Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një apartament në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesë.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e shpërthimit janë shembur muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit, duke vështirësuar daljen e banorëve nga ndërtesa.
Menjëherë pas ngjarjes ka nisur evakuimi emergjent i banorëve. Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe po ndërhyjnë për të bërë të mundur nxjerrjen e personave që ndodhen brenda pallatit.
Sipas policisë, nga shpërthimi ka humbur jetën një person, teksa kanë mbetur të dëmtuar edhe disa të tjerë. Operacioni i emergjencës vijon në vendngjarje, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit. Paraprakisht dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
“Rreth orës 14:45, në rrethana ende të paqarta, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”.
Si pasojë, ka humbur jetën, banorja në të njëjtin pallat, shtetasja H. B., 82 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 10 banorë të tjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve“, thekson policia.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
Reagimi i Ministrisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar lidhur me shpërthimin e fuqishëm, ku një 83-vjeçare humbi jetën dhe tetë persona të tjerë, mes tyre një fëmijë, përfunduan në spital.
Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, viktima është një 83-vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje, ndërsa tetë personat e tjerë po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Ministria bën të ditur se ekipet e urgjencës mjekësore janë vendosur në gatishmëri të plotë, ndërsa spitali ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin e të lënduarve dhe monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes së tyre shëndetësore.
Ndërkohë, institucioni po ndjek nga afër situatën, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, me qëllim garantimin e kujdesit të nevojshëm mjekësor për të gjithë personat e prekur nga shpërthimi.
Deri më tani, ministria nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen shëndetësore të tetë pacientëve, ndërsa ka njoftuar se informacioni do të përditësohet në vijim, në bazë të vlerësimeve të ekipeve mjekësore.
j.l./ dita
