Fatos TARIFA
I kthehem edhe një herë subjektit për të cilin shkrova dhe botova dje në këtë gazetë: marrëdhënies së rinisë me politikën.
Shtysë u bë interesimi që duket se ngjalli ai artikull, siç kuptoj nga shumë reagime që më kanë ardhur. Reagime nga prindër, nga pensionistë, nga kolegë dhe nga studentë që i kam pasur dje, por edhe nga studente të cilëve u jap mësim sot.
Duket se ka diçka që nuk shkon me mënyrën se si të rinjtë e shohim politikën dhe pjesëmarrjen e tyre në të.
Kemi parë këto ditë në studiot e disa televizioneve (Klan, Euronews etj.) të rinj e të reja që flasin për politikën dhe për “politikanin e ri” që ata thonë se përfaqësojnë.
Përgjithësisht janë po ata. Të njëjtët djem e vajza që ftohen nga një studio në tjetrën. Duket se janë bërë fytyra të njohura, personazhe që kanë filluar të flasin në publik e për të cilët flitet.
Por kjo do të thotë, gjithashtu, se janë shumë pak. Janë po ata dhe nuk përfaqësojnë masën e gjerë të rinisë, por interesat e veta dhe të partive të tyre politike, nëse bëjnë pjesë në to.
Po përse u kujtuan të flasin sot dhe përse ftohen të flasin tani? Marrëdhënia e rinisë me politikën nuk krijohet vetëm në prag zgjedhjesh dhe nuk ka për synim vetëm zgjedhjet. Përse atëherë nuk janë dëgjuar deri më sot, nëse politikën e kanë kaq shumë pasion, sa thotë vazhdimisht njëra prej vajzave në ato studio?
Të pakënaqur e të lodhur me politikën dhe politikanët e vjetër, qytetarët shqiptarë sigurisht duan të shohim dhe mirëpresin “gjak të ri” në politikë. “Gjaku i ri” besohet se do e shëndoshë sistemin e sëmurë politik, që zakonisht, në analogji me organizmin e njeriut, në shkencën politike e quajmë “body politic” (nga latinishtja e mesjetës: corpus politicum).
Sidoqoftë, do të ishte gabim e do të zhgënjeheshim nëse një ndryshim rrënjësor në politikën shqiptare do e prisnim të vinte nga tre, katër apo gjashtë djem e vajza të reja në moshë, ose edhe nga pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë prej tyre, që të përfshirë në listat e hapura apo të mbyllura të partive politike, mund të zgjidheshin deputetë në legjislaturën e ardhëshme.
Koncepti “gjak i ri” nuk nënkupton doemos moshën e re. Gjak i ri në politikë është ai që ushqen mendime të reja, një mentalitet krejt tjetër nga ai që karakterizon mendimin e sklerotizuar të një pjese të madhe të politikanëve të sotëm.
Gjaku i ri në politikë nuk është domosdo një atribut biologjik. Mund të jesh i ri në moshë, por arkaik e matuf në mendime. Rinia, siç kam venë në dukje edhe më parë, nuk është thjesht një periudhë e jetës, por edhe një gjendje e mendjes sonë.
I kam dëgjuar me vëmendje këto ditë ata të rinj e të reja që janë shprehur për aspiratat e tyre në politikë, por kam vënë re se narrativës së tyre, thuajse në çdo rast, i mungon një ideal shoqëror dhe ai frymëzim që janë të domosdoshëm për të qenë i suksesshëm në politikë. Për të qenë në pararojë të lëvizjes politike, e jo thjesht një ushtar i regjimentuar në radhët e një partie politike, siç dëshmon, në pjesën më të madhe, përvoja e këtyre tri dekadave të fundit.
Ligjëratat e tyre janë kryesisht reagime imediate ndaj realiteteve të sotëm, jo qëndrime vizionarë për të sjellë ndryshime pozitive sot dhe një realitet të ri nesër.
Rinia duhet të jetë vizionare dhe e vendosur për të realizuar vizionin e saj. Vizioni i rinisë në politikë duhet të jetë ajo çfarë politikanët e sotëm nuk arrijnë ta shohin, madje as ta imagjonojnë dot, e jo më ta dëshirojnë. Dhe vizionar nuk të bën politika; politikan mund të të bëjë një vizion i qartë.
Rinia duhet të ketë ëndrra për jetën e saj. Të rinjtë synojnë të bëhen ajo çfarë ata ëndërrojnë. E ardhmja gjithmonë ka qenë për ata që kanë besuar në ëndrrat e tyre dhe janë përpjekur t’i realizojnë ato. Një ëndërr mund të bëhet një mision në jetë. Ëndrrat e shumë të rinjve mund të bëhen misioni i tyre në shoqëri.
Por unë s’kam dëgjuar këto ditë asnjë nga të rinjtë që janë ftuar të flasin për politikën në studiot e televizioneve që të na thonë ç’ëndrra kanë. Flasin për politikën e vjetër dhe për politikanët e vjetër, por nuk thonë asgjë se si duan të jetë politika “e re” që ata duan të zëvendësojë të vjetrën.
Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë! Më të shumtit flasin për veten e tyre. Më të shumtit flasin sikur të jenë vënë në garë për t’u zgjedhur, edhe kur thonë se këtë luftë (cilën luftë?!) nuk e bëjnë për veten e tyre.
Asnjë ide nuk kam dëgjuar prej tyre deri më sot se si do të duhej të transformohet sistemi ynë arsimor, se sa do të duhej të investohej në ekonomi dhe në cilët sektorë të saj, se ç’duhet të bëjë shteti për t’u dhënë zgjidhje të menduara mirë një vargu problemesh sociale që janë bërë shqetësuese për shoqërinë tonë.
Askush prej tyre nuk i ka zenë në gojë rrethanat e sotme ndërkombëtare në të cilat jetojmë, a thua se Shqipëria është Bali, një ishull i largët, ku pjesa më e madhe e banorëve nuk e dinë se në Ukrainë bëhet luftë dhe s’kanë dëgjuar për tragjedinë e palestinezëve në Gaza.
Barack Obama thoshte se e ardhmja u përket të rinjve që kanë arsim dhe imagjinatë për të krijuar. Duket se shumicës së të rinjve që këto ditë flasin në studiot e televizioneve për pjesëmarrjen e tyre në politikë u mungon pikërisht kjo: imagjinata për të krijuar. Arsim mund të kenë, por pa këtë imagjinatë dhe pa vendosmërinë për të vepruar në përputhje me të, nuk mund të presim prej tyre të krijojnë një realitet politik i ri.
Nëse e vetmja gjë që ne dimë për të ardhmen është se ajo do të jetë ndryshe, e vetmja mënyrë për ta krijuar të ardhmen tonë është që të dimë sot se ç’gjëra duhen bërë ndryshe dhe si.
Çështja nuk është se politika e vjetër ka zënë rrënjë dhe është e vështirë të shkulet. Çështja është se një pjesë e madhe e të rinjve që e kanë bërë sot politikën vokacionin e tyre nuk japin shpresë se mund ta bëjnë këtë.
Kjo e bën edhe më të domosdoshme që rinia të mos përfaqësohet nga disa “politikanë të rinj race”, si këta që kemi parë e dëgjuar të flasin në TV këto ditë, por që ajo vetë, masa e gjerë e rinisë shqiptare, të rritet e të zhvillohet si një “racë e re politikanësh”.
Nga Franklin D. Roosevelt na ka mbërritur kjo maksimë e mençur: “Ne s’mundemi gjithnjë të krijojmë të ardhmen për rininë tonë, por ne mund të krijojmë rininë tonë për të ardhmen”.