Prof. XHEVAT LLOSHI
Vitin e kaluar u mbushën 100 vjet nga lindja e orientalistit të njohur, filologut dhe leksikografit Hasan Kaleshi, Në mënyrë krejt të natyrshme atë do ta tërhiqte veçanërisht veprimtaria dhe vepra e Sami Frashërit. Rastin e parë ia dha vitit 1954, kur ishte përvjetori i 50-të i vdekjes së Samiut. Nisi botimin e katër shkrimeve te “Flaka e vëllazërimit”, duke u marrë me krijimtarinë e tij letrare, me dramat dhe me anekdotat, ndërsa e mbylli më 1955 sërish me një artikull për veprat e Samiut. Ajo që më ka bërë përshtypje është se Kaleshi ka shkruar edhe për dramat “Sejdi Jahja” dhe “Gjave”, ndërsa afër 40 vjet më vonë “Historia e letërsisë shqiptare” (1983) nuk ka përmendur me titull asnjë dramë tjetër veç “Besës”, madje as edhe romanin e Samiut. Edhe Sabri Hamiti (1996) ka pohuar se pas dramës “Besa” Samiu nuk shkroi më vepra letrare. Gjithashtu “Fjalori enciklopedik shqiptar” në botimin e tij të dytë më 2008 nuk i përmend titujt e këtyre dy dramave. Kuptohet, se qysh në fillimet e tij H. Kaleshi është i pari që ka pasur një vështrim më të gjerë për krijimtarinë e Samiut, madje edhe kundrejt atyreve që shkruan shumë vite më pas.
Një radhë të dytë artikujsh Kaleshi e ndërmori më 1968 në revistën “Jehona” të Shkupit. Trajtoi veprat enciklopedike e leksikografike të Samiut, shkrimet filologjike e dialektologjike dhe ndihmesat e tij si popullarizues i shkencave moderne. Vendin më të gjerë këtu e zuri puna e Samiut në letërsinë dhe filologjinë turke. Vitin pasues e plotësoi këtë paraqitje të krijimtarisë së Samiut me një trajtim për rolin e tij si gazetar.
Shqetësimin më të madh gjatë gjithë kohës H. Kaleshi e ka pasur, sepse nuk njihej gjerësia e opusit të Samiut. Kurdoherë kur kishte mundësi Kaleshi gjurmonte me këmbëngulje çdo dokument ose shkrim që mund të gjente lidhur me atë figurë dhe në veçanti ka hulumtuar arkivat e Turqisë, ndërsa ne e dimë se çfarë vështirësish të mëdha paraqet një punë me materiale të vjetra, me një gjuhë dhe alfabet të cilat duan një përgatitje të posaçme për t’i zotëruar ashtu siç i zotëronte Hasan Kaleshi. Prandaj punimi i radhës i tij më i rëndësishëm ka qenë ai për burimet lidhur me studimin e S. Frashërit (1971), ndërsa dy vite më parë i kishte bërë një recension librit të A. S. Levendit (1969), libër i cili mbetet më i ploti nga një autor turk për enciklopedistin shqiptar.
Shqetësimi tjetër më i madh i H. Kaleshit, i lidhur me të parin, ka qenë se nuk arriti të hartonte një monografi të plotë për Samiun. Nga kjo pikëpamje, gjithçka ka paraqitur në botim gjatë gjithë viteve përbënte në thelb hapat e njëpasnjëshëm për të arritur te një punim përgjithësues mbi Samiun, punim që nuk e arriti dot ky njohësi më i thellë i tij, ndërsa ka mbetur një detyrë e paplotësuar edhe në ditët tona. Nuk është e rastit që dy vjet para se të ndahej nga jeta, Kaleshi arrit të shkruante për Samiun artikullin në “Leksikonin biografik për historinë e Europës Juglindore”, që u botua më 1974 në Mynhen.
Prej gjithë kësaj bibliografie kam zgjedhur të ndalem shkurt në këtë kumtesë te dy botime të tij. I pari është për vendin e Samiut në letërsinë dhe filologjinë turke. Mund ta quaja gjysmën e monografisë që ai aq shumë dëshironte ta përfundonte. Kjo është faqja më pak e trajtuar nga studiuesit shqiptarë për dy arsye. Së pari, natyrisht kërkohet një njohje e plotë e turqishtes, në të cilën ka shkruar Samiu, madje edhe e arabishtes, kurse njohës të tillë të përkryer si Kaleshi kanë qenë dhe janë shumë të paktë. E dyta, për një varg studiuesish ka qenë e vështirë të pranohej nocioni, se një autor mund t’u përkasë dy kulturave. Në “Hyrjen” e punimit Kaleshi jep shkurt trajtimet deri në atë kohë nga pena e disa autorëve kryesorë turq. Më pas janë marrë një për një veprat e Samiut të klasifikuara në gjashtë grupe. Nuk do të ndalem te kjo lëndë e pasur, po vetëm do të përzgjedh karakterizimet e Kaleshit për Samiun dhe veprat e tij.
Sipas Kaleshit, Samiu hyn në lëmin e orientalistikës në kuptimin e plotë të fjalës. Turqishtja ishte mjeti i tij më i fuqishëm për të shprehur idetë e veta iluministe dhe humaniste. Nga njëra anë, në kohën e absolutizmit hamidian, me vepra shqipe e me shumë artikuj turqisht e kishte provuar, se nuk i kishte munguar guximi e trimëria. Por nga ana tjetër, në rininë e tij Samiu do të shprehte arsyetime e mendime tashmë të kaluara e të harruara, si dhe ato iluzione, “që ushqente elita intelektuale e Stambollit, nga të cilat nuk ngeli imun as Samiu.” Më pas do të vërehej një evoluim i shpejtë jo vetëm shkencor, por edhe politik e ideologjik i tij.
Si ndarje të parë Kaleshi merr krijimtarinë letrare të Samiut, sepse e quan deri diku pionier në letërsinë turke. Do të pranojmë se pas Tanzimatit shoqëria turke nisi të ndryshonte dhe këto ndryshime prekën edhe botën e shijet letrare, u përftuan koncepte të tjera letrare dhe prirje të reja. U shtuan kontaktet me letërsinë europiane, nisën përkthimet, u pa se letërsia e divaneve nuk kishte karakter kombëtar, në vend të saj duhej kthyer fytyra nga letërsia popullore dhe në mënyrë të vetvetishme të gjitha këto u përmblodhën në kërkesën për një stil të ri të prozës, që natyrshëm do të mishërohej në kthesën për gjuhën, për pastrimin e saj. Në gjirin e rrymës politike e gjuhësore të turkizmit gjeti vendin e vet aktiv edhe Samiu i ri. Sipas Kaleshit, letërsia turke si romane të para përmend ato të Ahmet Mid-hat efendisë nga vitit 1875, ndërsa në të vërtetë romanin e parë turqisht e ka shkruar Samiu më 1872, “Dashuria e Talatit me Fitneten”. Njëkohësisht Samiu ka qenë ndër autorët e parë të dramave turqisht. Ndonëse ka përmendur me tituj vetëm tri drama të tij, Kaleshi me të drejtë është shprehur se kishte shkruar katër dhe kohët e fundit i kemi që të katra të përkthyera shqip.
Për botën shqiptare “Besa” ka qenë dhe mbetet vepra më e njohur. Ndërkaq Kaleshi vëren se parathënia e saj deri atëherë nuk ishte përkthyer shqip, ndonëse ishte shumë e rëndësishme. Ajo është e dramatizuar në trajtën e një procesi në gjyqin e ndërgjegjes së autorit për kundërshtinë ndërmjet besës dhe dashurisë. Kaleshi mënjanohet të japë një mendim për vlerën e dramës, por citon një autor turk, për të cilin “Besa” qëndron edhe më lart sesa pjesët e shkrimtarit më të njohur në atë kohë, Namik Qemalit.
Për dramën “Sejdi Jahjai” Kaleshi vë në dukje se ka situata artificiale, konflikte të trilluara, por këto janë të kuptueshme si pjellë e një fantazie rinore dhe në rrethanat kur në letërsinë turke zinte vend me rëndësi historia e myslimanëve në Spanjë. Për dramën tjetër, “Gjave”, Kaleshi shpreh bindjen se Samiu motivin e ka marrë nga poema e njohur e Firdusit, “Shahnameja”, duke e përpunuar sipas fantazisë së bujshme vetjake. Nëpërmjet gojës së heroit kryesor dhe personazheve të tjera, Samiu gjeti mundësinë të thoshte shumë fjalë kundër absolutizmit, zullumeve, padrejtësive e shtypjes, por dhe shumë lavde për lirinë e drejtësinë. Megjithatë, më duket se është pak e tepruar të mëtohet se në shëmbëlltyrën e Dahakut Samiu paska parë mishërimin më konkret të sulltan Abdylhamitit. Kjo nuk qëndron as historikisht, sepse ai sulltan sapo kishte ardhur në pushtet dhe karakterizimi i tij si tiran u përket viteve të mëvonshme.
Si përfundim të përgjithshëm Kaleshi nënvizon se veprat letrare të Samiut nuk kanë zënë vendin që meritojnë në historinë e letërsisë turke, sepse krijimtaria e tij letrare mbeti nën hijen e punimeve të tij shkencore e leksikografike.
Është e drejtë që në grupin letrar Kaleshi ka përmendur edhe “Anekdotat” dhe “Fjalët e urta” të Samiut. Është interesant konstatimi, që ndonëse anekdotat për Nastradinin kanë qenë shumë popullore edhe ndërmjet turqve, te përmbledhja e Samiut nuk është përfshirë ndonjë prej tyre. Ndërsa ndërmjet fjalëve të urta një e treta janë hartuar nga vetë Samiu.
Pjesa tjetër e punimit të Kaleshit ngërthen materiale, të cilat në thelb nuk paraqesin ndonjë interes për lexuesin shqiptar, sigurisht, duke përjashtuar orientalistët tanë. Këtu bëjnë pjesë antologjitë, përkthimet, kërkimet gjuhësore të cilat i përshkon këmbëngulja për ta pastruar turqishten nga fjalët e huaja dhe duke iu drejtuar gjuhës popullore. Mendimet e Samiut niseshin nga gjuhësia europiane e kohës, madje ato ai i ka zbatuar njësoj edhe kur ishte puna për gjuhën shqipe. Ndërmjet tyre H. Kaleshi ka vënë në pah edhe këtë: “Puna jonë e parë dhe më e rëndësishme është që të punojmë për bashkërendimin midis gjuhës së shkruar e letrare në një anë, dhe gjuhës së folur në anën tjetër.” Për Kaleshin: “Satisfaksioni më i madh për Samiun që kish ndërruar jetë erdhi më vonë, më 1929, kur . . . një komision dijetarësh të shquar vendosi të merrte si bazë fjalorin e turqishtes të Samiut … dhe dy parimet e Samiut.” Nuk e di sesa qëndron kjo, por H. Kaleshi e ka thënë se Samiu është i pari në Turqi, që flet mbi gjuhën e gjuhësinë. Besoj se kjo mund të fomulohej pak më ndryshe, domethënë se flet për gjuhësinë e përgjithshme në kuptimin e dijes europiane të kohës.
Do të kërkonte shumë vend të përmendeshin veprat leksikografike dhe enciklopedike të Samiut. Prandaj do të kufizohem edhe këtu për të vënë në dukje këndvështrimin e H. Kaleshit. Sipas tij, një fjalor enciklopedik osmanisht-turqisht, i botur më 1962 në Ankara është tërësisht Fjalori i turqishtes i Samiut, vetëm i transkriptuar me alfabetin latin. Fjalorin universal (Kamus l-a’lam) e quan vepër monumentale të Samiut, një vepër madhështore jo vetëm përkah vëllimi, por edhe nga metodologjia, lënda, saktësia faktografike, të dhënat e zgjedhura, gjuha e stili i ngjeshur, një manual i domosdoshëm i çdo orientalisti. Vetë Kaleshi ka përkthyer prej tij artikullin për Skënderbeun dhe për Prishtinën. Për veprat islamologjike dhe arabistike Kaleshi shprehet drejtpërdrejt, se asnjë vërejtje për frymë fetare ose për ndonjë fanatizëm fetar nuk mund t’i bëhet Samiut. Përkundrazi, ato i karakterizon objektiviteti dhe shpirti shkencor në paraqitjen e çështjeve. Samiu është një nga islamistët dhe arabistët e parë modernë në Turqi.
Nga veprimtaria publicistike aq e gjerë e Samiut dëshiroj të veçoj konstatimin e Kaleshit, se: “Platforma e Samiut e paraqtiur në këta artikuj është po ajo e Lidhjes së Prizrenit, ose më mirë me thënë, Samiu është prijësi ideor i saj.” Ndërsa përgjithësisht Samiu ka qenë kurdoherë “përkrahës i së resë, i përparimit, i ideve të reja.” Nuk mund ta lë pa e prekur, që Hasan Kaleshi është mahnitur nga njohja e gjuhëve të huaja prej Samiut: “… kur mundi t’i mësonte në mënyrë aq të përsosur italishten frëngjishten, persishten, arabishten e turqishten, të cilën e zotëronte më mirë se intelektualët e Stambollit?”
Duke kaluar te punimi i dytë. “Burimet lidhur me studimin e Sami Frashërit” (1971) është e kuptueshme që vetë autori e sheh si pjesë të përpjekjeve për të hartuar një monografi të plotë kushtuar Samiut. Pjesën e parë kryesore të këtyre burimeve natyrisht e përbëjnë veprat e Samiut, për të cilat kishte folur në punimin tre vjet më parë. Në veçanti parathëniet e Samiut duket se janë burime të dorës së parë për studimin e trashëgimisë së tij. Këtu autori shton, se Samiu është ndër të parët që merret me studimin e monumenteve të gjuhës turke. Nuk mund ta kapërcej gjykimin e tij, se: “Samiu i ka hyrë hartimit të një vepre vetëm atëherë kur ka qenë origjinal në tërësi, kur ka qenë i pari që ka shkruar për një problem, ose kur ia ka marrë mendja se do t’i tejkalojë të tjerët.”
Së fundi, përveç manifestit të tij të Rilindjes shqiptare, Samiu ka mbrojtur kurdoherë të drejtat e popullit shqiptar, ka ndjekur ditë më ditë ngjarjet e kohës, madje në polemikë të fortë me propagandën e gazetave që mbronin qëndrime shoviniste dhe antishqiptare. “Samiu, – thekson H. Kaleshi, – ka qenë polemizues i flaktë, i ka mbrojtur qëndrimet e veta deri në fund, me një gjuhë të ashpër, me stil të gjallë e me argumente të fuqishme.”
Pas kësaj paraqitjeje të ngjeshur, gjithsesi bëhet e qartë se H. Kaleshi e ka rrokur me vështrim të gjerë gjithë trashëgiminë e enciklopedistit të shquar, duke e shoqëruar me vlerësimet përkatëse, aq sa mund të them se do të jetë e vështirë që dikush tjetër të gjejë ndonjë mangësi në karakterizimet e tij, kështu që ndonëse nuk arriti ta përfundonte një monografi, ai na ka lënë thelbin e saj dhe studiuesve të sotëm u mbetet të plotësojnë disa gjëra anësore, por në këtë hulli që e ka hapur me dorë të sigurt Hasan Kaleshi.
