Prof. Marenglen Kasmi
Botuar në DITA
Në kuadër të një qëndrimi studimor disamujor në Institutin e Historisë Ushtarake të Potsdamit në Gjermani para disa kohësh, kisha planifikuar hulumtime edhe në arkivin federal në Berlin. Duke rrëmuar nëpër indekset arkivore, hasa dy dosje (vëllime), e para me numrin R 8034/II 8478 dhe e dyta R 8034/ II 8479. Të dyja dosjet kishin mbishkrimin Shqipëria: Veprimtaria shtetërore dhe ekonomike [Albanien, Staats- und Wirtschaftsleben].
Vëllimi i parë fillonte më 15 nëntor 1913 dhe mbaronte më 23 maj 1914, ndërsa vëllimi i dytë vazhdonte prej 24 majit 1914 deri më 9 nëntor 1915. I porosita të dyja dosjet dhe pak më vonë shërbimi i sallës më njoftoi se ato ishin gati. I shtyrë nga kurioziteti ndërpreva punën që po bëja dhe fillova menjëherë t’i shfletoja. Përmbajtja e tyre ishte befasuese. Në to gjendeshin artikuj të gazetave gjermane të kohës, si Vossische Zeitung, Berliner Zeitung am Mittag, Neue Freie Presse, Berliner Tageblatt, Tägliche Rundschau, Vossische Zeitung, Neue Freie Presse, Berliner Lokal Anzeiger, Frankfurter Zeitung, Leipziger Neue Nachrichten, Berliner Neue Nachrichten, Deutsche Tages Zeitung etj., ku shkruhej vetëm për Shqipërinë. Madje, arkivistët, gjatë përpunimit të dokumentacionit – sipas shkrimit duhet që përpunimi të jetë bërë diku rreth viteve 1920 – ishin kujdesur t’i radhisnin artikujt kronologjikisht, ditë pas dite.
Bëhet fjalë për disa qindra artikuj të madhësive të ndryshme. Gazetarët gjermanë shkruanin nga Durrësi e Vlora për situatën në Shqipëri në vitet 1913 – 1914, kur shqiptarët ishin në pritje të princit Wilhelm zu Wied, që Fuqitë e Mëdha u kishin caktuar në krye të shtetit të tyre të ri. Kjo ngjarje ishte mjaft intriguese për lexuesit gjermanë. Një princ gjerman, ndonëse paksa i rënë nga vakti, po dërgohej si sundimtar në një vend krejt të padëgjuar, si Shqipëria. Kështu që, të gjitha gazetat gjermane u kujdesën t’i dërgonin gazetarët e tyre në këtë vend të panjohur e të pazhvilluar. Nga ana tjetër, njoftimet që vinin prej Shqipërisë ishin të rëndësishme edhe për politikën gjermane të kohës. Nuk duhet harruar që jemi në një periudhë ku shtypi orientonte ende politikëbërjen, paçka se është e vështirë të vlerësohet masa e ndikimit të tij në këtë proces.
Vlera historike e këtij dokumentacioni është shumë e madhe. Në të gjenden vlerësime të situatës së përgjithshme të Shqipërisë, pas Shpalljes së Pavarësisë, problemet politike, ekonomike, sociale e kulturore që ka vendi, raportet e tij me vendet fqinje. Më tej, në to raportohet në kohë reale mbi ngjarje të rëndësishme duke u pasqyruar këndvështrimi i personazheve historike, si Ismail Qemali, Esat pashë Toptani, Turhan pasha etj. Sigurisht që në qendër të vëmendjes qëndronte princ Wied-i.
Deri tani, si dokumentacion të kësaj natyre për historinë e Shqipërisë në fillimshekullin XX kemi njohur vetëm Korrespondencën Shqiptare të Leo Freundlich, e përgatitur për botim në vitin 2012 në gjuhën gjermane nga studiuesi i ndjerë, Robert Elsie.
Leo Freundlich, një publicist austriak, duke filluar prej muajit korrik 1913 e deri në gusht të vitit pasardhës mblidhte çdo ditë artikujt e shtypit që flisnin për Shqipërinë. Shpesh ai i shpërndante këta artikuj, të cilët i quante Korrespondenca shqiptare, edhe në zyrat shtetërore të qeverisë austro-hungareze, duke themeluar, në një farë mënyre pa dashur, edhe agjenturën e parë shqiptare të lajmeve.
Krahasuar me Korrespondencën Shqiptare që, sikurse thamë, bazohet kryesisht në shtypin austro-hungarez, por edhe në burime të tjera që Leo Freundlich nuk i përmend, shtypi gjerman jo vetëm që e plotëson dokumentimin e kësaj periudhe, por vjen në një formë edhe më të plotë. Ai mbulon me njoftime një periudhë kohore plot dyvjeçare, nëntor 1913 – nëntor 1915, ndërkohë që Korrespondenca Shqiptare ka pasqyruar një periudhë prej diçka më shumë se një vit, korrik 1913 – gusht 1914. Po ashtu, duhet theksuar se, meqenëse qeveria gjermane nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, shtypi gjerman ishte në gjendje të vepronte më i pavarur, e të shkruante më i pandikuar, çka ndoshta nuk mund të thuhet për shtypin austro-hungarez apo edhe atë italian, duke ditur interesat e këtyre vendeve në Shqipëri e më gjerë në Ballkan. Nëse i krahasojmë të dyja burimet tona, vihet re lehtësisht që, ndërsa Korrespondenca Shqiptare fokusohet kryesisht vetëm në përshkrimin e ngjarjeve, shtypi gjerman i kushton një rëndësi të veçantë edhe analizës së tyre.
Mund të themi pa hezitim që këto shkrime të shtypit gjerman të kohës përbëjnë dokumentimin më të plotë për historinë e Shqipërisë në vitet 1913 – 1915. Sigurisht që në këto shkrime nuk bëhet fjalë për studime shkencore, por për një gazetari serioze, e cila kujdeset të bëjë analiza sa më të qëndrueshme e realiste. Për të vërtetuar besueshmërinë e këtyre informacioneve, duke iu referuar ngjarjeve kryesore të ndodhura në këtë periudhë, si arrestimi i Esat pashës nga princ Wied-i, kryengritja e Shqipërisë së Mesme etj., i kemi krahasuar ato edhe me burimet arkivore të Arkivit Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin [Politisches Archiv des Auswärtigen Amts]. Përputhshmëria e informacionit është mjaft e madhe.
Sa më sipër, në kuadër të 110-vjetorit të ardhjes së princ Wied-it në Shqipëri (1914 – 2024), mendova të përgatis një botim kushtuar kësaj periudhe të shkurtër historike të Shqipërisë në fillim të shekullit XX, duke u përqendruar në burimet arkivore gjermane për këtë periudhë, e kryesisht në këtë dokumentacion të ri.
Për ta bërë botimin sa më të plotë, në kreun e parë jepet një studim për periudhën e Wied-it, që e kemi quajtur Ksenokracia e një princi gjerman në Shqipëri. Ndër të tjera, në të trajtohen arsyet e zgjedhjes së Wied-it si sundimtar i Shqipërisë, marrëdhëniet e tij me Esat pashën, kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, shkaqet e dështimit të qeverisjes së Wied-it në Shqipëri e deri te problemet e Wied-it me drejtësinë pas Luftës së Parë Botërore etj. Ky studim është i rëndësishëm, sepse plotëson kuadrin e botimit dhe e lehtëson vazhdimin e leximit, duke e bërë atë më të kuptueshëm.
Në kreun e dytë, që është edhe pjesa më e rëndësishme e këtij botimi, jepen artikujt e shtypit gjerman të kohës. Kemi përzgjedhur e përgatitur për botim rreth 50 artikuj që trajtojnë periudhën kohore janar – maj 1914. Metodologjia e ndjekur për zgjedhjen e tyre është bazuar në rëndësinë e ngjarjeve, duke ndjekur kronologjinë e zhvillimit të tyre.
Risjellja e refleksioneve të princ Wied-it për Shqipërinë, në kreun e katërt të këtij botimi, e ndihmon lexuesin të krijojë një tablo më të plotë historike për këtë periudhë. Me këto refleksione, lexuesi shqiptar është njohur edhe më parë, por kryesisht me përkthime nga gjuha angleze. E veçanta e këtij botimi është se i sjellim ato për herë të parë të plota dhe të përkthyera nga origjinali në gjuhën gjermane, shtypur nga një manuskript.
Në kapitullin e fundit, botohen për herë të parë në gjuhën shqipe kujtimet e sekretarit të dytë në shërbimin diplomatik gjerman, Rudolf Nadolny. Më 29 prill 1914, Ministria e Jashtme gjermane vendosi hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në formën e një Agjencie Diplomatike pranë qeverisë së princ Wied-it. Meqenëse ende nuk dihej nëse Wied-i dhe qeveria e tij do të qëndronin përfundimisht në Durrës, emërtimi i plotë i kësaj përfaqësie jetëshkurtër ishte “Agjencia diplomatike dhe Konsullata e Përgjithshme për Shqipërinë”. Agjencia e filloi menjëherë aktivitetin e saj dhe provizorisht ajo u drejtua nga Nadolny. Kur Wied-i mbërriti në Shqipëri, Nadolny ishte i vetmi përfaqësues i shërbimit diplomatik gjerman që ndodhej pranë tij. Kujtimet e Nadolny-t hedhin një dritë mjaft interesante mbi ngjarjet e ndodhura. Krahasimi që u kemi bërë kujtimeve të tij me raportet zyrtare që ai dërgonte nga Durrësi në Berlin përgjatë vitit 1914, dokumentacion që gjendet në Arkivin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, i klasifikojnë ato pa hezitim si një burim i vlefshëm dhe i besueshëm historik.
***
Kiel N. Nachrichten, 25 janar 1914
Në principatën shqiptare
Nga Fritz Lorch
Shqiptarët dhe kandidatura e Wied-it
Vlorë, 14 janar 1914
Orienti është një sfinks edhe për njohësit më të mirë të tij. Këtë e rikonfirmoi përsëri historia e viteve të fundit: Abdyl Hamiti u kap në befasi nga revolucioni xhonturk, ndonëse kishte ndërtuar në gjithë perandorinë një rrjet spiunazhi të zgjeruar. Sikurse edhe vetë xhonturqit, të cilët pretendonin se e vlerësonin saktë situatën, fillimi i luftës ballkanike i goditi si një rrufe në qiell të kthjellët. Një nga territoret më të panjohura në ish-perandori është edhe principata e re shqiptare. Kush guxon të kuptojë mendimin e popullit shqiptar për kandidaturën e princ Wied-it, ballafaqohet me një mijë vështirësi. Së pari, të karakterit gjuhësor: ka vërtet shumë pak europianë të cilët e kuptojnë dialektin gegë të Veriut, atë toskë në Jug dhe dialektin elbasanas në qendër të perandorisë së re. Përveç kësaj, është mëse e dyshimtë nëse shqiptari do ju thotë të vërtetën: nëse ai është analfabet, nuk do të dijë të përgjigjet fare. Nëse atë e ka parë kultura dhe jo ai kulturën, atëherë ai do t’i përgjigjet intervistuesit në një mënyrë të tillë, që ai mendon se ashtu është më e pëlqyeshmja për intervistuesin. Ndërkohë nuk duhet harruar se nëntëdhjetë e nëntë për qind e shqiptarëve janë analfabetë! Me të drejtë mund të pyesësh veten nëse “bijtë e shqipes” kanë një ndjenjë kombëtare. Jo më larg se para disa vitesh, kjo pyetje e shtruar në këtë mënyrë të përgjithshme, do të kishte përgjigje negative. Por, me shpërthimin e revolucionit xhonturk ka ndodhur një ndryshim, i cili duhet të konsiderohet befasues. Ishin shqiptarët ata që hodhën tej të parët prangat e sundimit absolut. Ishin po ata që ngritën krye me krenari dhe rrokën armët, kur qeveria e Komitetit në Kostandinopojë tentoi që djemtë e lirë të maleve, të cilët dashuronin të drejtat shekullore si veten e tyre, t’i kthente në osmanë të turqizuar, duke futur sistemin e taksave, shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe alfabetin turk. Për aq kohë sa sulltanët turq i trajtonin shqiptarët si bashkëluftëtarë dhe i shpërblenin, ishin në gjendje të pushtonin botën me ta. Prej momentit, kur ata donin t’u imponoheshin dhe të tronditnin traditat e tyre të vjetra, ata u shndërruan nga miq në armiq. Drejtuesit e popullit shqiptar e kuptuan se vetëm nëpërmjet bashkimit mund të shpëtohej pavarësia e vendit. Dhe menjëherë filloi një agjitacion i gjallë për një Shqipëri të lirë e të pavarur, e cila nuk duhej të kishte më lidhje me perandorinë turke.
Pra, një ndjenjë kombëtare ekziston, si te drejtuesit në qytete ashtu edhe te kryetarët e fiseve në brendësi të vendit. Dhe, këta drejtues e kuptojnë mjaftueshëm situatën e jashtme dhe të brendshme, sa për të ditur që sot, miqtë e tyre të vetëm janë Austro-Hungaria dhe Italia. Shqipëria nuk është ende gati për të qenë republikë. Prandaj, përse nuk duhet të jenë dakord këta prijës shqiptarë për një princ, kandidatura e të cilit mbështetet me vendosmëri nga këto dy fuqi? Shqipëria mund të mbrohet nga etja për territore e Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi vetëm me ndihmën e Aleancës Tripalëshe, pas së cilës qëndrojnë edhe Fuqitë e Mëdha të tjera. Përse duhet që Shqipëria të ndjekë një rrugë të vetën, e cila e çon atë në humnerë? Një arsye tjetër është se Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë ndonjë dinasti të vetën. Arsyeja qëndron në karakterin popullor primitiv demokratik, në pakalueshmërinë dhe izolimin e vendit, i cili nuk ka lejuar asnjëherë krijimin e një shteti modern por më tepër favorizonte ndarjen në shumë organizime fisnore. Po ashtu, shqiptarët e kanë të qartë që asnjë prijës fisi, i vjetër apo i ri, nuk është i pavarur mjaftueshëm, qoftë mendërisht ashtu edhe financiarisht, për të dominuar mbi prijësit e tjerë, të cilët deri në këtë kohë kanë qenë në të njëjtin rang. Nga ana tjetër, princi vendas do të ishte mysliman, katolik ose ortodoks. Asnjëra origjinë e tillë nuk do të ishte e mirë. Një princ mysliman do të kishte kundër malësorët e frikshëm katolikë dhe mirditorët në Veri, si edhe ortodoksët e kultivuar në Juglindje. Por edhe një princ “latin” ose “grek” nuk do të qeveriste dot pa shumicën myslimane. Duhet përmendur që ndërmjet shqiptarëve nuk ka pasur kurrë konflikte fetare serioze dhe të krishterët dhe myslimanët jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, në këtë kontekst luftarak europian. Megjithatë është më mirë që princi i ardhshëm të mos i përkasë asnjërës nga tre besimet fetare.
Natyrisht duhet që Princi të sjellë me vete para, madje shumë para. Shqipëria ishte e pasur për aq kohë sa shqiptarët ishin shok armësh dhe vezirë të turqve dhe sillnin plaçkë lufte në shtëpi. Por, që kur vendi është i varur prej burimeve të veta, kur armiqtë e shtrëngojnë nga të gjitha anët, kur gjakmarrja është shndërruar në një sport par exellence, bijtë krenarë të maleve janë shtrënguar të emigrojnë për të fituar bukën e gojës ose të kthehen në lypës dhe të vuajnë nga uria, të vjedhin njëri-tjetrin dhe të shkatërrojnë ato pak vlera që ka vendi. Me paratë që pritet të sjellë Princi ose që do të vijnë së bashku me të, duhet të ndërtohen hekurudha, të kultivohen sipërfaqe të mëdha toke, të ndërtohen porte dhe mole detare dhe të zhvillohet industria. Norma e interesit për paranë është shpesh mbi 60 përqind! Shqiptari nuk është në gjendje të paguajë taksa, sepse është i varfër; hë për hë, si burim të ardhurash shërbejnë vetëm doganat. Prandaj pritet që me ardhjen e princ Wied-it, do të vijë edhe një rrymë e madhe ari në vend.
Se çfarë roli të madh do të ketë “paraja” në perandorinë e re të shqiponjave mund ta kuptosh nga fakti që, sot, Shqipëria ka tri qeveri vetëm përgjatë bregdetit, – pa përmendur ato në brendësi të vendit. Këtu në Vlorë, së bashku me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, sundon Ismail Qemali, një pasardhës i trungut të vjetër të Vlorajve. Në Durrës mbretëron Esat pasha dhe në Shkodër drejton Komisioni i Marinës i Fuqive të Mëdha. Të gjitha këto qeveri, me përjashtim të Shkodrës, e sigurojnë ekzistencën e tyre nga taksat doganore. Nëse Princi i ri dëshiron të dalë i fituar nga konfliktet administrative me gjithë këto grupime, duhet që të ketë në dispozicion të tij më shumë mjete financiare. E thënë shkurt dhe qartë: sa më shumë [para] të sjellë Princi me vete, aq më e përzemërt do të jetë pritja e tij.
***
Berliner Lokal-Anzeiger, 26 prill 1914.
Si u krijua Froni shqiptar?
Nga E. L. Platz
Është krijuar një Shqipëri e lirë dhe e pavarur. Banorët e saj, pasardhës të ilirëve të lashtë, fiset e të cilëve u përhapën në të dy brigjet e detit Adriatik e deri në Danub, ishin të pavarur në gjuhë, organizim dhe zakone. Ndonëse dalloheshin për cilësi të larta fizike dhe mendore, ata nuk mundën të formonin një shtet koheziv, sepse ishin të ndarë dhe nuk ishin në gjendje t’i linin përfitimet personale ose fisnore para interesit të përbashkët. Gjithashtu, ata nuk ishin mjaftueshëm të fortë për të shmangur armiqtë e jashtëm dhe kësisoj, iu nënshtruan sundimit romak, sundimit bizantin, sundimit serb dhe atij turk. Vetëm disa personalitete të forta arritën që nën udhëheqjen e tyre, të bashkonin përkohësisht një pjesë të madhe të vendit. Gjergj Kastrioti, princi i Krujës, i quajtur Skënderbeu, heroi legjendar kombëtar është ende i gjallë sot në memorien e popullit. Për 25 vite të përgjakshme, ai luftoi për lirinë e atdheut të tij kundër epërsisë së madhe të ushtrive turke. Ai e quajti veten me krenari “Princi i epirotëve dhe shqiptarëve si dhe ushtar i Jezu Krishtit”. Një ethe tinëzare i mori atij jetën. Populli i tij luftoi për pavarësi edhe për njëmbëdhjetë vjet të tjerë derisa iu nënshtrua dominimit turk në vitin 1479. Përsëri e në vazhdimësi, shqiptarët, bijtë e shqiponjave, tundnin krahët për të shkatërruar zinxhirët e urryer të robërisë. Por, atyre u mungonte udhëheqësi, që me grusht të hekurt ti mbante të bashkuar. Vitet e gjata të robërisë e ushqyen shpirtin e popullit shqiptar me dëshirën për drejtësi dhe liri. U hodhën kështu rrënjët e identitetit kombëtar deri sa erdhi ora e ndërgjegjësimit politik për bashkimin kombëtar.
Dhe erdhi ora! Europa foli; ajo donte paqe dhe siguri në Ballkan, një kundërvënie ndaj rivalitetit në rritje në brigjet e Adriatikut. Ajo krijoi një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe caktoi një princ gjerman për ta udhëhequr atë me dorë të fortë drejt paqes dhe kulturës: princin Wilhelm zu Wied. Territoret kufitare të vendit, vazhdimisht të diskutueshme, por pjesërisht të mbipopulluara nga popujt sllavë dhe helenë, u ndanë me një të rënë të lapsit dhe ranë në duart e Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Bërthama e vendit që mbeti në Shqipëri tregon ende ndarjet e vjetra: fiset e gegëve në Veri, të toskëve në Jug, janë të ndryshëm në dialekt dhe strukturë; të krishterët katolikë në Veri, greko-ortodoksët në zonat jugore dhe midis tyre janë myslimanët. Populli vazhdon të jetë i ndarë në fise, në malësorë, qytetarë dhe fshatarë. Të gjithë janë të ndryshëm në mendime, dëshira dhe ndjenja. Po ashtu edhe në të vepruar. Vetëm klithma e lirisë dhe e pavarësisë i zgjoi zemrat e tyre. Mbreti po vjen për të marrë trashëgiminë e Skënderbeut. Një murmurimë përhapet gjithandej: “Mbreti po vjen!” Ai do të sjellë paqe, liri e begati, por do të jetë edhe një gjykatës i drejtë. Frika nga ndëshkimi tashmë po paralizon dorën e krimit, i cili haset rrallë. Ai do të jetë mbrojtës i gjithë besimeve fetare, myslimanë e të krishterë. Kështu ata nuk do të ndikohen nga fanatikët. Ata duhet të punojnë së bashku për detyrën madhore, atë të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të atdheut.
Rrugët e hendeqet që të çojnë në Durrës, janë mbushur plot njerëz, të cilët vijnë nga malet e nga fusha, duke ecur në këmbë, mbi kuajt e tyre të vegjël e të forte dhe mbi qerre të tërhequra nga buajt. Veshur me kostumet e tyre të lashta e piktoreske, si në një kortezh pelegrinazhi, burra, gra – të mbuluara e fytyrëzbuluara – dhe fëmijë, po shkojnë të shohim mbretin e tyre.
I zgjuar nga gjumi shekullor, Durrësi përgatitet të bëhet rezidenca e mbretit. Mbi themelet e kalasë ngrihet godina gjysmë e rrënuar e gjykatës turke. Tani ajo do të kthehet në pallat, në “konakun” e princit. Para saj, në breg të detit, gjendet një kopsht i lulëzuar, në të cilin gjelbërojnë palmat dhe dafinat. Sheshi i portit, deri tani një grumbull i ndyrë rrënojash, me varrin e një myslimani të shenjtë në qendër, po rrafshohet e pastrohet dhe po dekorohet për festën. Kënetat pranë konakut po thahen. Një komision mjekësor po kontrollon puset dhe kanalizimet e qytetit dhe nxjerr urdhëresa. Mjeku personal i princit, që erdhi para tij, vaksinon fëmijët, të cilët fillimisht dolën vullnetarë, për të shmangur kësisoj epideminë shkatërruese të lisë.
Edhe rrugicat e shtrembra dhe me gunga u zbukuruan. U ndërtuan hotele, taverna dhe kafene: “Tek shpella blu“, “Tek guva e hajdutëve”, “Tek bujtina e gërmuesve të arit”, të cilat janë kthyer në miniera floriri për pronarët. Deri në katër burra flenë në një dhomë të mjerë, me mobilje copë-copë, por që e paguajnë shtrenjtë. Me çdo anije mbërrijnë nga Austria e Italia mysafirë të rinj, gazetarë, fotografë e kinematografë, gjuetarë punësh, spekulantë dhe aventurierë, sipërmarrës të rinj, tregtarë, zejtarë dhe teknikë. Por asnjë gjerman nuk vjen. Edhe këtë radhë si shpesh herë, ai do ta humbasë shansin duke u menduar gjatë, ndërkohë që të tjerët po ndërtojnë e rimodelojnë shtëpi, po shtypin mijëra kartëvizita për zyrtarët e rinj, po shtypin e shumëfishojnë rregulloret e reja, po bëjnë këpucë lustrafine e frakë për nëpunësit e rinj, po pjekin paninet etj.
Pas hekurave të dritares së haremit, gratë vështrojnë me kureshtje ngutjen dhe nxitimin e njerëzve në rrugë, të cilat zakonisht janë kaq të qeta. Patriotët mblidhen nëpër taverna për të diskutuar për politikë, për t’u këshilluar, por edhe për të vepruar. Shpirti i njerëzve fillon të vlojë dhe mjafton shkaku më i vogël për t’u derdhur. Një bej nga Jugu, i cili ishte plaçkitur nga grekët, hedh në tokë e thyen një tavllë duhani duke e shkelur në mënyrë demonstrative atë me këmbë, vetëm sepse në të me germa greke është shkruar emri i firmës prodhuese, “Singer”. Përfaqësuesi i kompanisë dhe ortodoksët e pranishëm ngrenë zërin, protestojnë. Situata bëhet e dhunshme. Përleshja pasohet nga një paradë nëpër rrugica, duke kënduar këngë patriotike dhe duke mbajtur fjalime. Një thashethem po qarkullon nëpër qytet: Nesër, 60 patriotë do të vijnë nga Vlora. Me vete kanë kuti me bojë dhe furça të mëdha, për të lyer shtëpitë ortodokse, nga bardh e kaltër, me ngjyrat e shqiptarëve, në kuq e zi. Ditën tjetër, qysh herët në mëngjes, pronarët e shtëpive të kërcënuara janë duke punuar për të parandaluar katastrofën. Ata po i lyejnë vetë shtëpitë me ngjyrat kuq e zi. Dhe boja, për fat të keq le gjurmët e saj edhe në palltot e shumë të huajve të pakujdesshëm.
17 shkurti është një ditë historike. Esat pasha nga familja Toptani, trashëgimtar i përfaqësuesit të Sulltanit në Tiranë, mbrojtësi i Shkodrës, me emër të madh, i frikshëm dhe megjithatë i respektuar, ambicia e të cilit ishte kurora e Shqipërisë, e mposhti dëshirën dhe hoqi dorë nga kurora. Ai shkon në Gjermani si udhëheqës i delegacionit të Shqipërisë për t’i ofruar princ Wied-it kurorën. Njerëzit e shoqërojnë deri në port. Në një fjalim të shkurtër ai vë në dukje rëndësinë e ditës, bashkimin dhe pavarësinë përfundimtare të Shqipërisë, të mishëruar në personin e Mbretit, të cilin po shkojnë ta marrin. “Rroftë mbreti Wilhelm I, rroftë Shqipëria!”, brohoret turma. Esat pasha hoqi dorë. Nga zgjuarsia vallë? Nga dashuria për atdheun?
Të gjitha ngjarjet e ditëve në vijim: evakuimi i Korçës nga grekët, ardhja e bandës muzikore nga Brindisi, delegacioni i mërgimtarëve shqiptarë nga Amerika e Veriut (Bostoni), Rumania, Italia, Bullgaria dhe Dalmacia, shkollat, topat e dërguara nga Italia për të përshëndetur ardhjen e princit, e Marta e Shenjtë, shkaktonin shpërthime të gëzueshme në shpirtin e popullit. Me një bandë muzikore ciganësh në krye, turma njerëzish bredhin çdo mbrëmje rrugicave që të çojnë te konaku, që tani për tani mishëron idenë princërore, duke thirrur pandërprerë: “Rroftë Mbreti! Rroftë Shqipnia!
Më 5 mars u kthye Esat pasha me delegacionin. Ai i njoftoi njerëzit që u grumbulluan rreth tij se ata kudo në Europë ishin pritur me dashamirësi dhe se princ Wied-i i kishte pranuar simbolikisht ujin, dheun dhe bukën e Shqipërisë, se ai ishte mbreti i tyre. Thirrjet “rroftë” nuk mbaronin. Gjithçka është gati, pranvera po vjen dhe lulet po çelin. Qyteti është zbukuruar. Në port janë ngritur tribuna, në shtyllat e larta të lyera me ngjyrë të kuqe valëviten flamuj, janë vendosur drita elektrike për ndriçim dhe janë bërë gati fishekzjarrët. Konaku, shtëpia e parë e Wilhelm-it I, është gati të presë atë dhe gruan e tij, mbretëreshën.
Mëngjesin e 7 marsit dielli lind me shkëlqim mbi malet e Shqipërisë. Duke premtuar një të ardhme plot dritë për vendin, ai zgjon banorët me rrezet e tij, për t’u përgatitur për ditën e madhe që sapo ka gdhirë. Shpejt rrugicat dhe sheshi fillojnë të gjallërohen. Delegatët e ardhur po mblidhen. Ata shkëmbejnë me njëri-tjetrin shpresat dhe frikën e tyre për të ardhmen. Por sot ata presin me gëzim të takohen me të ardhmen e tyre, në këtë ditë të madhe, që ka bërë bashkë toskë dhe gegë, ortodoksë, katolikë dhe myslimanë. Fesi i kuq turk i ka lënë vendin qeleshes së bardhë të shqiptarëve.
Vazhdojnë e vijnë ende të ftuar të tjerë. Delegatë vendas dhe të huaj. Komandanti anglez i trupave ndërkombëtare në Shkodër, kolonel Philipps, shfaqet në krye të oficerëve të tij, kryetarit të bashkisë dhe disa përfaqësuesve të parisë së Shkodrës, me një tunikë të kuqe flakë dhe me helmetë mbi kokë. Trupat dhe xhandarët e komanduar për shërbim nderi shkojnë në postet e tyre. Qielli është mbuluar me një vello të lehtë resh, duke ia bërë më të lehtë pritjen turmës, e cila është derdhur në shesh. Një pjesë e kureshtarëve, për të pare më mirë kanë hipur mbi çatitë dhe ballkonet përreth, duke formuar një grumbull shumëngjyrësh kostumesh kombëtare dhe uniformash.
Duke valëvitur flamujt, delegacionet e ardhura nga krahinat e vendit dhe nxënësit e shkollave zënë vendet e caktuara. Në mes të sheshit, banda muzikore italiane luan himnin kombëtar në tribunën e ngritur për ta. Ka kaluar ora një dhe entuziazmi është në kulm. Një lloj çoroditje ndihet mes turmës. Anijet shihen në horizont. E para ndër to, “Taurus-i” i hollë austriak, i cili është caktuar të sjellë çiftin princëror në shtëpinë e tyre të re.
Ai ndiqet në vijën të drejtë nga një kryqëzor italian, një francez dhe një anglez. Nga anijet luftarake të ankoruara në port dhe nga bateria e artilerisë e pozicionuar mbi qytet, dëgjohen të shtënat salutuese të topave. Banda muzikore luan himnin kombëtar austriak, kambanat e kishës dërgojnë përshëndetjen e tyre dhe entuziazmi i përmbajtur prej kohësh i turma çlirohet në brohoritje të zhurmshme.
Esat Pasha shkon në bordin e “Taurus-it”. Ai ka veshur një kostum civil të zi dhe mban një fes bardhë e gri në kokë. Durimi i atyre që presin është ende në provë. Në orën 3, u dëgjuan përsëri të shtënat e topave. Varka me princin i afrohet molit me shpejtësi të madhe. Një mirëseardhje e zhurmshme përshëndet sovranin teksa ai shkel në tokën shqiptare. Përfaqësuesit e qeverisë së përkohshme, konsujt e huaj, koloneli Philipps, pastaj shefi i oficerëve holandezë dhe personalitetet fetare e presin çiftin princëror te shkallarja. Pastaj kolona vazhdon ngadalë drejt tokës. Në krye ecën Princi. Ai është i gjatë, ka veshur uniformën e re kombëtare me shiritin kuq-zi-kuq dhe në kokë mban kapelën e bardhë. Serioz, por miqësor, ai përshëndet rojet e nderit. Pranë tij, e shoqja, Sofia, e veshur me të bardha dhe me fytyrë pak të skuqur nga emocioni.
Në të majtë të saj, pothuajse në të njëjtën radhë, ecën Esat pasha. Ai kthehet nga bordi i anijes me uniformën e re të gjeneralit të vendit veshur, si ushtari i parë i mbretit të tij. Pas tyre vijnë shoqëruesit. Kolona drejtohet drejt kopshtit të pallatit. Aty, kryetari i qeverisë së përkohshme, Leoni, në emër të Fuqive të Mëdha, pret çiftin princëror në tokën shqiptare dhe i dorëzon princit fatin e Shqipërisë së lirë, tashmë të bashkuar, me të gjitha pushtetet.
Gjatë fjalës, ai e vendos theksin në vështirësitë dhe dasitë e mëdha që ekzistojnë në vend, me të cilat princi duhet të ballafaqohet. Princi falënderon Komisionin dhe kërkon që ata të vazhdojnë ta ndihmojnë edhe më pas, duke marrë në konsideratë situatën e vështirë në të cilën ai mori detyrën.
Në fund të dy fjalimeve të gjata, nga turma e ngjeshur u dëgjuan brohoritje për mbretin, mbretëreshën, fëmijët princërorë dhe Shqipërinë e bashkuar. Kolona vazhdoi lëvizjen nëpër kopshtin e pallatit. Çifti princëror i përshëndet të gjithë në mënyrë miqësore. Nxënësit e shkollës qëndrojnë në fund. Të vegjlit i dhurojnë princeshës buqeta të mëdha me lule.
Me gëzim të dukshëm, kjo grua e lartë i pranon këto dhurata nga fëmijët, e ardhmja e vendit, si simbol i dashurisë dhe besnikërisë. Në pragun e pallatit, një përfaqësues rumun, vendos para këmbëve të princeshës dy pëllumba të lidhur me një kordon ari.
Ata duhej t’i çonin përshëndetjet dhe mesazhet mbretëreshës Carmen Sylva. Princesha i mban shtrënguar pëllumbat pranë zemrës, si një simbol paqeje dhe nuk i lëshon. Edhe një herë shoqëruesit dhe delegacionet japin urimet e tyre. Më pas, çifti princëror, i prekur nga rëndësia e momentit, hyn në sallë, nën çatinë që do t’i mbrojë këtej e tutje, e që do të jetë shtëpia dhe kështjella e tyre, “shtëpia e babait” për popullin e tij.