Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar raportin e parë në lidhje me rrezikshmërinë e ëmbëlsuesit artificial që përdoret gjerësisht në botë, i quajtur aspartame.
Në raportin e OBSH-së thuhet se aspartame ka të ngjarë të lidhet me sëmundjet kancerogjene dhe se duhet të konsiderohet “ndoshta përbërës kancerogjen”.
Aspartame përdoret në produkte të ndryshme, nga pijet e gazuara dietike Coca-Cola, te çamçakëzët, akulloret dhe pastë dhëmbësh.
“Gjetjet e provave të kufizuara të kancerogjenitetit tek njerëzit dhe kafshët, dhe e provave të kufizuara mekanike se si mund të ndodhë kancerogjeniteti, nënvizojnë nevojën për më shumë kërkime për të përmirësuar të kuptuarit tonë nëse konsumimi i aspartame përbën një rrezik kancerogjen”, tha Dr Mary Schubauer- Berigan i programit të Monografive të IARC.
Ndërkaq kategorizimi i ëmbëlusesit artificial si “kancerogjen” nuk merr pastaj parasysh nëse konsumohet pak apo shumë nga ky ëmbëlsues pasi cilësohet i rrezikshëm në çdo sasi.
Priten të zhvillohen kërkime të tjera për të patur një koncept më të qartë në lidhje me rrezikshmërinë e ëmbëltuesit.
Vendime të ngjashme të IARC në të kaluarën për substanca të ndryshme kanë ngritur shqetësime tek konsumatorët për përdorimin e tyre duke çuar në padi dhe presion ndaj prodhuesve që të rikrijojnë receta alternative.
Kjo ka çuar në kritika nga industria ushqimore se vlerësimet e IARC mund të jenë konfuze për publikun.
Çfarë është aspartame?
Aspartame është një ëmbëlsues artificial i zhvilluar për herë të parë në vitet 1960 – krejtësisht rastësisht – dhe u hodh në treg rreth 20 vjet më vonë.
Është afërsisht 200 herë më i ëmbël se sheqeri.
Kjo do të thotë se nevojitet më pak gram sesa sheqeri për të arritur të njëjtin rezultat të ëmbël, që do të thotë se produktet që e përmbajnë atë priren të jenë më pak kalorifike.
Ndryshe nga sheqeri i zakonshëm, ai nuk rrit nivelin e sheqerit në gjak, duke e bërë atë një alternativë të dobishme për diabetikët.
Kimikisht, aspartami përbëhet nga tre substanca – acidi aspartik (40 përqind), fenilalanina (50 përqind) dhe metanoli (10 përqind).
Ku gjendet?
Aspartami shtohet qindra produkteve që tregtohen si “dietë” ose “pa sheqer”.
Shembujt më të famshëm janë Diet Coke. Cola Zero dhe Dr Pepper, si dhe çamçakëz pa sheqer.
Shembuj të tjerë përfshijnë kos dhe pelte me pak yndyrë.
Konfuzionet fillestare në lidhje me aspartame
Ka pasur një konfuzion rreth aspartame që në fillim. Në vitin 1974 , FDA miratoi përdorimin e aspartame në disa ushqime dhe pije, por vendimi u pezullua për disa vite për shkak të disa studimeve kontradiktore , kundërshtimeve ndaj miratimit të tij dhe pyetjeve në lidhje me vetë studimet fillestare. Disa shkencëtarë ishin të shqetësuar kur një studim i hershëm te kafshët tregoi se aspartame mund të ketë shkaktuar tumore të trurit te minjtë.
Vetëm në vitin 1981, pas një hetimi të plotë, FDA më në fund lejoi tregtimin e aspartame në ushqime të thata. Atë vit, Komiteti i Ekspertëve të FAO/OBSH për përcaktoi parametrat për një konsum të pranueshëm ditor.

j.l./ dita
