Programet dhe aplikacionet e inteligjencës artificiale (AI) po përdoren gjithmonë e më shumë në Shqipëri ashtu si në mbarë botën, teksa jo rrallë herë ato janë përdorur për qëllime jo dashamirëse.
Eksperti gjerman i AI-së, njëkohësisht edhe gazetar, Rene Falkner, i tha BIRN se sipas tij e ardhmja e dimensionit të inteligjencës artificiale është e paqartë akoma, por gazetarët duhet të mësohen të identifikojnë risqet që ajo sjell si edhe të shfrytëzojnë mundësitë e shumta të kësaj teknologjie të re për shoqërinë tonë.
“Bota e medias po ndryshon, ashtu si bota e radios, apo bota e moderimit. Për mua si gazetar sigurisht nuk është një lajm i mirë që të mësoj se lajmet janë duke u krijuar në mënyrë tërësisht automatike. Por ne nuk mund ta ndalojmë këtë zhvillim, dhe do na duhet të mësojmë si ta përdorim sepse pas disa vitesh kjo do të jetë një mundësi për ne”, tha Falkner, mbi ndryshimet e teknologjisë dhe nevojën e gazetarëve për tu përshtatur me to.
Falkner tregoi se si në një ishull të vogël të Gjermanisë, drejtuesi i një radioje krijoi një transmetim që funksionon 24 orë nëpërmjet AI-së, si një zgjidhje ndaj shkurtimit të buxhetit për kompaninë e tij.
“Një problem i madh është fakti se kush do të paguajë gazetarët, sepse shoqëria ka nevojë dhe duhet të paguajë për gazetari të mirë dhe cilësore”, theksoi eksperti gjerman i AI-së, i cili shtoi se nuk mundemi të dimë se si do të shkojë rrugëtimi i kësaj teknologjie në të ardhmen.
Rene Falkner u ftua nga fondacioni Konrad Adenauer në Shqipëri për të trajnuar një grup të rinjsh në Tiranëmbi përdorimin e teknikave dhe programeve të inteligjencës artificiale, duke sjellë dhe njohuritë e tij për rolin e AI-së në media dhe komandat e duhura për rezultatet më të mira për profesionistët e fushës.
Falkner ka një përvojë në fushën e medias që prej vitit 1990, me eksperiencë si redaktor dhe menaxher i përgjithshëm i televizioneve lokale dhe radiove në Gjermani, dhe së fundmi në menaxhimin e kanaleve të YouTube, ku nisi dhe përvoja e tij me inteligjencën artificiale (AI).
Sipas tij AI ofron edhe shumë mundësi pozitive, siç është ajo e përkthimit të materialeve në gjuhë të ndryshme me një kosto të ulët.
“YouTube na shërben edhe si një urë lidhëse me AI, sepse na jep mundësinë e prodhimit të përmbajtjeve në gjuhë të ndryshme” tha Falkner për BIRN.
Falkner përmend përkthimet e videove në shumë gjuhë dhe me më pak para, për shembull videot me informacione për turistët, apo edhe lajmet, duke i cilësuar këto aspekte si disa prej mundësive të arta që ofron e ardhmja e AI-së.
Sipas Falkner, risku kryesor i përdorimit të programeve të AI-së është ai i manipulimeve, por për të kjo nuk është një risi.
“Sigurisht disa njerëz mund ta përdorin AI-në për të manipuluar videot, zërat, dhe ky është një problem. Ne si gazetarë nuk mund të bëjmë diçka lidhur me këtë, por mund të mësojmë si funskionon AI dhe mediat sociale, pasi ky është një fenomen që po ndodh kudo në botë”, shtoi ai.
Ai shprehet se ditët e sotme problemi nuk qëndron shumë tek manipulimet e bëra nëpërmjet AI-së, por tek mediat sociale.
“Instrumentet dhe aplikacionet e manipulimit nuk janë të reja, kanë ekzistuar dhe më parë. Ajo që është e re është përdorimi i mediave sociale në shpërndarjen e tyre”, tha Falkner për BIRN.
Përveç manipulimit të përmbajtjeve, risku i AI-së qëndron edhe tek rënia e produktivitetit të gazetarëve apo punonjësve të tjerë.
“Personalisht, frika ime më e madhe është se mos bëhem më dembel, me përdorimin e AI-së për punët lidhur shkrimet e mia”, pranoi Falkner për BIRN.
“Nëse e përdor shpesh AI-në, kam frikë se mund të humb kreativitetin në aftësitë e mia të shkrimit”, shtoi ai.
Eksperti gjerman gjithashtu shtoi se duhet një kujdes i veçantë lidhur me ndarjen e të dhënave sensitive me programet e inteligjencës artificiale.
“Sipas mendimit tim, nuk duhet të ndahen të dhëna sensitive me aplikacionet e AI-së, sepse ne nuk e dimë se ç’mund të bëjë inteligjenca artificiale me to, ndaj do rekomandoja mos të përmenden të dhëna personale apo sensitive gjatë punës me AI”, tha Falkner për BIRN.
Sipas tij, të dhënat që janë publike nuk përbëjnë problem, por duhet treguar kujdes i shtuar lidhur me të dhënat private.
Falkner i tha gjithashtu BIRN se shkollat duhet të investojmë për të edukuar të rinjtë si të përdorin instrumentet e AI-së, dhe mbase duke përfshirë këtë edukim në kurrikulat e tyre.
“Duhen edukuar të rinjtë në përdorimin e instrumenteve dhe teknikave të AI në mënyrë të përgjegjshme, dhe të mësojnë cilat janë rreziqet potenciale të këtyre përdorimeve”, tha Falkner për BIRN.
“Të rinjtë kanë humbur durimin, ato preferojnë të përdorin telefonin dhe aplikacionet për zgjidhje të shpejta, dhe për mendimin tim ky është ndër të tjera një rrezik për kreativitetin”, përfundoi ai./BIRN