DR. JORGJI KOTE
Mbrëmjen e datës 14 Korrik në Bruksel u zhvillua Konferenca e 9-të Ndërqeveritare BE – Shqipëri, e cila shënoi mbylljen e Grupkapitullit të Parë ( nenet 25, 26 dhe 30) të negociatave të anëtarësimit. Themi kështu, sepse mbyllja e Grupkapitullit bazë “Themeloret“ në Maj pas 4 muajsh diskutimesh është e përkohëshme. Sipas Strategjisë së BE-së, mbas mbylljes së pritshme të katër Grupkapitujve të tjerë me shpresë deri nga gjysma e dytë e vitit 2027, ai do të diskutohet sërish në Bruksel.
Ja pse nuk ka as vend dhe as kuptim për bujë, pompë dhe trompeta qeveritare. Ca më tepër se ky ishte grupkapitulli më i lehtë, edhe pse prapë nuk shkëlqejmë aq sa thuhet në të, sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës; në fakt, puna e vërtetë për zbatimin e masave dhe reformave përkatëse filon tani. Nuk po përmendim peripecitë që kemi përpara për shkak të bilanceve mjerane me grupkapitujt e tjerë të ”artilerisë së rëndë” si mjedisi i gjelbër, bujqësia, konkurrenca, tregu unik, dhe ” Thembra e Akilit”-shteti i të drejtës, lufta kundër korrupsionit galopant dhe pandëshkueshmërisë së zyrtarëve më të lartë qeveritarë dhe në aspekte të tjera.
Nisur nga sa sipër, janë të kota dhe pa baza sulmet dhe shpifjet ndaj Protestës madhështore qytetare që vazhdon 47 ditë rresht në Tiranë dhe kudon se ajo demek mohon hapat dhe arritjet e deritanishme; madje deri aty se e akuzojnë Protestën se po pengoka edhe negociatat e anëtarësimit tonë në BE në vitin 2027! Broçkulla!
Që këto akuza nuk qëndrojnë dhe se e kundërta do të ndodhë me kurorëzimin e Protestës me frymë të thellë Euro-Atlantike, këtë e thanë me zë të lartë në Protestën e 25 – 27 Qershorit 8 Eurodeputetë nga 5 vende të ndryshme dhe Zv.Presidenti i Parlamentit Europian; e konfirmuan ditët e fundit ambasadori gjerman dhe i OSBE-së në Tiranë dhe më 14 Korrik e deklaroi në Bruksel edhe vetë Marta Kos!
Nga ana tjetër, mjafton një ballafaqim me realitetet e gati 4 dekadave të fundit që këto broçkulla pushtetarësh të bien poshtë. Ato dëshmojnë qartë se ’katalogu’ i premtimeve të pambajtura, vonesave dhe dështimeve qeveritare është shumë më i madh se hapat dhe arritjet e njohura. Emigrimi i pandalshëm, vonesat e skajshme në dhënien e drejtësisë në 10 vitet e fundit, treguesit mjeranë social-ekonomikë ku jemi edhe prapa vendeve të rajonit, kriminalizimi i ekonomisë dhe korrupsioni i pandalshëm, shkatërrimi i natyrës dhe zonave të mbrojtura, shërbimet e munguara shëndetësore, mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershm, etj janë disa prej dështimeve më të bujshme politike dhe sociale edhe gjatë 13 viteve të fundit.
Kjo mund të thuhet me zë të plotë edhe për integrimin europian, të cilin gjatë 36 viteve të tranzicionit politikanët tanë e kanë ngritur në qiell si histori në fakt të rreme suksesi me fanfara dhe fishekzjarre, aq sa edhe monizmi do t’ua kishte zili!
Mirëpo, faktet kokëfortë tregojnë se integrimi ynë europian nuk përbën sukses, por vonesë, për të mos thënë dështim historik dhe fajin për këtë nuk e ka Protesta!
Eshtë folur e premtuar shumë, janë hartuar strategji dhe programe të panumurta veprimi, e megjithatë shumë pak është arritur kundrejt pritshmërive dhe objektivave të njohura. Edhe objektivi BE 2030 është pezull dhe pa asnjë garanci.
Duke e parë realisht këtë çështje madhore edhe në planin historik, do thënë se gjithçka filloi mbarë në Prill të vitit 1992 me nënshkrimin e Marrëveshjes së parë të Bashkëpunimit me BE-në; madje, synimi ishte që në vitin 1996 të nënshkruhej Marrëveshja e Asocimit si edhe me vendet e tjera të përparuara ”simotra”. Për këtë qëllim, qysh në vitin 1995 erdhi në Shqipëri Komisioneri i Jashtëm i BE-së, i ndjeri Hans van den Broek dhe po bëheshin përgatitjet për një Asociim ” blitz”me BE-në.
Me sa dukej, pavarësisht shqetësimeve të njohura serioze, në atë periudhë, vetëm 4 – 5 vjet pas shembjes së komunizmit, BE-ja donte t’i përfshinte vendet lindore në ’klubin’ e vet dhe Shqipëria dukej ndër kandidatet më të përshtatshme. Por ja që kjo nuk qe e thënë. Qeveritarët e asaj kohe e donin integrimin evropian për shoë, për dekoracion politik, për sa më shumë vota në zgjedhjet e radhës dhe aq.
Për pasojë, afrimit të shpejtë me BE-në iu dha goditja e rëndë me farsën/dhunën zgjedhore të 26/28 Majit 1996 dhe disa muaj më vonë me krizën famëkeqe të piramidave dhe pothuajse shembjen e shtetit në ngjarjet tragjike në Mars 1997.
Kriza më e rëndë politike dhe institucionale në Tiranë ia prishi BE-së edhe atmosferën festive të 40 Vjetorit të themelimit të saj. Tamam më 25 Mars 1997, Ministrat e Jashtëm të BE-së ishin mbledhur për të përkujtuar jubileun e shënuar të Traktatit të saj themelues në sallën historike të nënshkrimit të tij në Romë. Isha i pranishëm si përkthyes në përbërjen e delegacionit qeveritar me ish-Kryeministrin Fino i cili foli në atë sallë historike, ku shqetësimi dhe zhgënjimi dukeshin sheshit.
Dhe sikur të mos mjaftonte kriza e piramidave, vetëm 18 muaj më vonë ndodhi rebelimi i 13/14 Shtatorit 1998 që na largoi sërish për një afat të pacaktuar nga BE-ja. Ato ditë, si diplomat në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel kisha lënë takim pune në Komisionin Evropian me Shefen e Njësisë për Ballkanin, Tereza Sobieski; mirëpo, sapo hyra në zyrën e saj ajo e shtangur më tha: ”Ç’po ndodh kështu me ju, ne sapo kishin bërë gati programet e rimëkëmbjes ekonomike në vijim të Konferencës së donatorëve për krizën e 1997”?!!!!
Për pasojë, na humbi shansi i artë për të nënshkruar Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, e cila do të na kishte anëtarësuar me kohë në BE, mbasi ajo nuk i kishte yçkëlat dhe kleçkat e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit që nënshkruam më vonë. Ndonëse, edhe këtë kategori të një niveli më të ulët marrëveshjesh me BE-në, e cila vinte kusht ” Stabilizimin ” dhe pastaj Asociimin e patëm ’fat’ nga Kosova; kjo mbasi Procesi i Stabilizim– Asociimit u shpik në prag të përfundimit të konfliktit serb me Kosovën.
Kësisoj, po të mos na kishin ndodhur ato tre gjëma të mëdha me jehonë planetare, me siguri që Shqipëria do të ishte anëtarësuar në BE, nëse jo në vitin 2004/2007 me 10 ” simotrat ” e saj lindore, në vitin 2013 bashkë me Kroacinë ose maksimumi në vitin 2015. Këtë e them me bindje të plotë, se në vitet 1997 – 2005 isha në rangun e Zv.Ambasadorit dhe u mora direkt me këtë dosje në Bruksel dhe në Berlin, për t’iu rikthyer në Ambasadën tonë në Bruksel në vitet 2011 – 2017.
Gjithsesi, gjatë viteve 2000 – 2002 u krijua një bilanc i moderuar pozitiv me shumë hapa afrimi cilësorë, por që pastaj vetë koalicioni qeverisës i asaj kohe e zhbëri pa pikë përgjegjësie. Ca më keq akoma, në zgjedhjet e qerhorit 2001 pati parregullsi të mëdha zgjedhore të etiketuara si Dushku i vogël dhe Dushku i Madh, të cilat çuan në një krizë të madhe politike që u zgjidh me ndihmën e BE-së, ndërmjet të tjerash, duke e propozuar Presidentin e Republikës nga opozita e asaj kohe.
Mandej, tamam kur pritej hapja e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit filloi ”lufta e bërrylave“ brenda partisë më të madhe të shumicës, duke çuar në rënien e qeverisë dhe zëvendësimin e saj me një qeveri të re të majtë. Për pasojë, edhe bisedimet për këtë Marrëveshje u shtynë për gati dy vjet dhe u çelën vetëm më 31 Janar 2003, me trysninë dhe praninë edhe të Presidentit të Komisionit Europian, ish-Kryeministrit italian dhe mikut të popullit tonë, Romano Prodi.
Mirëpo korrupsioni prapë vazhdonte galopin e tij pa ndonjë dallim nga qeverisja e mëvonshme; për pasojë, ndonëse teknikisht gjithçka ishte bërë gati nga negociatorët socialistë, për mungesë besimi, nënshkrimi i Marrëveshjes së lartpërmendur u shty gati 12 muaj dhe u bë më 12 Qershor 2006 në Luksemburg gjatë mandatit të mazhorancës së re të djathtë, me besimin se ajo do të ecte më mirë drejt afrimit më BE-në.
Në fakt, nën qeverisjen e PD-së u bënë disa hapa dhe lëvizje madhore pozitive; në prill 2009 u pranua zyrtarisht nga BE-ja kërkesa jonë për statusin kandidat; ndërsa në dhjetor 2010 BE-ja filloi liberalizimin e vizave me vendin tonë, një gur i vërtetë kilometrik në rrugëtimin tonë europian. Mirëpo, politika dhe kryesisht mazhoranca e asaj kohe rishfaqi problemet dhe mentalitetet autoritariste dhe u përfshi në një seri ”gërvëresh » politike me opozitën të cilat më vonë u bënë shqetësime serioze për BE-në.
Dihen tashmë debatet e ashpra, dështimet e misioneve të BE-së për shkak të kryeneçësisë së qeveritarëve tanë, vrasja e qytetarëve të pafajshëm nga ana e Gardës gjatë protestës së opozitës më 21 Janar 2011 dhe Marrëveshja midis dy partive tona më të mëdha në Strasburg.
Për pasojë, shpresat për marrjen e statusit kandidat, edhe pse kishin kaluar 4 vjet nga paraqitja e kërkesëssonë zyrtare ishin prerë. Kjo edhe për shkak të bllokimit për tre vite nga opozita e atëhershme, çka mund dhe duhej të ishte ishte shmangur.
Më në fund, mbas ardhjes në pushtet të PS-së në koalicion me LSI-në, në Qershor 2014, Shqipëria e fitoi statusin kandidat, hap i madh drejt afrimit, por prapë ende larg çeljes së negociatave, le më pastaj anëtarësimit të plotë në BE.
Ndërkohë, ”katalogu” i kushteve, kërkesave dhe kritereve për çeljen e negociatave sa vinte shtohej dhe ” pasurohej” me tema problematike si dekriminalizimi, reformimi i gjyqësorit, vettingu, lufta kundër kanabizimit të vendit që e pamundësuan caktimin e një date/periudhe për hapjen e negociatave me BE-në.
Dhe në të gjitha këto dhe të tjera raste fajtorja dhe përgjegjësja kryesore është politika shqiptare; pa përjashtuar diplomacinë përkëdhelëse të BE-së ndaj pushtetarëve, ” zullum” ky që tani BE-ja e ka trashur edhe më shumë për hatër të stabilitetit rajonal. Sepse ndryshe nga Kroacia që ishte modeli më i mirë për t’u ndjekur, politika shqiptare nuk ka patur dhe nuk i ka këllqet, dëshirën dhe vullnetin që të bashkojë premtimin me zbatimin e ligjeve, sëmundja e saj e kahhershme; krahas mungesës ” epidemike” të konsensusit me opozitën dhe rishfaqjen e disa parrullave dhe qëndrimeve nacionaliste dhe euroskeptike.
E tepër të zgjatemi te historia e njohur e 10 viteve të fundit me demarshe dhe telashe, dështime, kushte, shtyrje dhe refuzime nga BE-ja për çeljen e negociatave.
Tani shumica jonë përmend me tam tame të mëdha ”rekordin “ që thyem duke çelur brenda 13 muajve të gjashtë grup kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE! Mirëpo, duke e vlerësuar drejt këtë arritje, prapë për të qenë realistë, ajo është tejet e vonuar, me shumë probleme dhe pengesa deri në anëtarësimin në BE.
Në fakt, ky proces është vonesë e madhe historike sepse dihet që BE-ja na e çeli dritën jeshile qysh në muajin Mars 2020 me plot kushte. Ne i plotësuam ato, ndaj Brukseli na i çeli negociatat më 22 Korrik 2022. Mirëpo, tamam kur pritej vazhdimi i tyre intensiv për të kompensuar vonesat, ato u bllokuan nga Greqia për shkak të Çështjes Bejleri, e cila duhej dhe mund të ishte zgjidhur qysh atëhere dhe pa vonesë. Humbësi i madh i asaj beteje me fqinjët ishte pikërisht përparimi ynë në negociatat e anëtarësimit, duke humbur edhe dy vjet të tjera.
Kështu, e treta e vërteta, më 16 tetor më në fund u çel grupkapitulli i parë ”Themeloret” dhe me vonë historia dihet. Përfundimisht, për çeljen e negociatave në të 6 grupkapitujt ne në fakt nuk na janë dashur 13 por plot 60 muaj të tërë! Të tjerat janë fjalë boshe!
Më konkretisht, peripecitë për mbylljen e Grup Kapitullit ”Themeloret” edhe pse ende jo përfundimtar, plot 15 muaj mbasi ishte çelur dëshmon sa delikat dhe me të papritura është mbyllja e negociatave. Dhe tani së fundi u deshën 4 muaj debate te COELA në Bruksel që me shumë hezitime të mbyllej, edhe pse përkohësisht, ky grupkapitull mbi shtetin e të drejtës si ”Thembra e Akilit” për ne.
Shqetësimi tjetër i madh është se kemi krijuar shumë ” borxhe” dhe problematika me disa ligje dhe ndryshime ligjore, sidomos në fushën e mjedisit që nuk përputhen me frymën dhe gërmat e BE-së, të cilat mund të pengojnë mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 dhe për pasojë anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Por, edhe nëse do t’ia dalim në vitin 2030, prapë ajo do të jetë shumë e vonuar; 40 vjet pas kushtrimit në atë Dhjetor 1990, kur ” simotrat” tona lindore e përfunduan krejt procesin brenda 15 viteve! Gjithashtu, 2030 jonë do të thotë 23 vite prapa Rumanisë dhe Bullgarisë, të cilat janë futur edhe në Shengen dhe në Zonën Euro!!
Aq e vërtetë është kjo, sa vetë Kryeministri Rama që përpara një viti hyri në fushatën zgjedhore me pasaportën europiane si kalë beteje, më 28 Shkurt doli publikisht në editorialin gjerman me Vuçiçin, ku u ”dorëzua” duke pranuar edhe vetëm anëtarësimin ekonomik në BE, dmth pa të drejtë vote dhe vetoje!
Javët e fundit janë hedhur në diskutim disa teza për integrim gradual, për përfitime përpara anëtarësimit, etj, të cilat janë ”qetësues dhe ngushëllim” për vendet tona. Por shqetësimi edhe për këtë anëtarësim gjysmak ose gjeopolitik është se edhe ai nuk mund të realizohet nëse nuk është i merituar dhe me reformat e njohura madhore që përmenden edhe me lart. Mbi të gjitha, ndëshkimin e zyrtarëve më të lartë, ku çështja Balluku është përcaktuese,por jo vetëm.
Në përfundim, vlen të nënvizohet se Protesta e tanishme qytetare nuk kërkon thjesht dhe vetëm anëtarësimin në BE, ca më pak gjeopolitik, ekonomik apo gjysmak. Kjo mbase u intereson qeveritarëve, por populli dhe rinia si në vitet 90 dhe sot kërkon me forcë “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” dmth të mendojmë dhe të jetojmë si në Europë, çka për shkak të qeverisjeve të dështuara sot duket më larg se kurrë. Ja pse kjo Protestë qytetare, unikale në Europë ringjall shpresat për të ardhmen tonë europiane, por tani e tutje pa kastën e skaduar politike.
DITA
