Këto ditë, në sallën e Institutit Yunus Emre të Prizrenit, u bë promovimi i librit “ Vallëzim me hënën”, ( Legjendat e Gorës), të botuar nga shtëpia botuese CONNECTUM e Sarajevës. Ishin të pranishëm lexues të shumtë nga Prizreni dhe Gora. Eventi u hap me një kolazh muzikor të luajtur me fyell nga instrumentisti i talentuar Ashim Pandxhia.
Moderatori i promovimit, poeti Mustafa Balje, duke hapur takimin tha:
“Këtë mbrëmje jemi në një moment kënaqësie dhe nderi sepse jemi mbledhur rreth një libri që është më shumë se thjesht një përmbledhje legjendash. Është një thesar shpirti dhe kujtese të Gorës. Legjendat e këtij libri kanë lindur në bjeshkët dhe lartësitë e gurta të kësaj krahine; shtrirë në trekëndëshin e tre shteteve, por që në pikëpamjen e kulturës materiale dhe shpirtërore, të traditave dhe folklorit, përbën një njësi unike. Namik Dokle, me Borjen dhe Gorën në zemër, me këtë përmbledhje legjendash ka nxjerrë nga harresa zërat e vajzave gorane, balladat, motivet epike dhe lirike, të cilat në shekuj, janë bartur nga brezi në brez.”
Përkthyesi i librit, profesor Sadik Idrizi, poet dhe filolog, shprehu kënaqësinë për botimin në Sarajevë të këtij libri, menjëherë pas botimit të tij në shqip, spanjisht dhe greqisht.
“ Ky është libri i katërt i autorit Namik Dokle,-tha ai, që kam përkthyer në gjuhën boshnjake. Pas botimit në Bosnje të romaneve “Vajzat e mjegullës”, “Gora pa zogj”, “Ditët e lakuriqëve të natës”, që përbëjnë Sagën e Gorës, vallëzimi më hënën i vajzave të saj dhe 51 legjendat e tjera të librit, pëbëjnë qershinë mbi tortë të krijimtarisë së Dokles me temën e Gorës. Ani pse ka shkruar edhe pesë romane të tjerë, duket se shpirtin e Gorës e mbart gjithnjë në zemrën e vet.”

Botuesi i shtëpisë botuese CONNECTUM të Sarajevës, Ajet Arifi, i ardhur në Prizren enkas për promovimin, foli për botimin e librave të autorit në gjuhën boshnjake dhe veçmas për librin e legjendave, si një libër me rëndësi të veçantë, që u përcjell lexuesve përjetimet shekullore të shpirtit dhe kulturës së një krahine. Pas një analize të gjërë të librit, botuesi Ajet Arifi tha:
“ Ajo që na mbetet pas leximit të kësaj pëmbledhjeje me legjendat e Gorës, nuk është thjesht njohuria për një zonë të izoluar gjeografike dhe historitë e saj të harruara, por një përvojë e thellë estetike e takimit me një gjuhë që është e aftë të shpreh të pashprehurën. Gora e Namik Dokles është, mbi të gjitha, një gjendje shpirtërore, një hapësirë mitopoetike në të cilën çdo veprim njerëzor zhvillohet nën syrin e kozmosit. Dhe përmes shkrimit sovran të Dokles bëhet një letërsi superiore që dëshmon pa mëdyshje se arti i vërtetë krijohet vetëm kur pëshpëritja anonime e traditës shndërrohehet në një klithmë të paimitueshme të autorit”.
Gjatë promovimit u lexuan disa nga legjendat e librit.
