Elmaz Leci
Libri i autorit Sefer Pasha “Moikom Zeqo për Ukshin Hotin” më ngjalli emocione të papërshkrueshme megjithë ashkëlat e saj në trajtat më univesale. Në rini unë punoja në shtypin ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, kurse poeti Moikom Zeqo e thënë troç po bënte emër në letërsisë shqipe. Fjala e tij poetike portretizonte me ngjyrëzime e tone të epërme realitetin e një kohe pikë për pikë si një thriller narcist. Ishim të rinj. Nuk e harroj një mbresë. Po pinim kafe në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve së bashku me Moikomin. U habita. Moikomi fliste shumë lirshëm. Nuk trembej par ato që thoshte. Kishte një libër në dorë në gjuhëm angleze dhe më lexoj një thënie të Pasternakut, ku ai kishte shkruar:
“Majakovski e vrau veten sepse krenaria e tij nuk mund të paqetohej me diçka të re që po ndodhte brenda vetes apo që po ndodhte asokohe rreth tij”.
Ato ditë një kritik e quajti pa të keq “Uitmani” i Shqipërisë. Por ishin kohë dramatike. Për një cikël me vjersha dhe për disa botime “dekadente” në faqet e gazetës “Drita” redaktorin e gazetës Moikom Zeqon e dërguan për ta riedukuar në Rrogozhinë. Aty nisi të jap mësim në një shkollë tetëvjeçare. E mbaj mend kur kthehesha nga shërbimet në jug dhe e shikoja Moikom Zeqon, i cili pasi kishte mbaruar dhënien e mësimit delte në anë të rrugës dhe ngrinte dorën, që ta merrnin shoferët për në Durrës, ku ai banonte me të ëmën. Nuk e harroj kur e kam marë në një rast në makinën e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes. Që kur hipi në Rrogozhinë e deri sa zbriti tek plepat në Durrës foli për Shekspirin. Meqenëse mi kishte lexuar shkrimet më qortoj që nuk po delja me vëllimin e parë me studime në fushën e mbrojtjes, ku unë isha i profilizuar. Shumë vite më vonë kur ai kishte bërë emër në fushën e letrave ja kam kujtuar atë udhëtim kur ai foli me aq pasion për Shekspirin. Atij ju kujtua dhe më tha se kishte qenë në Kishën e Trinisë së Shenjtë në Stratford në Londër, ku qe varrosur Shekspiri dhe kishte vendosur një tufë me lule mbi pllakën e varrit të tij. Për takimet me Moikomin kur atë e caktuan mësues në Rrogozhinë po shtoj në këtë ese dhe një detaj të rëndomtë në dukje. Meqenëse e kisha mik në kafenenë në Rrogozhinë një ditë ja përsërita atë që ja kisha thënë dhe herë të tjera se si ai do ta përballonte jetën në Rrogozhinë. Ndofta dhe pak i bezdisur nga ajo që ja kisha thënë dhe herë të tjera atje në kafenenë me karrike të thyera, Moikomi në vend që të më jepte një përgjigje të zakonëshme siç ndodh, pasi më kqyri në dritë të syrit, u ngrit arithi mbi tavolinë dhe më recitoj me ngazëllim dy vargje dallëditëse me qepje cezariane të Pablo Nerudës: – /Qyteti im është gjeografia//Rruga: “Unë po nisem”!/. Nuk e harroj atë përgjigje. E them këtë se tani që Moikomi nuk është më në jetë e kujtoj shpesh një thënie të tij pasi e larguan nga gazeta ‘Drita”. Ai më thoshte ironikisht “ti e rritë korbin dhe ai një ditë të nxjerr sytë”. Ishte koha kur shumë krijues që nga Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja nuk ishin dakord me socializmin që po ndërtohej në Shqipëri.
***
Libri i Sefer Pashës “Moikom Zeqo për Ukshin Hotin” e ka fillesën në majën më të epërme në takimin e paharruar të poetit Moikom Zeqo me politikologun e Shqipërisë Ukshin Hotin më 23 nëntor 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ky takim dramatik tejet elegant kthinëzi në apogjuen e vet ka shërbyer si lëndë për parathenien e librit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” të shkruar nga Moikom Zeqo. Kjo parathënie, që në fakt është një poemë homerike, u ribotua disa herë. Ide të saj si paragrafe vazhdojnë të botohen në libra brenda dhe jashtë vendit. Poeti Moikom Zeqo, i cili është dhe personazhi kryesor i librit të autorit Sefer Pasha, na ka përshkruar imët takimin e tij me Ukshin Hotin. Kjo duket dhe në rregjistrin e fjalëve sipërane, në dialogun me filozofin, tek parandjenjat, virtutet dardane, shkëmbimin e vlerave, burimet emotive, ligjërimet brenda tekstit e fjalët e motivuara E përqafova fort Ukshin Hotin tregon dhe shkruan Moikom Zeqo. Dhe në ato çaste të paharruara mu kujtua një thënie e Gëtes për Shilerin: – “Edhe kur priste thonjtë qëndronte gjithmonë më lart se këta zotërinj”. Për fatin tim dora ime e djathtë preku brinjët e krahut të majtë të Ukshin Hotit. Mua mu duk sikur preka një shkëmb të çarë mbi Libohovën time kur më nxirte në fëmini ati im Zihni Zeqo, i cili vdiq në moshën 42 vjeçare ka treguar Moikomi. U trondita. Kisha dëgjuar se Ukshin Hotin e kishin coptuar bishat e Serbisë. Të gjitha brinjët ja kishin bërë fije – fije. E kishin gjymtuar në organet gjenitale. Filozofin e kishin kuruar në male kirurgët e spitalit të Prizrenit. E megjithatë Ukshin Hoti mbahej në këmbë. Ja se çfarë shkruan Moikom Zeqo: – “Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëtor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Por erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës”.
Qysh prej takimit të parë në Tetovë e deri sa mbylli sytë prej leuçemisë poeti Moikom Zeqo do të lidhet shumë me fatin tragjik të Ukshin Hotit, i cili u rrëmbye nga UDB -ja në fraksionet e minutës kur doli nga burgu i Istogut më 16 maj të vitit 1999. Poeti Moikom Zeqo siç pasqyrohet në faqet e librit nuk ka lënë gur pa lëvizur që të mësonte të vërtetën e fatit tragjik të Ukshin Hotit, të cilin Rexhep Qosja e cilëson si “intelektuali më tragjik i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë”. Si në analizën e veprës dhe në biseda mes miqësh Moikom Zeqo fliste i revoltuar për veprimet e shtetit të Millosheviçit. Ukshin Hoti ishte shënjtor theksonte shkoqur ai. Kishte studjuar në Harvard. Ishte filozof, profesor universiteti dhe me shumë punë të botuara brenda dhe jashtë vendit. Si mund të tredhësh një shenjtor?. Këtë e bëri vetëm Millosheviçi. E vranë dhe ja mbajnë të fshehura eshtrat. Presidenti i serbëve Aleksandër Vuçiç, që ka qenë në krah të Milloshevçit përse hesht?
Në esetë e Moikom Zeqos hidhet dritë e plotë mbi jetën e Ukshin Hotit. Kur filozofi u kthye nga Harvardi nuk e lejuan të punonte as si pjatalarës. Përfundoi në Krushë të Madhe. Ju bë barrë atit të tij Nazyfit, që shiste duhan dhe punonte si gazetashitës. Nëna Fatimja ia çonte kafenë atje ku ai shkruante punët e mirfillata filozofike. Është për tu theksuar se të gjitha punët serjoze ai i ka shkruar në fshatin e lindjes në Krushë të Madhe. Vetëm dy studime janë shkruar në Lubjanë. Gjatë gjithë ditës përgjohej nga Udb -ja. Punonte në arat e të atit. Mbillte domate, labot, duhan, spinaq, hudhra e qepë. I vinte në ndihmë nënës Fatimes, e cila nuk kishte se me çfarë të gatuante për familjen. I kushëri i tij Fehmi Hoti, që e ka ndihmuar financiarisht tregon se ka parë Ukshin Hotin që të haj vetëm një vakt bukë në ditë. Nuk kishte lekë për të blerë cigare[pinte 70 cigare në ditë]. Fëmijëve nuk u bleu kurrë një lodër për ditëlindje. Nuk futej në asnjë kafene. Xhepat i kishte bosh.
Gjatë leximit të librit “Moikom Zeqo për Ukshin Hotin” u gjenda përballw një “zbulimi” të ri si të ishte kopsht me trëndafila. Për këtë “zbulim” hedh dritë gjerësisht studjuesi i veprës së Ukshin Hotit poeti Moikom Zeqo me trajta hidhërimi e mundim skëterre. Në veprën e tij të botuar Ukshin Hoti shfaqet si kritik arti, bën komente të holla të poezive të Kadaresë, Agollit, të veprës së Qoses e të tjerëve. Në esenë “Poeti dhe armata” hulumtuesi Ukshin Hoti shkruan : – “Në çastin e ankthit të përgjithshëm, poeti i ri shqiptar, me indinjatë të kuptueshme konstatonte:- /Thanë se e vratë veten/E besoj/Sepse s’deshët të jetonin të vdekur/. Në të gjithë veprën heroi i këtij libri kur ja do puna pa pompozitet për ilustrim zbret në të padukurën gjithkund pa u jargavitur, poetizon, merret me baladat, legjendat biblike, bisedat e sofrave, mitet, rrëfenjat, këngët, dasmat, ankthet, çastet egoiste, mortet e tregimet e qëmotshme. Ukshin Hotin po ta marësh edhe si shkrimtar të yllëzuar ai është i lexueshëm. Nuk ka eklipis që ta mbulojë edhe në piskun e punëve të kombit shqiptar në luftë me serbët pa asnjë lëmsh dëshpërimi. Vengeron në humnerat e mendimeve e shqepon parandjenjat e instiktit nën tingullin e athët të ngjarjeve të jetës. Profesor Ukshin Hoti ja njihte rrënjët luftës me serbët. Në leksione me studentët e përmendëte shpesh faktin që armiku ja mori eshtrat Pjetër Bogdanit nga kisha ku qe varrosur dhe ua hodhën qenëve. Lexuesi i thjeshtë përpin me një frymë fragmentet e prozës kur Ukshin Hoti përshkruan udhëtimet e gjyshit që merrej me tregëtinë e duhanit e shkonte larg deri në Lum të Kukësit. Ai pasqyron me art punën e fisit të tij në Krushën e Madhe, ku kishte lindur. Hotët merreshin me bujqësi dhe blektori. Shkonin në xhami e zbatonin zakonet e malësisë. Po e i ilustrojmë me një fragment nga proza brilante e qëndisur nga pena e artë e Ukshin Hotit. Ja çfarë thotë Ukshin Hoti në prozën “Gjyshi im dhe unë”. “Gjyshim im ishte analfabet, por gëzohej tmerrësisht për shkollimin tim. Për këtë shkak, kurdo dhe kudo që në ekranin e TV të Tiranës e shihja se shkolloheshin edhe fëmijët e tyre atje, pikërisht, si edhe unë këtu, kjo, me të vërtetë, më gëzonte”.
Ashtu sic e vëzhgon studiuesi Moikom Zeqo politologu Ukshin Hoti ka pasur si idhull Adem Demaçin. Prej Bacës Adem në një bisedë miqësh ai i ka dhënë këtë porosi vazhduesit të veprës së tij Ukshin Hotit. Porosinë e Adem Demacit e gjejmë në librin e shkruar prej Ukshin Hotit. Fjalët e arta të Demaçit janë: – “Shkruaj shumë ose pak, por shkruaj të vërtetën”. Pikërisht për këtë arsye në të gjithë veprën e tij profesor Ukshin Hoti është i sinqertë. Në kohën kur vuante dënimin në burg ai u divorcua me gruan e parë arkeologen Edi Shukrinë. Le të njihet lexuesi i këtij shkrimi me ato që Ukshin Hoti i thotë ish gruas: – “Të kishin përdorur Ty për të shkatërruar jetën time, por për ta bërë shkatërrimin me themel të jetës sime, Ti nuk u kishe mjaftuar. E kishin [ose e kisha] gjetur edhe një tjetër, por këtë e mësova ndërkohë. Atë që nuk e dija deri në ato çaste dhe për të cilën nuk kisha qenë i vetëdijshëm ishte fakti se më kishin gjetur dhe mua për të rrënuar jetën tënde dhe jo vetëm për ta shkatërruar atë. Pastaj e kishim gjetur njëri – tjetrin për të rrënuar jetën e fëmijëve tanë”.
Me një vështrim të shpejtë lexuesin e mahnitë fakti se në udhëzat e esesë Ukshin Hoti pa fjalë të përzjera në eposin e tij me gjuhë e shpatë u referohet atyre poetëve që janë modeli i virtutit dhe përcjellin mesazhe filozofike për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Filozofi ka gjetur në faqen e parë të DEAS vargjet e një poeteje të re, e cila kishte botuar dy rreshta jasemini si tabllo fantazmagorike me një triumf të patreguar: – /Në vdeksha e re/Të mos qaj askush për mua/. U interesuam për emrin dhe fatin e poetes që kishte thurur vargjet monumentale të adhuruara nga Ukshin Hoti, por emrin e saj nuk e mësuam dot. Ku është? Dhe çfarë ka shkruar më vonë?
Ukshin Hoti ishte në luftë trallisëse me Beogradin. Ai e njihte këtë luftë që kur ishte nxënës në Prizren. Kësisoj jeta në Kosovë i afroi dhe një luftë tjetër me ata që ai në veprën e tij i quan “çoban”. Dhe “çobanët” e Prishtinës ishin me kryetituj shkencor. Nuk e donin luftën me pushtuesit serb. Bile bënin dhe qoka me njerëzit e Millosheviçit. Ishin për udhën paqësore të Rugovës pa stilin funebër. Rugovën e kishin gur kilometrazhi kulturor e filozofik. Rugova me stilin e tij të thukët kishte si emblemë proverbiale spërdredhjet me motive të rrudhusura pa spiralen e urrejtjes ndaj Millosheviçit. Prandaj nuk kishin të sosur intrigat pa skrupuj me tharmin që pickonte në trojet e dardaëve. “Çobanët” ishin kukuvajka që hidhnin vështrime shqiponje. “Demonët” nuk i ndaheshin Ukshin Hotit dhe ai shpesh ishte në kolaps nervor. I njihte rrënjët e së keqes. Por njihte gjithashtu drejtimin profilaktik nga duhet të shkonte Kosova. Në studimin “Armata dhe Politika” Ukshin Hoti duke analizuar një fjalim të Vuk Drashkoviçit në televizinin e Beogradit e thotë copë: – “Do të kemi luftë”. Poeti Moikom Zeqo e shpjegon fjalë për fjalë dhe krijon imazhin e dorës së parë për qëndrimet kobëzeza të atyre që nuk e donin luftën me Serbinë.
***
Të gjitha këto detaje gjenden në faqet e librit “Moikom Zeqo për Ukshin Hotin” të autorit Sefer Pasha. I gjithë libri përshkohet fund e krye nga ankthi për personazhin e jashtëzakonshëm. Sot Ukshin Hoti është shndërruar në legjendë. Përditë për të thuren tregime, novela e poema. Çfarë ndodhi me filozofin? E gjithë Kosova është në kërkim të tij. Po kështu dhe në Shqipëri. Nuk ka qetësi. Në fshatin e tij në Krushën e Madhe edhe kur fryn era në dritare malësorët pyesin se mos troket Ukshin Hoti? Mbase u kthye nga rrëmbimi i gjatë. E kërkojnë tek Mulliri i Istogut, anës Drinit të Bardhë, në bjeshkë, në Gjakovë e në Prishtinë. Gjithçka thuhet? Edhe në Beograd qarkullojnë baladat për pengun Ukshin Hoti. Përshpëritet se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka djeni të plotë. Poeti Moikom Zeqo që në të vërtetë është dhe një nga biografët e Ukshin Hotit misterin e madh e analizon në shumë ese të tij. Punët e Zeqos janë të pastra, pa hamendje të kota e me hiperbola marrëmendëse. Nëse në përditshmëri në Kosovë njerëzit vrapojnë pas gojëdhanave, më shumë të krijuara nga pasionet, Moikom Zeqon edhe kur e intrigojnë baladat ai shkruan me kompetencë se zhdukja e filozofit të madh është mirfilltazi krim shtetëror. Edhe pas kaq vitesh Beogradi zyrtar, bile dhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, nuk shprehet qartazi se ku e kanë varrosur Ukshin Hotin? Shpresat se ai do të jetë gjallë pothuajse janë shuar. Profesor Rexhep Qosja në parathënien e librit “Doruntina kërkon Ukshin Hotin” të autorit Sefer Pasha thekson: – “Pse u burgos herën e dytë Ukshin Hoti i akuzuar për mendim politik, që e shqiptonin pa pasoja politikanët dhe intelektualët shqiptar në Kosovë? Pse pas vuajtjes së burgut e çua prej Mitrovicës së Stremit në burgun e Dubravës dhe pse nuk u bë e mundëshme të kthehet në shtëpi, por u mbajt në burg? Ku u çua prej burgut të Dubravës? Është i gjallë apo është i vdekur? Në qoftë se është i vdekur, ku dhe si e kanë vrarë? Dhe në qoftë se është i vdekur, ku është trupi i tij?”
Në librin e Sefer Pashës “Moikom Zeqo për Ukshin Hotin” lexuesi do të gjej dhe fragmente nga ditari sekret që autori i këtij libri ka mbajtur gjatë kohës kur njeriut të letrave Moikom Zeqo ju shfaq sëmundja e leuçemisë. Duke qëmutuar në këtë ditar të bën përshtypje fakti që edhe në çastet më të zymta kur poeti lëngonte nga një vetmi e pashoqe ai interesohej për fatin e tragjikut Ukshin Hoti. Ja një fragment ditari : 8 nëntor 2016. -“Në kafenenë “Çajupi” Moikom Zeqo më tha se miku i tij Bedri Islami i kishte dërguar ilaçe që nga Gjermania. Bedri Islami i kishte thënë gjithashtu se është e zorëshme që Ukshin Hoti të jetë gjallë”.
Moikom Zeqo e kishte redaktuar dhe botuar pesë herë librin e Ukshin Hotit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”. Në kafenenë e tij të preferuar “Çajupi”, ku rreth tij mblidheshin krijuesit, ai shprehej se dëshironte të bënte dhe botimin e gjashtë. Në botimin e ri do të përfshinte dhe atë pjesë të veprës së “ndaluar” nga njerëzit e tij të afërm, por dhe nga politikanët kosovar. Poeti kishte dëgjuar prej të motrës Myrvetes, e cila i kishte thënë se e kishte amanet nga i vëllai, që e gjithë vepra e tij të botohet e plotë. Të mos mbetej asnjë rresht pa i shkruar çiltazi lexuesit, edhe kur ato daraviteshin e mikloheshin në ajrin e imagjinatës, të mitizuara e murosura në dalldi me vegimet sipërane e metafora energjike. Pas vdekjes së Moikom Zeqos ky amanet u plotësua nga adhuruesi Halil Kuliqi në Kosovë. Promovmi i plotë i veprës së Ukshin Hotit u bë në sallën e Muzeut Kombëtar në Tiranë.
