Prof. Përparim KABO
Botuar në DITA
Një fëmijë vritet me thikë në qendër të Tiranës nga një bashkëmoshatar. Dhimbje…, indinjatë, një stuhi mediatike, protestim qytetar, lotë dhe trishtim…Prej disa ditësh ai trup i njomë është nën dhe, ne jemi mbi tokë, hera- herës edhe mund ta çojmë mendjen atje.
Ditët do kalojnë dhe fatkeqësisht bëma apo krime të tjera do të ndodhin, kështu harrohet njomcaku që, kur u përmend para fikjes, kërkoi nënën. Ne do të përfshihemi në ndodhi të tjera të dhimbshme kaq të shpeshta dhe tejet tronditëse.
Nuk është rast i izoluar. Nëse do të ishte i tillë, të gjithë do t’i vinim një balsam ndërgjegjes. Ndaj është koha të ngremë disa pyetje, që të japim përgjigjet e duhura sot dhe jo nesër. Nesër do të jetë shumë vonë
– Pse u prish kulti i shkollimit në këtë periudhë të tranzicionit?
Edukimi shkollor bazohej te tradita, investimi shoqëror, te kujdesi i prindërve dhe te formimi i trupës mësimore.
– Pse është rrëzuar kulti i diturisë, i shkollimit dhe i mësuesit?
– Si u zëvendësua me burokracinë e letrave, që janë: dëftesat, diplomat, certifikatat, fletët e lavdërimit, titujt, gradat apo gjithfarë dosjesh që kanë zëvendësuar vlerat reale.
Babai i djalit vrasës tregonte dëftesën me nota të larta të të birit. A vlen ajo përpara aktit që kreu i biri? Në moral ai është ngelës, një ngelës tragjik. Ti, prind, duhet të mbash përgjegjësinë kryesore, që nuk e ke njohur në brendësi fëmijën tënd! Ti ke menduar dhe ke investuar te copa e letrës, që quhet dëftesë e shkollës.
Nëse prindërit nuk e dinë se çfarë ndodh me fëmijët e tyre, si e kanë atë shpirtin, vetëdijen, botën emocionale. Atëhere ai nuk e njeh mjaftueshëm fëmijën. Nuk di si e mbush ai kohën. Në shkollë, në aktivitete sportive, kulturore, artistike, shoqërore, kërkuese, punë vullnetare, lexime, vajtje të organizuara në kinema, në teatër, në cirk, në teatër kukullash, në teatër variete, në muzeum, në konkurse mes shkollash, në kampionate sportive, në ekskursione nëpër atdhe dhe jashtë vendit, në biblioteka.
Të gjitha këto lloje aktivitetesh ishin dikur, ndërsa ditë pas dite u zbehën…, shumë prej tyre nuk zhvillohen fare. Atëherë koha mbushet me kohë rruge, me kohë rrjetesh sociale, ku gëlon pornografia, ku flitet me një gjuhë të shthurur nga meshkuj, por edhe nga femra, ku njeriu negativ bën heroin, informali dhe grabitësi tregon si bëhet pasuria, prostituta si shndërrohet në heroinë dhe se si morali është një gjë pa vlerë.
Çfarë adoleshentësh po rriten?
Pa i futur të gjithë në një thes, por edhe pa iu larguar realitetit, duhet të pranojmë çfarë është duke ndodhur. Shumë prindër rropaten në punë, dhe koha prindërore me fëmijët është jo ajo që nevojitet. Ka familje të copëtuara, me njërin prind në emigracion. Ka familje të divorcuara ose me prindër konfliktualë, ku dhuna në familje është e pranishme çdo natë. Ka familje ku varfëria është kërcënimi i përditshëm.
Para disa kohësh, referuar një studimi të kryer nga një subjekt i besueshëm, mësova se investimi për të rinjtë nga ministria e linjës ishte 1 euro në ditë për çdo të ri.
Nëse nuk duam të besojmë këtë studim, le të na thonë ata që po diskutojnë buxhetin e shtetit, hartuesit dhe opozituesit, sa është buxheti në vitin 2025 për fëmijët, adoleshentët dhe për të rinjtë? Për argëtimin e tyre dhe edukimin, për t’i nxjerrë nga thonjtë e së keqes dhe për t’u dhuruar një jetë normale e të gëzuar?
Ju nuk mund të jepni një përgjigje dhe arsyeja është e thjeshtë: Fëmijët tuaj nuk janë pjesë e këtij realiteti. Janë në çerdhe dhe kopshte ku paguhen mijëra euro, janë në shkolla brenda dhe jashtë vendit, ku paguhen mijëra euro dhe paund! Realiteti njerëzor i këtij peisazhi shoqëror është jashtë vëmendjes dhe interesit tuaj. Ndaj fëmijët tanë rriten pa fëmijëri. Nuk i kanë më rrethet muzikore, sportive, të alpinizmit, të profesioneve…
Një Shqipëri europiane duhet të ketë shembull Finlandën, Danimarkën, por edhe vendet Balltike apo Slloveninë këtu afër. Një shoqëri pa kujdes ndaj fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, nuk është shoqëri normale. Ndaj kriminaliteti ka zbritur në moshat e reja: konsumohet drogë, seksi i hershëm jashtë kontrollit, madje edhe në grup, siç ndodhi para disa vitesh në Kavajë.
A ka studime, kujdes të specializuar, këshillim për stuhinë hormonale , që ndodh në trupin e një adoleshenti? Jo, nuk ka.
Është fakt që prova e parë seksuale, në rastin më të mirë, është një lloj aksidenti , po themi. Por, në të shumtën e rasteve, është një dhunim traumatik i vajzave. E keqja është se kjo ndodh edhe në shkolla. Rasti para ca kohësh në Kamëz dhe së fundmi, këto ditë, me një mësues në Korçë. Këto janë rastet që u bënë publike, por sa raste ka që nuk merren vesh! Apo më tej akoma, cili është realiteti që ne nuk e njohim si i tillë, është jashtë kontrollit.
Ja përse kurimi i gjendjes nuk kryhet duke mbyllur një rrjet social on line. Thikën ai nuk e bleu në tik- tok, ato gjenden në dyqane lirisht, siç gjenden edhe shumë gjëra të tjera shumë të dëmshme për të rinjtë apo adoleshentët.
Para do kohësh patëm dhe një ministri për të rinjtë, diçka e tillë, me një ministre atëmoshë për vete, por nuk e kuptuam se çfarë kreu, çfarë rregulloi, pse nuk ekziston më?!
Në këtë tranzicion triumfoi tregu, jo ai i rregullti, formali dhe i nevojshmi, por tregu informal, grabitës, kriminal. Ky lloj tregu bleu gjithçka dhe shiti e dëmtoi shumë arritje dhe autoritete të domosdoshme. Figura e mësuesit u dëmtua shumë. Mësuesit korrektë, ata që nuk falnin apo shisnin nota, u mënjanuan nga drejtimi i shkollave. Vendin e tyre e zunë partiakët, të paaftët, të pazotët, gjysmakët.
Kështu, kulti i diturisë u mënjanua dhe komandën e mori kulti i partisë. Këta tipa krijuan klimën e tarafit, miqësitë, nepotizmin, notën e pamerituar, shitjen e dijes. A nuk ndodhi që një deputet iu dha maturantëve testin e zgjidhur të provimit të maturës?
Vijnë në universitete me nota maksimale nga shumë shkolla, por nuk dinë tabelën e shumëzimit! Trupat mësimore janë mbushur me mësues të paaftë për këtë mision. Më tej, po mësuesit, sajuan kurset jashtë mësimit, me pagesë. Po ai fëmijë, me po atë mësues dhe atë lëndë mësimore, në klasën e shkollës nuk e mësonte dot mësimin, ndërsa në kursin privat, po. Kështu prindi u detyrua të pranonte se duhej hedhur paraja. Dhe ashtu bëri.
Eh, pasi hodhi lekun, atëherë dinjiteti i mësuesit, edhe me miratimin e atyre që hynë në këtë lojë, shkoi për dreq. Në shtëpi fëmija po dëgjonte fjalët fyese për mësuesin nga prindi i tij. Kush? Ajo të ka vënë ty 7?! (fjala qe vjen si psh, do lekë ajo, u mësua keq! As mos ia vër veshin…,vij unë atje dhe ja tund dhëmbët…!) kështu klima është prishur.
I ndershmi dhe korrekti është kudo në pakicë. Drejtoritë arsimore janë kthyer me apo pa dëshirën e drejtuesve në qendra burokratike partiake. Specialistët e vërtetë të nxënies didaktikës, hartimit të teksteve nuk përfillen më. Nuk ka më Kol Xhumari dhe Kujtim Dedeji…etj… autorë tekstesh që edukuan breza të tërë. I pari me Abetaren e i dyti me librat e aritmetikës.
Pluralizmi i mendimit në tekste u mbyt nga konkurenca në treg për të prodhuar tekste shkollore sipas kritereve te fitimit. 20 vite më parë kur u pyet profesor Niko Thomo se si duhen hartuar programet , kurrikulat dhe tekstet, referuar në disa modele apo vetëm në një model, profesori i nderuar u përgjegj. Bazuar në një model dhe rekomandoi ate austriak. Referenca aty këtu mund të ketë. Por modeli bazë duhet të jetë vetëm një.
– A është rendi civil, siç e kërkon siguria e jetës, e drejta e parë e njeriut?
Kjo është një pyetje tjetër, që sjell në vëmendje tragjedia e Martin Canit! Prania e krimit të organizuar, që në vetëvete është bashkëpunimi i krimit me organe dhe institucione shtetërore, është plaga e madhe, që u krijua nga kjo klasë politike në këto vite të stërzgjatura të tranzicionit.
Përpos dëmit që i bënë qeverisjes dhe depersonalizimit të shtetit, përmes kapjes së tij, në aspektin antropologjik- kriminal, pasoja është tejet e rëndë. Policë dhe shefa policie që bashkëpunojnë me krimin, gjyqtarë dhe prokurorë ortakë me krimin, kryetarë bashkie dhe deputetë, punonjës të sektorit bankar, tatimor dhe financiar, ortakë me krimin. Drejtues burgjesh, po të tillë!
Pa dashur ta nxij realitetin, nuk është në natyrën time dhe nuk i shërben së vërtetës, kemi ardhur në një situatë që policimi në komunitet, i cili nisi para disa vitesh, me sa duket, paska humbur! Disa OJF morën fonde nga dhurues të jashtëm, ndërtuan aktivitete dhe ndikuan pozitivisht për një kuptim ndryshe të punës së policisë në komunitet, me të, për të dhe së bashku me të. Edhe në policinë e shtetit u ndje kjo frymë demokratike, që ndihmon palët.
Policia të bëjë më mirë detyrën dhe komuniteti të sigurojë më mirë qetësinë, sigurinë dhe paqen, në një jetë të parrezikuar nga krimi ordiner ose i çfarëdolloji qoftë ai. Është e trishtë që policimi në komunitet nuk ndihet fare. Dikur polici i zonës njihte me dhëmbë e dhëmballë zonën e tij, njihte kush ishin hajdutët e xhepave, cilët ishin ordinerët që bënin zullume apo vjedhje me dhunë. Të jepnin me hollësi situatën në zonë, ngjarjet, dyshimet dhe detaje për çdo rrugicë, pallat, shkallë apo familje, individ apo grup njerëzish.
Kemi dy shërbime policore: Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake. Po e nis nga kjo e dyta. Nuk ma do mendja , që ky shërbim policor, që mbahet nga taksat e qytetarëve, të ketë vetëm një detyrë: të vërë gjoba për parkim të gabuar makine. Nuk merren me zhurmat, me ndotjen nga makina apo ndërtime a shkatërrime jashtë çdo standardi civil, urban dhe qytetar. Mund të ndodhë një rrahje apo një shkelje tjetër përbri tyre, nuk denjojnë të kthejnë as kokën. Thjesht targa e makinës, lidhje me qendrën, e kujt është, gjobën, fletën e gjobës në xhamin e makinës dhe vazhdojnë më tej.
Vrasja e fundit ndodhi në një nga rrugët më kryesore, si ka mundësi që, as në momentin dhe as më vonë, asnjë polic atje?! Edhe ndihma e parë apo dërgimi në spital, u bë nga qytetarë të përgjegjshëm të rastit. Po policia e rendit, ku ndodhej? Ku ndodhet? Prania e punonjësit të policisë e frenon krimin ordiner, shmang ngjarje të rënda apo fatale, si kjo e fundit, u jep siguri qytetarëve, ndihmon në thirrjen në vendin e ngjarjeve të shërbimeve të tjera, sipas rastit, psh: urgjencën mjekësore apo shërbim zjarrfikës, kur bie zjarr.
Nuk thuhet për propagandë, që fytyra e policisë është fytyra e shtetit. Por, nëse punonjësi i policisë në atë zonë apo edhe në raste të tjera, të rënda, nuk është atje, nuk e njeh klimën, ai nuk e parandalon ngjarjet, ndaj qytetari pyet: “Ku është policia, me çfarë merret ajo?”
Pastaj dëgjojmë në lajme se grupi hetimor, bazuar në të dhënat e policisë, po grumbullon materialet e nevojshme, për të hetuar më tej ngjarjen. Para disa vitesh dëgjuam që punonjësi i policisë, i cili mbulonte një zonë dhe në atë zonë kultivohej kanabis, bashkë me atë që drejtonte pushtetin lokal në atë zonë, merreshin në përgjegjësi ligjore! Sipas logjikës së drejtë, çfarë bën ti në atë zonë?! Po pse në rastin konkret, të ngjashëm apo të rëndë, me pasoja vdekje, nuk zbatohet i njëjti kut?
U vra një njeri! Po e kaluam në heshtje, nesër do të ndodhë sërish. Nëse kemi kriminalitet të tillë në mosha kaq të hershme, shoqëria nesër do të jetë më shumë burg dhe më pak shoqëri.
Edhe një pyetje, jo më pak e rëndësishme. Këto ditë disa stacione TV, ndoshta edhe të gjithë, u morën me këtë vrasje. Një natë apo dy. Më tej, nisi avazi.
Dua të hedh dritë për disa shqetësime: Vetëm RTSH ka një emision të dedikuar për arsimin. Televizionet e tjera kombëtare dhe jo të tillë, nuk kanë një emision për një nga shtyllat e shoqërisë, zhvillimit dhe qetësisë publike. Arsimi nuk bën lajm për to.
Nuk dimë a mësojnë nxënësit apo jo? A e duan shkollën apo jo? I pëlqejnë apo kanë alergji nga librat? Cili është mendimi i tyre për mësuesit? Është apo jo shkollimi gjëja më e rëndësishme për ta? A ndihen apo jo të respektuar në dinjitet në jetën shkollore? A kanë jetë jashtëshkollore dhe cila është ajo si formë e organizuar?A është etik komunikimi në shkollë? Ka apo nuk ka dhunë psikologjike dhe fizike? A ka ngacmime seksuale? A ka forma të ndryshme të tërheqjes në veprime kriminale, si: droga, prostitucioni i hershëm edhe me pagesë, etj, etj? Jo, nuk ka!
Në televizione ka emisione fasadë, ku fëmijë deputetësh, ministrash, biznesmenësh, dalin, dhe si të “kurdisur” na tregojnë me demek se ata janë “gjeni”, se dinë gjithçka, se parashikojnë kur do të bjerë kometa në tokë, se kush do fitojë zgjedhjet në një vend të botës, se si do dashurohen robotët, se kur nisi Lufta e Parë Botërore, se si përdoret telefoni i gjeneratës së fundit. Kjo lloj reklame është e pështirë!
Tek lexoja një libër shkencor të një autori të shquar italian, në lidhje me lumturinë, ai shpjegonte edhe çështjen e fëmijëve. Një nga këshillat e tij, që bazohej në matje konkrete të programeve televizive, ishte: Të mos fyejmë fëmijët në përgjithësi, ëndrrat dhe dinjitetin e tyre, duke nxjerrë në ekrane fëmijë të mësuar mekanikisht nga drejtuesit, që fyejnë bashkëmoshatarët e tyre!
Fëmijët duhet të gjejnë veten në ato emisione, jetën reale, pa zbukurime, shokët e lagjes apo të pallatit, me qëllim që të ndihen të përfaqësuar, dhe jo pa dinjitet, ata dhe prindërit e tyre!
Martini donte të bëhej si Cristiano Ronaldo, që të ndryshonte dhe jetën e prindërve, të siguronte një jetë të pasur dhe të begatë për ta. Por moshatarët e tij të pasunorëve kanë ëndrra të tjera, kanë plane ndryshe dhe jetojnë në vila brenda dhe jashtë vendit, dhe nuk e dinë çfarë është vuajtja dhe sa dinjitoz të bën ndeshja për ta përballuar atë!
Martini ishte një djalë i gatuar nga një jetë e vështirë, pa lajle- lule me pekule. Ndaj, ndal vanitetit, jetës falso dhe pompimit të disa fëmijëve, duke braktisur fëmijërinë e qytetarëve shqiptarë!
Në një projekt me objektiv “Mbi të drejtat e njeriut” te fëmijët në zona të thella dhe të varfra, më ka rënë rasti të shkoja në një fshat të largët, përtej Fushë- Arrëzit. E zgjodha, se shkolla atje mes maleve mbante emrin “Shtjefën Gjeçovi”, ai që mblodhi visaret e së drejtës sonë zakonore, të veriut. Takova fëmijë që vinin vetë në shkollë, edhe me një orë rrugë në këmbë. Të veshur thjesht, të sinqertë, pa telefona celularë.
Njëri prej tyre, rreth 12 vjeç, më tha: “Unë të njoh ty, je personalitet!”
– Po pse, – i thashë unë, nga e di ti?-
– Të kam parë në televizor.
Kjo nuk më bëri shumë përshtypje. Rashë në mendime: A e sheh veten ky në televizor, të ngjashmin e tij, fëmijërinë e tij? Jo, nuk e sheh! Televizionet nuk kanë kohë për të ardhur deri këtu. Është një gjeografi tjetër ajo që u duhet studiove televizive.
Të mos harrojmë se të dy fëmijët, si viktima, edhe ai që kreu krimin, ndoshta janë të ardhur në Tiranë. Kjo jetë e zhurmshme, jashtë kontrollit, njërin e bëri viktimë dhe tjetrin vrasës që në moshën 14 vjeç. Sa mirë do të ishte që mësuesja e letërsisë, gjatë pushimeve verore, t’u kishte caktuar të lexonin disa libra, mes tyre edhe librin “Kapiteni 15- vjeçar” .
Një fëmijëri jashtë kontrollit është si një qelq i brishtë, që të bie nga dora dhe bëhet copë e thërrime. Duart e shoqërisë dhe të shtetit, për fat të keq, në rastin e para pak ditëve treguan se e lëshuan qelqin fëmijnor…
Dhe tani që kanë kaluar disa ditë, shtetari mendon se ka shërim, është pluhuri i harresës që do bëjë punën e vet. Mjerim, nëse ndodh kështu! Ne nuk duhet të heshtim, ne jo!!! Të mbrojmë fëmijët me çdo çmim! Atdheu është edhe i tyre sot, ata janë atdheu i nesërm!
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016