Nga Dan Eshja
Botuar në DITA
Në respekt të medias dhe autorit që e respektoj, po vazhdoj analizën e nisur në shkrimin Kosova në ruletën ruse.
Dua të jem i qartë, i sinqertë intelektualisht dhe i drejtpërdrejtë. Shkrimi ( https://gazetadita.al/a-do-te-kete-autonomi-per-serbet-e-kosoves/ ) në përgjigje të artikullit tim “Kosova në ruletën ruse”, fillon me pyetje pas dy pargrafeve të para.
Pjesa e hapjes ku ndër rreshta akuzohem me një lloj klasi si nostalgjik i ish Jugosllavisë dhe me dozë nostalgjie për neo-Jugosllavin që më duket e tepërt që ti përgjigjem.
Po ja lë fantazisë së autorit pa keqadhje. Dhe pjesën me Veton Surroin nuk gjej arsye që të përfshihem. S’e njoh dhe nuk kam as ndonjë plan të shpejtë ta njoh zotërinë në fjalë.
Autori nis një analizë për ligjet që i konsideron nga më të mira:
Është e padyshimtë se , si pak kund në Evropën e pleksur me pakica etnike, sidomos në Ballkan, ku kufijtë kanë lëvizur as çdo lufte, në Kosovë ekzistojnë ligjet më të favorshme.
Dhe e plotëson mendimin e tij me poshtë:
Nuk është faji i shqiptarëve në pushtet, të cilin përgjithësisht e kanë ndarë me pakicat serbe, që kjo njësi nuk u integrua në jetën politike, shoqërore dhe kulturore të Kosovës.
Sipas autorit kjo vjen nga:
Kambanat e politikës serbe kanë mbetur në fundin e shekullit të 14
Pak më tutje autori shton:
Në komunat e Kosovës me shumicë serbe prej kohe është vatra e kontrabandës, e krijimit të bandave, e terrenit ku vetëm forcat ndërkombëtare të sigurisë mund të vendosin rregull, krahas forcave të Kosovës,
Në fund për ta treguar se Albini është në rregull e tregon se kjo histori është e tejzgjatur dhe e testuar dhe me qeverite e tjera në Kosovë:
Në vitin 2004 Albin Kurti nuk ishte në qeverisje, kur serbët në lumin Ibër i vunë qentë nga pas fëmijëve shqiptarë, që për të shpëtuar prej tyre, u mbytën në lumë. Nuk ishte as kur në marsin e këtij viti, vetë serbët dogjën në shumicë kishat e tyre për të fajësuar shqiptarët.
Nuk ka asgjë që dua të kundërshtoj nga faktet e përmendura, po padyshim më shtohet më shumë bindja se pikërisht këto fakte bëjnë që pas 23 vitesh të fillojmë një analizë të sinqertë për bashkëjetesën me Serbët. E duam vërtetë? Apo mendojmë që do ishte më e drejtë që dhe ata të vuanim pak nga ajo ne kemi vuajtur shumë gjatë.
Vendosim si fillim aksiomat që nuk duam t’i ndryshojmë gjatë këtij komunikimi virtual. A është shteti serb një entitet pervers që është sjellë në mënyrë shoviniste me Kosovën që kur Kosova ishte një krahinë brenda ish Jugosllavisë? Po, dhe për më tepër Ish Jugosllavia u kthye në një vend ku Shqiptarët e Kosovës ishin nën represion pikërisht për qënien e tyre shqiptar.
A shkoi kjo situatë në klimaksin e vet historik gjatë kohës se Milloshveçit? Po pa asnjë dilemë. A ishte Albini një nga qytetarët më të kthjellët të Kosovës sidomos kur në gjyqin kundër tij deklaroi se nuk do të shprehej fare në seancë për të mbrojtur veten e tij. Kjo se e konsideronte veten dhe shokët të luftës si të marë peng nga një shtet tjetër, për më tepër fashist. Po, Albini ishte emancipues në kërkesën e tij.
A ishin ligjet në letër të ish Jugosllvisë se ngelur të mira në letër? Këtë s’e di se nuk i kam lexuar. Po dhe sinqerisht më duket e parëndësishme se historia i dha të drejtë Albinit. Albini 1 – ligjet e shkruara mirë nga juristë profesionistë dhe burokratë – 0.
Pas kësaj më lind pyetja tjetër, a është i qartë Bedri Islami se me shkrimin e tij tregon që Veriu i Kosovës është Far West i ri? Vend jashtë kontrollit. Dhe a e ndjen ai se për këtë situatë fajëson vetëm serbët e zonës së veriut të Kosovës, se i përgjigjen Beogradit, apo se vetë në Kosovën e veriut janë rehatuar me banda krimi dhe anarkie?
Nëse jo, ta lexojë dhe njëherë shkrimin e tij, pervecse të shohë me vëmendjen e duhur agresivitetin e vetë shkrimit ndaj qytetarëve të asaj zone, (pastaj dhe për jehonën e shkrimit, telefonat dhe mesazhet që e kanë përgezuar se tregoi dhe njëherë fytyrën e shkave).
Shqiptarët në Kosovë kanë qenë viktimat e shovinizmit Jugosllav për vite. Viktima të brutalitetit të shtetit fashist të Milloshevicit. Por e gjithë kjo vlen deri në momentin që NATO dhe UÇK e çliruan popullin Shqiptar të Kosovës. Në këto momente nuk jemi më viktimat. Kjo është e qartë shpresoj. Përndryshe pse u fitua lufta?
Argumenti më i mirë që jep shkrimi (dhe më direkti me replikën) është se duke shkuar në autonomi popullisa serbe e veriut të Kosovës, do të vazhdonte të zhytej gjithmonë e më shumë në krim, dhe kjo gjendje vetëm do të përkeqësohej (duke qënë se serbet dhe me ligjet më të mira në botë, janë të tillë, nuk kënaqen).
Sinqerisht analiza ku përdoret pafund keqësia e Serbëve si popull, nuk ndihmon me argumenta këtë debat.
Të them të vërtetën dhe krahasimi me Bosnjen nuk duket se është i goditur, për shkak se Veriu i Kosovës është që tani jashtë kontrollit. Policia e Kosovës që do të vendosë rendin duke përdorur forcën më duket si opsion i mundshëm logjistikisht, por nuk e kuptoj sesi agresioni i forcave policore do të integronte popullsinë serbe të Mitrovicës.
Nuk më rezulton se vendosja e rendit është kërkuar nga vetë popullsia e atij territori, kështu që ky veprim do të sillte njëlloj “dinjiteti” të qeverisjes për shqiptarët por sigurisht që dhuna e treguar do të sillte reagimin e Serbeve. Tensioni i kërkuar do të çonte në një largim të zgjidhjes përfundimtare për shtetin e Kosovës. Kjo na dëmton, dëmton Kosovën.
Serbët e kanë shtetin e tyre, ne merzitemi dhe organizojmë peticione për gugëllin kur nxjerr në hartë shtetin e Kosovës.
Vërtetë që kjo situatë do të shtonte votat për qeverinë që do ta bënte ndërhyrjen “in loco” (shpresoj që Albini i ri pragmatist mos ta lexojë këtë shkrim) por nuk do të shtonte njohje të mëtejshme midis dy shteteve.
A duam vërtetë ta shtyjme njohjen e Kosovës si shtet? Jemi të sigurtë që ekuilibrat gjeopolitikë do jenë gjithmonë kaq të favorshëm? E ka pyetur njeri BABA Vanjën, apo Nostradamusin? S’e di nëse ky lloj falli do sillte rezultat.
Unë të jem i sinqertë jam për ndërrim territoresh. Serbët (dhe Shqiptarët e Luginës sigurisht do të përfitonin) e asaj zonë janë të paqartë për të ardhmet e tyre. Lënia e tyre në territorin e Kosovës do të çonte vetëm në perpetuum mobile të kësaj politike dhe këtyre politikave që sinqerisht nuk po kërkojnë të zgjidhin asgjë. Kërkojnë të përfitojnë pushtet duke prekur telat e ciftelive respektive si në Kosovë ashtu dhe në Serbi.
Serbët e Veriut janë monedha që shpërblen çdo votues që mëndon se shteti i tij meriton me shumë nga kjo botë që si kupton si duhet. Se ulja për te zgjidhur problemet është tradhëti kombëtare. A janë Serbët të parët më agresivë në këtë lojë? Po. A janë Kosovarët të dytët që po luajnë të njëjtën lojë duke nxjerrë nga loja ndërkombëtarët në fushë. Jemi të qartë që asnjë ndërkombëtar nuk e ndjen veten të aftë që t’i bëjë këta politikanë që janë në fushë të blejnë dyshekun e paqes.
Ky tension përveç se do bënte të pamundur njohjen e Kosovës si shtet vërtetë po dhe do të pengonte çdo projekt europian në rajon. Përveç kësaj i jep kohë Serbisë që të duket më e arsyeshmja ne tavolinë. Qeveritë e vërteta patriotike mendojnë sesi do përmirësojnë jetën e popujve te tyre te varfër.
Unë pas kërkesës për të kërkuar falje të Serbëve shoh shumë urrejte. A është drejtë. Po. A na çon diku kjo situatë? E keni të qartë që asnjë hap pozitiv s’do vijë duke i dhënë mundësi Serbisë të ndërrojë letrat në tavolinë çdo moment.
…
Po ta shikojmë nga ana tjetër kush përfiton nga konflikti. Vuçic do e shohim se ka zgjedhjet afër dhe s’po zgjatemi. Albini pas tensioneve del kaq mirë në sondazhe sa partitë e opozitës nuk guxojnë të flasin për zgjedhje të parakohshme.
Albini del me deklarata sesi janë përmirësuar raportet ekonomike me Shqipërinë në një kohë kur Kosova është ende nën sanksione. Ai vetë vjen ta shohi ndeshjen e kombëtares duke mbatur distancë nga Kryeministri i Shqipërisë të cilin nuk e priti në Prishtinë për shkak të impenjimeve më të rëndësishme.
Rama humbet nga kjo situatë. Po pse e bën këtë gjë ky njeri që me politikë e fiton bukën e gojës. Pse humb dashurinë e një klase të tërë, super aktive që po favorizohet për të shtuar këtë dashuri me tension për shqiptarizmin dhe me këngë e biseda për futbollin kohët e fundit. Pse ky mazokizëm politik, i një njeriu shumë praktik në situata të ngjashme?
Se sigurisht nuk ka shanse të ketë një anë positive ulja e tensioneve me Serbët (në fakt do mjaftonte agresiviteti me Ramën apo këdo që i bie kembanave për shëmtinë e luftës, për të kuptuar sa naïve është të presësh që Serbët do integrohen në Kosovë).
Për ta bërë logjike arsyen se pse Rama po hedh vota nga dritarja imagjinare e pushtetit, përgjigjen ta jep kryetari i VV në Shqipëri në një emision te Syri TV ku tha: Nuk dua ta besoj që Rama është anti shqiptar por ai është i kapur. Çështja MC Gonigal mund të jetë arsye-ja.
Përveç se spekullimi mbi këtë çështje është absurd, por nëse VV ka të drejtë (se një figurë kaq e rëndësishme si kryetari nuk flet kot) del qe Rama po përdoret nga të huajt kundër interesave të Kosovës. Duke qenë se çështja MC Gonigal është në dorë të CIA-s Amerikane, dikush atje, ose me keq i gjithë shteti po përdor kryeministrin Shqiptar për të dëmtuar Kosovën. A ka kuptim kjo insinuatë? A e shpëton dot Kosovën pas këtij denoncimi? Apo kemi të bëjmë me vota populiste. Flitet në tym si për vaksinat? Ndërkohë që Rama po hedh vota në Drinin e bardhë, VV po i mer dhe Alfred Çakos sharmin investigativ.
Duke qenë se besoj se po luftohet për vota, hapa këtu në DITA diskutimin për Serbët e Veriut të Kosovës. Megjithëse etiketohen si banda që po përftojnë nga situate dhe që s’dinë të kënaqen nga ligjet me të mira në botë për pakicat, besoj se ky diskutim duhet bërë dhe sot në një moment që mund të fitojmë të gjithë.
Mos ta djegim këtë shans historik për banalitetin e pushtetit që mesa duket është afrodiziaku i vërtetë.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.