Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Për Ylli Micin, burrat në këtë foto dhe armët pa fund që kishte Shqipëria
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Për Ylli Micin, burrat në këtë foto dhe armët pa fund që kishte Shqipëria
AnalizaLajmi i fundit

Për Ylli Micin, burrat në këtë foto dhe armët pa fund që kishte Shqipëria

Published: March 12, 2024
Shpërndaje

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Më 7 mars, gazeta Dita, publikoi intervistën e rrallë me ushtarakun Ylli Mici, me origjinë nga Vlora, pedagog i Akademisë Ushtarake, i cili stërviti Adem Jasharin dhe grupin e Drenicës. Së bashku me intervistën gazeta botoi edhe foton, e cila, veç të tjerave, sjell edhe shumë dëshmi, që kanë të bëjnë me historinë e krijimit të UÇK-së, rriten e saj, por edhe rolin e Shërbimit Informativ të Gazidedes dhe të qeverisë së kohës, ndjekjen që u bë ndaj tyre, për të shkuar deri në dekonspirimin e atyre që kishin bërë mendje të fillonin një epokë tjetër në historinë e Kosovës, luftën për çlirimin e saj.

- Publicitet -

Djemtë dhe burrat që janë në foto janë të njohur si bërthama e parë e krijimit të lëvizjes së armatosur. Ata janë të gjithë drenicakë, që kishin shkuar të përgatiteshin për luftën e ardhshme. Historia e tyre është pjesë e së ardhmes së Kosovës.

Të gjithë, duke nisur nga Adem Jashari ishin pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, që kishin vajtur në Shqipëri sipas një marrëveshje të veçantë , mes qeverisë së Kosovës, dhe Lëvizjes Popullore, por, duke pasur frikë pikërisht atë që mund të ndodhte më pas, kushti i vënë nga Lëvizja ishte që, djemtë e nisur nga ajo do të diheshin vetëm nga trupa e lartë drejtuese e Lëvizjes.

Në foto, krah Adem Jasharit janë Iliaz Kodra, Hero i Kosovës, komandant i Brigadës 114 “ Fehmi Lladrovci”. Një ndër figurat më të shquara të luftës, i vrarë thuajse në përfundimin e saj. Krahas tij Sami Lushtaku, në fillimin e luftës zgjidhet zëvendës komandant i Zonës Operative të Drenicës, e njohur si zona e parë e UÇK-së, dhe, më pas, si komandant i saj. Më tej Zenun dhe Fadil Kodra, pjesë e Shtabit Drejtues të Zonës së Parë Operative dhe Jakup Nura, i cili është pjesë e aksionit të parë të UÇK-së, sipas një vendimi të organizatës, ku, së bashku me Hashim Thaçin, Sami Lushtakun dhe Ramiz Lladrovcin, organizojnë dhe realizojnë aksionin kundër forcave serbe, në prillin e vitit 1992.

Katër prej tyre, Adem Jashari, Iliazi, Zenuni dhe Fadili, janë nënshkrues të Letrës së fundit të Adem Jasharit, drejtuar organizatës, Lëvizjes Popullore të Kosovës, në dhjetor 1997, tre muaj para betejës së Prekazit.

I solla këto të dhëna si dëshmi që, në Shqipëri, krahas pjesëmarrësve të tjerë, janë përgatitur disa nga kuadrot drejtuese të luftës, që ishin njerëz të zakonshëm, të cilët kishin vizion tejet largpamës dhe ishin thellësisht të përkushtuar ndaj çështjes së kombit. Adem Jashari dhe Iliaz Kodra janë shpallur Heronj të Kosovës, Nderi i Kombit në Shqipëri, dhe dy familjet e tyre, duke shfaqur dëshirën të jenë nënshtetas të Shqipërisë, prej shumë viteve e kanë atë. Familja Jashari përmes vendimit të presidentit Moisiu, Familja Kodra përmes vendimit të presidentit Topi.

Sipas një marrëveshje me zotin Ramiz Alia e që më pas u vazhdua edhe me zotin Berisha, në Shqipëri do të stërviteshin grupe të ndryshme ushtarake. Ata u dërguan si nga qeveria e Bukoshit, si nga Lëvizja Popullore e Kosovës, megjithëse kjo e fundit duke qenë ilegale, nuk ishte e një mendje që gjërat të bëheshin kaq haptas. Por ishte koha e trullosjes, sepse Berisha erdhi në pushtet me parullën e Bashkimit Kombëtar. Atëherë kam bërë një shkrim mosbesues ndaj tij, pasi, ai, në të njëjtën kohë bënte thirrje e aspironte për hyrjen e Shqipërisë në Helsinki, e po në të njëjtën kohë për Bashkim Kombëtar, çka përjashtonin njëra-tjetrën. Por, parullat e tij, ngjallën entuziazëm. Regjimi  i vjetër u shemb jashtëzakonisht shpejt, regjimi i ri po vinte përmes dëshirës së njerëzve, por edhe shkatërrimit.

Grupet e militantëve që u stërvitën në Shqipëri kishin thuajse të gjitha të njëjtin fat: ata u burgosën sapo shkelën në Kosovë ose u detyruan të marrin arratinë. Regjimi serb kur i arrestonte ua dinte jo vetëm se ku kishin qëndruar në Shqipëri, por edhe numrin e armës, me cilët kishin stërvitur apo e kishin fshehur, etj. Pra ishte gjithçka e dekonspiruar. Shërbimi i fshehtë i Gazidedes kishte bashkëpunuar direkt ose indirekt me shërbimin e fshehtë serb. Direkt përmes lidhjeve që kishin, indirekt përmes strukturave të UDB-së në Prishtinë.

Vetëm dy grupe rezistuan dhe , as nuk ikën në mërgim, si donte klani titist në Kosovë dhe në Tiranë, dhe as nuk dorëzuan armët. Njëri ishte grupi i Drenicës, ku printe Adem Jashari, tjetri ishte grupi i Llapit, një pjesë e tij, ku ishte drejtues Zahir Pajaziti. Këto dy grupe ishin pjesët më thelbësore përbërëse të UÇK-së së ardhshme.

Tani , mendoni vetë, po sikur të mos kishte pasur dekonspirim, shkurt tradhti nga brenda, çfarë do të kishte ndodhur në Kosovë kur ishin stërvitur qindra vetë për fillimin e luftës? Do të kishte pasur një pamje krejt tjetër, ushtria do të ishte shumë më mirë e përgatitur, humbjet do të ishin më të pakta, njerëzit do të kishin besuar më shpejt në organizimin e saj.

Kjo nuk ndodhi. Në vend të saj erdhën arrestimet e bujshme dhe largimet e mëdha. Kjo solli në Kosovë shembjen e mitit të luftës, disfatizëm, huti, dhe u humb mjaft kohë deri në ngritjen e strukturave të tjera. Tani dihet se Gazidede është takuar personalisht me Zhelko Raznatoviçin, Arkanin. Është larg mendsh të mendohet se ai është takuar pa marrë bekimin e Berishës. Përse janë takuar? Përse pas këtij takimi represioni në Kosovë ndaj lëvizjes ilegale është shtuar? Përse Arkani u bë pjesë e rrethimit të tretë të Adem Jasharit?

Që ka pasur një bashkëpunim në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd, kjo është e qartë tashmë, megjithëse për ne ka qenë e qartë gjithnjë. Por humbjet qe kanë ardhur nga ky bashkëpunim kanë qenë të ndjeshme.

Çfarë ndodhi me dy grupet e mëdha që erdhën në Shqipëri.

Nga të gjithë këto, si shkrova më sipër, vetëm dy grupime brenda grupeve u futën në Kosovë dhe u bënë bërthama e luftës.

Grupimi i parë i zonës së Llapit, i drejtuar nga Zahir Pajaziti, i cili shtriu aktivitetin e tij edhe në Dukagjin, së bashku me Adrian Krasniqin dhe Qerim Kelmendin, në Prishtinë, ku ishte Ilir Konushevci, dhe, në fakt, ata ishin njerëzit kryesorë të depërtimit të logjistikës, bashkë me Rexhep Selimin, Hashim Thapin, Kadri Veselin, Azem Sylën , etj.

Grupimi i dytë ishte i Drenicës. Prijës i tyre ishte Adem Jashari dhe figura më përmbledhëse , Hamzë Jashari. Ngjarjet që lidhen me këtë grupim tashmë janë të njohura. Drenica dhe ky tok burrash të lidhur me njëri tjetrin mbetën frymëzim për të gjithë që kishin bërë mendje të luftonin. Në fakt, vetë ideja e krijimit të UÇK-së erdhi nga këto njerëz, të cilët, në njërin nga takimet me drejtues të Lëvizjes në Prishtinë, kërkuan haptas dhe me forcë detyruese, fillimin e rezistencës së armatosur.

Në këtë takim , duhet thënë mirëdashës, por edhe i tensionuar, Adem Jashari tha se “ Ne mund të bëjmë edhe nga një aksion në javë, por duhet të kemi mbështetje politike dhe organizative. Dikush duhet të marrë përsipër aksionet, sepse nuk jemi kaçakë. Kaçakët nisen për të përmbysur mbretërinë, përfundojnë duke sulmuar karvanët e kuajve”.

Krijimi i ndjenjës disfatiste, lejimi qartas i rrjetit të shërbimit serb të vepronte në Shqipëri, qoftë përmes Zyrës së Kosovës në Tiranë, qofte përmes strukturave të tjera, lidhjet e hapura mes shërbimit sekret të shtetit shqiptar me shërbimin informativ të ngritur nga LDK, ku disa prej tyre dihej se ishin pjesë e shërbimit sekret serb, krijimi i një rrjeti zbulimi në gjithë veriun e Shqipërisë, krijuan humbje të ndjeshme në zhvillimin e luftës dhe rriten e saj.

Një ndër sinjalet e para dërgoi njëri nga drejtuesit e Lëvizjes, i burgosur, që ishte ngarkuar në drejtuesit për ngritjen e strukturave të luftës, Xhavit Haziri, Hero i Kosovës. Ai, përmes lidhjeve të krijuara , porositi që, “ Shtëpinë që kemi filluar të ndërtojmë, lëreni hë për hë, pasi tullat janë të lagura”.

Në një informacion që ka paraqitur një inspektor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, A.K, pas bisedës në përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë, mes të tjerave, shefi i tij ka nënvizuar:
“Mendimi i zyrtarëve të Prishtinës është se kemi të bëjmë me njerëz të organizuar mirë dhe që kanë disa baza në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Durrës-Plazh dhe në Tropojë. Veprimet e deritanishme të saj, që e quan veten UÇK, kanë qenë të përqendruara në Drenicë dhe në rajonin e Dukagjinit, që mund të përkufizohej në vijat Prizren-Shtimje dhe në rrugën Pejë-Mitrovicë. Tash, me aksionet që janë zhvilluar para pak ditësh, zyrtarët e Prishtinës mendojnë se ajo po vepron në një hapësirë krejt tjetër, që është më e gjerë. Gjithnjë sipas tyre, UÇK-ja është në tri zona, mirëpo nuk kanë dijeni të sakta se cilat janë shtrirjet e zonave, vetëm se, më parë, zoti A.A, u kishte thënë se zona e dytë është në Maqedoni.

Në takimin që ka pasur njeriu i tyre, R.Gj, me një përfaqësues të qeverisë serbe është pasur parasysh se aksione terroriste duhen pritur edhe në të ardhmen. Mendimi i tyre është se fjala vjen për disa njerëz të veçantë, që mblidhen në organizata ilegale e që duhen survejuar, sidomos në Tiranë. Disa prej tyre nuk duhen lejuar të veprojnë në Shqipëri. Pas kërkesës sime, zyra e Kosovës do të na paraqesë një listë të emrave të njerëzve që dyshojnë se fshihen pas kësaj organizate terroriste“.

Ky dokument është botuar edhe më parë, asnjëherë nuk është hedhur poshtë. Ai sjell dëshminë e një trekëndëshi, i cili ka një qendër në Prishtinë e që shtrihet më pas në Tiranë dhe në Beograd. Në të vërtetë, pak ditë pas këtij informacioni, zyra e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë ka paraqitur një listë me emrat e personave që mendohet se kryejnë veprimtari ilegale subversive.

Ashtu si është e vërtetë se disa ditë më pas, disa nga të dhënat që i ishin afruar nga Shërbimi Shqiptar Informativ do të shfaqeshin në një informacion të përgatitur nga ish-Shërbimi Ushtarak Jugosllav, KOS, në të cilin janë shtuar edhe disa karakteristika të tjera, si gjendja shoqërore e atyre që përbëjnë Grupin e Drenicës, arsimi i tyre, vendndodhja, karakteristikat e zonës, etj.

Më e hidhur se kjo, ishte tregtia e armëve. Ministri i asaj kohe, Zhulali, dëshmoi se Shqipëria ka armë për t’i shitur gjysmës së Evropës, por shitja po bëhej për serbët e Bosnjës. Shokët e Lëvizjes që ishin aty, anëtarë të devotshëm që më pas u bënë pjesë drejtuese e UÇK-së, informuan se ka një lëvizje të ndjeshme të këtij armatimi. Më pas, lëvizja ilegale, është detyruar të blejë nga ky armatim…që kur e kërkonte në Shqipëri, jo vetëm nuk i shitej, por i sekuestrohej dhe dënohej edhe kur e gjente.

Berisha bëri disa takime të fshehta me tregtarët e politikës serbe e malazeze, njerëz të afërt të tij u takuan në Shkodër e në Tiranë me njerëz të Millosheviçit, kjo vazhdoi deri në kulmin e krizës së vitit 1997 në Shqipëri, por edhe atëherë, befas, Berisha, përmes disa figurave të njohura në Kosovë, si Demaçi, Hyseni etj, u përpoq të radikalizonte gjendjen befasisht në Kosovë, për të hequr vëmendjen nga Shqipëria. Ky është momenti kur ai do të prishet përfundimisht me Rugovën, por për këtë askujt nuk i erdhi keq.

Është koha kur Bukoshi ishte hidhëruar me Rugovën dhe kur i bënte ofertë Lëvizjes Çlirimtare për të ndihmuar atë, me kushtin e vetëm që lëvizja ilegale të eliminonte Rugovën. Në takimin e Bukoshit me një përfaqësues të Lëvizjes, Shaban Mujën, ai bëri këtë propozim skandaloz.

Ne nuk ishim të afërt me Rugovën, politika e tij i binte ndesh luftës çlirimtare, por nuk ishim njerëz të terrorit politik. Në Kosovë ishin ndërmarrë aksione kundër disa figurave të njohura UDB-ashe, që hapur punonin me shërbimin e fshehtë serb, por jo kundër njerëzve të politikës.

Edhe kur kishte pasur ndonjë kërkesë nga grupet ilegale për ndonjë figurë të dorës së dytë, që ishte edhe njeri i politikës, ishte hedhur poshtë kategorikisht. Është bërë kujdes që të shmanget skenari i ngjashëm me atë të Fikret Avdiçit në Bosnjë, skenar që e donte edhe Bukoshi, por edhe Berisha në vitin 1996.

Në qarkun e njerëzve të afërt të Bukoshit ne kemi pasur njerëzit tanë. Janë dërguar qëllimisht aty, sidomos janë dërguar nga Ali Ahmeti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas themelues e drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Këto njerëz, atdhetarë, por edhe materialet që disponojmë, tregojnë për një mbështetje financiare të fuqishme të qeverisë Bukoshi ndaj Berishës e Azem Hajdarit, për të ndërprerë luftën çlirimtare; për shumë enigma pas bankës Dardania, që u zhduk pasi mbaroi misioni i saj spekulativ…kështu që lidhjet mes Bukoshit e Berishës ishin të interesit të përbashkët politik e financiar, por jo kombëtar. FARK-u u krijua pas fillimit të luftës, nuk mori pjesë në luftime, ishte e vetmja strukturë ushtarake që nuk bëri luftë e ku mund të mbështetej Berisha, ashtu si u mbështet në grushtin e shtetit të shtatorit 1998.

Fotografia e botuar në gazetën DITA është shembull e asaj që ka ndodhur, pas saj do të vinin ngjarje tronditëse, të cilat do të vononin shumë procese, mbi të gjitha atë që ishte më thelbësore, përgatitjen për luftën e ardhshme.

Vetëm naivët kanë besuar se kjo luftë mund të shmangej. Edhe funksionarë të lartë të pushtetit të pas vitit 1997 kanë qenë mosbesues ndaj UÇK-së, dhe ,si një nga paradoksalet e politikës, mendonin se mes Kosovës dhe Serbisë gjërat mund të zgjidheshin me bisedime, përmes fjalës dhe paqes, ashtu si kishte ndodhur në Evropën e pas luftës, mes shtetit gjerman dhe francez.

Makineria serbe që ishte vënë në lëvizje në Kroaci dhe në Bosnje nuk mund të ndalej nga dëshira marroqe e pushteteve në Shqipëri për të shfrytëzuar Kosovën si alibi për fajet e mëkatet e tyre.

Por, ajo që mbetet qëndron në të vërtetën se ushtarakët e zakonshëm, atdhetarë të heshtur, si Ylli Mici, Dilaver Goxhaj, Adem Shehu, Tahir Sinani, e shumë të tjerë, që luftuan ose përgatitën për luftë djemtë e Kosovës, nuk e bënë për përfitime, askush nuk u dha urdhër.

—-

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • 18 qershor 2026
  • Kryeministri ynë “sociolog” – Të kërkosh llogari nuk është dhunë
  • Protestuesit marshojnë në ditën e 18-të të protestës
  • Largimi i deputetes Marjana Koçeku nga Partia Socialiste ka hapur një “Kuti Pandore”
  • Parlamenti Europian kërkon ‘moratorium ndërtimesh’ në zonat e mbrojtura në Shqipëri: A është kjo e detyrueshme për qeverinë shqiptare?

Komentet e Fundit

  1. K R on Qëndrimi i KE-së për Zvërnecin pritet me zhgënjim
  2. K R on Qëndrimi i KE-së për Zvërnecin pritet me zhgënjim
  3. Pensionisti i Porcelanit on Parlamenti Europian kërkon ‘moratorium ndërtimesh’ në zonat e mbrojtura në Shqipëri: A është kjo e detyrueshme për qeverinë shqiptare?
  4. Valbona on Largimi i deputetes Marjana Koçeku nga Partia Socialiste ka hapur një “Kuti Pandore”
  5. Deni on Qëndrimi i KE-së për Zvërnecin pritet me zhgënjim

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?