Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se “nuk kemi arsye të festojmë” dhe se Serbia nuk ka arsye për eufori pas vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Në një konferencë për shtyp në Beograd Vuçiçi tha se vendimi nuk përcaktoi përgjegjësi për atë që ai i cilësoi si krimet më të rënda kundër serbëve dhe shprehu shqetësimin se vendimi mund të mos mbetet në fuqi pas procesit të apelimit.
Presidenti i Serbisë tha “Ne nuk kemi arsye as të gëzohemi e as të trishtohemi. Nuk është përcaktuar përgjegjësi për krimet më të rënda.” dhe kritikoi faktin që shumë krime të tjera të pretenduara kundër civilëve serbë nuk janë marrë parasysh, duke pretenduar se ekziston njëanshmëri kundër serbëve.
“Serbët janë gjithmonë kriminelë lufte, ndërsa të tjerët janë çlirimtarë dhe heronj,” tha presidenti serb, duke përsëritur akuzat e tij për njëanshmëri ndaj serbëve.
Kritika ndaj gjykatës
Vuçiçi kritikoi gjithashtu gjykatën, duke pretenduar se ajo shmangu konstatimin e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile, pasi, sipas tij, nuk dëshironte të cenonte besueshmërinë e UÇK-së.
Ai theksoi se ruajtja e paqes dhe stabilitetit mbetet prioriteti kryesor për Serbinë dhe u bëri thirrje palëve të përballen me të kaluarën përmes dialogut.
DW
