Albert HABAZAJ
Dy fjalë
Në nderim të Ditës së Kujtesës së Holokaustit, mendojmë të ravijëzojmë sadopak ndihmesën e thjeshtë të shqiptarëve, dhe më ngushtë akoma të banorëve të qytetit të Vlorës, në mbrojtje të hebrenjve, që kanë kaluar një persekucion shembullor gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB: 1939-‘45), luftë, e cila u zhvillua midis dy blloqeve të mëdha: Fuqive të Boshtit dhe Aleatëve. Kontributi human i vlonjatëve, banorëve të një qyteti bregdetar jugperëndimor shqiptar u bë jetik për hebrenjtë, përshtatur në rrjedhat e shekujve për bashkëjetesë me vendasit.
- Hebrenjtë dhe Holokausti
Sikundër pritej, përfundimi qe emigrimi masiv, dhe fillimi i LDB e gjeti popullsinë çifute gjermane e austriake gjysmë milionëshe të përgjysmuar. Faza e dytë, që zë periudhën e LDB nga viti 1941, u shtri në Europën e pushtuar nga nazistët dhe përfshinte punë të detyruar, vrasje masive dhe kampe përqëndrimi, këto të fundit bazë e “zgjidhjes përfundimtare” naziste (Entlósung) të të ashtuquajturit problem çifut me anë të shfarosjes masive në dhoma gazi. Etapat e fundit të zgjidhjes përfundimtare u vendosën në konferencën e nazistëve të mbajtur në Wannsee më 1942. Në këtë konferencë u hartuan plani i përçudshëm dhe grafiku i realizimit, që do të zbatohej nga Otto Adolf (Karl) Eichmann (1906-’62), një prej organizatorëve më të mëdhenj e më katilë të Holokaustit, që nga deportimi masiv i çifutëve në geto deri në asgjësimin e tyre aq makabër, ku viktimat ishin gazuar në kampet shfarosëse të vendeve të pushtuara nga nazistët në Evropën Lindore . Është e llahtarshme shprehja e këtij krimineli lufte, në fund të asaj kasaphane të përbotshme, tek thotë se do të: “kërcejë duke qeshur në varr, sepse ndjenja se kishte pesë milion njerëz në ndërgjegjen e tij do të ishte për të një burim i kënaqësisë së jashtëzakonshme”. Administratori gjerman ishte fajtor për zbatimin e vendimeve përfundimtare të Hitlerit dhe për administrimin e kampeve të përqëndrimit, ku humbën e u shuan çifutët, më kafshërisht sa as thuhet dot e as bëhet dot më keq. Është llogaritur që gjatë Holokaustit kanë vdekur 6 milionë çifutë. Edhe pse Eichmanni, administratori tiran gjerman, pas luftës vajti e u fsheh në Argjentinë, ai u diktua nga agjentët e Izraelit, u rrëmbye, u nxorr në gjyq dhe më pas u ekzekutua. Nga popullsia prej tre milionë çifutësh në Poloni, më 1945 kishin mbetur më pak se gjysmë milioni, ndërkohë që humbje të mëdha patën edhe Rumania, Hungaria dhe Lituania.
- Hebrenjtë në Shqipëri
Si grup, Hebrenjtë janë dukur në Shqipëri në v. 70 të e.r. Në Fterrë ka një varg toponimesh hebraike. Në Sarandë është zbuluar dhe një sinagogë (1971) dhe në njërën nga shtresat e një mozaiku gjendet edhe një fragment shandani hebraik, që i përket shek. V-VI të e.r. Në shek. XIII hasen Hebrenj edhe në Durrës. Në fund të shek. XV, kur shpërtheu inkuizicioni spanjoll e portugez, shumë Hebrenj erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në Vlorë, Elbasan, Berat, Lezhë etj. Edhe bashkësitë hebraike në Shqipëri krijuan institucionet fetare e administrative-gjyqësore të vetat, të cilat rregullonin punët civile dhe fetare. Në qytetet jetonin në lagje të veçanta dhe gëzonin të drejtën e kultit. Në Vlorë dhe Elbasan edhe sot gjenden gjurmë të faltoreve dhe sinagogave të tyre. Në shek. XVII taksat e rënda osmane i detyruan të largoheshin, sidomos për në në Selanik. Një pjesë e Hebrenjve të Elbasanit qëndruan dhe u asimiluan. Në gjysmën e dytë të shek. XIX erdhi një grup tjetër Hebrenjsh nga Greqia e u vendos në Delvinë, Gjirokastër e sidomos në Vlorë. Ata u pasuan nga të tjerë të ardhur në vitet 1915, 1925 dhe 1935, të cilët u vendosën në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër etj. Në vitet 1933-’34, kur në Gjermaninë naziste filloi fushata anti-Semite, Komisariata i Lartë për Refugjatët i Lidhjes së Kombeve, si dhe një numër bashkësish hebraike në botë, i drejtuan sytë nga Shqipëria për të prurë këtu qindra familje Hebrenjsh. Por presioni i qeverisë italiane nuk lejoi qeverinë shqiptare që t’i pranonte në shumicë. Me intesifikimin e përndjekjeve naziste dhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve 1938-’39 erdhën në Shqipëri rreth 200 Hebrenj nga Gjermania, Austria, Franca, Polonia, Hungaria etj. dhe u vendosën në Tiranë, Durrës, Korçë etj. Pas Konferencës së Vansees (Wansee) më 20 janar 1942, ku u vendos shfarosja e Hebrenjve në të gjithë vendet e pushtuara nga nazistët, në Shqipëri u lëshuan urdhëra të rrepta kundër Hebrenjve. U bë regjistrimi i përgjithshëm i tyre në prill 1939, i cili u pasua nga dy regjistrime të tjera më 1941 dhe 1943. Gjendje veçanërisht e rëndë u krijua për Hebrenjtë e Prishtinës që rrezikoheshin të binin në duart e nazistëve. U krijua një shqetësim i thellë në opinionin shoqëror shqiptar. Një pjesë e mirë e tyre me urdhëra shoqërimi të qeverisë shqiptare u sollën në Shqipëri. Kontigjenti i parë prej 100 vetash u vendos në Berat më 5 prill 1942, kontigjenti i dytë prej 79 vetash u vendos në Fushë-Prezë dhe kontigjenti i tretë prej 69 vetash u vendos në Krujë, Shijak, Kavajë dhe Burrel. Shumë të tjerë erdhën ilegalisht dhe me dokumente false. Deri në verën e vitit 1943, numri i tyre në Shqipëri arriti në mbi 1000 veta. Gjatë pushtimit ushtarak gjerman populli shqiptar i strehoi dhe i mbrojti Hebrenjtë nga përndjekjet shfarosëse të nazistëve. “Shqipëria ishte i vetmi vend në Europën e pushtuar, – shkruhet në botimet enciklopedike shqiptare – ku Hebrenjtë nuk u dorëzuan dhe nuk u shfarosën. Shteti i Izraelit e ka vlerësuar këtë veprim human dhe e ka vendosur Shqipërinë në krye të listës në murin memorial në Yad Washem, po ashtu në Mazuzoleun e ngritur në SHBA. Hebrenjtë e ardhur gjatë luftës, menjëherë pas çlirimit u kthyen në vendbanimet e tyre të mëparshme, kurse pjesa tjetër, me kërkesën e tyre dhe të shtetit të Izraelit, u larguan më 1991, duke marrë me vete edhe ndjenjat e miqësisë dhe të vëllazërimit”.
Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, dëshmitarëve okularë, vendas dhe hebrenj, sipas të gjitha burimeve të mundshme të informacionit të derisotëm, jo vetëm të gjithë studiuesit, por të gjithë banorët e vjetër të qyteteve, ku të rrezikuarit për shfarosje nga hitlerianët gjetën strehëzën e ngrohtë, pohojnë të njëjtën gjë: Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur. Gjurmët e provave ekzistojnë në qytetet dhe fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit apo dhe Gjirokastrës etj.
Me qindra u larguan nga Europa në drejtim të Shqipërisë dhe rajoneve shqiptare, sepse ata e dinin se atje nuk do të persekutoheshin as nga njerëzit dhe as nga qeveria. Kanë kaluar rreth 80 vjet që nga koha kur L.II. B. përfundoi dhe studimi i Holokaustit po kthehet gjithnjë e më shumë në një disiplinë shkencore të mirëfilltë edhe në Shqipëri. Është bërë e njohur ndërkombëtarisht tashmë se numri i hebrenjve që gjetën shpëtim në Shqipëri shkon më shumë se 2.270.
Sipas disa përllogaritjeve, shifra e qartësuar me shtesat prej “pjesës së fshehtë”, që nuk gjendet në listat emërore, duhet ta çojë numrin e hebrenjve të shpëtuar deri në 3.240. Ndërmjet viteve 1933 dhe 1944, Shqipëria në juglindje të Evropës shpëtoi jo vetëm hebrenjtë e vet, por edhe çdo hebre që mund të arrinte në kufijtë e saj. Ata nuk u dëbuan dhe as nuk u dorëzuan. Hebrenjtë nuk u grabitën dhe askush nuk e mori pasurinë e tyre. As edhe një ligj zyrtar nuk i shqetësoi ata. Studimi dhe kërkimi i listave të tjera të hebrenjve të shpëtuar vazhdon ende.
***
Gjatë dy dekadave të fundit, opinioni publik dhe ai shkencor ka treguar një interesim të shtuar për këtë pjesë historie. Por së bashku me trajtimet shkencore, pati edhe qasje neoekzotike lidhur me kultin e Besës apo ndryshe Kodin e Nderit. Studiuesi dhe etnologu Nebi Bardhoshi, mendon se ka dy grupe studiuesish kur argumenton mbi këtë çështje. Një grup, i cili mendon se shqiptarët janë pragmatistë dhe pragmatizmi sipas tij ka nuanca të ndryshme. Në këtë kontekst shqiptarët mund të quhen si njerëz pa ideale, si njerëz të veprimit dhe jo të ideve, si jo besimtar dhe mbi të gjitha materialistë. Në krahun tjetër, qëndron një grup studiuesish, të cilët ndërtojnë një tjetër profil të sjelljes së shqiptarëve lidhur me Kodin e Nderit. I përkrahur kryesisht nga filo-shqiptarë ky lloj profili, e paraqet njeriun shqiptar para së gjithash me një mori vlerash humane me burim tradicional.
Sipas antropologut të Kanunit prof. Nebi Bardhoshi është ideja e mikpritjes dhe e Besës, e Nderit dhe kuptimit të jetës. Kodi, në të cilin besohet se vjen statusi më origjinal i Besës dhe i mikpritjes është atje ku vepron e drejta zakonore. Veç autorëve vendas, këtij shpjegimi i përmbahet edhe studiuesi hebreo-amerikan Harvey Sarner si dhe Muzeu i Historisë së Holokaustit në Yad Vashem, i cili shqyrton rastet dhe bën shpalljen zyrtare të fisnikëve johebrenj. Në të njëjtën mënyrë është organizuar edhe ekspozita e fotografit hebre Norman Gershman “Besa: Kodi i Nderit – Myslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”, një ekspozitë që ka qarkulluar deri tani, gati në një të tretën e botës. Si pjesë themelore e Kanunit, ky Kod është shumë i vjetër në mesin e shoqërisë shqiptare. Bazuar aty, shtëpia e shqiptarit është shtëpia e Zotit dhe e mikut në çdo orë të ditës dhe të natës. Për fatin e mirë të refugjatëve hebrenj që kërkonin strehim në mesin e shqiptarëve – “mysafiri” i porsardhur në vend do të ishte një mik po aq i mirëpritur edhe në shtëpinë e tij. Kodi i Besës, sipas disa studiuesve të huaj ndikoi te shqiptarët e feve të ndryshme për t’u siguruar hebrenjve të rrezikuar, strehë të fshehtë gjatë atyre viteve të vështira të terrorit nazist. Në veprën e tij “Shpëtimi në Shqipëri”, filantropi Sarner shkruan se në Kanun nuk ekziston koncepti modern i perëndimit për “të huajin”, ndërsa flitet për një koncept tjetër, ai i “mysafirit”. Prandaj, gjatë L.II.B. në Shqipëri nuk kishte hebrenj “të huaj”, por vetëm hebrenj “mysafirë“, që duhej të strehoheshin dhe të mbroheshin edhe duke rrezikuar jetën. Ai pohon se 100 % e hebrenjve në Shqipëri kanë shpëtuar nga Holokausti dhe e rrëfen si Histori të patreguar të Fisnikëve Shqipëtarë, të cilët i shpëtuan hebrejtë nga Holokausti, nga ai Holokaust i mallkuar që shpiku kryeçmëndaku i botës Hitleri për të zhdukur disa popuj nga faqja e dheut, si hebrenjtë, romët dhe sllavët që sipas tij nuk i përkisnin racës së parë ariane. Edhe para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore Shqipëria ishte nje parajsë për hebrejtë të cilët përpiqeshin të shpëtonin nga kthetrat e nazistëve. Janë me mijëra ata që mundën të merrnin visa për të kaluar nëpër Shqipëri, ose edhe për të qëndruar, sipas dëshires. Hebrejtë gjendeshin në Shqipëri që në fillim të erës së re, duke u shtuar në prurjet më të mëdha në shekullin XIX. Kur nazistët i kërkuan listat e hebrejve më 1943, qeveria shqiptare kundërshtoi t’i dorëzonte ato. Si përgjigje ndaj kësaj, populli shqiptar, musliman apo kristian pa dallim, iu dha strehe, bukë e mbrojtje dhe bëri që asnjë prej tyre të mos bëhej prè e Holokaustit. Deri vonë, Shqipëria, vendi i mbyllur i Ballkanit ndoqi një politikë izoluese, kështu që askush nuk mundi t’i bënte të njohura veprimet e fisnikëve shqiptarë. Në vitin 1991, shumica e bashkësisë hebreje u vendos në Izrael. Ata sollën me vete dokumente të cilat tregonin se si shqiptarët i kishin shpëtuar duke rrezikuar veten e tyre e që pikërisht ky akt i madh unik, njerëzor duhej të gëzonte nderin që i takonte, sepse kështu po shkruhej një histori e kulluar e humanizmit midis dy popujve.
Shumica e studiuesve të huaj janë të mendimit se hebrenjtë në Shqipëri kishin gjithë autoritetin zyrtar të mbrojtjes veç traditës zakonore që tek shqiptarët e gjen edhe sot, traditën e mikpritjes. Kodi i mikpritjes ka bërë të vetën, ai ishte shfaqur dukshëm. Shqiptarët e kanë konsideruar si detyrë që të mbrojnë dhe të fshehin hebrenjtë që i ikin persekutimeve, në një kohë kur kombe të mëdha europiane i largonin.
- Vlora dhe hebrenjtë e “saj”
Meqenëse kemi patur mundësinë e njohjes së disa familjeve vlonjate, që ndihmuan hebrejtë gjatë asaj lufte të pashembullt gjakatare, po sjellim në këtë konferencë të nderuar shkencore të përmasave ndërkombëtare (7-th International Conference) fragmente grimcëzash humane nga historia e këtyre njerëzve. Ndoshta shprehemi sadopak mbi kontributin e Shqipërisë europiane në funksion të lirisë, me krahët e përmasave humane universale.
Në Shqipëri e dinë që Vlora është një nga ato qytete, ku Hebrenjtë gjetën përkrahje e strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB). Në Vlorë, prej shekujsh ka jetuar një komunitet i konsoliduar hebrejsh, ndërsa gjatë LDB, asnjë prej tyre nuk u dorëzua tek nazistët e Hitlerit, pasi qytetarët vlonjatë u kujdesën për ta,e siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, “i fshehu nën gjuhë”, që të mos i kapte armiku. Për t’u futur sadopak në situatë të lëndës që po trajtojmë mund të shprehemi, se gjatë pushtimit të Granadës, Ferdinandi i Napolit përzuri nga territoret e reja, nga Kastilja, hebrejtë sefaradi, të cilët emigruan drejt Ballkanit. Në këtë periudhë, ose më saktësisht në vitin 1526, Vlora u shndërrua në një destinacion kryesor për hebrenjtë sefaradi. Nga 5000 banorë që kishte qyteti në atë kohë, 3600 ishin hebrej dhe për këtë arsye, Vlora është përfshirë në Enciklopedinë Hebreje, mes 13 qyteteve të tjera botërore. Ka një cilësim biblik dhe kuranor për popullin izraelit, që ne e shikojmë në kufijtë e legjendës. Në rrafshin e përafërsive gjeografike e antropologjike, çifutët i përkasin të asaj popullate e rrace të emërtuar arabike. Për ata ende qarkullon legjenda e “popullit të mallkuar”, që, gjithsesi, antropologjikisht nuk qëndron, sepse nuk mund të themi “popull i keq” apo “popull i mirë”, por, “njeri i keq” ose “njeri i mirë”. Ana tjetër që na shtyn të thellohemi në këtë punim, është se përse Hitleri realizoi atë platformë famëkeqe ndaj një popullate nga më emigrantet në botë, pothuaj përherë në lëvizje, ndaj të cilëve qarkullon opinion si të ditur, të pasur e të djallëzuar.
Interesantë janë faktet që vijnë mbi praninë e vazhdueshme të hebrenjve në qytetin e Vlorës, një nyjë nevralgjike e këtyre shtegtimeve sa me të drejtë besohet “se në një shesh të vogël në rrugën Ceno Sharra kishte pas qenë një sinagogë” e pajisur me Libra të Shenjtë të shkruar në hebraisht, madje në një burim shënohet, se “Bashkësia hebraike e Janinës, që tani zyrtarisht i përket Greqisë, pjesë e Shqipërisë, ka një Sefer Tora shumë të vjetër që i përket sinagogës së Vlorës, rreth 500 vjet më parë…”, gjë të cilën e konfirmon dhe Enciklopedia e Përgjithshme Hebraike, duke njoftuar praninë e hebrenjve në Vlorë rreth 500 vjet më parë, ku natyrisht ka pasur një mjedis komunikues madje miqësor me popullsinë vendase, duke shkëmbyer miqësi dhe bashkëpunim të ndërsjellë.
Studime të shumta njoftojnë një lëvizje të vazhdueshme të grupe të caktuara hebrenjsh, të cilët siç njihen në traditën e tyre të shtegtimit dhe të krijimit të jetesës në vende dhe me popuj që mund të bashkëpunojnë, e reflektojnë në këto këndvështrime historike dhe burime të rëndësishme Vlorën dhe bregdetin shqiptar një vend të lakmueshëm, ndërsa popullsisë e tyre një popullsi të hershme me fizionomi sociale të formuar dhe të qëndrueshme. Kronika e Vlorës, si e tillë është shumë e pasur me historinë e shtegtimit të hebrenjve në qytetin lashtë të Vlorës, por edhe të rrethinave përreth, jo vetëm në kohët e hershme, kur hebrenjtë nuk përndiqeshin, por edhe më vonë, kur ata Lufta e Dytë Botërore i vuri në shënjestër për t’i zhdukur nga faqja e dheut.
Gjatë kësaj kohe, jo vetëm nga burimet shkrimore, por edhe të qytetarëve të Vlorës të shumta janë familjet vlonjate që u erdhën në ndihmë familjeve hebreje që në momentet e para ku heretizmi nazist u shfaq në të gjithë Evropën kundër tyre. Në kujtesën qytetase përmenden ende Muhedin Haxhiu (djali i Osman Haxhiut), një familje me tradita të njohura patriotike dhe atdhetare, kryetar i Bashkisë së Vlorës, i cili bashkë me Qemal Xhuherin i pajisën çifutët me pasaporta, ku shënohej emri i tyre si myslimanë apo i krishterë, siç ishin Matheo Josefi, Mateo Matathia, Pepe Levin, Nesim Levin; rastin kur Shqipërinë e pushtuan nazistët gjermanë, në ditët e Betejës së Drashovicës, në shtatorin e vitit 1943, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar i këshilloi hebrenjtë të largoheshin nga Vora dhe të strehoheshin në fshatrat Trevllazën, Babicë, Llakatund, Lubonjë, Nartë, madje dhe në Bashaj e Vermik.
Në këtë situatë tragjike për hebrenjtë kudo ku ata ishin, populli i Vlorës iu kthye në mbrojtje jetës së tyre. Familja e Jakov Solomonit u strehua te Kasëm Koçerri në Vermik, duke i siguruar jetën. Vajza e tij, Zhaneta, u vesh me çitjane, djali, Miosi, u vesh me rroba fshati dhe me qylaf. Ndërsa mësuesi Nuro Hoxha nga Tërbaçi strehoi familjen e Ilia Solomonit si dhe ata të Moise dhe Elizar Negrinit. Vite më parë së bashku me gazetarin Harilla Koçi kemi bërë një bisedë të gjatë me të birin e ish-mësuesit Nuro Ahmet Hoxha, mësuesin e ndjerë Sazan Hoxha. Ilia Solomoni u arrestua nga nazistët, por ai u shpëtua nga vlonjatët, ashtu siç Qamil Xhyheri shpëtoi nga nazistët Vitori dhe Eftimi Jakool, Jose Jakool, kurse familja Kohen u strehua në Trevllazër, te familja Lazaj, një histori e cila zë një vend të rëndësishëm edhe në një libër të rrallë me kujtime nga një vajzë hebreje, lindur dhe rritur në qytetin e Vlorës
- Dita e Kujtesës së Holokaustit
27 janari, është regjistruar si Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, që jo vetëm hebrenjtë, polakët, romët, edhe shqiptarët të mos harrojnë të shfarosurit nga nazistët. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945.Vetëm në kampin e Aushvicit u vranë mbi 2.000.000 hebrenj, rreth 22.600.000 polakë, 750.000 rusë, 750.000 rumunë, 402.000 hungarezë, 180.000 holandezë, 104.000 lituanezë etj. Të burgosurit vriteshin në katër dhoma gazi dhe më pas digjeshin në furra të mëdha.
27 janari është Dita e Kujtesës për të mos harruar përpjekjet sistematike të shfarosjes naziste të gjashtë milionë hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie. Në kampin Auschwitz vdiqën miliona njerëz të pafajshëm, të llahtarisur, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët.
Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton dhe duhet t’i kujtojë brez pas brezi, që të mos harrojë historinë.
Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht.
Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.
27 janari shënohet si dita e Kujtesës së Holokaustit të popullit hebraik e të çdo gjenocidi tjetër. Kremtimi i Ditës së Kujtesës, kushtuar viktimave të Holokaustit, sulmit shfarosës të nazistëve kundër hebrenjve, kujtesa e kësaj tragjedie katastrofike, sot tingëllon si qortim për të kaluarën, në shërbim të së ardhmes, për të mos u përsëritur kurrë më tmerret, që pësoi njerëzimi jo shumë vjet më parë. Jo vetëm Dita e Kujtesës së Holokaustit vlen të jetë homazh për Të Drejtët, për lirinë dhe qëndresën e së mirës.
- Muzeu Kombëtar Hebraik i Vlorës dhe përfundime
Nderimi ndaj hebrenjve në Vlorë është sa shpirtëror aq dhe i regjistruar. Njihet nga të gjitha emërtimi “Rruga e Hebrenjve” që lidh Sheshin e Flamurit me Qendrën Historike. Gjithashtu, në Vlorë po ngrihet Muzeu Kombëtar Hebraik, si simbol për krenarinë shqiptare, besën.
Ky muze tregon mishërimin e një miqësie e historive njerëzore të shqiptarëve dhe hebrenjve, historinë e një miqësie që ka lindur shumë vite më parë, atëherë kur ndërtoheshin kisha, xhami e sinagoga së bashku por që u përjetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në atë që shqiptarët bënin më së miri, të ndanin shtëpinë e tyre të vogël, por të mbushur me shumë dashuri.
Në këtë muze janë historitë e atyre mijëra hebrenjve që gjetën një derë të hapur jo vetëm në shtëpitë e shqiptarëve, por gjetën një derë të hapur në zemrat e tyre. Ky muze tanimë është edhe një tempull kujtese, një vend rrëfimi për historitë edhe të atyre mijëra shqiptarëve që si askush tjetër në botë dëshmuan se nuk ka rëndësi as numri i vogël i popullsisë as varfëria për sa kohë ke një zemër të madhe të mbushur plot me dashuri për njeriun.
Muzeu hebraik i Vlorës, është i pari, por jo i vetmi. Mendohet për të pasur një qendër të hebraizmit në Tiranë, e cila duhet të jetë një hapësirë ku edhe historia të tregohet, por edhe të kultivohet miqësia jonë me Izraelin, me popullin e Izraelit, me bashkësinë e hebrenjve, si një miqësi, e cila ka pasur një periudhë jo ndërprerje, por një periudhë që nuk është karakterizuar nga i njëjti intensitet i atyre viteve të mëparshmë se këta janë bërë shumë të pasur tani, ky është problemi. E kur njerëzit pasurohen shumë, kanë problem me memorien, por e kuptojmë këtë dhe do bëjmë çmos që të jemi sa më bindës për ta fuqizuar këtë marrëdhënie.