Nga Dhimitër Shtëmbari*
Nëntë episode mjaft domethënëse se si po sillemi aktualisht me historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe heronjtë e saj. Kush janë ata që hedhin baltë mbi Luftën e lavdishme dhe kush i dhunon lapidaret dhe monumentet e dëshmorëve .
Atdhetarizmi as dëshmohet e as mbrohet me deklarata. Ai nuk është privilegj i një mase të caktuar njerëzish. Atdhetarizmi “firmoset” vetëm me vepra në shërbim të Shqipërisë.
1.
Kur një gazetar i njohur i televizionit “Klan” e pyeti në studio, vite më parë, profesorin e madh Kristo Frashëri, se si e konsideronte Enver Hoxhën, më shumë figurë pozitive apo negative, ashtu, pa u ngutur në shpjegim, Profesori iu drejtua gazetarit, se personalitetet vlerësohen nga qëndrimet që mbajnë lidhur me pavarësinë e vendit të tyre.
Gazetari nguli këmbë në pyetjen që i kishte drejtuar, madje duke i kërkuar ta krahasonte edhe me figurën e Ahmet Zogut!
Profesori i nderuar, në respekt edhe të vetvetes si historian i shquar, u shpreh se Enver Hoxha anon më shumë nga ana pozitive, sepse jo vetëm u rreshtua menjëherë në anën e antifashizmit, por edhe luftoi e drejtoi Ushtrinë Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve të huaj fashistë dhe nazistë.
Komenti i shkencëtarit të madh të historisë donte të thoshte, se atdhetarizmi as dëshmohet e as mbrohet me deklarata. Ndërgjegjen atdhetare e “firmos” edhe qëndrimi që mbahet ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
2.
Kudo në Evropë e në botë është përqafuar vetëm antifashizmi. Në të gjitha kushtetutat e shteteve vlerësohet lart lufta kundër fashizmit e terrorizmit. Dhe është e natyrshme të ndodhë kështu. Nuk është rastësi, që në çdo përvjetor të fitores botërore mbi nazi-fashizmin, nderimi më i parë shkon te ata që luftuan e ranë në emër të antifashizmit. Ja pse edhe OKB ka miratuar “Ditë të Kujtesës”. Që të mos harrojmë. Që të kujtojmë.
Mirëpo… në Shqipëri jo gjithmonë është mbajtur parasysh antifashizmi. Në nëntor të vitit 1994 me votat e deputetëve të djathtë të Kuvendit të Shqipërisë Statusi i ish pjesëmarrësve të luftës për çlirim u miratua me togfjalëshin: “Statusi i veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”!
Siç shihet, jo pa qellim e jo pa synim të caktuar është hequr fjala e përngjitur “nacionalçlirimtar”! Sepse, sipas këtyre deputetëve, lufta e popullit shqiptar nuk paska qenë nacionalçlirimtare, por paskej qenë luftë civile!
U desh të vinte viti 1998, kur Kuvendi i Shqipërisë i drejtuar nga Prof. Skënder Gjinushi të rivinte në vend formulimin historik të këtij Statusi me togfjalëshin e plotë: Statusi i Veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar.
3.
Në vitet e para të mbas 1991 – shit filloi furtuna mbi historinë! Shumë nga ato ç’ishin thënë për historinë e LANÇ-it nisën të mohoheshin. Disa të ashtuquajtur historianë, edhe pse kishin mbrojtur doktoratura dhe kishin marrë grada shkencore e tituj, filluan e vazhduan të “vërtetonin” të tjera teza, nisur nga e vërteta e themelimit të PKSH e deri te dita e Çlirimit të Atdheut.
Të tjerë intelektualë, që nga postet e tyre shtetërore në krye të institucioneve shkencore flisnin e shkruanin me “dokumente” kundër gjithçkaje të botuar nga historianë me emër. Ndërsa disa nga këta të fundit, të ndodhur keq edhe për shkak të ekonomisë së tyre familjare, zgjodhën heshtjen.
Gazeta “Kushtrim brezash”, organ shtypi i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar në çdo numër të saj ngrinte zërin e saj të fuqishëm kundër kësaj maskarade historike.
Furtuna neofashiste vazhdoi edhe mbi muzetë historikë të rretheve! Ajo përfshiu edhe shumë simbole të LANÇ-it. Në Arkivin e Shtetit vërshuan qindra e mijëra njerëz për të gjetur copëra letrash që vërtetonin pronat e gjyshërve të tyre. Në arshivat e Degëve të Punëve të Brendshme nisi e vazhdoi “studimi” i dokumenteve që do t’iu duheshin disa politikanëve për të realizuar ca më pas gjuetinë e shtrigave.
Ndërkohë, nisën të nxirreshin nga varret eshtrat e ish bashkëpunëtorëve të fashistëve e të nazistëve dhe të rivarroseshin me nderime (!), sikur të kishin qenë heronj! Televizioni shqiptar do të merrej seriozisht me këtë “detyrë”.
Ndërgjegjja atdhetare e çdo shqiptari u godit rëndë. Edhe ai që kishte plagë në trup për shkak të Luftës, detyrohej të ngrinte pyetjen: ç’bëhet kështu?!
4.
Një ditë të bukur marsi të vitit 2022, pikërisht në ditën kur organizohej aksioni kombëtar për mirëmbajtjen e simboleve të LANÇ-it, në Varrezat e Dëshmorëve të Korçës dëmtoheshin rëndë mermerët e 17 varreve të Dëshmorëve!
– Na janë dëmtuar rëndë gjatë natës disa varre dëshmorësh, – i telefonon Kryesisë së Komitetit Kombëtar kryetari i komitetit të veteranëve të LANÇ të bashkisë së Korçës, Tomorr Hasabella. – E pabesueshme, por e vërtetë. Ndihet i prekur i tërë komuniteti korçar…
– Denoncojeni në organet e Policisë, – qe këshilluar drejtuesi kryesor i veteranëve dhe pasardhësve të LANÇ të Korçës.
Dhe ashtu pat vepruar kryesia e komitetit të veteranëve e të pasardhësve të LANÇ të Korçës; e kishte denoncuar aktin e rëndë, por… asgjë!
Kohë më pas e njëjta gjë ndodhi edhe më Mauzeleumin e Dëshmorëve të Atdheut të Durrësit.
– E tmerrshme ajo çka na ka ndodhur në Varrezat e Dëshmorëve, – na drejtohet e indinjuar, por edhe e prekur thellë në shpirt kryetarja e degës së Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të bashkisë së Vlorës, Resmije Ruci. – Na kanë thyer gjatë natës mermerin e disa prej varreve të Dëshmorëve…
Ndërgjegjja vërtet është virtyt vetjak, por ajo nuk mund të kuptohet e shkëputur nga vetëdija atdhetare e mbarë komunitetit. Ajo mishërohet edhe te misioni i organeve ligjzbatuese të shtetit, që e kanë për detyrë të zbulojnë keqbërësit e simboleve të LANÇ-it dhe të mbrojnë vlerat e vërteta të lavdisë së historisë.
Historia është pasuri lavdie për të gjithë.
5.
Para tre muajsh, aty nga mesi i muajit dhjetor, Rexhep Shpati, kryetar i komitetit të veteranëve e të pasardhësve të LANÇ të bashkisë Tropojë ishte i pranishëm në zyrën e Komitetit Kombëtar në Tiranë.
– Më pyesni për organizatën e veteranëve e të pasardhësve të Luftës të Tropojës? – iu drejtua kryetarit të Komitetit Kombëtar.
Dhe pa u ndalur në pyetjen që kishte drejtuar, vijoi:
– Vazhdon zgjerimi i organizatës me më shumë pasardhës veterani. Vazhdon rinovimi me elementë të moshës së re. Vazhdon edhe gjallërimi i jetës së brendshme të kësaj organizate. Tani organizojmë jo thjesht mbledhje, por zbresim e shkojmë atje ku është zhvilluar luftimi, atje ku kanë rënë gjatë LANÇ-it bijtë e Tropojës…
Mbas disa ditësh, krejt papritur, vjen lajmi i hidhur: Rexhep Shpati ndahej nga jeta!
Komiteti i veteranëve dhe i pasardhësve të LANÇ dhe vet Bashkia i organizojnë të ndjerit Rexhep Shpati një lamtumirë të denjë. Fjala ngushëlluese e kryetarit të Bashkisë, zotit Rexh Byberi, ishte vërtet prekëse. Në atë fjalë të tij shprehej mesazhi, se i ndjeri kishte qenë dhe mbetej një figurë e nderuar që frymëzonte unitet, harmoni dhe solidaritet mes brezave, figurë që shprehte atdhetarizëm.
Rexhep Shpati nuk ishte njëri me dimensione Heroi, por ama ishte nga ata burra të ndjerë, që fjala i peshonte më rëndë se plumbi. Me punë shoqërore, të papaguar, ai i jepte dritë ndërgjegjes atdhetare, asaj ndërgjegjeje që dje bijtë e Tropojës i çoi në luftën çlirimtare dhe sot i bën të mbrojnë lavdinë e gjakut të derdhur.
6.
Meriman Gjivogli, kryetare e komitetit të veteranëve e të pasardhësve të LANÇ të bashkisë Sarandë e shtyn ditën kryesisht me punët që lidhen me këtë komitet.
Tregon Merimani:
– I shkova një ditë në zyrë kryetarit të bashkisë, zotit Adrian Gurma, dhe i kujtova disa detyrime të ndërsjellta komitet – bashki. Me shumë edukatë dhe kulturë qytetare, ma kthen: “Për të mirën e qytetit tonë të bukur dhe në shërbim të komunitetit qytetar, të gjithë janë të ftuar të mendojnë dhe të punojnë. Qyteti bëhet i bukur me mendjen dhe duart e të gjithëve”.
Dhe Merimani kishte gjetur kohën t’i shprehte:
– E kam fjalën për dekorin historik të qytetit. Vizitori vendas, por edhe ai i huaj ka nevojë të shijojë plazhin, por ai ka nevojë të mësojë edhe historinë e këtij qyteti. Duke shëtitur nëpër Sarandë, t’i jepet mundësia të “lexojë” të djeshmen dhe të sotmen e këtij qyteti…
Zoti Adrian nuk kishte pasur nevojë t’i flitej më gjatë, por i ishte drejtuar qartë:
– Silleni planin e punës suaj ashtu siç e keni menduar, ndërsa ne si bashki, brenda ligjeve që kemi, e theksoj, brenda ligjeve të shtetit, do të bëjmë maksimalen e mundshme.
Dhe ashtu siç u bisedua, edhe po veprohet.
Historia jo thjesht mësohet me libra, por jetohet. Jetohet, sepse bëhet pjesë pandarë e ndërgjegjes atdhetare.
7.
Komiteti i veteranëve dhe i pasardhësve të LANÇ të bashkisë së Fierit me kryetar Vasil Toskën organizon rregullisht veprimtari përkujtimore historike. Në bashkëpunim me ish kryetarin e Këshillit të Qarkut, zotin Vangjel Ndreka, aktualisht kryetar i këshillit bashkiak të Fierit, ky komitet sjell në ditët tona jehonën e lavdisë së periudhës së LANÇ.
– Në veprimtaritë përkujtimore që organizojmë, – tregon Vasili, – kemi përherë të pranishëm deri edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Petro Koçin, Antoneta Dhimën, Mirela Pitushin e të tjerë. Herë mbas here kemi në këto veprimtari edhe kryetarin e bashkisë, Armando Subashin…
Në këto veprimtari ftohen të jenë të pranishëm edhe të djathtë, por çuditërisht, shumë syresh nuk afrohen! Historinë e konsiderojnë politikë! Kujtojnë, se përmes historisë realizohet propagandë për elektorat.
Ishte domethënëse ajo që pat shprehur kryetari i komitetit të veteranëve e të pasardhësve ë LANÇ të bashkisë Patos, Harun Nazëraj, teksa përurohej dhoma – muze në njësinë administrative të Zharrëzës: kjo dhomë – muze lipset të shërbejë si klasë mësimi për të gjithë, sidomos për brezin e ri.
8.
Ditët e fundit në Berat u organizua një veprimtari historike, ku morën pjesë përfaqësues nga Fieri, Lushnja, Divjaka, Patosi, Roskoveci, Ballshi, Dimali, Kuçova dhe Skrapari. Folën të gjithë, foli edhe kryetari i komitetit të veteranëve e të pasardhësve të Beratit, Sali Myftari. Dhe ç’tha?
– Po bëhen tridhjetë vjet që pseudohistorianë dhe politikanë të djathtë flasin kundër lavdisë së luftës. Nuk po pushojnë. Dhe, si duket, nuk kanë për të pushuar! Mirëpo, ngrihet pyetja: këta njerëz a e duan Shqipërinë që të ketë lavdi?! A e duan vendin e tyre me dëshmor dhe me Heronj?! A e duan Shqipërinë që të mbetet në anën e fitimtarëve të Luftës II Botërore?!
Gjatë kësaj veprimtarie u organizua në Kalanë e Beratit një vizitë edhe në Muzeun Onufri, ku ciceronia pasionante Anila Droboniku bëri një pasqyrë të hollësishme të jetës mjeshtërore të piktorëve më të shquar të mijëvjeçarit të dytë.
– Tepër interesante ajo çka na u tha këtu në Kishën “Fjetja e Marisë”, – shprehet Mihal Bardhi, kryetar i komitetit të veteranëve e të pasardhësve të LANÇ të bashkisë Dimal. – Ka logjikë historia, ka rrjedhë historia… S’e ndërpret dot. S’e falsifikon dot. S’e devijon dot.
Shprehte një të vërtetë të madhe.
Çdo çast i historisë ka një “vulë”, me anën e së cilës flet hapur dhe fuqishëm ndërgjegjja shoqërore.
9.
Para jo shumë kohësh ish kryetari i Komitetit Kombëtar, i ndjeri Odhise Porodini, i shoqëruar nga Vladimir Marashi – anëtar i Kryesisë së “Komitetit Kombëtar, ishin në Pukë.
– Do të shkojmë në fshatin Rrape, ku ka rënë Heroi i Popullit Met Hasa, – i qe drejtuar Odhiseja kryetarit të bashkisë, Gjon Gjonajt.
– Është larg e, për më tepër, është një malore e vështirë për të lëvizur makina, – i pat shpjeguar kryetari.
– Mbase ashtu mund të jetë, por unë kam vendosur të shkoj,- qe shprehur i ardhuri nga Tirana.
Ishte gjetur një makinë e mirë dhe të dy të ardhurit nga Tirana shkuan në “vendin ku pat rënë trimi nga fshati Kërçukje e Pezës. Aty gjetën një lapidar të rrëzuar!
Në takimin që organizuan me kryetarin e bashkisë mbas kthimit nga fshati Rrape, Odhiseja i kërkoi njëshit të Pukës që lapidari të rindërtohej, ndërsa një mjedisi në qendër të qytetit t’i vihej emri i Heroit Met Hasa, kërkesë që i qe pranuar.
Atdhetarizmi nuk mbrohet me deklarata. Atdhetarizmi nuk është privilegj i një mase të caktuar. Atdhetarizmi “firmoset” vetëm me vepra në shërbim të Shqipërisë.
“Firmoset” edhe me qëndrimin ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
* Nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”