis. Se lis është edhe vetë shqiptari! E kush nuk e di se pellazgët, të parët tanë të këtyre trojeve, prej të cilëve ne rrjedhim, lisin e kishin simbolin e fortësisë, burrërisë, trimërisë… aq sa edhe gjethen e tij e mbanin si të hyjnishme!? Ndaj edhe këta burra kanë zgjedhur lisin si peizazh e sfond që t’u shoqërojë dhe zbukurojë foton. Sa të mençur! Nuk kanë asnjë salltanet, asnjë teprim e asgjë mangut si në veshmbathje edhe në paraqitjen e jashtme, këta burra.

Me kravatë janë 28! Vini re: shqiptarë emigrantë; këtu (në vendin e lindjes që vuan nga mjerimi, ku luftohet për t’u shkëputur nga perandoria osmane, se është kthyer në shesh lufte ku hanë kokën e njeri-tjetrit të mëdhenjtë e Evropës, por e pëson i vogli gjëmën më të madhe- i digjet gjithçka ka vënë me gjak e djersë dhe më në fund , po shpëtoi i gjallë , mbetet i pushtuar!). Janë fshatarë , muratorë, çobanë, pendarë, zejtarë, pylltarë etj – atje në Amerikë ( edhe pse puntorë të thjeshtë , ku hamall e ku paftall, ku në shina treni e ku në fabrikë syzesh a makinash, etj) – me kollare! Ju lumtë! Shqiptari di të hedhë vallen sipas daulles.

Me papijon një. Pa gravatë gjashtë. Uniformitet dhe diversitet. Unitet shqiptar më tepër.

Me mustaqe -18. Oh këto të mrekullueshme, të flakta, të tejskalitura mustaqe! Sa bukur shkojnë në fytyrat e rreshkura , tërë bronx e hekur, me sy vështrim shqiponje të këtyre burrave të sertë! Ato janë vetë hija dhe burrëria e këtyre shqiptarëve. Asnjëri nuk i ka njëlloj me tjetrin, por ama i kanë, mu aty mbi buzë ( që di kë e si të puthë ashtu si edhe kë dhe kur të pështyjë), poshtë hundës karakteristike skifteriane të fisit ilir të këtyre brigjeve të Adriatikut dhe në thellësi të kësaj” toke të ashpër me burra të egër”. Mendohuni pakëz ju lutem,se sa e brishtë , e mekur, e zbehtë dhe e tretur do të dukej fotografia pa mustaqet e këtyre burrave trima, puntorë, që ndonëse kanë ardhur për bukën e gojës këtu në Amerikën e madhe, nuk harrojnë se janë shqiptarë edhe për sa u takon mustaqeve.

Me mjekër –asnjë. Janë të fisshëm, të paqëm dhe të disiplinuar në vetvete këta burra. E ç’u duhet mjekra xhamën!? Ata e mbajnë fytyrën të rruar, të pastër e pa asnjë cen që do të kishte të bënte me qimen dhe flokun. I respekton shqiptari denbabaden këto dy pjesë të trupit të tij , ku ai shfaq ashtu si e gjykon karakterin e vet. Nuk është punë mode. Jo aspak! Po pse pak njerëz kish në Amerikë atëkohë me mjekër? Por shqiptari s’është kopjac , imitues majmun.Jo ai është individualitet.

Të gjithë kanë veshur kostum, dhe madje kostum serioz. Ky është një kulm fisnikërie , bukurie dhe përbën , kam dëshirë ta theksoj, tregues të posaçëm evropianizimi dhe jo amerikanizimi. Po ta shikosh me kujdes , edhe sot e kësaj dite bie në sy ky tipar dallues. Në fund të fundit , shqiptari di se kur duhet të vishet me kominoshe, me opinga llastiku, me mushama shiu apo me thes në kokë , por ama ai di mirë se kur duhet të vishet e pse duhet të veshë kostum.(Tani, këto kohë të ndotura me lloj- lloj ndyrologjirash ,po shohim mbrapshtira këtu në Tiranën tonë që ka jo pak femra të cilat me kostum bordeloje dalin në shëtitje dhe burra që me kostum katërqindmijëlekësh venë në birraritë zgjyrë.Po neise! Le të jenë përjashtime këto). Edhe një kostum po të ketë shqiptari , atë e ruan dhe e vesh atje kur e ku duhet të tregojë virtytet e tij , personalitetin e tij dhe fisin e tij.Kjo nuk ka të bëjë fare me pasurinë apo varfërinë; jo! Është punë karakteri, është punë nderi , është punë shqiptari të vërtetë!

Me këmishë të bardhë janë 22. Eh sa e vlerëson shqiptari të bardhën! Të bardhë e ka zemrën, të bardhë e ka shpirtin, të bardhë e ka ndjenjën e mirësisë , të atdhetarisë dhe të fqinjësisë.

Me kapele janë disa. Ne shohim vetëm 7- me shapkë me strehë dhe republikane. Kapela me strehë- origjinale për nga madhësia , cilësia e stofit apo dokut, nga lloji i strehës dhe veçanërisht nga mënyra se si e mban shqiptari (pakëz mënjanë) – këtu në foto është një tregues që burrat nuk i kanë vënë rëndësi. Ata i paraqet më mirë kostumi se sa kapela, ndaj edhe e kanë hequr dhe e mbajnë në dorë ata që e kanë.

Pa dekorata apo shënjëza të tjera në kostum. Bukuri në thjeshtësi dhe thjeshtësi në bukuri!

Të gjithë të krehur e të qethur si pëllumba të bardhë.(Kujtoj se në Amerikë fluturojnë dhe ushqehen edhe pëllumba të zinj.) Shumë bukur! Tamam si për ditë feste. E si të mos quhet festë takimi me Fan Nolin e me Faik Konicën? Është dita kur krijohet dega nr.10 e shoqatës “Vatra”.

Duart mbi supin e shokut, mbi gjunjë dhe prapa. Sa domethënëse janë këto pozicione të duarve! Ashtu siç i mban duart realisht nëpër shekuj shqiptari në jetën e tij plot luftëra, tallaze dhe përplasje për ekzistencë e mbijetesë. Ulur shesh- rrogoz mbi bar. Gjysmë këmbë kryq. Të tërë me këpucë. Ata e dinë mirë se nga anët tona “burri njihet nga çfarë ka mbathur në këmbë”.Tjetër madhështi kjo e ulura mbi bar, ku gëlojnë edhe ca guriçka.

Vendosur në katër rreshta: ulur 8; unjur në gjunjë 9; në këmbë 12; në këmbë në rreshtin e katërt 6 vetë.Ushtarakisht, do ta vlerësoja shumë të goditur këtë foto: skalionim në formën e rrombit në falangat e lashtësisë ilirike ; skalionim në thellësi e në lartësi. ‘Trupat sulmuese’ janë tetë.’Forca kryesore’ përbëhen nga 24 vetë dhe me dëndësi maksimale për njësinë e sipërfaqes. ‘Forcat mbështetëse’ – gjashtë. ‘Repartet’ për krahëmarrje – 10 vetë, pesë në çdo anë.Nga kush agresor duan të mbrohen këta burra vallë aty në mes të Amerikës!?

Janë myslimanë, ortodoksë e katolikë të mirëfilltë dhe nuk u shkon fare në mëndje për fenë. Aspak! Krenarë të gjithë. Kokë lart, serbes e me sy të qeshur. Janë vëllezër të një fare, të një gjaku e të një feje: janë shqiptarë dhe pik!

Hë si thoni, a nuk është një mrekulli kjo foto?

Edhe ato dy fjalë që shkruhen në diçiturë më duken me interes: Dega 10. Vendi, (i përkthyer fjalë për fjalë edhe pse është toponim i mbivendosur për arsye që ne nuk kemi pse t’i kërkojmë,) quhet Ura e Jugut! Koincidencë? Në një nga 50 shtetet e Amerikës një urë e jugut, ku pozojnë 35 shqiptarë në një ditë qershori! Edhe Shqipëria, mëmëdheu i tyre e lë në jug ekuadorin dhe ka qënë e mbetet urë lidhjeje me …

E më kë e për kë nuk është urë lidhjeje Shqipëria?! E ku nuk i gjen shqiptarët!?

***

Ne nuk dimë saktësisht për secilin nga këta emigrantë atdhetarë se ku punonin në ato vite për të fituar krodhen e bukës dhe për të dërguar pakogjë në shtëpinë me aq halle e ëndrra, ku çilimiqërit ciasnin se “çoç do u sjellë babai nga kurbeti, kur të vijë!” Vetëm gruaja , motra, nëna (Oh hallepasosurat ato! Shpirt brengusurat ato! Trimëreshat ato!) klithnin me heshtjen e zemrës së tyre të madhe sa vetë oqeani: “Vallë a do të kthehet gjallë?”

Nuk dimë mjeshtrin fotograf që ka kompozuar këtë foto- novelë shqiptare. Nuk i njohim dot të gjithë emër për emër e ku, në cilin vënd të Shqipërisë kanë lindur, kur kanë ikur dhe vallë a u kthyenë të gjithë…jeta e secilit prej tyre, ashtu si edhe e qindramijrave tani në kohët moderne, do të përbënte roman më vete…

Eh, sa gjëra që nuk dimë ne sot për këtë foto.

Por dimë më të fuqishmen: Janë 35 shqiptarë të bashkuar në afërsi të Bostonit të Amerikës para një shekulli!

***

Në këtë fotografi të 16 qershorit të vitit 1916, nxjerrë nga albumi origjinal me foto i arkivit të “Vatrës”, të cilës, fatkeqësisht i mungojnë emrat në diçiturë, qysh në ditën që është bërë, pas hulumtimesh të holla e të gjata janë saktësuar, me metodën e krahasimit me fotot e tjera , me pyetjen e pasardhëve e të afërmve të personave që janë në foto, prania e emigrantëve atdhetarë shqiptarë nga krahina e “Vakëfëve”të cilët përbënin pleqësinë e zgjedhur atë ditë : kryetar z. Sotir Gjika, sekretar z. Naum Dishnica, anëtarë Llazar Kozma, Tasi Vangjeli dhe Jani Lubonja si dhe skraparlinjtë z.Brahim R.Basho, z.Dine Bërham Duçe, z.Sefer Prishta,z.Adem Qani Zabërzani dhe Hasan R. Rovica.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • 34-vjeçari rezulton i zhdukur prej 6 ditësh, dyshohet për ngjarje kriminale
  • GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg bashkëpunëtorin e drejtësisë
  • Telat me gjemba rrethojnë edhe Baks-Rrjollin në Velipojë
  • Irani dhe Izraeli ndalin sulmet, Trump: Jemi pranë një marrëveshjeje
  • Rama kapet sërish me influenceret: Nxisin racizëm ndaj emigrantëve filipinezë

Komentet e Fundit

  1. Leu on Shqipëria e bukur është në shesh
  2. AI on Shqipëria e bukur është në shesh
  3. Doktor Mortja on Detaje nga dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë në shesh, përplasje me të rinjtë e PD; Reuters jep live protestën
  4. Doktor Mortja on Rama: Projekti i Zvërnecit nuk do ndalet, pavarësisht protestave
  5. jetimet e 21 Janarit Nenat e femijeve Gerdecit,e Shqiperise on Rama kapet sërish me influenceret: Nxisin racizëm ndaj emigrantëve filipinezë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?