Nga Fani Bufi
Për romanin “Shtatori i gjëmës së madhe” kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit 2001, të shkrimtarit Skifter Këlliçi, botuar në shqip, ndërsa në italisht botuar me titullin”Shtatori Fatkeq” – shkrimtarja dhe kritikja letrare italiane Francesca Gallello “Veliero” shkruan kohët e fundit në disa gazeta dhe revista italiane:
“Shtatori Fatkeq është një vepër që ndërthur trillimin dhe kujtesën, e frymëzuar nga tragjedia e 11 shtatorit. Përmes personazheve imagjinarë dhe rindërtimeve narrative, Këlliçi na udhëheq mes hijeve të Kullave Binjake, brenda çasteve pezull të një dite që ndryshoi botën. Zëri i gazetarit Sokol Kama bëhet simbol i detyrës morale për të treguar, duke u dhënë dinjitet viktimave dhe duke e shndërruar heshtjen në dëshmi”.
1) VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM
Tek romani “Shtatori i gjëmës së madhe” autori Skifter Këlliçi i shmanget ndërtimit traditor të romaneve, si: hyrja, pikëlidhja, zhvillimi, pika kulmore, zgjidhja dhe mbyllja dhe na dhuron një ndërtim krejt ndryshe, si: pikëlidhja e menjëhershme, zhvillimi i ngjarjeve në lartësinë e pikës kulmore, pra zhvillohen ngjarjet si në një rrafshnaltë tejet të zgjatur deri në fund të romanit.
Në grafikun e emocioneve përngjan me grafikun e fjalisë pyetëse, e cila përfundon me intonacion të lartë. Çdo roman me ndërtim(kompozicion) të thjeshtë tek grafiku përngjan me grafikun e fjalisë dëftore, që fillon me intonacion të ulët, arrin pikën kulmore dhe gjatë zgjidhjes bie.
Tek ky roman, kur lexuesi përjeton tmerret e pikës kulmore dhe pret të bienë tensionet, që shkaktojnë emocione të larta, nuk bienë, ato mbeten në rrafshnaltën e pikës kulmore. Zhvillimet qëndrojnë kulminante në emocione.
Kompozicioni i ndërlikuar bën që lexuesi të përjetojë emocione të forta dhe ta çojë deri në fund leximin e romanit, në pritje të tmerreve, që mund të ndodhin. Të papriturat e shumta dhe të ndërlikuara, shtojnë interesin për të mësuar se çfarë do të ndodhë pas çdo çasti intrigues, se ç’zgjidhje do t’u japë autori ngjarjeve të reja shqetësuese me mëdyshjet e personazheve.
Në vështrimin e përgjithshëm romani ”Shtatori i gjëmës së madhe” mbetet një roman tepër tërheqës për lexuesin si për temën shqiptaro-amerikane që trajton, por edhe nga niveli letraro-artistik i paraqitjes në tërsinë e vet.
2)NIVELI I LIGJËRIMIT
Françeska shkruan: “Çdo fjalë është e përzgjedhur me kujdes, çdo skenë është ndërtuar për të lënë gjurmë. Nuk kufizohet vetëm në rrëfenja: denoncon”. Në të gjithë romanin”Shtatori i gjëmës së madhe” kushtuar ngjarjes gjëmëmadhe të 11 shtatorit 2001, kujtimit të 2981 viktimave tek Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, Nju Jork, autori ka përdorur një ligjërim të lartë dhe të tensionuar artistik të realizuar përmes sinonimeve të fjalëve të përdorura, të fjalëve të reja dhe ndërtimit sintaksor të fjalisë.
Ligjërimi i përpikët i personazheve të trevave të shqiptarisë, bëjnë lokalizimin historik dhe trevëror. Ligjërimi i Marko Muzakës për historinë e dhimbshme të shqiptarëve, pas vdekjesë së Skëndërbeut, na çon në More dhe në kolonitë arbëreshe në Itali. Po ashtu tregimet e Besmirit nga Kosova që lidhet me Martën nga Mali i Zi, na njohin dhimbshëm me luftën e shqiptarëve jashtë kufijve politik të Shqipërisë për të mbijetuar nga genocidi sërb dhe malazezë.
Endjet: Kosovë, Shqipëri, Greqi, Itali, Amerikë janë përshkruar me fjalor të pasur dhe me figuracion artistik, ndërkohë përdorimi i fjalëve krahinore në të dy dialektet, japin një tablo të gjallë të zgjuarsisë, guximit, papërulshmërisë, para çdo vështirësie, japin ruajtjen e dashurisë për vendlindjen me shpresën e madhe që të kthehen një herë në vendlindjen e dashur.
3) PENGMBLEDHJA E PRURJEVE KRAHINORE
Françeska shprehet: “Romani nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e 11 shtatorit: është një mozaik jetësh, emocionesh dhe kulturash që bashkohen në një moment tragjedie globale”. Pellgmbledhja e prurjeve të pesonazheve, tepër veprues në jetën e tyre në etapa të ndryshme historike brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, i japin romanit një frymëmarrje mbarë kombëtare.
Nëpërmjet tele-reporterit Stivi Ferguson, si personazh lidhës dhe përçues i veprimtarisë së dy shqiptarëve, realizohet subjekti i romanit në tërësinë e vet. Me veprimtarinë dhe historinë vetjake të personazheve shpaloset historia e dhimbshme në kohë të ndryshme, përfshirë edhe kohën e monizmit dhe të demokracisë së Shqipërisë. Zhaklina jepet me nota dhe tone tepër të qytetëruara, jepet si një punonjëse e përkushtuar, që nxit dhe hovon veprimet e personazheve.
Përpjekja për të realizuar një dokumentar mban gjallë gjithë zhvillimin e subjektit. Përjetimet e Zhaklinës në punë, në jetën shoqërore dhe atë dashurore rritin emocionet, ndërkohë çastet e bisedave bëhen më gazmore dhe të prekshme. Në përjetimet e saj lexuesi njihet dhe përjeton tmerret e fundit tragjik. Një kundërvënie e padëshiruar: dasmë-vdekje, antitezë tepër e dhimbshme, tragjike.

Marko Muzaka është arbëresh. Nëpërmjet këtij personazhi njihemi me historinë e dhimbshme të shqiptarëve të mërguar pas vdekjesë së Skënderbeut. Shumë shqiptarë për t’i shpëtuar terrorit të pushtuesve turq morën rrugën e arratisë. Me sjelljen në kujtesë, me ndjenja të forta dhimbjeje endjet për shkak të persekutimit, mbetet gjallë atdhetaria dhe përçohet brez pas brezi.
Besimi nga Kosova me rrëfimet e tij emocionalisht të dhimbshme shpalos egërsinë e genocideve sërbe, që synojnë pastrimin etnik të trevave të Kosovës me popullësi shqiptare.
Endja e dhimbshme e Besimit drejt Shqipërisë, e mbushur me zhgënjim në Jugosllavi, me besim se në Shqipëri do merrnin fund vuajtjet, nuk i dha kënaqësi, zhgënjimi në Shqipëri i dha goditjen më të madhe. Lidhja e Besmirit me Martën, vajzë nga Mali i Zi, i jep mundësi autorit, Skifter Këlliçi, të njehësojë mendimin famkeq të shpopullimit të trevave shqiptare edhe në Mal të Zi.
Endjet nga përndjekjet: Kosovë, Shqipëri, Greqi, flasin dhimbshëm për vuajtjet dhe tragjedinë e shqiptarëve në kohë të ndryshme të historisë së tyre. Shpërnguljet dhe degëdisjet e shqiptatëve nga trevat e tyre historike përshkruhen me një ligjërim të pasur në fjalor, me fjalë të reja dhe sinonime me kuptime të larmishme. Në ligjërimet e personazheve shkrimtari Skifter Këlliçi, ruan fjalorin krahinor për ta bërë romanin gjithëpërfshirës të trevave të shqiptarisë. Besim Istrefi nga Prishtina, Rrok Camaj nga Gruda, Marko Muzaka abëresh, gazetari Sokol Kama nga Tirana etj. janë prurje të një pellgmbledhjeje në mbështetje të temës shqiptaro-amerikane kushtuar ngjarjesë gjëmëmadhe të 11 shtatorit 2001.
Kohështrirja e veprimtarisë së përbashkët, e përshkruar me emocione të forta, i bënë më njerëzore marrëdhëniet midis tyre.
4)TË PAPRITURAT NË ROMAN
Françeska shkruan: “Historia e Steve dhe Jacqueline e ndërprerë në prag të martesës bëhet simbol i gjithë jetëve të ndërprera”.Të paprituat, gjatë zhvillimit të ngjarjeve në roman, sjellin emocione të shumta, të cilat të nxitin të vazhdosh leximin për të përjetuar e njohur sfidat për çdo ngjarje.
Në zhvillimet e përshkruara bukur të jetës së zakonshme me plotë vrull e përkushtim ndodh diçka e papritur. E papritura prish humorin, qetësinë dhe rrjedhshmërinë e çastit, shton dyshimin, trishtimin, frikën, se diçka s’po ecën mirë. Dyshimet e personazheve: Sokoli dhe Fetia, gjatë kontrollit të pranimit të udhëtarëve, shkjaktojnë, për çudi, përplasje me bosin. Ai do vetëm imazhin e mirë të kompanisë dhe nuk do të dijë për rrezikshmërinë, që u kanoset udhëtarëve. Bosi jo vetëm që nuk shqetësohet nga informacioni që merr, por i kërcënon për pushim nga puna.
Në kulmin e gëzimit dhe të haresë, kur po ngrihej dolli për dasmën e Stivit me Zhaklinën, gjat fluturimit në avion, ndodh e papritura makabre: terroristët sulmojnë. Çdo gjë përmbyset katrastrofikisht. Kur pasagjerët të befasuar kërkonin të dinin se çfarë po ndodhte, u gjendën para thikave dhe shisheve me sprait djegës. Kënaqësisë së udhëtimit dhe të dollive për dasmën e pritshme, befasisht, i shfaqet tmerri për jetë a vdekje. Këto dhe të papritura të tjera krijojnë drama shpirtërore tepër të dhimbshme.
5) MOSVLERËSIMI I TOLERIMEVE
Françeska: “Amerika multikulturore shfaqet si një tokë mikpritëse ku njerëz me origjina të ndryshme takohen dhe i rezistojnë fanatizmit”. Pakujdesia apo mosvlerësimi sa duhet i tolerimeve në rregulloren e pranimit të sendeve të udhëtarëve në pikën e kontrollir, solli gjëmën e madhe. Kontrollorët vërenin se futeshin brisqe jo më të mëdhenj sa fotodokumenti, shishe erëmbajtëse, që mund të shkaktonin viktima.
Dyshimet e Sokolit, të përshkruara me një hamendësim të rrezikshëm, nxjerrin në pah zgjuarësinë në vlerësimin e mjeteve që mund të abuzohej dhe tregojnë korrektësi në kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë. Mangësitë e rregulloresë përshkruhen në luftëmotivet e kontrollorëve, të cilët përjetojnë emocione të forta, që e bëjnë tepër tërheqës romanin.
Autori, Skifter Këllici, përjetimin e pasojave, që mund të vinin nga tolerimet, i përshkruan me ndjenja të forta dhimbjeje, të cilat e bëjnë tepër tërheqës romanin për lexuesin. Lexuesit, gjatë përjetimit të emocioneve, krijojnë simpati për kontrollorët e përpikët në detyrë. Bosit i janë errur sytë nga ruajtja e imazhit të mirë të kompanisë, ndaj e qorton dhe e kërcënon Sokolin.
Dyshimet e kontrollorëve qenë lajmëtare të gjëmës së madhe, që ndodhi tek kullat binjake. Luftëmotivet e kontrollorëve janë të gjalla plot ngarkesë emocionale, që tek lexuesi krijojnë respekt për ata punonjës të rregulltë në detyrë.
6)VAZHDIMËSIA E LARTËSISË SË EMOCIONEVE
Kush mendon se, me goditjen e kullave binjake, me përjetimin e dhimbjesë së madhe, ngjarjet e mëpastajme do të ulin emocionet, ato do të jenë në rënie të forcës së përjetimit, gabon. Fill pas tmerreve brenda avionëve, lindin ndjesi të reja tronditësre. Nuk ka rënie të kurbës së zhvillimit të ngjarjeve. Lufta për të mbijetuar fatkeqët në brendësi të kullave, ndesh me qëndresën e terroristëve, të cilët mashtrojnë dhe masakrojnë.
Tensionet mbeten të ngritura si në brendësi të kullave edhe në avionët e rrëmbyer nga terroristët. Lufta për jetë a vdekje e mban të ndezur ndjenjën e urrejtjes, e cila u jep forcë udhëtarëve të çajnë përpara për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë. Përshfaqja e përfytyrimit të ditës së dasmës tek Stivi në hotel, është përshkruar me nota kënaqësie dhe dhimbjeje. Përfytyrimi shërben si një mesazh për të vepruar në kohën e duhur, që në të ardhmen të mos përsëritet kurrë.
Përsa thamë në këtë shkrim, romani”Shtatori i gjëmës së madhe” duhet të lexohet, se ka vlera të mëdha gjithëkohore: terrorizmi mbetet një rrezik i përhershëm për çdo vend në botë.
Autori Fani Bufi është mësues në pension
nga Fieri që jeton në Boston
