Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Evropa hyn në një cikël vendimtar zgjedhjesh, rezultatet mund të tronditin themelet e Bashkimit Evropian
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Evropa hyn në një cikël vendimtar zgjedhjesh, rezultatet mund të tronditin themelet e Bashkimit Evropian
Lajmi i funditopinion

Evropa hyn në një cikël vendimtar zgjedhjesh, rezultatet mund të tronditin themelet e Bashkimit Evropian

Published: November 22, 2026
Shpërndaje

Jon Henley – The Guardian

Forcimi i partive nacionaliste dhe euroskeptike në katër prej vendeve më të mëdha të BE-së e kthen vitin e ardhshëm në një provë vendimtare për qëndrueshmërinë e projektit evropian.

Në fund të vitit 1998, Tony Blair ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, Lionel Jospin drejtonte qeverinë franceze, ndërsa Gerhard Schröder sapo ishte zgjedhur kancelar i Gjermanisë. Bashkimi Evropian kishte 15 shtete anëtare dhe partitë e qendrës së majtë, me orientim proevropian, ishin në pushtet, të vetme ose në koalicione, në të gjitha vendet, me përjashtim të dy prej tyre.

- Publicitet -

Rritja e shpejtë ekonomike po përmirësonte standardin e jetesës, ndërsa zgjerimi drejt Evropës Lindore ishte në proces. Në Uashington, Bill Clinton promovonte politikën e së ashtuquajturës «rrugë e tretë», një model që synonte të ndërthurte ekonominë e tregut të lirë me elemente të socialdemokracisë tradicionale. Bashkimi Evropian dukej se kishte në anën e tij vetë rrjedhën e historisë.

Festimet pranë Portës së Brandenburgut në Berlin, më 31 dhjetor 1999, me rastin e ardhjes së mijëvjeçarit të ri.

Gati tri dekada më vonë, politika në kontinent duket se po anon sërish në një drejtim të vetëm. Por këtë herë, forca shtytëse është e djathta ekstreme nacionaliste, dhe pasojat mund të çojnë në zhbërjen e një pjese të rëndësishme të konsensusit evropian të pasluftës, mbi të cilin u ndërtua Bashkimi Evropian.

Nga fundi i këtij muaji deri në fund të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian do të përfshihet nga një varg i pazakontë procesesh zgjedhore. Qytetarët e katër prej pesë vendeve më të mëdha të Unionit, si për nga popullsia, ashtu edhe për nga pesha ekonomike, do t’u drejtohen kutive të votimit. Paralelisht, zgjedhje parlamentare do të zhvillohen edhe në Estoni, Finlandë, Greqi dhe Sllovaki, ndërsa në Gjermani do të mbahen zgjedhje rajonale.

Spanja do të hapë këtë cikël më 29 nëntor, me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Koalicioni socialist i kryeministrit Pedro Sánchez përballet me rrezikun e humbjes përballë forcave të djathta, konkretisht Partisë Popullore konservatore (PP) dhe partisë së ekstremit të djathtë Vox, të cilat tashmë qeverisin së bashku në disa rajone të vendit.

Më pas vijnë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Francë, në pranverë. Në garën presidenciale kryeson Marine Le Pen, përfaqësuese e Tubimit Kombëtar (RN), partisë së ekstremit të djathtë. Ajo renditet dukshëm përpara liderit të së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon, ndërsa opozita tradicionale e qendrës mbetet e përçarë.

Në Poloni, zgjedhjet e vitit të ardhshëm mund të sjellin rrëzimin e koalicionit liberal të kryeministrit Donald Tusk, pasi partitë nacionaliste, të marra së bashku, përfaqësojnë pothuajse gjysmën e elektoratit. Ndërkohë, në Itali, Giorgia Meloni synon të sigurojë një mandat të dytë në zgjedhjet që duhet të zhvillohen përpara fundit të vitit 2027. Megjithatë, ajo po përballet me presion në krahun e djathtë nga partia e re “E Ardhmja Kombëtare”.

Në mënyrë paradoksale, kjo valë nacionaliste po fuqizohet në një kohë kur mbështetja publike për Bashkimin Evropian mbetet e lartë. Të tronditur nga kaosi që pasoi Brexit-in dhe në kërkim të më shumë sigurie në një botë gjithnjë e më të pasigurt, një rekord prej 74 për qind e evropianëve mendojnë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në BE. Gjithashtu, shumë pak parti euroskeptike kërkojnë më hapur largimin nga Unioni.

Megjithatë, euroskeptikët dhe nacionalistët vazhdojnë ta konsiderojnë BE-në një projekt të imponuar nga lart, i cili, sipas tyre, cenon sovranitetin kombëtar. Synimi i tyre është shndërrimi i Unionit në një bashkim shumë më të lirshëm shtetesh sovrane.

Një tubim i organizuar majin e kaluar në Madrid nga partia spanjolle e ekstremit të djathtë, në banderolë shkruhet: “Vetëm Spanja ka rëndësi”. Foto: Kacper Pempel/Reuters

Sipas politologes italiane Natalie Tocci, ky cikël i jashtëzakonshëm zgjedhor mund “të ndryshojë rrënjësisht fytyrën e Evropës”, duke shkaktuar jo thjesht një dobësim gradual të projektit evropian, por zbrazjen e tij nga përmbajtja, madje edhe shpërbërjen e tij.

Pakënaqësia ekonomike dhe politike ushqen rritjen e së djathtës ekstreme

Edhe pse çdo proces zgjedhor ka specifikat e veta kombëtare, analistët bien dakord se prirjet që po ndikojnë në këto vende kanë shumë elemente të përbashkëta.

Rritja e ngadaltë ekonomike, plakja e popullsisë, presioni mbi financat publike dhe rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës kanë dobësuar mbështetjen për partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë. Vala e protestave të të rinjve që po përfshin Evropën është vetëm shfaqja më e dukshme e pakënaqësisë së thellë të qytetarëve.

Ndërkohë, partitë nacionaliste janë bërë gjithnjë e më të afta të krijojnë dhe të shfrytëzojnë narrativa rreth kërcënimeve dhe krizave të ndryshme, duke përfshirë migracionin, vaksinat, tranzicionin e gjelbër, mbështetjen për Ukrainën, globalizimin, elitat ndërkombëtare dhe institucionet mbikombëtare.

Këto narrativa përforcohen nga fushatat e dezinformimit rus dhe mbështetja e hapur që administrata e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë u jep partive të cilësuara si «patriotike».

Si pasojë, skena politike evropiane është fragmentarizuar dhe polarizuar gjithnjë e më shumë. Pothuajse një në katër votues mbështet sot partitë e ekstremit të djathtë, një përqindje që është rritur pothuajse pesëfish që nga mesi i viteve 1990.

Kjo rritje, megjithatë, nuk ka qenë e njëtrajtshme. Gjatë vitit të fundit, ndërsa partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) shënoi një fitore historike në zgjedhjet rajonale në lindje të vendit, në Holandë partia e Geert Wilders humbi pothuajse një të tretën e vendeve në parlament. Në Hungari, partia Fidesz e Viktor Orbánit pësoi një humbje të thellë, ndërsa në Suedi Demokratët e Suedisë humbën mbështetje për herë të parë në 16 vjet.

Megjithatë, prirja e përgjithshme e rritjes së së djathtës ekstreme duket e qartë. Sipas politologëve, një nga faktorët kryesorë është normalizimi gradual i ideve të saj në debatin publik, veçanërisht për çështjen e emigracionit.

Partitë e qendrës së djathtë po i heqin gradualisht barrierat politike që dikur përjashtonin bashkëpunimin me të djathtën radikale. Edhe në nivel evropian, Partia Popullore Evropiane, e cila përfaqëson qendrën e djathtë, është afruar gjithnjë e më shumë me grupet më radikale për të ndryshuar disa elemente të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe për të ashpërsuar politikat e migracionit.

Si mund të bllokohet vendimmarrja në Bashkimin Evropian?

Për BE-në, ndikimi më i madh i këtij cikli zgjedhor mund të ndihet në Këshillin Evropian, ku përfaqësohen krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare. Aktualisht, vetëm tre nga 27 drejtuesit e qeverive vijnë nga e majta e qendrës.

Nëse deri në fund të vitit 2027, udhëheqësit euroskeptikë në Francë, Spanjë dhe Poloni u bashkohen qeverive të ngjashme në Çeki, Itali, Rumani, Sllovaki dhe Slloveni, ata mund të krijojnë një pakicë bllokuese me ndikim të konsiderueshëm.

Kjo nuk do t’u jepte mundësinë të ndryshonin ligjet e BE-së sipas dëshirës, por do t’u mundësonte të pengonin miratimin e vendimeve të rëndësishme.

Negociatat për buxhetin e Bashkimit Evropian, zgjerimi i ardhshëm, ndihma për Ukrainën dhe thellimi i integrimit në fusha jetike si mbrojtja, energjia, financat dhe teknologjia mund të përballen me bllokim.

Sipas Natalie Tocci-t, fuqia që vjen nga numrat mund të ndryshojë edhe sjelljen e drejtuesve aktualë në Këshillin Evropian.

Deri më tani, qëndrimi relativisht i përmbajtur i Giorgia Melonit ndaj Brukselit është ndikuar, ndër të tjera, nga izolimi i saj përballë liderëve të moderuar si Donald Tusk, Pedro Sánchez dhe Emmanuel Macron, si dhe nga varësia e Italisë prej rreth 200 miliardë eurosh në fondet e rimëkëmbjes së BE-së.

Por, nëse Meloni do të gjendej në një tryezë me figura si Marine Le Pen, lideri i së djathtës ekstreme polake, Jarosław Kaczyński, dhe një qeveri spanjolle të mbështetur nga Vox, ndërkohë që në vendin e saj përballet me presionin e Roberto Vannacci-t dhe partisë së tij, ajo mund të kishte më pak arsye për të ndjekur një linjë bashkëpunuese me Brukselin.

Franca, beteja vendimtare për të ardhmen e Evropës

Analistët bien dakord se beteja më përcaktuese për të ardhmen e Bashkimit Evropian do të zhvillohet në Francë.

Programi elektoral i Marine Le Pen parashikon një përplasje të drejtpërdrejtë me Brukselin. Ajo synon të ulë me 11 miliardë euro kontributin e Francës në buxhetin e BE-së, të organizojë një referendum kushtetues për të shpallur përparësinë e ligjit francez ndaj atij evropian dhe të shkelë disa prej rregullave të tregut të përbashkët.

“Franca ka një ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian”, vëren Mujtaba Rahman nga grupi i analizës politike Eurasia Group.

Sipas tij, në krahasim me Viktor Orbánin, një presidente e mundshme Le Pen do të kishte shumë më tepër ndikim për të zbatuar një strategji të ekstremit të djathtë që synon të minojë strukturën mbikombëtare të BE-së, të mbështetur mbi sundimin e ligjit.

Deri më tani, Brukseli ka arritur të përballojë liderë që sfidojnë institucionet evropiane, si Orbáni, kryesisht sepse në tryezat e vendimmarrjes kanë qenë zakonisht vetëm dy ose tre të tillë.

Por krijimi i një blloku të bashkuar euroskeptik do ta vendoste BE-në përballë një situate krejt tjetër. Unioni mund ta kishte shumë më të vështirë të garantonte respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës, të thellonte integrimin ekonomik dhe të sigurisë, apo edhe të arrinte marrëveshje për çështjet më themelore.

Viktima e parë e këtij bllokimi, me shumë gjasë, do të ishte Ukraina, nëse Le Pen do të udhëhiqte një grup vendesh që kundërshtojnë vazhdimin e ndihmës evropiane për Kievin.

Rreziku i humbjes së peshës dhe ndikimit të Evropës

Gati tri dekada pas vitit 1998, zgjedhjet e ardhshme në Evropë mund të kthehen në një provë vendimtare për aftësinë e Bashkimit Evropian për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme.

Kështu vlerëson Stefan Lehne nga instituti kërkimor Carnegie Europe, sipas të cilit kërcënimi ndaj Unionit mund të mos jetë i menjëhershëm apo ekzistencial, por rreziqet në periudhën afatmesme janë të konsiderueshme.

“Një rol më i fuqishëm i së djathtës radikale mund të mos çojë në shpërbërjen e Bashkimit Evropian në formën që ka sot, por mund ta pengojë atë të shndërrohet në një strukturë të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes”, thekson Lehne.

Rreziku më i madh, sipas këtij këndvështrimi, nuk është domosdoshmërisht shpërbërja e menjëhershme e Unionit, por pamundësia e tij për të vepruar në mënyrë të bashkërenduar dhe për të marrë vendime në kohën e duhur.

Një paaftësi e zgjatur për të vepruar së bashku do ta dobësonte gradualisht Evropën, duke i zbehur peshën politike dhe ndikimin në arenën ndërkombëtare.

Në fund, sfida e vërtetë për Bashkimin Evropian mund të mos jetë nëse ai do të vazhdojë të ekzistojë, por nëse do të ruajë aftësinë për të qenë një aktor i bashkuar, me ndikim dhe me rol përcaktues në rendin e ri ndërkombëtar.

Përshtati DITA nga The Guardian

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Evropa hyn në një cikël vendimtar zgjedhjesh, rezultatet mund të tronditin themelet e Bashkimit Evropian
  • Si po lexohen papiruset e karbonizuara të bibliotekës së Herkulanit
  • Këngëtarja e njohur dërgohet në gjyq për evazion fiskal, dyshohet se fshehu mbi 6 milionë lekë të ardhura
  • Mickoski pyetet për himnin shqiptar në Pustec, gazetari nga Tetova përplaset me Ramën më Qafë-Thanë
  • Momente paniku pas triumfit të Boca Juniors, kampioni i botës shembet përtokë gjatë intervistës live

Komentet e Fundit

  1. Ethem Lalaj on Pamja e jashtme e një politikani është zgjedhje e tij personale, llogaridhënia për paratë e shpenzuara është detyrim
  2. Gjergj on Trump, Vuçiç dhe presioni pas dyerve të mbyllura: Çfarë fshihej pas projektit në Beograd?
  3. fery on Pamja e jashtme e një politikani është zgjedhje e tij personale, llogaridhënia për paratë e shpenzuara është detyrim
  4. rilindjotizim-sensibilizim on Rama i përgjigjet Veliajt: Ata që zbatojnë porositë e Veliajt në bashki do t’i gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike
  5. ali baba me 40 hajdutet on VIDEO: Njoftohet krijimi i LSK, çfarë ndodhi mes tyre dhe Ramës te shkallët pas Asamblesë

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?