Nga Dorian Koçi
Berati, një skenë mozaike e historisë sociale shqiptare
Në zemër të qytetit të Beratit, në lagjen “Goricë”, ndër rrugicat e ngushta me kalldrëm që mbartin jehonën e shekujve, gjendet një shtëpi e vogël por plot simbolikë — shtëpia me tri porta. Nuk është një ndërtim monumental, por ajo flet me gjuhën e gurit, drurit dhe ngjyrave që koha i ka përkëdhelur. Aty ku historia, arkitektura dhe ndjeshmëria njerëzore takohen, kjo shtëpi shndërrohet në një skenë të vogël teatri, ku luhet drama dhe komedia e jetës shqiptare ndër breza.
Berati nuk është një qytet i zakonshëm. Ai është një muze i gjallë nën qiell të hapur, një palimpsest i shtresëzimeve kulturore që janë grumbulluar si ngjyrat e një mozaiku. Nga gjurmët ilire te ndikimet osmane, nga trashëgimia bizantine deri te kultura qytetare shqiptare, çdo gur i këtij qyteti flet. Shtëpia me tri porta është një metaforë e kësaj trashëgimie: një hyrje për të kaluarën, një për të tashmen dhe një tjetër për të ardhmen.
Kjo shtëpi, me muret e saj të bardha dhe portat që duken sikur janë skajet e një skene teatrore, i përngjan një vendi ku Carlo Goldoni apo Beaumarchais do të ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Nuk është e vështirë të imagjinohet Figaroja që hyn nga një derë, Zoti Pantalone nga një tjetër, dhe një grua e re që përpiqet të shpëtojë nga rregullat e një bote patriarkale. Në këtë skenë, jeta luhet me një ironi të lehtë, me një buzëqeshje që fsheh thellësinë e përjetimeve historike.
Porta e parë hapet drejt kujtimeve: aty ku gjyshërit rrëfejnë historitë e tyre për luftën, për dasmat me saze dhe për fjalët e urta që nuk dalin kurrë nga moda. Porta e dytë të fton në të tashmen — një realitet ku turistët fotografojnë çdo kënd, ku fëmijët luajnë nën hijen e pemëve dhe ku gratë përshëndesin me një buzëqeshje të ndrojtur. Ndërsa porta e tretë është një premtim — për një të ardhme që ruan me krenari vlerat e të shkuarës por nuk ndalet së ëndërruari.
Por në Berat ndodhet edhe një shtëpi me portë që mbart një peshë më të veçantë: Kompleksi feudal ndërtuar në kohën e Ahmet Kurt Pashës, në gjysmën e dytë të shek. XVIII. me Portën e Pashait. Kjo portë, më e gjerë, më e rëndë dhe me një hijeshi të qetë autoritare, të kujton se edhe brenda qytetit të bashkuar, klasat dhe botëkuptimet nuk kanë qenë gjithmonë të barabarta. Porta e Pashait nuk hapej lehtë — jo vetëm fizikisht, por edhe simbolikisht. Ajo ndante botën e aristokracisë osmane, e mbyllur në rituale dhe protokolle, nga jeta më spontane dhe e përditshme e qytetarëve të thjeshtë. Pas saj gjendeshin odat e mëdha me qilima të trashë dhe piktura orientale, një botë e menduar për të komanduar dhe për të imponuar. Ndërkohë, përballë saj, në portat më të vogla të lagjes, gjallëronin tingujt e jetës popullore — zërat e fëmijëve, gurgullima e kazanëve me reçel dhe këngët e sazeve që rridhnin si ujë mali. Kjo kontrast përbënte një dialog të heshtur mes pushtetit dhe jetës qytetare, mes një elegance të rezervuar dhe një gjallërie të përzemërt, ku të dyja jetonin krah për krah, ndonjëherë në tension, por gjithmonë në ndërveprim kulturor.
Berati, me gjithë arkitekturën e tij orientale, nuk është një qytet që mbetet i ngrirë në kohë. Evlija Çelebiu në udhëtimin e tij në viset shqiptare më 1610 përshkruan disa nga qendrat urbane shqiptare ku kishte filluar të lulëzonte kultura islame, mes të tjerash edhe Beratin. Ai përmend se Berati ka tre medrese dhe se çdo xhami kishte një myderiz që jepte mësim të Kuranit falas. Po kështu ai dëshmon për një prani të zhvillimit të artit poetik në Berat. Në këtë anë të bregut ka gjashtë kafene moderne. Disa prej tyre janë në breg të lumit ku disa nga zotërijntë bëjnë banja, ca të tjerë gjuajnë peshk dhe shumica e tyre bisedojnë e diskutojnë probleme fetare, shkencore e politike. Poetët, shkrimtarët dhe oratorët e këtij vendi janë njerëz me kulturë të lartë e me studime të plota. Ata nuk çajnë krye për doktrina fetare, por në sjellje janë shumë të kujdesshëm. Janë njerëz të zgjuar dhe me delikatesë, e cila shkon deri në shkallën më të lartë. Tabakhaneja është vend dëfrimi me pastërti e hijeshi të madhe në breg të lumit.
Berati është një organizëm i gjallë që di të jetojë me hijeshi edhe brenda mureve të lashta. Në këtë kontekst, shtëpia me tri porta nuk është thjesht një objekt arkitektonik, por një simbol i kapërcimit kulturor — një vend ku memoria dhe shpresa bashkëjetojnë, ku secila portë na fton të hyjmë në një realitet tjetër.
Në fund të fundit, kjo shtëpi është vetë Shqipëria në miniaturë: një vend me shumë hyrje, shumë rrugë dhe shumë histori për të treguar. Ajo është një kujtesë e thjeshtë por e fuqishme se në këtë mozaik të pasur të kulturës shqiptare, çdo portë ka një histori, dhe çdo histori meriton të dëgjohet.
E ke pershkruar Beratin sikur je nga ai qytet. Ha, ha, ha
Punimet tuaja lexohen me kenaqesi jo betem per informacionin qe sjellin, historine dhe bukurine, por edhe per gjuhen qe rrjedh vet vetiu
Urime e vleresime i dashur Dorjan