Nga Fatos Tarifa
Në politikën e jashtme, jo kushdo që di të krijojë miqësi di edhe të ndërtojë aleanca. Jo kushdo që synon të fitojë simpatinë e liderëve të vendeve të fuqishme di të mbrojë interesat e vendit të vet. Dhe jo çdo kryeministër që shfaqet vazhdimisht në forume dhe në skenën ndërkombëtare është domosdoshmërisht një burrë shteti me vizion strategjik. Përkundrazi, ndonjëherë, pas një diplomacie të zhurmshme e plot protagonizëm fshihet një varfëri e habitshme gjykimi strategjik dhe bonsensit politik.
Kam përshtypjen se ky është një ndër paradokset më domethënës të politikës së jashtme të Edi Ramës: një kryeministër me ambicie të mëdha për protagonizëm ndërkombëtar, por me një instinkt çuditërisht të dobët për të dalluar interesat strategjikë të Shqipërisë nga interesat, simpatitë dhe vanitetet e veta personale.
Realizmi politik, nga Tukididi te Hans Morgenthau (Politics Among Nations, 1948) dhe Raymond Aron (Paix et guerre entre les nations, 1962), na mëson se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të mbështeten në simpatitë personale të liderëve, por duhet të udhëhiqen, para së gjithash, nga interesat strategjikë të shteteve që ata përfaqësojnë. Interesi kombëtar është parimi më i lartë në politikën e jashtme të një shteti, i vetmi parim me të cilin, siç shprehej Henry Kissinger, “nuk mund të bëhet kompromis”, ndërsa maturia dhe gjykimi strategjik janë cilësi të një burri të vërtetë shteti.
Miqësitë mund t’i shërbejnë diplomacisë, por nuk mund ta zëvendësojnë atë. Siç shprehej dikur Lordi Palmerston, shtetet nuk kanë miq apo armiq të përjetshëm; të përjetshme janë interesat e tyre. Kjo është veçanërisht e vërtetë për shtetet e vogla, për të cilat një gabim strategjik mund të ketë pasoja shumë më të rënda sesa për një fuqi të madhe. Sepse fuqitë e mëdha mund t’ia lejojnë vetes luksin e gabimeve diplomatike; shtetet e vogla shpesh paguajnë për to një çmim që nuk mund ta përballojnë.
Parë nga kjo perspektivë, një varg zgjedhjesh të Edi Ramës në marrëdhëniet me liderë të huaj, ndonëse në dukje pa lidhje me njëra-tjetrën, zbulojnë një prirje të përbashkët dhe shqetësuese: personalizimin e politikës së jashtme, duke u dhënë marrëdhënieve dhe preferencave personale përparësi ndaj një vlerësimi të matur të interesave strategjikë të Shqipërisë.
Afrimi i tij i pazakontë me Aleksandar Vuçiçin dhe përkushtimi ndaj projektit të Ballkanit të Hapur ilustrojnë një keqkuptim të thellë të prioriteteve strategjike të Shqipërisë. Bashkëpunimi me Serbinë është i nevojshëm dhe në interes të stabilitetit rajonal, por ai nuk mund të ndërtohet duke shpërfillur interesat e Kosovës dhe duke i dhënë marrëdhënies personale me presidentin e një shteti që nuk e njeh pavarësinë e saj një rëndësi më të madhe sesa mirëkuptimit politik me Prishtinën.
Këtu qëndron edhe paradoksi më i madh i kësaj politike: ndërsa Rama investonte kapital politik për të krijuar një partneritet të privilegjuar me Beogradin, marrëdhëniet me Kosovën, aleaten më të natyrshme të Shqipërisë dhe partneren e saj të pazëvendësueshme strategjike në Ballkan, përkeqësoheshin. Në vend që afrimi me Serbinë të forconte pozitën e përbashkët të shqiptarëve në rajon, ai rrezikonte të krijonte përçarje pikërisht aty ku uniteti strategjik ishte më i nevojshëm.
Bashkëpunimi me Serbinë është një domosdoshmëri për stabilitetin rajonal, por ai kërkon realizëm historik dhe kthjelltësi strategjike. Një shtet që historikisht ka qenë në qendër të disa prej tragjedive më të mëdha të Ballkanit dhe që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk mund të trajtohet sikur e kaluara të mos kishte ndodhur dhe konfliktet themelore politike të ishin kapërcyer. Diplomacia nuk kërkon të harrosh historinë, por të nxjerrësh prej saj mësimet e duhura. Përndryshe, pragmatizmi rrezikon të shndërrohet në naivitet politik dhe afrimi diplomatik në një iluzion strategjik.
I njëjti deficit gjykimi shfaqet, në forma të tjera, edhe përtej Ballkanit. Afrimi demonstrativ me qeverinë e ish-kryeministrit Netanyahu, në një kontekst përplasjesh të ashpra ndërmjet Izraelit dhe Turqisë, kërkon një kujdes diplomatik që nuk mund të zëvendësohet me entuziazëm personal. Shqipëria ka arsye të rëndësishme për të zhvilluar marrëdhënie të mira me Izraelin, por ka po aq arsye të rëndësishme për të ruajtur e forcuar partneritetin strategjik me Turqinë. Diplomacia e një shteti të vogël nuk është arti i zgjedhjes së miqve të preferuar, por aftësia për të ruajtur ekuilibrat e domosdoshëm.
Turqia nuk është thjesht një vend mik i Shqipërisë. Ajo është një fuqi e rëndësishme rajonale, një aleate në NATO, një aktor me peshë të veçantë në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit, të Mesdhrut dhe Lindjes së Mesme dhe një mbështetëse e rëndësishme e Kosovës. Partneriteti shqiptaro-turk mbështetet në lidhje historike, interesa të qëndrueshme gjeopolitike, bashkëpunim ekonomik dhe, mbi të gjitha, në marrëdhënie konkrete në fushën e mbrojtjes, të sigurisë dhe të modernizimit të Forcave të Armatosura. Këto janë interesa shtetërorë, që nuk mund të relativizohen nga preferencat personale të një kryeministri.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet me Izraelin kanë rëndësinë dhe vlerën e tyre të padiskutueshme. Por marrëdhëniet me një shtet nuk duhen ngatërruar me mbështetjen politike për qeverinë e tij, aq më pak kur kjo qeveri drejtohej nga Benjamin Netanyahu, politikat e të cilit në Gaza kanë shkaktuar një katastrofë humanitare dhe janë bërë objekt akuzash tepër të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Një shtet serioz mund të kultivojë marrëdhënie të ngushta me Izraelin, të njohë të drejtën e tij për siguri dhe të dënojë pa asnjë ekuivok antisemitizmin, pa heshtur përballë shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe pa e shndërruar miqësinë me Izraelin në një mbështetje të pakushtëzuar për Netanyahun.
Për një vend si Shqipëria, që e mbështet sigurinë dhe legjitimitetin e vet ndërkombëtar te aleancat perëndimore, respektimi i së drejtës ndërkombëtare nuk mund të jetë një parim që zbatohet në mënyrë selektive, sipas simpative apo interesave të çastit të kryeministrit. Nuk mund të kërkosh respektimin e së drejtës ndërkombëtare për Kosovën dhe ta relativizosh rëndësinë e saj kur bëhet fjalë për Palestinën.
Kjo nuk është diplomaci realiste, por një standard i dyfishtë që cenon besueshmërinë morale dhe politike të shtetit. Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet diplomacisë institucionale dhe subjektivizmit diplomatik: e para udhëhiqet nga interesa të qëndrueshme dhe parime të qarta; i dyti nga preferenca personale, afërsi politike dhe kalkulime të momentit.
Për Shqipërinë, e cila nuk ka as fuqinë dhe as luksin gjeopolitik të përfshihet në rivalitetet e Lindjes së Mesme, ruajtja e marrëdhënieve të mira njëherësh me Ankaranë dhe Tel Avivin nuk është shenjë oportunizmi, por një domosdoshmëri strategjike. Të privilegjosh demonstrativisht njërën marrëdhënie, pa vlerësuar pasojat e mundshme për tjetrën, do të thotë ta orientosh diplomacinë dhe politikën e jashtme të vendit tënd sipas preferencave personale.
Edhe më shqetësuese bëhet kjo prirje kur diplomacia shtetërore ndërthuret me interesa të mëdha private dhe marrëdhëniet ndërkombëtare rrezikojnë të shndërrohen në një rrjet afërsish personale me njerëz të pasur e të fuqishëm.
Afrimi i kryeministrit Rama me Jared Kushnerin, dhëndrin e Presidentit Trump, dhe Ivanka Trumpin, projekti kontrovers i Sazanit dhe Zvërnecit, marrëdhëniet e privilegjuara me investitorë nga monarkitë e pasura arabe, si edhe përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes të Trumpit, ngrenë së bashku një shqetësim që shkon përtej secilit prej këtyre episodeve: rrezikun e zbehjes së kufirit ndërmjet diplomacisë institucionale, interesave private të biznesit dhe ambicieve personale të kryeministrit për protagonizëm ndërkombëtar.
Në një demokraci funksionale, marrëdhëniet me investitorët e huaj duhet të udhëhiqen nga transparenca, konkurrenca dhe interesi publik, jo nga privilegji i afërsisë me pushtetin.
Pikërisht për këtë arsye, çështja nuk është thjesht se çfarë përfiton Shqipëria nga këto marrëdhënie, por edhe çfarë angazhimesh merr përsipër, kujt i krijohen privilegje dhe kush mban përgjegjësi për pasojat e tyre. Kur këto pyetje mbeten pa përgjigje bindëse, diplomacia rrezikon të mos perceptohet më si instrument i interesit kombëtar, por si një diplomaci marrëdhëniesh personale, ku prestigji i kryeministrit dhe interesat e shtetit bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar.
Nuk është e nevojshme të supozohen motive të paligjshme për të vënë në dyshim mençurinë e këtyre zgjedhjeve. Mjafton të kërkohet transparencë dhe një shpjegim bindës i përfitimeve strategjike për Shqipërinë.
Aleanca strategjike e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara nuk forcohet domosdoshmërisht duke favorizuar projektet private të njerëzve pranë presidentit amerikan. As prestigji ndërkombëtar i vendit tonë nuk fitohet duke iu bashkuar çdo nisme të tij, veçanërisht kur partnerët kryesorë europianë shprehin rezerva.
Bordi i Paqes është ndoshta shembulli më domethënës i këtij konfuzioni ndërmjet diplomacisë shtetërore dhe diplomacisë së personalizuar. I paraqitur fillimisht si një instrument për administrimin e paqes dhe rindërtimin e Gazës, ai mori trajtën e një strukture me ambicie shumë më të gjera ndërkombëtare, me një organizim që përqendron kompetenca të pazakonta në duart e Donald Trumpit. Kryesimi i tij nuk lidhet thjesht me mandatin presidencial amerikan, ndërsa mekanizmi i anëtarësimit në të ngrenë pyetje serioze mbi natyrën, transparencën në vendimarrje, legjitimitetin dhe të ardhmen institucionale të kësaj organizate.
Nuk është rastësi që Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe një numër vendesh të tjera perëndimore kanë refuzuar ose kanë shmangur anëtarësimin në këtë strukturë. Rezervat e tyre nuk burojnë nga ndonjë kundërshtim ndaj paqes, por nga shqetësimi se krijimi i mekanizmave paralelë, të përqendruar rreth autoritetit personal të një njeriu të verëm si Donald Trump, mund të dobësojë institucionet shumëpalëshe dhe rendin ndërkombëtar.
Natyrisht, Shqipëria ka çdo arsye të mbështesë përpjekjet amerikane për paqen. Por aleanca me Shtetet e Bashkuara është një marrëdhënie strategjike ndërmjet dy shteteve, jo një detyrim për t’iu bashkuar çdo projekti politik të presidentit të radhës. Përse duhej Shqipëria të nxitonte drejt një angazhimi të tillë, pa një debat të gjerë publik mbi natyrën dhe pasojat e tij? Çfarë fiton konkretisht vendi ynë? Dhe, mbi të gjitha, a i shërben ky angazhim orientimit tonë europian dhe forcimit të multilateralizmit, apo kryesisht dëshirës së kryeministrit për të qenë pjesë e rrethit “të privilegjuar” të Trumpit?
Këto pyetje nuk janë retorike. Ato prekin një parim themelor të realizmit politik: besnikëria ndaj aleancave nuk duhet të shndërrohet në nënshtrim ndaj vullnetit personal të liderëve të shteteve aleate. Aq më pak kur vetë aleatët tanë kryesorë europianë tregohen të rezervuar.
Ndërkohë, një qëndrim aspak pragmatik ndaj Kinës dëshmon një tjetër mangësi: vështirësinë për të dalluar besnikërinë euroatlantike nga nevoja për marrëdhënie ekonomike të kujdesshme me fuqitë e tjera. Një diplomaci e pjekur di të mbrojë aleancat pa krijuar armiqësi të panevojshme.
Argumenti se zgjerimi i marrëdhënieve tregtare me Kinën, fuqinë më të madhe tregtare në botë, apo pranimi i investimeve kineze në ekonominë shqiptare do të sillnin domosdoshmërisht rritjen e ndikimit politik të Pekinit në Shqipëri, mbështetet në një konceptim simplist dhe reduksionist të marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, që ngatërron ndërvarësinë dhe shkëmbimet ekonomike me varësinë politike.
Tregtia nuk prodhon automatikisht nënshtrim politik, sikurse investimet e huaja nuk përkthehen domosdoshmërisht në ndikim gjeopolitik. Rreziqet e një ndikimi të tillë janë reale, por ato varen nga natyra dhe përmasat e investimeve, sektorët strategjikë ku përqendrohen, kushtet financiare dhe kontraktuale, si dhe shkalla e varësisë ekonomike që mund të krijojnë.
Në fund të fundit, ajo që përcakton nëse bashkëpunimi ekonomik shndërrohet në instrument ndikimi politik është aftësia e institucioneve shtetërore për të garantuar transparencën, për të parandaluar varësitë strategjike dhe për të mbrojtur sovranitetin ekonomik dhe interesin kombëtar.
Nëse tregtia me Kinën do të përbënte në vetvete një rrezik për orientimin perëndimor të një vendi, si do të shpjegohej fakti që Gjermania, Franca, Hollanda, Italia, Greqia dhe vetë Bashkimi Europian vazhdojnë të kenë marrëdhënie të gjera ekonomike me Pekinin? Përse Kanadaja, një aleate e rëndësishme e Shteteve të Bashkuara dhe anëtare e NATO-s, vazhdon të zhvillojë marrëdhënie tregtare me Kinën, duke vlerësuar në mënyrë të kujdesshme rreziqet e sigurisë?
Kina është partneri i dytë tregtar i Bashkimit Europian dhe një ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kanadasë, dy prej shtyllave më të rëndësishme të botës transatlantike. Kjo dëshmon se orientimi strategjik euroatlantik nuk e përjashton bashkëpunimin ekonomik me Pekinin. Çështja nuk është nëse duhet të bëjmë tregti me Kinën, por si të bashkëpunojmë me të pa krijuar varësi strategjike që cenon interesat dhe sigurinë kombëtare.
Bashkimi Europian e ka formuluar qartë qasjen e vet: “de-risking, not decoupling” — zvogëlim të varësive dhe rreziqeve strategjike, jo shkëputje ekonomike nga Kina. Kjo do të thotë kontroll mbi investimet në sektorë të ndjeshëm, mbrojtje e infrastrukturës kritike, transparencë financiare dhe diversifikim i partnerëve, por jo refuzim apriori i çdo bashkëpunimi ekonomik.
Përse Shqipëria duhet të jetë më dogmatike sesa vetë partnerët e saj euroatlantikë? Një vend me ekonomi të vogël e të pazhvilluar, me nevoja të mëdha për kapital të huaj, teknologji dhe tregje të reja, nuk ka asnjë interes të kufizojë artificialisht mundësitë e veta ekonomike. Natyrisht, investimet kineze në porte, telekomunikacion, energji apo infrastrukturë strategjike duhet t’i nënshtrohen një kontrolli rigoroz. Por kjo vlen për çdo investitor të huaj, pavarësisht origjinës së kapitalit. Siguria kombëtare mbrohet me institucione dhe rregulla, jo me paragjykime gjeopolitike.
Të jesh një vend euroatlantik nuk do të thotë të heqësh dorë nga pragmatizmi ekonomik. Përkundrazi, do të thotë të kesh institucione aq të forta dhe një orientim strategjik aq të qartë, sa të mund të bashkëpunosh ekonomikisht edhe me shtete me të cilat nuk ndan të njëjtin sistem politik.
Në këtë kontekst, gjestet teatrale të Ramës në tubimet europiane nuk janë thjesht çështje stili. Përkuljet, përqafimet e ekzagjeruara dhe familiariteti demonstrativ me liderë të huaj duken si shprehje e së njëjtës prirje për ta paraqitur dukjen si substancë, vëmendjen si respekt dhe afërsinë personale si ndikim politik.
Aristoteli e quante “phronesis” urtësinë praktike: aftësinë për të gjykuar jo vetëm çfarë është e dëshirueshme, por edhe çfarë është e drejtë dhe e dobishme në rrethana konkrete. Pikërisht këtë cilësi duhet të ketë një burrë shteti. Jo vetëm ambicie, energji apo aftësi komunikimi, por edhe vetëpërmbajtje, maturi dhe ndjenjën e masës.
Problemi i Ramës nuk është se ka shumë miq jashtë Shqipërisë. Problemi është se, në përpjekjen për të qenë mik me të fuqishmit, ai duket se harron se detyra e tij nuk është të fitojë simpatinë e tyre, por të mbrojë interesat e vendit që përfaqëson.
Politika e jashtme e një shteti nuk vlerësohet nga biografia dhe gjeografia e miqësive të kryeministrit të tij. Po kështu, diplomacia nuk është arti për t’u dukur i rëndësishëm në sytë e botës, por aftësia për ta bërë vendin tënd më të respektuar, më të sigurt dhe më të fortë.
DITA
