Përleshje të ashpra siç duket në këto pamje, pati sot në qendër të Athinës. Grupe pjesëmarrësish në një tjetër tubim të madh që u zhvillua këtë të enjte, për tragjedinë hekurudhore të 28 Shkurtit, u përleshën ashpër me policinë në sheshin qëndror të kryeqytetit grek.
Protestuesit e dhunshëm sulmuan policinë me bomba artizanale dhe gurë. Policia përdori plumba gome dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Në pranga ranë disa protestues. Mediat greke hedhin dyshime se aktet e dhunës u nxitën nga disa provokatorë të maskuar.
Manifestimi nisi që paradite, me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve të hekurudhës, pas aksidentit me 57 të vdekur. Që prej tragjedisë, vendi është mbërthyer nga grevat dhe protestat e vazhdueshme.
Ngjarja pritet të ketë ndikim në popullaritetin e kryeministrit Micotaqis, në prag të zgjedhjeve parlamentare të Korrikut.




