Nga Fatos Tarifa
Ka kohë që nuk më pëlqen mënyra se si e drejton qeverinë e këtij vendi Edi Rama, por nuk do të doja të shihja nesër një qeveri të drejtuar nga kjo opozitë që kemi sot. Një opozitë që nuk di të sillet si opozitë, nuk premton se do të dijë të sillet më mirë nëse merr në dorë drejtimin e qeverisë.
Kemi 33 vite që japim e marrim t’i transformojmë vendin dhe shoqërinë tonë. Plot një e treta e një shekulli. Arritjet e derisotme janë të shumta dhe s’mund të mohohen, por këto arritje komprometohen rëndë nga një klasë politike protodemokratike, e korruptuar deri në palcë, dhe nga një sistem politik që vetëm në formë mund të quhet demokratik, por që realisht nuk është dhe nuk funksionon si i tillë.
Berisha, një opozitë 200 metra dhe protesta e fundit e saj
Nëse shkakun kryesor të kësaj gjendjeje do ta kërkonim te një individ i vetëm, ky, për mendimin tim, është Sali Berisha. Edhe individë të tjerë kanë luajtur në këtë periudhë një rol regresiv në procesin e demokratizimit të vendit, por Berisha ka qenë e mbetet figura politike më negative e më problematike. Këtë njeri, për më shumë se tri dekada, e kemi pasur e vazhdojmë ta kemi nëpër këmbë si një ferrë gjembaçe që pengon ecjen përpara të një vendi dhe të një populli që duan të ngrihen përtej horizontit të ngushtë të së shkuarës dhe t’i bashkohen familjes europiane.
Dy ditë më parë Berisha organizoi një tjetër “protestë”. Me atë protestë ai tha (jo për të parën herë) se nisi një “revolucion paqësor”, i frymëzuar nga Mahatma Gandhi, për të përmbysur një qeveri socialiste të Edi Ramës në mandatin e tij të tretë (Ghandhi udhëhoqi një lëvizje për pavarësinë e Indisë nga sundimi kolonial britanik).
Këtë “revolucion” Berisha e ka nisur dhe rinisur disa herë kohët e fundit, por ka humbur gjithnjë e më shumë “revolucionarë” nga ata që për një kohë të gjatë i besonin dhe e ndiqnin pas. Këtë herë, qytetarët që protestuan në bulevardin para kryeministrisë ishin më të paktët që kemi parë të protestojnë me Berishën—dhe për Berishën—vitet e fundit. Këtë herë opozita nuk ishte më shumë se 200 metra linear bulevard. Disa thanë se ishin rreth 10,000 protestues, por dronët e televizionit Report TV që e filmuan këtë protestë dëshmuan se ishin shumë më pak se sa kaq.
Çfarë ndodhi atë ditë nën “komandën e bashkuar” të Sali Berishës e të Ilir Metës nuk ishte as protestë, as demonstratë dhe, aq më pak, preludi i një “revolucioni paqësor”. Folën Berisha dhe Meta, folën edhe gjashtë a shtatë të tjerë. Askush prej tyre nuk tha ndonjë gjë që s’e kishin thënë më parë, asgjë që t’u ngjante thirrjeve për revolucion, veç refrenit shumëvjeçar “Rama ik!”. Pas dështimeve të shumta në vitet e qeverisjes së tyre, Berisha dhe Meta nuk kishim më asgjë se çfarë t’u premtonin qytetarëve shqiptarë. Ata nuk thanë asgjë që do të mund t’u ngjallte qytetarëve të këtij vendi shpresë dhe do i frymëzonte e mobilizonte ata për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.
Çdo fjalë që thanë Berisha dhe Meta në atë protestë kishte aromën dhe peshën e gënjeshtrës. Thirrjet e tyre ishin bajate, shumë bajate. Bajate deri në bezdi, madje edhe kur thirrje të ngjashme dolën nga goja e një studenteje, e cila, podiumin e asaj proteste e shfrytëzoi si një skenë për të recituar prozën poetike të saj. Kjo bezdi u vu re në mungesën thuajse të plotë të entuziazmit te njerëzit që kishin dalë të protestonin atë ditë.
Ku ishe? Hiç gjëkundi!
Ah, jo. Pas asaj “proteste”, Berisha, këtë herë pa Metën, mori rrugët e Tiranës. U soll si kali në lëmë. Bëri një shëtitje krejt të pakuptimtë rreth e qark qendrës së kryeqytetit—nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, te Akademia e Shkencave, te sheshi pas ministrisë së Brendshme, te hyrja e Bashkisë së Tiranës dhe, më në fund, te Banka e Shqipërisë, prej nga iu drejtua me disa fjalë të përçarta mureve dhe dritareve të selisë së Partisë Socialiste.
Mesazhi i Berishës nga trotuari përballë selisë së PS-së nuk ishte për qytetarët protestues, as për “popullin demokrat”, por për ata që ai i cilësoi si “të dashur socialistë të ndershëm”! Berisha e nisi përçartjen e tij me këto fjalë: “O shokë socialistë!”!!! Një thirrje kjo që psikanalistët do e shpjegonin si një element i pavetëdijshëm në ndërgjegjen dhe kujtesën e Berishës për të shkuarën e tij komuniste, nga e cila ai nuk u nda kurrë—dhe nuk do të mund të ndahet sa të jetë gjallë.
Sa groteske e gjitha kjo! Me pak fjalë, “protesta” e fundit e Berishës (ajo nuk qe aspak një protestë e opozitës së vërtetë shqiptare dhe aq më pak një protestë e “popullit opozitar”) nuk ishte as masive, as imagjinative, as efektive, as frymëzuese. Ajo thjesht u bë, ndodhi. Por nuk prodhoi asgjë. As ndryshim, as shpresë.
Çfarë nuk di opozita që unë e di
Ka kohë që Berisha dhe ata eksponentë të Partisë Demokratike që i shkojnë pas (shumë prej tyre mezi presin fundin e tij për hesap të karrierës së tyre) përpiqen ta rrëzojnë qeverinë socialiste të z. Rama. Por nuk kanë mundur dhe duket se nuk do të munden dot t’ia arrijnë këtij qëllimi me ato mënyra dhe mjete që përdorin.
Ka një mënyrë për ta bërë kryeministrin Rama të dorëhiqet, por opozita këtë nuk e di. Unë e di, por nuk dëshiroj t’ua them pasi, edhe pse ka kohë që nuk më pëlqen mënyra se si e drejton qeverinë e këtij vendi Edi Rama, nuk do të doja të shihja nesër një qeveri të drejtuar nga kjo opozitë që kemi sot. Një opozitë që nuk di të sillet si opozitë, nuk premton se do të dijë të sillet më mirë nëse merr në dorë drejtimin e qeverisë.
Partitë si pronë private e kryetarëve
Një lider opozitar që partinë e tij e konsideron si të ishte prona e vet, nëse fiton në zgjedhje do ta shohë edhe qeverinë si pronën e vet dhe do të sillet me të si të ishte prona e vet.
Kësaj sindrome nuk i ka shpëtuar dot as Edi Rama. Që kur mori në dorë drejtimin e Partisë Socialiste afro dy dekada më parë, Rama e ka trajtuar këtë parti, që është partia politike më e madhe në Shqipëri dhe që në këta 33 vite e ka drejtuar këtë vend për pjesën më të madhe të kohës, si të ishte prona e vet, jo prona atyre mbi 100 mijë socialistëve shqiptarë dhe e atyre qindra mijëra qytetarëve që kanë votuar dhe votojnë për të.
Ashtu si Berisha me Partinë Demokratike, Rama ka bërë me Partinë Socialiste çfarë ka dashur dhe si ka dashur ai vetë. Partia—pronë e kryetarit të saj! Partia—kryetar! (Majakovski: Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini; kur themi Lenini nënkuptojmë Partia). Ky mentalitet bolshevik dhe kjo praktikë politike kanë qenë dhe mbeten ndër patologjitë më rënda të tranzicionit demokratik në Shqipëri.
PD e Berishës! PS e Ramës! PL (LSI e djeshme) e Metës! PR e Mediut! Disa kryetarë partish madje edhe i kanë shitur partitë e tyre (Partinë Agrare Ambientaliste apo Partinë Social-Demokrate) si t’i kishin, në kuptimin më real të fjalës, mallin apo çifligun e vet (dhe të tjerë i kanë blerë). Kanë shitur jo thjesht logon, vulën dhe historinë e partisë, por anëtarësinë e saj, pra kanë “shitur” qytetarët që u kishin besuar drejtimin e partisë së tyre. Partitë, si mall në tregun politik, kryetarët e tyre i mbajnë për sa kohë përfitojnë prej tyre dhe mund t’i shesin, ose t’i japin hua (këtë bëri Berisha me Partinë Demokratike kur drejtimin e saj ia dha Lulzim Bashës në vitin 2013) nëse kështu përfitimi i tyre është më i madh, edhe pse llogaritë mund t’u dalin gabim.
Përvoja e tri dekadave të fundit ka dëshmuar se kryetarët e partive politike nuk mendojnë për partitë që drejtojnë dhe për shërbimet e tyre në të mirë të interesit publik, të demokracisë dhe të interesit kombëtar, por kryesisht për interesat e veta. Për këtë arsye ata nuk i duan dhe i largojnë ata individë që mendojnë ndryshe, ose që i shohim si rivalë të mundshëm dhe si rrezik për ta. Në asnjë rast nuk kemi parë që kryetarët “historikë” të partive politike të kenë mbështetur e inkurajuar liderë të rinj. Të rinjtë vizionarë dhe me aftësi drejtuese i trembin kryetarët e vjetër të partive.
Partitë si ‘mburojë” për kryetarët e tyre
Fatet e Berishës dhe të Metës janë tashmë të përcaktuara dhe dihen. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk i duan ata. Edhe vetë ata e dinë këtë, por nuk duan ta pranojnë që fundi i bëmave të tyre “heroike” të ishte i tillë, i deheroizuar, ose edhe më keq. E vërteta i tremb. Ata qëndrojnë në politikë dhe në krye të partive “të tyre” nga frika, pa pasur asgjë të re që të mund t’i ofronin këtij populli dhe këtij vendi veç destabilitetit.
Unë mendoj se edhe Rama qëndron në politikë jo sepse mund të bëjë më shumë për këtë popull dhe për këtë vend, por sepse ka frikë. Politika për këta kryetarë partish është një lloj mburoje, ose të paktën kështu besojnë ata.
Nuk janë pasioni apo idealizmi që i mbajnë Berishën (fatkeqësisht edhe Ramën), Metën apo Mediun në krye të partive “të tyre”, por është frika—frika nga pasojat e sigurta ose të mundshme për gabimet që kanë bërë, shumë herë duke shkelur ligjet, ose për gjërat që nuk kanë bërë mirë. Dhe një politikë që motivohet nga frika e jo nga vizioni, jo nga ndershmëria, jo nga dobia publike dhe interesi kombëtar, nuk mund të sjellë ato ndryshime pozitive që qytetarët i aspirojnë dhe i kërkojnë.
Opozita si pasqyrë për qeverinë
Për fatin e keq të saj por, në radhë të parë, për fatin e keq të të gjithëve ne, qytetarëve të këtij vendi, opozita e sotme, e drejtuar nga Berisha dhe Meta, dy figura të djegura të së shkuarës, po i shërbejnë një qeverisjeje jo të mirë të Partisë Socialiste. Në çdo vend demokratik, cilësia e qeverisjes përcaktohet në një masë të madhe edhe nga cilësia e partive opozitare dhe nga qëndrimet e tyre.
Kjo opozitë, përveçse nuk i ka dhënë e nuk i jep vetes mundësi për të zgjeruar elektoratin e saj dhe për të marrë në dorë, përmes zgjedhjeve të lira, drejtimin e vendit, ia ka bërë shumë më të lehtë kryeministrit Rama të qeverisë siç ka dashur ai, pa u penguar dhe pa u rrezikuar nga kritikat e opozitës, pa pyetur për interesat e qytetarëve, pa dëgjuar sugjerimet e ekspertëve, madje edhe duke e nëpërkëmbur kabinetin e tij qeveritar.
Kur Partia Socialiste fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, premtimi i parë që z. Rama, si kryetar i saj, u bëri qytetarëve shqiptarë ishte se ai do të qeveriste me ekip, pra me të gjithë anëtarët e kabinetit të vet. Ajo që kanë dëshmuar më qartë se çdo gjë tjetër këto dhjetë vite të qeverisjes së tij është fakti se Rama ka qeverisur i vetëm, madje duke ushtruar kontroll të plotë edhe mbi grupin parlamentar të Partisë Socialiste dhe tërësisht jashtë kontrollit të parlamentit.
Unë do të veçoja një a dy prej anëtarëve të kabinetit të tij për punën e tyre të mirë në dikasteret që kanë drejtuar, por pjesa më e madhe e ministrave në të tre kabinetet e kryeministrit Rama kanë qenë thjesht përcjellës dhe zbatues të urdhrave të tij, pa pasur ata vetë ekspertizën e duhur, pa bërë sugjerime që do të përmirësonin vendimmarrjen dhe punën e qeverisë, pa guxuar të shprehnin një mendim të ndryshëm nga ai i kryeministrit, kur shihnin se punët nuk shkonin mirë në sektorët e tyre. Rrallë herë ka ndodhur që ndonjëra ose ndonjëri prej tyre të dorëhiqet me dëshirën e vet.
Personalizimi i qeverisjes
Rama sot, ashtu si Berisha dje, e ka personalizuar qeverisjen. Ai vërtet ka një kabinet qeveritar që punon për të, por në shumë raste është ai që bën edhe ministrin e jashtëm, edhe ministrin e kulturës, edhe atë të turizmit, edhe atë të arsimit, edhe atë të bujqësisë, edhe atë të energjisë—me fjalë të tjera, Rama bën siç di vetë dhe vendos siç do vetë për çdo gjë. “Ekipi” apo “skuadra” qeverisëse ka mbetur thjesht një metaforë. Qeverisja e tij është, në fakt, qeverisje e një personi të vetëm, ose një administrim personal i punëve të qeverisë. L’état, c’est moi, thoshte Luigji XIV. Për Ramën, ai dhe vetëm ai është qeveria.
Kjo është arsyeja pse disa kohë më parë jam shprehur se një qeverisje e tillë rrezikon krijimin e një “despotizmi kryeministror”. Praktikat qeverisëse të z. Rama si dhe qëndrimet narcisiste e arrogante të tij për shumë çështje e kanë dëmtuar imazhin e tij publik dhe punën e qeverisë.
Një këshillë për zotin Rama
Si shumë intelektuale të tjerë që njoh—edhe ata të majtë si unë—me të cilët diskutojmë shpesh për çështje të politikës, do ta këshilloja z. Rama të mendonte e të përgatitej jo për mandatin e tij të katërt si kryeministër (edhe pse do të doja që Shqipëria të vazhdonte të qeverisej nga socialistët), por për largimin e tij nga posti i kreut të qeverisë. Jo sepse këtë ia kërkon opozita, e cila, e paaftë që t’i mundë socialistët në zgjedhje, ka kohë që i thotë Ramës “ik”, por për të mirën e qeverisjes së këtij vendi, për të mirën e rinisë së tij dhe për të mirën e vetë zotit Rama, nëse do që të mbahet mend për mirë si kryeministër.
Edhe pse Rama nuk është Berisha ose Meta, madje as që mund të krahasohet me ta, ai, gjithashtu, është i konsumuar politikisht në sytë e një pjese të madhe të publikut, madje edhe të një mase të gjerë votuesish socialistë. Afro një çerek shekulli në pozita drejtuese shtetërore në nivel qendror e lokal, mbi 17 vite në krye të partisë politike më të madhe të vendit dhe një dekadë në krye të qeverisë të konsumojnë, të korruptojnë, ose të bëjnë miop ndaj korrupsionit në qeverinë që ti drejton dhe, sado i fortë të dukesh, të dobësojnë, të zvogëlojnë e të zhvlerësojnë.
Vetë Rama ndoshta nuk arrin ta kuptojë këtë, ose nuk do që ta besojë e ta pranojë. Sidoqoftë, skandalet për të cilat flitet gjerësisht në media e në publik dhe, sidomos, vjedhjet monstruoze të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në të tre kabinetet qeveritarë që ai ka drejtuar nga viti 2013, e implikojnë rëndë z. Rama dhe e bëjnë atë tërësisht të përgjegjshëm moralisht dhe politikisht. Gjithçka ka ndodhur e ndodh nën hundën e kryeministrit. Çdo kryeministër i një vendi demokratik do të kishte pranuar përgjegjësinë e vet pas skandaleve të tilla dhe do të kishte lënë detyrën.
Rama nuk ka arsye të hezitojë të japë dorëheqjen nëse nuk i trembet të qenit pa pushtet. Për më tepër, ai nuk ka pse të merakoset shumë për të ardhmen e Partisë Socialiste pa të në krye të saj. Nëse deri më sot nuk kemi parë asnjë socialist, përveç Erion Veliajt, që do të jepte shpresë për ta çuar përpara këtë parti dhe do ta mbante atë në pushtet, kjo ka ndodhur për shkak se Rama vetë nuk ka dashur dhe nuk ka lejuar askënd të matej me të. Kjo, sidoqoftë, nuk mund të vazhdojë kështu edhe më gjatë.
Thelbi i krizës
Nëse shoqëria shqiptare është sot në krizë, kriza e saj nuk është kryesisht ekonomike, por një krizë morale, madje një krizë morale e thellë, që shprehet si një krizë besimi.
Nëse demokracia në këtë vend është në krizë, kriza e saj është jo një krizë parimesh apo institucionesh, por një krizë lidershipi. Ajo ka qenë një krizë lidershipi qysh nga fillimet e tranzicionit tonë demokratik. Një krizë lidershipi në të gjitha nivelet. Mbajeni parasysh këtë sa herë shkojmë në zgjedhje! Njerëzit që zgjedhim janë ata nga të cilët varen cilësia dhe efektiviteti i institucioneve demokratike, fatet tona dhe mirëqenia jonë si qytetarë të këtij vendi, si edhe vetë fatet e shoqërisë sonë.
Nëse duam të vazhdojmë të kemi një kakistokraci, le të vazhdojmë të zgjedhim njerëz të paditur (siç janë një pjesë e madhe e anëtarëve të parlamentit që kemi), ata që vjedhin, ata që nuk duan të punojnë për ne por shohim interesat e veta.
Nëse duam të kemi një demokraci që të funksionojë dhe një ekonomi që të garantojë rritjen e mirëqenies sonë, le të zgjedhim më të diturit, më të ndershmit, më të mirët dhe t’u kërkojmë atyre llogari nëse punët nuk venë mirë.
Për mirë a për keq, zgjedhja e tyre është përgjegjësia jonë.
—-
Kjo analizë e sociologut të njohur është botuar në gazetën Dita tre vite më parë, më 12 shkurt 2023, por njëlloj mund të ishte shkruar edhe sot. E ribotojmë sot pasi problemet që ngrihen në të dhe kritikat që i bëhen si kryeministrit të vendit, ashtu edhe opozitës, janë krejtësisht aktuale
