Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Në jetën e popujve njoftimet e hershme përbëjnë themelin e ekzistencës së tyre. Në historinë e Ballkanit ka pasur disbalanca të mëdha për shkakun e njohur të historisë dhe të qytetërimit antik, kulturës dhe historisë komplekse me të cilën është studiuar dhe interpretuar Ballkani. Të gjendur përballë këtyre kontrasteve të forta me dritëhije, por dhe me golle të mëdha të errëta, për jo pak popuj, bashkudhëtarë dhe bashkëqytetarë të këtij qytetërimi ka pasur vështirësi të mëdha identifikimi dhe dakordësish entitetesh dhe këndfigurimi shtetesh dhe etnish. Pa hyrë në referenca të burimeve antike dhe të autorëve të lashtësisë, që na afrojnë vërtetësi të bashkë-udhëtimit dhe të bashkë-qytetërimit antik të disa popujve dhe kulturave, Çamëria vazhdon të mbetet një nyjë e lidhur fort dhe e shtrënguar dhe e paçliruar nga kompleksi ballkanik i ngatërresave të njohura të gadishullit.
Në baticat dhe zbaticat historike dhe politike të Ballkanit, ashtu siç u krijua një çështje shqiptare, e cila daton natyrisht shumë më herët se sa koha kur u shfaq nacionalizmi dhe nacional- shovinizmi në Ballkan, një çështje që vinte nga zgjatimet e të kaluarës, një plagë e thellë dhe lënguese ka mbetur dhe çështja çame. Pavarësisht burimeve të hershme, ato historike, pavarësisht dëshmive shkrimore dhe ato të truallit çam, në ato ruhen në gjendje aktive dhe kthimin në një kauzë të domosdoshme për Shqipërinë dhe popullsinë çame autoktone dhe të zbuar e degdisur me dhunë dhe barbari. Një rol të veçantë kanë luajtur dhe po luajnë studiuesit shqiptarë për Çamërinë, veçmas studiuesit çam, të cilët kontribuojnë kudo ata janë, në Çamëri, në vende të ndryshme të botës, në Shqipëri dhe deri në Athinë.
Çështja çame është një çështje komplekse, në themelin e të cilës ka sakrifica martirësh të popullsisë çame, e cila ka përjetuar tragjedi nga nacional-shovinizmi ballkanik. Çështja çame ka në kompleksin e saj përplasje interesash gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha, të cilat e keqpërdorën historinë, kulturën, trashëgiminë, vlerat dhe fuqinë e vazhdueshme kulturore, politike dhe të dijeve që ka prodhuar trualli çam, që në historinë e hershme. Çështja çame, si për shumë pjesë të tjera të trojeve shqiptare zbuloi padrejtësitë historike të Perëndimit dhe të Lindjes, të cilat sakrifikojnë popujt e vegjël nga njëra anë, por nga ana tjetër urbanizimi i tyre plotëson orekset e shteteve nacional-shoviniste. Çamëria përveçse është një zë i përhershëm për drejtësi, ajo vazhdon të mbetet një plagë e hapur për dhjetëra-mijëra çam, të cilët nuk gëzojnë trashëgiminë e tyre të hershme.
Prof. dr. Selman Sheme, një studiues i dëgjuar universitar, një historian dhe një studiues i rëndësishëm në studimet gjeografike e historike shqiptare na ka afruar një botim të rëndësishëm, një vepër historike për Çamërinë, çështjen çame dhe dëshminë që ajo mbart në vetvete nga lashtësia deri sot. Duke pasur një qasje specifike dhe të veçantë, libri “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë” është një gur i rëndë në referimet historike dhe komplekse që studiuesi i propozon lexuesit, studiuesve, institucioneve dhe perëndimit në njohjen thelbësore të Çamërisë.
Krahas një varg veprash të tjera mbi gjeografinë humane dhe regjionale, Prof. Selman Sheme, duke gjurmuar e hulumtuar traditat etnokulturore të Çamërisë, na ka sjell disa vepra të epërme, të cilat kanë lënë gjurmë në botën akademike shqiptare dhe ballkanike. Në këtë hulli bëjnë pjesë edhe studimet e tij monografike: “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005), “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” (2008), “Gjeohapësira e Konispolit” (2009), “Epiri i Jugut – Çamëria” (2014) “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor” (2016), etj.
Botime të tilla akademike, si një qasje bashkëkohore e mjediseve natyrore, ekonomike, rajonale dhe etnokulturore dëshmojnë qartë punën e thellë kërkimore e shkencore të këtij dijetari të shquar, për të nxjerrë në dritë me të dhëna, burime, dëshmi, statistika e vëzhgime të mprehta identitetin kulturor të Çamërisë. Studiuesi është frymëzuar përherë edhe nga thënia proverbiale e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, se: “Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort dhe rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin…”.
Për Çamërinë kanë shkruar poezi shumë poetë shqiptarë dhe poetë nga Çamëria, janë shkruar libra me ngjarjet dhe historitë tragjike që ka kaluar populli çam për t’iu shmangur barbarisë vrasëse greke, janë shkruar libra të tjerë historik në të cilët ka një dëshmi autentike të etnisë, kulturës, rrugëtimit nëpër kohët dhe historinë, deri në dhunën mbi popullin çam, për ta shpopulluar Çamërinë nga popullsia e saj autoktone. Janë shkruar libra publicistikë dhe reportazhe, kujtime dhe shkrime të karakterit diplomatik dhe politik përmes të cilëve është bërë thirrje për zëshmimin e çështjes çame në diplomacitë dhe kancelaritë perëndimore.
Burimet e shumta të diplomacive të huaja, si ato frënge, italiane, gjermane, angleze, turke, austro-hungareze apo dhe ruse qoftë, kanë një tablo të gjerësishme gjatë zhvillimeve shqiptare të viteve 1978- 1881 e njohur si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, burime që reflektojnë një letërkëmbim të gjerësishëm diplomatik si për çështjen shqiptare, ashtu dhe për Çamërinë.
Libri i prof. dr. Selman Sheme, i titulluar “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë” është një libër ndryshe gjithë librave dhe literaturës shkrimore që është botuar deri sot për Çamërinë, qoftë për kohën kur ai del (2021), qoftë për natyrën se si është shkruar, qoftë për natyrën thellësisht njohëse dhe shkencore që e përshkon atë, por dhe për metaforën që ndërton ai në larminë e madhe të librave të shkruar.
Asnjë libër tjetër nuk vepron më shumë se sa libri i prof. Shemes, i cili duke mos qenë posaçërisht politik, ai është po kaq i tillë, për shkakun e tematikës së gjerësishme, rrënjët dhe tabanin historik, etnografik, kulturor, demografik, antropologjik dhe ekonomik që mëton të sjellë në vëmendjen e lexuesit. Ai qetësisht depërton në nevojën kulturologjike të lexuesit për të ditur gjithçka mbart në vetvete Çamëria, rrugëtimi i saj, popullsia e saj nëpër kohë, traditat zakonore dhe ekonomike, toponimia, burimet antike, lidhjet e saj me qytetërimet e hershme dhe ato të qëndrueshme dhe shumë çështje të tjera bazike, që vijnë përmes optikës dhe vëmendjes së njohësit shkencërisht të historisë shqiptare dhe asaj ballkanike.
Librin “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë” ai e nën-siglon “leksikon”, d.m.th një raport auditorial, një lloj kujdesi i veçantë që një profesor universiteti ka me auditorin dhe me dijen dhe njohjen që ai ka për tu përcjellë atyre. Mendoj se libri ka një nëntekst të qartë, autori duket sikur i thotë lexuesit:- historia e Çamërisë duhet njohur, duhet mësuar. Për Çamërinë ke ç’të mësosh shumë që nga lashtësia deri në ditët e sotme.
Libri, i cili ka të bëjë me “tablonë fizike-hapësinore, demografike e funksionale” është ndërtuar mbi një bazament të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm studimor, faktesh, detajesh, burimesh shkrimore dhe dëshmish të tjera, madje dhe në shifra dhe tregues social- ekonomik në të gjithë hapësirën e mundshme të tij. Në tetë kapitujt e librit sillen në vëmendje dhe përmes një komunikimi analitik-sintetik çështje të tilla si ‘Çështje dhe karakteristika të përgjithshme fizike– gjeografike’ për Çamërinë, ‘harta politike e Çamërisë’, ‘popullsia dhe vendbanimet’,‘tabloja fizike-hapësinore, demografike, ekonomike dhe funksionale e vendbanimeve në Çamëri”, ‘Çamëria e brendshme’,‘karakteristika të tjera fiziko- gjeografike’, ‘historia dhe dinamika e lëvizjes së popullsisë çame’,‘ndarja administrative dhe vendbanimet’ dhe së fundi ‘diaspora shqiptare në Greqi’, çështje që nyjëtojnë një studim dhe një informacion të imët për krahinën e Çamërisë.
Siç dhe mund të shihet qartë, një libër i kësaj natyre është i vështirë dhe jo i zakonshëm për shkakun, se është një libër që kërkon një mendje të ditur, të përkushtuar, një mendje të hapur dhe të kulturuar, jo vetëm nga leximet dhe studimet, por dhe një njohës i mirë i mjedisit. Është një libër që lidhet fort me hulumtimet specifike, të cilët çojnë në mbulesa të natyrës së vendbanimeve shqiptare të krahinës së Çamërisë, të popullsisë dhe figurave të rëndësishme të kësaj krahine. Prandaj, studime të tilla kërkojnë aftësinë dhe interpretimin shkencor të zhvillimit dhe evoluimit të ngjarjeve, fenomeneve, dukurive dhe lëvizjen e popullsisë, shndërrimet kulturore dhe urbane, organizmin e brendshëm të shoqërisë, natyrën e kulturës në familje dhe shumë gjëra të tjera.
Koncepti urban që gjen një hapësirë të konsiderueshme në këtë libër, pasi autori e risjell në kontekste të ndryshme në dy-tre kapitujt e librit, lidhet fort me burimet njerëzore ku jeton dhe popullsia çame, pra ku është dhe përqendrimi më i madh njerëzor, por dhe kulturologjik i sotëm, tek i cili mbështetet shumë dhe bashkëkohësia ekzistenciale e popullsisë çame. Pikërisht këto vendbanime, të cilat ngjajnë me oazet, përbëjnë një rëndësi jetike për të kuptuar jo vetëm raportin me të kaluarën që mban popullsia çame, por dhe me tendencat, valencat e caktuara politike-kulturologjike të kohës për një çështje të tillë.
Duke shfrytëzuar modelet më të mira dhe përvojën e mëparshme për libra të kësaj natyre, siç është “Dheshkronja” e S. Frashërit e vitit 1888, por dhe botimet e mëvonshme, për krahina të ndryshme të vendit, qoftë dhe të “Fjalorit Enciklopedik”, prof. Sheme, në “Shqyrtime hyrëse” të librit e vlerëson një “rajon etno-gjeografik” Çamërisë, siç janë ai i Gegërisë dhe ai i Toskërisë, në të cilën vë në vëmendje tri njësitë e krahinës së Çamërisë; atë si Çamëria Veriore, Çamëria e Mesme dhe Çamëria Jugore, një hapësirë e rëndësishme e cila aktualisht gjendet jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.
Duke qenë një popullsi autoktone, në rrjedhën e dokumenteve historike, prof. Dr. Sheme kujton studiues të shumtë, kryesisht të huaj, që nga Tunman (gjerman), Dimo e Nikolo Stefanopoli (botanistë korsikan), G. V. Hahn (gjerman), G. Pouqueville (francez), J. P. Fallmetayer (gjerman), G. G. Bayron (anglez), J. Hobhauuse (anglez), H. Holand (anglez), Manzour, M. Leake (anglez), Ami Bue (francez), J. J. Best (anglez), E. Lear, P. Arvantinoi, Aldo Sestini (italian), N. Hamoond (anglez), M. Nilsson (suedez), D. Mustill (italian) studiues dhe shkencëtarë të profesioneve të ndryshme nëpër kohë të ndryshme, të cilët e ndihmojnë studiuesin shqiptar të mbështetet mbi dëshmi të forta mbi Çamërinë, autoktoninë e saj dhe traditën historike të saj. Citimet dhe burimet e shumta që vijnë përmes hartave të vjetra, burimet më të rëndësishme gjeografike dhe toponimike për vendet, popujt e ndryshëm të botës, janë një dëshmi tjetër e rëndësishme që prof. Sheme i ka vënë në shërbim të lexuesit të librit të tij.
Në arealin e dëshmive të shumta, pavarësisht të natyrave të ndryshme për Çamërinë, një rol të rëndësishëm zënë disa libra dhe burime shkrimore të studiuesve të hershëm çam, arvanitas kryesisht, të cilët kanë lënë një argument të rëndësishëm evidentues, shkencor dhe historik, libra në të cilët ka një burim të madh referencash të autorëve të lashtësisë dhe më vonë për Epirin dhe epirotët, por jo vetëm kaq, por dhe pozita gjeografike, kushtet natyrore, pasuritë gjeo-ekonomike, mjedisi i pasur me resurse jetësore, po ashtu dhe për rrethanat e tjera historike, shfaqja e nacional- shovinizmit ballkanik dhe ai grek, i cili iu kundërvu krahinës së Çamërisë, ngjarjet e viteve 1913 dhe ata të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore etj.
Në një pjesë të madhe të dokumenteve shkrimore të hershme Çamëria është emërtuar Epiri i Jugut për vendin dhe epirotë për popullsinë (banorët). Në kronikën e gjerësishme të komunikimit që prof. Sheme mëton të reflektojë në librin “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”, njohja me rrethet e Çamërisë si: Filati, Gumenica, Margëlliçi, Paramithia, Parga, Preveza, Filipiadha (Lluri) dhe Arta, krijon një raport më të drejtë etnokulturor, gjeografik dhe ekonomik të lexuesit me hapësirën gjeo-ekonomike të Çamërisë, pasi të gjitha këto qytete të njohura dhe historikisht të përmendura tërheqin vëmendjen për të krijuar një marrëdhënie më të gjerësishme me Çamërinë.
Me gjithë historinë dhe rëndësinë që ka Çamëria nga e kaluara dhe sot, për Shqipërinë apo Ballkanin, por dhe rrugëtimin e vështirë të saj e përçon pozita gjeografike e Çamërisë në pikëpamjen konike, gjeopolitike dhe strategjike për të cilat prof. Sheme shkruan ndër të tjera: ”Në territorin e saj (Çamërisë), kalojnë rrugë të rëndësishme që lidhin Shqipërinë me Greqinë, ishujt e Jonit me Janinën, Tesalinë e Maqedoninë. Portet e Çamërisë lidhin në mënyrë të natyrshme pjesën jugore të Gadishullit Ballkanik me Gadishullin Apenin dhe pellgun e Adriatikut me Mesdheun Lindor. Rëndësinë e pozitës gjeografike të bregdetit të Çamërisë nga pikëpamja e vlerësimit strategjik në Mesdheun Lindor e kanë vlerësuar intuita gjeniale e Napolonit dhe zgjuarsia e anglezëve, që e pushtuan atë në fundin e shek. XVIII dhe shek. e XIX. Nga bregdeti i Çamërisë kontrollohet kanali i Korfuzit dhe bëhet dalja në korridoret ujore midis detit Adriatik dhe Jon. Në veri, Qafa e Botës dhe Gryka e Bogazit e lidhin Çamërinë me Labërinë dhe krahina e tjera të Shqipërisë së Jugut. Në lindje të saj kalon magjistrali automobilistik Gjirokastër-Janinë-Artë-Patra, ndërsa gjatë luginë së lumit Kalama kalon rruga automobilistike Sajadhë -Filat-Janinë, e cila lidh Korfuzin me Greqinë.“
Ndërsa shpjegimi mbi referimet shkencore dhe historike mbi prejardhjen e emrit Çamëri, mendojmë se ndihmon në evidentimet burimore shkrimore, ku flitet për këtë krahinë gjatë periudhave të caktuara historike. Harta politike e Çamërisë është njëra nga çështjet më thelbësore në këtë botim shkencor. Studiuesi sjell një informacion të saktë dhe referent ku shtrihet Çamëria, të shtrirë në kohë dhe në ngjarje të caktuara që kanë lënë gjurmë në jetën e krahinës në fjalë. Figura të caktuara që nga Pirro i Epirit dhe më vonë figura të tjera historike dhe të dijes përbëjnë sinorë të rëndësishme të krahinës. Harta politike ndihmon për të njohur organizimin shoqëror dhe administrativ, si është drejtuar krahina dhe si ka qenë organizuar drejtimi i saj. Dokumente të shkruara, të cilat autori ka mundur t’i sjellë në këtë libër përbëjnë një vlerë të rëndësishme njohjeje.
Popullsia dhe vendbanimet, e çojnë opsionin dhe dëshminë e pranisë së Çamërisë në këtë truall dhe trevë plot gjashtë mijë vjet më parë. Studiuesi i njohur, prof. Sheme arrin që përmes hulumtimeve dhe studimeve të shumta të rindërtojë qartë rrugëtimin çam nëpër të gjitha epokat historike, rendet sociale dhe rendet ekonomike. Fatmirësisht, te kjo krahinë, në rrugë-kryqëzimet dhe bregdetin e saj kanë rrugëtuar njerëz, mallra, udhëtarë, ushtarakë, luftëtarë nga Perëndimi në Lindje, të cilët kanë lënë një dëshmi burimore të begatë për çamët dhe Çamërinë, të cilët prof. Sheme ka arritur t’i sjellë për lexuesin në këtë libër. Në këto burime ka dëshmi dhe të dhëna mbi besimin, kulturën, mënyrën e jetesës dhe përbërjen etnike.
Një kapitull mjaft interesant në hulumtimin e Prof. Selman Shemes është edhe ai me titull: “Popullsia dhe vendbanimet”, ku hapësirat e botës çame në Epir, ndriçohen me mjaft të dhëna arkeologjike, burimet e shkruara historike, gjeografike, traditat dhe zakonet, zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, detarisë dhe vreshtarisë, ku sillen në kujtesë mjaft autorë antikë si: Plutarku, Skylaksi, Herodoti, Straboni, Tuqididi, Ptolemeu, Stefan Bizantini etj., të cilët përcaktojnë qartë autoktoninë pellazge-ilire të Çamërisë në trojet e veta, si dhe veçoritë e tyre etnike dhe gjuhësore ilire. Edhe në zbulimet e Dodonës Pellazgjike, mbi 50 emra janë të brumit ilir-çam.
Po kështu edhe në veprat madhore të Homerit, “Iliada” dhe Odisea, dëshmohen emrat e fiseve që banonin në këto vise si: tesprotët, kaonët, molosët etj. Mjaft gjeografë e historianë edhe të kohëve moderne, ashtu si dhe Enciklopedia Gjermane “Real Encyclopedie” (1905) me autor Pauly Wisova, Shtutgard, fq. 2718, shënon se “Epiri antik shtrihej nga malet Akrokeraune në Veri, deri në gjirin e Ambrakisë në Jug, që nga deti Jon në perëndim deri në kufirin e Thesalisë në Lindje…”.
Duke polemizuar me disa studiues e akademikë grekë, prof. Selman Sheme argumenton me dëshmi e dokumente, nga mjaft autorë bizantinë, venedikas, gjermanë, francezë, anglezë, apo vetë grekë si S. Llambros, se Epiri ka qenë përherë provincë e Shqipërisë (“Provincie Albania”, “Despotati degli Albanesi”), të cilën e sjellin ndërmend në shënimet e tyre historike si: Ami Bue, Pukëvili, M. Liku, E. Liri, Dozoni, G. V. Hahn, Fallmerajeri, Hobbaus, Hammond.
Po ashtu një e dhënë interesante, e cila gjithsesi nuk duhej të mungonte është dhe ajo që lidhet me lëvizjet e popullsisë, por dhe me shpërnguljet. Eksodi çam nëpër kohë është emblematik në historinë e migrimeve, shpërnguljeve dhe krijimin vendbanimeve të reja, i konsideruar si një horë tjerë si ajo e arbëreshëve në Itali. Në çdo epokë apo rend social shpërnguljet e çamëve kanë pasur një specifikë të veçantë, ku bie në sy shpërngulja e dhunshme e tyre nga trualli dhe vendbanimet e tyre në Çamëri. Në këtë kontekst të gjerësishëm etnik-social, prof. Sheme e mbush me informacion dhe me tipologji të qëndrueshme natyrën e vendbanimeve çame në një saktësi grafike, ku shquajnë sipërfaqet në km katrorë të rretheve të caktuara, popullsia për banorë, dendësia për banorë, kryeqendra, pasi të gjitha rrethet dhe qytetet e mëdha të Çamërisë kanë specifikën e tyre, ashtu siç kanë specifikën e tyre dhe shpërnguljet me dhunë në këto qytete. Për shkakun e kësaj specifike dhe vëmendjeje të hollë të studiuesit, një numër të madh të faqeve të librit e zënë kryesisht të dhënat dhe referimit për fshatra të shumtë të Çamërisë. Çamëria gjithashtu është një burim i jashtëzakonshëm toponimie, ku shquajnë vende të caktuara në të cilët ka pasur zhvillime luftarake, historike apo kulturore.
Një vëmendje të veçantë në hulumtimin e tij, prof. Selman Sheme i ka kushtuar edhe “Shpërnguljeve të dhunshme dhe ndryshimit të popullsisë”. Krahas shpërnguljeve të popullsisë çame në periudhën e pushtimit të shqiptarëve të Çamërisë janë ato pas Kongresit të Berlinit 1878, ku Greqia nisi të zgjerojë kufijtë e saj shtetërorë, duke kryer spastrimin etnik të Çamërisë.
Lufta e Parë Botërore 1912-1914, me orekset e monarkive të Ballkanit krijoi një tragjedi të re për popullsinë çame, ku u shpërngulën mijëra banorë shqiptarë të kësaj treve. Kjo tragjedi e viseve të Çamërisë u përsërit edhe në vitet 1921-1925. Këtë fat tragjik patën edhe vise të tjera shqiptare si: Follorina, Kosturi, Konica, mbi 35 vendbanime me 56 mijë banorë, u shpërngulën me dhunë në Turqi, Shqipëri e vende të tjera të Evropës. Edhe pse çështja u shtrua në Lidhjen e Kombeve, persekutimi dhe përzënia me dhunë e shqiptarëve të Çamërisë vijoi deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Nën udhëheqjen e gjeneralit Napoleon Zerva dhe partisë së tij EDES, të mbështetur nga Qeveria Britanike, u kryen masakra të përgjakshme dhe u përzunë me mijëra çamë nga trojet e tyre.
Natyra shkencore dhe studimore e librit lidhet gjithashtu fort dhe me elementë të tjerë bazik të studimeve gjeografike, gjeologjike, burimet ujore, profilin e tokës dhe të dhëna të tjera. Për shkakun e të dhënave dhe lidhjeve gjenetike të Çamërisë me truallin e lashtë shqiptar, lidhjen etnologjike dhe anatomike-shpirtërore të njësisë së hershme ilire-arbërore, prof. Sheme arrin të ruajë një lloj alkimie të rëndësishme të Çamërisë me marrëdhëniet e përhershme me krahina të njohura shqiptare të Jugut, që nga Gjirokastra, Konispoli e deri në Labëri. Të dhënat për luginat. lumenjtë, fushat, malet, qafat, vargmalet, kanionet dhe dëshmi të tjera, për popullsinë dhe fenomene të tjera social-historike që kanë ndodhur me Çamërinë e bëjnë librin studimor dhe hulumtues të prof. Shemes njërin ndër më të mirët për Çamërinë.
Autori ka përdorur të dhënat, dëshmitë, historinë, burimet ekonomike, atlaset gjeografikë dhe dëshmitë demografike, burimet e hershme historike të popullsisë çame për të shtuar një argument jashtëzakonisht të rëndësishëm lidhur me çështjen politike të Çamërisë në opinionin ndërkombëtar. Duke argumentuar gjithashtu autoktoninë ilire-arbërore dhe vazhdimësinë arbërore-shqiptare të popullsisë në vendbanimet çame, autori shpërfaq një nga argumentet thelbësorë të librit dhe punës së studiuesit të njohur prof. dr. Selman Sheme.