Nga Brukseli për DITA
Dr. Jorgji Kote
Viti 2024 për Prishtinën dhe tematikën e Kosovës në përgjithësi pritej të ishte “ tërhiq dhe mos e këput“. Me zgjedhje të reja gjithandej – në Francë, Britani, Austri, Portugali, Holandë. Më 6 -9 qershor ishin zgjedhjet për Parlamentin Europian, më 5 nëntor zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe më 9 shkurt zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë. Plus janë dashur dhe duhen ende javë dhe muaj deri në emërimin e ekipeve të reja drejtuese në Bruksel, Uashington dhe Prishtinë.
Në këto kushte, natyrshëm që dhe politika në Kosovë shpresonte në një fillim të ri, me strategji, taktika dhe dinamika të reja perendimore dhe në dialogun me Serbinë. Sidomos mbas kërcënimeve dhe provokimeve serbe, peripecive politike, masave perendimore ndëshkuese ndaj Kosovës, etj.
Ca më tepër që veç pranimit si anëtar i asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, dhe ajo më shumë si « ngushëllim » për mospranimin në KiE dhe vetëm një njohje nga Izraeli në 5 vitet e fundit ka patur « fjalë të mira por gurë në trastë »
Ndërkohë që nuk ka fare vend për eufori të pabazuar. Ndonëse instalimi i ekipeve të reja drejtuese në Bruksel dhe në Uashington përbën një moment, i cili do shfrytëzuar në Prishtinë, por kjo më shumë për të ndryshuar optikën reale të vlerësimit të situatave dhe pritshmërive konkrete nga ndërmjetësuesit e rinj.
Mirëpo ky ndryshim i domosdoshëm në qasjen strategjike të SHBA-ve dhe të BE-së kërkon që të hiqet dorë nga mënyra dëshirore e këndvështrimit të gjërave në Prishtinë, si dhe nga gërvëret dhe cicmicet politike brenda vendit, sidomos me aleatët perendimorë dhe të intensifikohen demarshet diplomatike, me procedura më shumë se sa me parime. Mbi të gjitha, të veprohet në përputhje me të pamëshirshmen « Realpolitik », e cila po i rikthehet me theks të veçantë primatit të interesave politike, ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë afat-gjatë. Veçse kujdes, në Realpolitikën e sotme « s’ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme ».
Në këtë kuptim, bashkë me ekspertë të tjerë, në disa shkrime jam shprehur me kohë kundër strategjisë dhe diplomacisë naive “qetësuese dhe përkëdhelese“ amerikane dhe europiane ndaj Serbisë; duke e trajtuar atë “si të nënës, ndërsa Kosovën si të njerkës». Megjithatë, dhe veprimet e tyre më të fundit diplomatike në rajonin tonë tregojnë se SHBA-të dhe BE-ja do të vijojnë me këtë lloj qasjeje; kjo ndoshta sepse interesi strategjik « për ta patur grurë » me Beogradin dhe për ta mbajtur atë në « grazhdin » perendimor janë më të mëdha se vlerat Euro-Atlantike të Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshja BE – Serbi për litiumin, blerja e avionëve francezë “Rafael“ nga Serbia, lejimi i serbëve të Kosovës për të udhëtuar me pasaporta serbe në Europë, kundërshtimi kategorik i çdo veprimi të ligjshëm të Prishtinës zyrtare, përfshirë moslejimin e hapjes se urës së Ibrit për lëvizjen e automjeteve janë shembujt më të freskët për tendencën e mësipërme jo bindëse.
Nisur nga sa sipër dhe nga periudha zgjedhore amerikane, përfundimi i zgjedhjeve dhe krijimi i qeverisë së re në Kosovë, më poshtë po shpjegojmë komponentët kryesorë ku politikës dhe diplomacisë së Kosovës i kërkohet të tregojë kujdes shumë më të madh, pa krisje, gabime, mangësi, vonesa dhe pengesa.
Fillimisht le t’u rikujtojmë disa liderëve dhe analistëve politikë që nuk e njohin diplomacinë si praktikë se në marrëdhëniet ndërkombëtare gjërat nuk funksionojnë ashtu siç i duam ne apo ca më pak si në debatet dhe kacafytjet televizive. Aty diplomacia vepron “me frymë dhe me gërma“ dmth me preambula, ligje, rregulla, parime dhe procedura; ka protokolle, axhenda, formate dhe kufizime të caktuara për shtrimin dhe diskutimin e çështjeve të ndryshme gjeopolitike, sipas një radhe të caktuar, të miratuar bashkërisht mes palëve përkatëse.
Me një fjalë, kur një apo dy tema shtjellohen në forume dhe evente të caktuara, ato zyrtarizohen me firmë dhe me vulë në dokumentat e tyre për zbatim. Në çdo takim vijues, formulimet në fjalë shërbejnë si pika reference, jashtë të cilave nuk ka shans të dalësh “pa u lagur“. Po aq të vështira janë ndryshimet apo anullimi i një vendimi, sepse duhet pëlqimi i gjithë vendeve që kanë firmosur dhe vulosur.
Aq më tepër se në jo pak raste, zëri i vendeve tona të vogla dhe pa fuqi reale gjeopolitike nuk është se dëgjohet e ca më pak të miratohet. Pa përmendur rastet kur përplasja e interesave dhe inateve politike të palëve të ndryshme në një proces na kapin të papërgatitur për të vepruar deri sa kujtohemi « si kofini pas të vjelave ».
Veç kësaj, politika dhe diplomacia ndërkombëtare veprojnë duke akomoduar pozicionet dhe qëndrimet e shumë palëve. Që të mos krijohen precedentë negativë, me të cilat vetë Perëndimi mund të pësojë « autogol politik» siç dhe i ka ndodhur.
Dhe tani le të rikthehemi te emisarët dhe ndërmjetësuesit e rinj për dialogun Prishtinë – Beograd që pritet të miratohen së shpejti. Vërtet që ata mund të ndikojnë me një frymë dhe shpresë të re, me taktika dhe përqasje të ndryshme veprimi nga parardhësit e tyre; gjithsesi, prej tyre nuk mund dhe nuk ka pse të shpresohet për ndonjë ndryshim drastik për dy arësyet e mëposhtëme :
Së pari, SHBA-të, BE-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare shquhen nga parimi i vazhdimësisë në veprimtarinë e tyre. Ciladoqoftë strategjia e re dhe njerëzit e rinj, ata do të mbështeten fort në zbatimin e ideve/vendimeve të mëparshme. Kësisoj, ndonëse do të ketë ndryshime të lehta, ato nuk do të prekin thelbin e një procesi.
Së dyti, SHBA-të, BE-ja dhe aktorë të tjerë gjeopolitikë veprojnë mbi bazën e Konsensusit. Konkretisht për dialogun Prishtinë – Beograd ka një dakordësi të plotë dhe të konsoliduar brenda tyre dhe më gjerë mbi zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit. Çka do të thotë se tani që Zonja Kallas zëvendëson Borrellin dhe do të caktojë negociatorin e ri, mbasi të mbarojë « muaji i mjaltit » dmth takimet e kortezisë me liderët e Beogradit dhe Prishtinës, me fjalë të bukura dhe eufemizmat e rastit, ata do të ulen në tryezat e punës dhe do të hapin « defterët e vjetër diplomatikë » Aty do të ndeshen me realitetin e vështirë, me kërkesat e ndryshme dhe sidomos njohjen « de fakto « e Kosovës nga Serbia dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Prishtina. Dhe, nëse do u kërkohet ta fshijnë njohjen « de fakto » apo asociacionin, ndërmjetësuesit e rinj do të thonë me mirësjellje se këtë nuk e kanë në dorë ata, por do tua rekomandojnë të 27 vendeve anëtare për gjykimin përkatës; dhe kështu, ata bashkë me krerët e BE-së do t’u referohen sërish dokumentave të vjetra të « vulosura » prej tyre!
Krahas emisarëve të tjerë të lartë perendimorë, këtë referencë retrospektive dhe Asociacionin si kusht dhe për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, e thanë troç dhe me zë të lartë në Prishtinë javën e kaluar Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit James C. O’Brien dhe Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen.
Për pasojë, për Prishtinën mbeten dy alternativa: e para, të ndërmarrë aventurën e madhe me një lobim të fuqishëm në të 27 vendet anëtare e sidomos në ato kundërshtare dhe te SHBA-të për ta hequr Asociacionin nga dokumentat e miratuara. Në përfundim të kësaj fushate lobimi, do të ketë një Samit me synimin pë realizimin e kësaj kërkese. Mirëpo nisur nga sa sipër, kjo do të jetë tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur, sidomos kur mendon dhe 5 vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën ose janë aleate me Serbinë. Ato do të kundërshtojnë me pyetjen retorike se çfarë ka ndodhur që të justifikohet një masë e tillë, pse duhet bërë kjo dhe çfarë avantazhi krijon për Kosovën por dhe Serbinë?
Të mos flasim pastaj për njohjet e reja që do mbeten në vend numëro, siç ka ndodhur deri tani!
Alternativa e dytë, dhe më e lehtë për t’u realizuar është politika dhe diplomacia në Prishtinë, pa cënuar apo tradhëtuar asnjë parim dhe vlerë, të fillonte e të merrej me procedurat teknike të rastit lidhur me Asociacionin. Më konkretisht, të shqyrtojë me kujdes tekstin e propozuar nga aleatët tanë kryesorë, duke tërhequr mendimin e ekspertëve vendas dhe të huaj, të bëjë konsultime, ta çojë dhe te Komisioni i Venecies për opinion dhe në fund në Gjykatën Kushtetuese, si projekt të qeverisë. Natyrisht me garancitë e nevojshme nga aleatët tanë se ky Asociacion, gjithnjë në tentativë, nuk do të çojë në një Bosnie të dytë.
Sigurisht që kjo do të kërkojë kohën e vet, por më mirë kështu me procedura, ama duke dhënë mesazhin se Prishtina po lëviz, çka do të mirëpritet dhe nga aleatët.
Mbas kësaj dhe disa lëvizjeve të tjera, të ndryshme nga disa veprime në të kaluarën të pakonsultuara me aleatët, ca më tepër në kushtet e rreziqeve reale të sigurisë, Kosovës me siguri do t’i çeleshin shtigjet, do t’i hiqen masat ndëshkuese, do të rritet goxha imazhi i saj ndërkombëtar dhe ajo do të vijonte përparimin kudo. Kjo u pa qartë me rastin e heqjes se pengesave ndaj importit të mallrave serbe në kuadrin e CEFTA-s dhe Procesit të Berlinit, çka ndikoi ndjeshëm në zbutjen e qëndrimeve perendimore ndaj Kosovës; por vetëm aq nuk mjafton për më tej.
Kësisoj, Kosova e sidomos qeverisja e saj do të rifitonte simpatinë le ta themi shqip, të aleatëve tanë, e cila ka rënë jo pak vitet e fundit, duke dalë përpara Serbisë në lëvizjet e saj politike integruese. Kështu, “topi” do të zhvendosej te porta serbe dhe Prishtina do merrte frymë lirisht për ecurinë e saj të mëtejshme Euro-Atlantike.
Ndërkohë, ka shumë të ngjarë që Serbia të mos e pranojë versionin e miratuar të Asociacionit, sidomos dhe me trysninë e shtuar për njohjen « de fakto » të Kosovës. Atëhere “dopjo gjashta” diplomatike do t’i mbetej në dorë Beogradit.
Ndryshe, vazhdimi i qëndrimeve të pa bashkërenduara me aleatët, me sofizma ligjorë dhe kushtetues që nuk ngjitin te aleatët tanë, sado të drejta qofshin argumentat dhe justifikimet vetëm se do ta ndërlikonin procesin, duke u bërë pengesë për realizimin e synimeve madhore për Prishtinën e sidomos anëtarësimin në KiE, UNESCO, Interpol, BE dhe në NATO.
Kjo nuk do të thotë se po cënohet sovraniteti i shtetit të Kosovës, përkundrazi. Pastaj, të mos harrojmë se SHBA-të dhe BE-ja si fuqi të mëdha kanë përgjegjësi të mëdha, ndaj dhe bëjnë politika akoma më të mëdha. Mirëpo, dashje pa dashje, duke u thënë aleatëve tanë “ hajt baba të tregoj arat” dëmtohet kohezioni perendimor dhe i jepet municion Serbisë “për të treguar gishtin“ nga Kosova.
Ndaj është koha të reflektohet drejt, duke mos menduar se këto veprime dhe veçanërisht Asociacioni do të harrohen nesër pasnesër apo se aspektet e lartpërmendura delikate do të lihen pas dore nga aleatët tanë. Përkundrazi, drejtuesit dhe ndërmjetësuesit e rinj në Bruksel, Uashington dhe gjetkë do të vazhdojnë t’u referohen “letrave/ dokumentave të vjetra zyrtare ”; ndërsa Kosova mund të vonojë dhe të vuajë dhe më shumë për të kapur kohën e humbur në drejtimet që u përmendën më lart; për të mos thënë se do t’i duhet kohë e gjatë që të ç‘bëjë “ JO”-në e aleatëve për disa nga veprimet e saj; sidomos tani kur ata, veç zgjedhjeve presidenciale amerikane kanë plot telashe në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, krizën e azilit të paligjshëm dhe përshkallëzimin e ekstremizmit të djathtë.
Ja pse, lëvizjet e kohëve më të të fundit të Prishtinës zyrtare, pragmatizmi më i madh dhe zbutja e retorikës së saj diplomatike në kontaktet dhe komunikimet me përfaqësuesit e aleatëve perendimorë japin rast dhe besim për optimizëm të moderuar. Me sa duket po kuptohet drejt se pa bashkërendimin e hapave dhe veprimeve politike me aleatët perendimorë, edhe rezultati më i lartë në zgjedhjet e reja parlamentare të 9 Shkurtit në Kosovë mund të ishte “fitore si ajo e Pirros“!
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Jorgji Kote.
Albin ta tha troc.Nuk ka Association .
Lexo dhe letren e ish presidenti Carter. Ne se behet duhet ne perputhje me kushtetuten e Kosoves.
Jane koka qe kushtetuta eshte baze e shtetit.Ashtu jane formuar qe ne djep.
Zotrote Kote,mbylle sqepin dhe mos fut hundet ne Kosove.
Kosova eshte e kosovareve dhe ata po I dalin zot.
Mbase ke te drejte z.Kote por harron nje gje: DINJITETIN
Nuk e kemi pasur kurrë ne raport me keta te huajt.
Kosova dhe Kurti po e kane se fundmi.
E pune e madhe se do ti detyrojne me force te bejne ate qe nuk duan ta bejne.
Me mire te vdesesh duke luftuar se te jetosh duke u përunjur
E shikoni perpjekjen e fundit te serbeve?
” Kosova zone e vecante….”
E shikoni si po hidhen ne skene sherbetoret e te huajit antishqiptare?
Sa para ke mare z.Kote nga serbi per kete shkrim?
Serbi te haroje Kosoven.Djemte e UCK qe u vrane per Kosoven nuk u vrane kot.
Ate kufirin e Kosoves me Serbin e vuri Amerika dhe jo Clinton dhe ajo nuk leviz.
Zoti Kote!Associacione s`ka.Kaq ta besh dhembin.
Ne Stanin e tyt eti dhe ne Sigurimin e Shtetit,me shume urrehej Kosova,se ujku qe sulmonte Stanin.
Ju me serbet jeni vellezer Ideali. Shyqyr qe nuk keni ushtri,se do ta sulmonit Kosoven nga Morina.
Zoti Jorgji , nje diplomat profesionist i rregjur , me pervoje te pasur e te vlefshme , nga e cila duhet te mesojne diplomatet e rinj , qofshin ata edhe k/ministra si Edi Rama , Albin Kurti e shume te tjere . Te jemi realiste e me kembe ne toke , se historia nuk perseritet . Nuk duhet lejuar ne asnje menyre te na shpetoje nga duart “zogu” qe fati i shumepritur na i solli ne dore .
vini daullen ne koke! Jo fati.Kosova nuk eshte bixhoz.Shteti Kosoves nuk eshte fat..Eshte gjak e tortura 200 vjecare.Lexo Leon Trockin,se keto te rejat i gjen vete. Serbise do t`i binte me kollaj te krijonte associacione ne Zonen e pare Operative dhe ne ish Cifligun e Esad pashes,sepse do gjente edhe perkrahjen e popullsise serbodashese.