Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Shkollat shqipe që mbjellin atdhetarizmin nëpër botë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Shkollat shqipe që mbjellin atdhetarizmin nëpër botë
Kulture

Shkollat shqipe që mbjellin atdhetarizmin nëpër botë

Published: June 21, 2023
Shpërndaje

“Vendi i huaj nuk të bëhet atdhe” (Gëte)

 

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

- Publicitet -

 

Ndërsa bisedonim javën që shkoi në lokalin “Tajvani” të Tiranës me zotin Jovan Mëhilli –  Kryetar Nderi i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, për shkollimin shqip të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj, mendimi na çoi larg në kohë, shumë larg, te Kolonia Shqiptare e Bukureshtit, e cila, sipas Lasgush Poradecit, ka qenë  “veterania e veteranëve të shquar, si pishtare e vërtetë e përhapjes kulturore jashtë dhe brenda Shqipërisë”.

Dhe krejt natyrshëm na vjen në mendje veprimtaria atdhetare e Nikolla Naços nga Korça – themelues i Shoqërisë së Mësimit Shqip “Drita”, e Vasil Zografit, e Marko Qiriazit, e Jani Dangës, e Harallamb Çalamanit, si dhe ajo e mjaft veprimtarëve e intelektualëve të tjerë.

Në Shoqërinë “Bashkimi”, në kuadër të së cilës zhvillonte veprimtarinë Kolonia e Bukureshtit, u këndua për herë të parë, para publikut, marshi i Asdrenit: “Ejani sot, o Shqipëtarë”.

Shkurt, veprimtaria kombëtare e mërgimtarëve tanë ka qenë aktive dhe me mesazhe të fuqishme atdhetare.

– Mundohemi të bëjmë në Greqi po atë gjë që bënin me aq shumë zell të parët tanë mëmëdhetarë në kolonitë shqiptare jashtë Atdheut; në Amerikë, Bukuresht, Sofje, Egjypt…, – na shprehet Jovani.

 

G R E Q I

 

Biseda me Jovan Mëhillin shkoi e ngadaltë, sepse bashkëbiseduesin e brente një merak:

– Më duhet të flasë për shumë e shumë emigrantë që janë me kontribut konkret në fushën e shkollimit shqip të fëmijëve të lindur në Greqi. Sepse secili prej tyre ka një rol të tijin…

Dhe tregon Jovani çastet e para të legalizimit zyrtar të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Grupi nismëtar përbëhej nga vet ai (Jovan Mëhilli), Evanthi Loli nga Gjirokastra, Natasha Ashiku nga Dibra, Bukurie Kodra nga Shkodra dhe Thanas Mica nga Saranda.

Gjykatës së Athinës iu paraqitën dokumentet kryesore; Statuti dhe Programi, por… kaluan javë e muaj dhe këto nuk po miratoheshin! Pengesë bëhej formulimi i emërtimit të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi.

Tregon Jovani:

– M’u desh ta takoja vet kryetarin e Gjykatës së Apelit të Athinës dhe t’i shpjegoja hollësisht thelbin e kërkesës që kishim paraqitur, e cila jo vetëm që nuk binte ndesh me Kushtetutën greke, por ishte plotësisht brenda frymës së saj.

Gjykatësi e kishte dëgjuar me shumë vëmendje e interes dhe i qe shprehur, se një organizmë i tillë emigrantësh shqiptarë është evropian dhe i pati premtuar, se do të ndërhynte, brenda ligjeve greke, që kjo Lidhje Mësuesish Shqiptarë në Greqi të miratohej.

Dhe nuk vonoi të vinte përgjigjja. Me Vendimin nr. 2524/2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës, me nr. prot. 2524/2011 pranë kësaj Gjykate mori jetë një ëndërr shumë e bukur shqiptarësh emigrantë në fqinjin jugor, të cilët dëshironin që fëmijët e tyre të mos i harronin shkrimin dhe këndimin shqip.

Greqi: Veprimtarë të Shkollës Shqipe “Naim Frashëri” të Patrës. Në mes: deputetja Lindita Buxheli.

*     *     *

 

Shkolla për mësimin shqip tani ka jo vetëm në Athinë, por edhe në qytete të tjera të shtetit grek, madje edhe në disa ishuj. Nisiatorë të kësaj veprimtarie janë bërë kryesisht mësues shqiptarë pensionistë.

– Në fillimet e veprimtarisë së Lidhjes sonë, – tregon Jovani, tashmë Kryetar Nderi i Lidhjes së Mësuesve Shqiptar në Greqi,- miratuam edhe përbërjen e kabinetit pedagogjik, i cili do të mund të merrej me hapësirën programore të punës që do të kryhej në shërbim të shkollimit shqip të fëmijëve.

Dhe në këtë kabinet pedagogjik ishin përfshirë Novruz Abilekaj – kryetar, si dhe Panore Gjoligu, Sonja Sina dhe Nikolla Joti – anëtarë.

Shumë vite më parë Ministria shqiptare e Arsimit kishte dërguar në Athinë një sasi të konsiderueshme abetaresh, të cilat, nën kujdesin e ish ambasadorit të asaj kohe, Kastriot Robo, më 26 dhjetor 2000 ishin shpërndarë nëpër shkollat e ndryshme shqipe.

– Më 22 prill të këtij viti, – vazhdon të na tregojë Jovani, – në Athinë u organizua seminari i 14 – të i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi në

bashkëpunim me Qendrën Botuese të Diasporës Tiranë. Ishte e pranishme ambasadorja, zonja Luela Hajdaraga Gila, zëvendësministrja për Bashkëpunim me Europën dhe Punët e Jashtme, zonja Artemis Malo, drejtoresha e QBD, zonja Mimoza Hysa, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Athinës për problemet e arsimit, kulturës e traditës, zoti Nikolaos Vafeiadhis e të tjerë

Në këtë seminar u mbajtën disa kumtesa, në të cilat u soll përvojë, u ngritën probleme dhe u shtruan disa kërkesa të realizueshme drejtuar Ministrisë Shqiptare të Arsimit dhe Shkencës.

Në bashkëpunim me shoqata të ndryshme, doemos me mbështetjen e ambasadës shqiptare në Athinë, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi merr pjesë aktive në veprimtari që synojnë shkollimin, por edhe edukimin e emigrantëve. Një veprimtari e tillë u organizua më 22 maj të këtij viti me mbështetjen e ambasadores sonë, zonjës Luela Hajdaraga dhe të stafit që ajo drejton. Gjatë pasdites së kësaj date u fol rreth punës së palodhur dhe shumë cilësore të piktorit dhe artistit Dëfrim Hasa, emigrant në qytetin Patra, si dhe i shkrimtares greke, zonjës Anna Kortesi. E veçanta e kësaj veprimtarie ishte prania e nxënësve të shkollës “Naim Frashri” në Patra, që dhanë një koncert me këngë e valle shqiptare. Këtu përshëndeti edhe kryetarja e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, zonja Kristiana Veliu.

Jovan Mëhilli kujton thirrjet që ka bërë për shkollimin shqip të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, thirrje që i ka lëshuar përmes megafonit para godinës së Parlamentit grek, si dhe nëpërmjet TV Njuz 24.

Dhe ndihet shpresëplot për rrugën që vazhdon të ndjek Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, sepse, siç shprehet ai, në krye ka drejtues tepër të përkushtuar, siç është vet kryetari i kësaj Lidhjeje, zoti Pjerin Lleshi.

Greqi: “Çertifikatë Mirënjohjeje” Jovan Mëhillit – Kryetar Nderi i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, dhënë nga ambasadorja shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga.

A M E R I K Ë

 

Kristaq Papa, ish aktori dhe regjisori i estradës së Lushnjes dhe, më pas, ish drejtori i Shtëpisë së Kulturës së këtij qyteti, aktualisht prej vitesh me banim në Nju Jork të SHBA, edhe përtej Oqeanit nuk ia ka përtuar punës. Në vend të rehatisë, ka zgjedhur lodhjen. Lodhjen për hir të një misioni shumë të lartë atdhetar: ka hapur dhe drejton Shkollën Shqipe “Kuq e Zi”.

– Mësonjëtorja “Kuq e Zi”, – na shpjegon Kristaqi, – gjatë këtyre 8 vjetve të jetës së saj ka funksionuar me mësueset Vera Qahaja e File Shehu…

– Po ju?! – i ndërhyjmë, duke e ditur se Kristaqi është një nga të parët nismëtarw të hapjes së kësaj mësonjëtoreje.

– Natyrisht, edhe unë jam pjesë e stafit mësimor, sikurse edhe bashkëshortja ime, Pavlina…

Kristaqi vazhdon të na tregojë, se funksionimi i mësimdhënies ka qenë jo me klasa klasike, sepse nxënësit janë jo të një moshe e jo të një shkalle  përgatitjeje mësimore. Kemi krijuar grupe nxënësish, deri në 7 fëmijë. Dhe u japim mësim gjuhë shqipe, lexim letrar, këngë shqipe… Sipas nivelit arsimor që arrihet, periudhat mësimore zgjasin një semestër, por, në raste të tjera, edhe gjatë tërë një viti.

– Grupet e nxënësve që mësojnë gjuhën e ëmbël shqipe, – vazhdon të na tregojë, – kanë vijuar 3 e deri 4 vjet, duke filluar me abetaren e duke vazhduar me Gjuhën Shqipe 2, më tej me Gjuhën Shqipe 3. Kemi mbajtur parasysh edhe faktin, që grupi mësimor i nxënësve të përbëhej nga një numër i kufizuar fëmijësh, për të pasur sa më shumë mundësi bashkëbisedimi nxënës – mësues.

Për funksionimin sa më të suksesshëm të Mësonjëtores sonë meritë kanë edhe mësuesit veteranë Milika Foto, Vita Bano, Bujar e Kujtime Bekollari etj.

Miku im, Kristaq Papa, nuk vazhdon më tej, por në çast na kujtohet një bisedë e bërë vite më parë me kryeredaktorin e gazetës “Dielli”, të ndjerin Dalip Greca: “Në Mësonjtoren “Kuq e Zi” atdhetari Kristaq Papa kontribuon së toku më bashkëshorten, Pavlinën – vajzën e Ilia Shytit të famshëm. Ndërkohë, ndihmesë jo të vogël japin edhe dy djemtë e këtyre dy bashkëshortëve: Gorjani dhe Elio.

Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe: dardha bie nën dardhë.

Amerikë: Drejtori i Mësonjëtores “Kuq e Zi”, Kristaq Papa (në mes) në mbarim të një viti mësimor.

*     *     *

 

Edhe pse çdo gjë kryhet falas, puna organizohet me seriozitetin më të madh. Fëmijët vijnë në Mësonjëtore në orën e caktuar dhe aty fillohet nga puna sipas një programi të paralajmëruar për nxënësit.

– Kemi prindër që i kanë sjellë të dy fëmijët në Mësonjëtore, – tregon Kristaqi. – Ka të tjerë, që, pasi kthehen nga puna, kanë durimin të qëndrojnë dy deri tri orë në pritje të mbarimit të mësimit.

Janë të shumtë prindërit dhe fëmijët që tregojnë interes për të nxënë mësim e shkrim shqip, por drejtuesi i Mësonjëtores, Kristaqi, të përmend nxënësen Ledia Kulla, e cila verës vjen në Shqipëri pikërisht për të përforcuar njohuritë për gjuhën e bukur shqipe. Tomasi është nga nxënësit më të zellshëm të Mësonjëtores sonë.

Në vazhdim Kristaqi ia ka ënda të bëjë pjesë të shkrimit tonë prindërit Mark Qehajan me dy fëmijë e tij: Elisa e Denis. Erion Myftarajn me fëmijët e vet Erik e Aleks. Ermal Seminin me fëmijët e tij Amelia dhe Anna. Altin Bundon me fëmijët e vet Kristi e Alba. Asllan Tolljen me mbesat e veta Ernean e Nailen, si dhe nipin Arlindin. Kastriot Shukun me fëmijët e vet Klara e Gabriel. Valtin Gallanin me fëmijët e vet Emilia e Aria. Gorian Papën më fëmijët Mason e Prestone. Elio Papën me fëmijët e vet Eron e Evia e tjerë e tjerë.

Duke buzëqeshur, Kristaqi vazhdon:

– Mësonjëtorja jonë jo vetëm i mëson dhe i miqëson fëmijët me njëri – tjetrin, por u mëson se si t’i mbajnë pastër e bukur teshat dhe se si të konsumojnë, ashtu së bashku ,ushqime dhe fruta. Ndërsa në shtëpi nuk i futin në gojë biskotat, këtu, ku janë së bashku, si në garë i hanë me shumë shije. Veç t’i shikosh, të bëhet sikur ndjek një spektakël të të ushqyeri.

Në tërë këtë punë që është bërë dhe vazhdon të bëhet në Mësonjëtoren “Kuq e ZI” të Nju Jorkut, mikut tonë ia ka dëshira të përmendet edhe kontributi i editorit të gazetës “Dielli”, ai i të ndjerit Dalip Greca.

– Herë mbas here, por sidomos në mbyllje të vitit shkollor, të ndjerin Dalip do ta kishim mes fëmijëve të Mësonjëtores. Deri në fund nuk iu nda edhe misionit të shenjtë të mësuesisë.

Amerikë: Nxënës të Mësonjëtores “Kuq e Zi”, duke kryer detyrat.

I T A L I

 

Ish specialisti i mirënjohur i bujqësisë në ish rrethin e Lushnjes, Vasil Nushi aktualisht gjendet prej vitesh me banim në San Benedetto del Tronto të Italisë. dhe atje, si shumë shqiptarë të tjerë, është integruar natyrshëm.

– Më pyesni për shkolla shqipe në Itali?

Dhe vazhdon të përgjigjet po vet:

– Këtu ka shumë shkolla shqipe, sidomos në veri të Italisë, por edhe në qendër. Në jug të Italisë ka më pak.

Duke folur me më shumë hollësi, vazhdon i shpenguar:

– Ndër shkollat më të mira shqipe janë: ajo “Skënderbeg” në Parma me drejtor zotin Durim Lika, shkolla shqipe në Fermo me drejtor mësuesit Haki e Xheje Kullolli, shkolla shqipe në Macherata me mësuese Mirela Nasi, shkolla shqipe në Chieti me mësuese dhe organizatore Silvana Muçaj Dogani e mjaft të tjera.

– Po shkolla juaj aty ku banoni ju, në San Benedetto Del Tronto?

Vasili nuk e ka të vështirë të përgjigjet, sepse për gjatë një periudhe të gjatë ka qenë president i Shoqatës.

– Shkolla jonë shqipe “Nënë Tereza” në San Benedetto Del Tronto ka mësuese Adelina Haxhiun dhe Luljeta Osmanajn. Edhe pse pa pagesë, shërbejnë sikur t’u kërkojë llogari ndonjë shef i rreptë arsimi.

Gjatë tregimit të Vasilit mësojmë, se fëmijët e emigrantëve, nxënës të shkollës shqipe, gjallërojnë dhe zbukurojnë festat kombëtare. Me këngët, vallet dhe recitimet e tyre ata gëzojnë e entuziazmojnë jo vetëm prindërit e tyre, por të gjitha ata që gjenden të pranishëm në këto festa.

Dhe në fund të çdo viti mësimor nxënësve iu dorëzohen dëshmi të ndjekjes së mësimit.

Itali: Nxënës të Shkollës Shqipe “Nënë Tereza” të San Benedetto Del Tronto gjatë një programi artistik.

*     *     *

 

Ish presidenti i Shoqatës Atdhetare të San Benedetto Del Tronto, Vasil Nushi (sepse në zgjedhjet e fundit, ky dha dorëheqjen e parevokueshme dhe në vend të tij u zgjodh me një qint për qint të votave zoti Kushtrim Shkreta) tregon, se Shoqata atdhetare në këtë qytet organizon veprimtari të larmishme, sigurisht duke pasur edhe mbështetjen e bashkisë.

Kohë më parë në rajonin Marche të qytetit të bukur të San Benedetto Del Tronto u vendos shtatorja e Nënë Terezës, ideuar e sponsorizuar nga zoti Kushtrim Shkreta dhe Shoqata.

Në veprimtarinë përuruese të shtatores së të shenjtës Terezë morën pjesë veç mjaft emigrantëve, edhe kryetari i komunës, zoti Antonio Spazzafumo, përfaqësuesja e ambasadës sonë në Romë, zonja Ledia Mirakaj. Ishin të pranishëm edhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut, zoti Vesel Memedi, si dhe disa përfaqësues të shoqatave atdhetare të rajoneve Marche e Abruzzo etj.

Atmosferë të ngrohtë e mikpritëse patën krijuar edhe nxënësit e shkollës  shqipe “Nëna Terezë” në San Benedetto del Tronto. Në praninë e një grupi fëmijësh dhe qytetarësh shqiptarë, u bë prezantimi dhe promovimi i veprës poetike “Mbretëri dashurie” i poetes tetovare, Sadije Aliti.

Mësueset e kësaj shkolle, Adelina Haxhiu dhe Luljeta Osmani, ndanë një pjesë të kohës nga ora e mësimit të gjuhës shqipe për të bërë edhe prezantimin e veprës së autores Sadije Aliti, e cila e vizitoi këtë shkollë, pas qëndrimit disaditorë në këtë qytet. Nxënësit lexuan poezi në gjuhën shqipe dhe italiane nga libri “Mbretëri dashurie”.

Në fund mësueset e nxënësit e shkollës falënderuan poeten për vizitën e realizuar, duke theksuar se kjo vizitë është e rëndësishme për shkollën dhe për vetë nxënësit, pasi atyre u pëlqen të takohen me shkrimtarë shqiptarë dhe bisedojnë lirshëm me ta.

Itali: Mësues, nxënës e prindër në mbarim të mësimit

*     *     *

 

Përpjekjet e pandërprera për të mbajtur gjallë atdhetarizmin, për të ruajtur me fanatizëm gjuhën dhe për të mos shuar në asnjë mënyrë traditat më të mira nuk duhet të reshtin për asnjë çast, sido që “Vendi i huaj nuk të bëhet atdhe” (Gëte) dhe “Atdheu është vendi ku të robërohet shpirti”. (Volteri)

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  • E rëndë në Gjirokastër, mbytet në pishinë një 15-vjeçar, shoqërohen disa persona
  • Si po e ndryshon protesta ekonominë e mbrëmjes në Tiranë, të rinjtë heqin dorë edhe nga koncertet
  • “Protestat masive në Tiranë, përtej çështjes së mjedisit”, Radio France: Mobilizimi i parë i madh dhe i pavarur kundër qeverisë
  • Dezinformimi si mjet politik: Si u fabrikua ‘zhvendosja e investimit në Mykonos’

Komentet e Fundit

  1. MH on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  2. demo on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  3. Ethem Lalaj on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  4. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  5. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?