Nga Marenglen Kasmi
Botuar në DITA
Kur më 22 shtator të vitit të kaluar, kryeministri Rama deklaroi nga foltorja e selisë së Kombeve të Bashkuara planin për krijimin e një shteti Bektashian në Shqipëri, deklarata e tij nxiti një debat të gjerë, i cili më së shumti bazohej mbi kritika, hera-herës të paargumentuara e të bazuara mbi hamendësime, sesa mbi një diskutim të gjerë e të shëndetshëm mbi rolin e bektashizmit në trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë, e mbi të gjitha për të ardhmen e tij.
Fjalimi i tij gjatë konferencës jubilare të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri na mundëson të bëjmë një analizë më të qëndrueshme ndaj këtij projekti.
Gjatë fjalës së tij z. Rama theksoi jo vetëm nevojën për mbrojtjen e një trashëgimie kombëtare të rrezikuar, por edhe pozicionimin e Shqipërisë si një model unikal i harmonisë ndërfetare në botë. Ai e vuri theksin te roli historik i bektashizmit si një faktor qendror në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, e veçanërisht në periudhat historike kur shqiptaria në tërësinë e saj ishte e rrezikuar. Ai solli në vëmendje kontributin e teqeve bektashiane si qendra të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe ndikimin e tyre të fuqishëm në Rilindjen Kombëtare.
Me një qasje që përqafon dashurinë, unitetin dhe tolerancën, bektashizmi përfaqëson një filozofi shpirtërore që i tejkalon kufijtë fetarë. Kjo traditë e pasur shpirtërore përbën pa dyshim një pasuri kombëtare, e cila duhet mbrojtur e promovuar. Sipas kryeministrit, krijimi i një qendre botërore për bektashizmin me një status specifik, do të ndihmonte jo vetëm në ruajtjen e një trashëgimie të rrezikuar, por edhe në promovimin e Shqipërisë si një shembull unik i bashkëjetese ndërfetare. Një nismë e tillë mund të tërheqë vëmendjen e të sjellë në Shqipëri pelegrinë, studiues e vizitorë dhe të kontribuojë kësisoj pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit.
Megjithatë, këtij projekti nuk i mungojnë sfidat me të cilat duhet të përballet. Në aspektin juridik, Shqipëria është një shtet laik dhe nuk favorizon asnjë fe specifike. Për këtë arsye, dhënia e një statusi të posaçëm për Kryegjyshatën do të kërkojë hartimin e një kornize të re ligjore, ndoshta edhe ndryshime kushtetuese ose interpretime të reja të ligjeve ekzistuese, të cilat mund të hasin në kundërshti politike dhe shoqërore. Gjithashtu është i pranishëm edhe shqetësimi që një hap i tillë mund të perceptohet si favorizim ndaj një përkatësie fetare, çka mund të krijojë tensione. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur tashmë rezerva të qarta ndaj kësaj çështje, duke e cilësuar nismën si një precedent të rrezikshëm për parimin e barazisë dhe harmonisë ndërfetare në vend. Po ashtu, problematik mund të jetë edhe keqinterpretimi që ndonjë vend islamik mund t’i bëjë këtij projekti, duke e konsideruar si një përpjekje për të margjinalizuar format e tjera të Islamit.
Për të kuptuar më mirë natyrën e kësaj nisme, mund të bëjmë një krahasim me modelin e Vatikanit. Shteti i Vatikanit u krijua në vitin 1929, si rezultat i Paktit të Lateranit midis Kishës Katolike dhe mbretërisë italiane. Si një entitet sovran, Vatikani funksionon si qendra administrative dhe shpirtërore e katolicizmit botëror, me institucione të veçanta si Selia e Shenjtë dhe Kolegji i Kardinalëve. Megjithatë, ndonëse Vatikani ka një status plotësisht të pavarur, bashkëpunimi me shtetin italian mbetet i ngushtë në fusha të tilla si kultura, diplomacia dhe edukimi, duke ruajtur njëherazi një ndarje të qartë të kompetencave.
Edhe pse modeli i Vatikanit ka një histori dhe funksion unik, ai tregon se një entitet fetar mund të bashkëjetojë me një shtet laik, nëse respektohen kufijtë juridikë dhe institucionalë. Një zgjidhje e ngjashme në Shqipëri do të kërkojë një qasje të mirëplanifikuar dhe transparente, duke siguruar që karakteri laik i shtetit dhe harmonia ndërfetare të mbeten të paprekura.
Në një kontekst global, kjo nismë mund të përputhet po ashtu me përpjekjet e qeverisë amerikane dhe vendeve të tjera perëndimore për të shtensionuar marrëdhëniet midis botës islamike dhe Perëndimit. Promovimi i bektashizmit si një formë e moderuar dhe paqësore e Islamit përputhet me strategjitë për të luftuar ekstremizmin dhe për të ndërtuar ura midis kulturave dhe feve. SHBA dhe aleatët e saj kanë mbështetur rregullisht nisma që theksojnë interpretimet tolerante dhe dialogun ndërkulturor fetar. Një projekt si ky mund të shërbejë si një shembull i bashkëjetesës fetare dhe si një kundërargument i fuqishëm ndaj narrativave që lidhin Islamin me dhunën e terrorizmin.
Ndonëse kjo nismë mbart sfida të shumta, ajo paraqet një mundësi unike për të forcuar identitetin kombëtar të Shqipërisë dhe për ta pozicionuar atë si një model global të harmonisë ndërfetare. Suksesi i kësaj nisme do të varet nga qasja transparente, bashkëpunimi kombëtar dhe mbështetja ndërkombëtare si dhe sigurimi i një balance të qëndrueshme ndërmjet vlerave fetare dhe parimeve laike.
Dhënia e një statusi të tillë për Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve do të ndikojë drejtpërsëdrejti në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të bektashizmit në tërësinë e tij. Duke i dhënë Kryegjyshatës Botërore këtë status të posaçëm e unik nuk cenohet aspak si karakteri laik i shtetit, as edhe harmonia ndërfetare. Ky status duhet të garantojë autonominë e Kryegjyshatës në aspektin shpirtëror dhe kulturor dhe nga ana tjetër, ai duhet të sigurojë po ashtu bashkëpunimin e ngushtë me shtetin shqiptar në fushat e interesit të përbashkët.
Për këtë gjë duhet që në planin ligjor dhe institucional të punohet për hartimin e një kornize specifike ligjore për dhënien e një statusi të posaçëm për Kryegjyshatën, të mbështetur në Kushtetutë dhe te ligjet ekzistuese të Shqipërisë. Kjo gjë do të qartësonte kompetencat dhe përgjegjësitë e Kryegjyshatës dhe do të siguronte që statusi i saj nuk bie ndesh me parimin e laicitetit apo me barazinë ndër komunitetet fetare. Gjithashtu, krijimi i një kornize bashkëpunimi midis Kryegjyshatës dhe institucioneve shtetërore do të mundësonte promovimin e kulturës, turizmit dhe trashëgimisë shpirtërore.
Më tej, një element i domosdoshëm dhe që nuk duhet t’i mungojë këtij procesi është dialogu kombëtar dhe ai ndërfetar. Organizimi i konsultimeve me komunitetet fetare dhe shoqërinë civile do të ndihmonte në shmangien e keqkuptimeve dhe do të çonte në mbështetjen e shoqërisë për këtë projekt. Përfshirja e botës akademike në këtë proces do të kontribuonte në krijimin e një narrative të përbashkët për vlerat e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Organizimi i aktiviteteve kulturore dhe konferencave ndërkombëtare shkencore, si dhe krijimi i platformave dixhitale kulturore e studimore, do të kontribuonin në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat e bektashizmit dhe rolin e tij si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar e më gjerë.
Po ashtu, me ligj duhet të përcaktohen qartë fushat ku Kryegjyshata do të gëzojë autonomi, duke përfshirë administrimin e brendshëm, institucionet e saj, promovimin e kulturës dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Nga ana tjetër, mekanizmat e mbikëqyrjes nga shteti duhet të garantojnë që veprimtaria e Shtetit Bektashi të jetë në përputhje me ligjet dhe interesat tona kombëtare. Si shembull mund të shërbejë përsëri Vatikani, i cili funksionon si një entitet sovran me autonomi të plotë juridike dhe shpirtërore. Edhe pse i pavarur, ai bashkëpunon ngushtë me shtetin italian në fusha si kultura dhe diplomacia. Edhe në rastin tonë mund të ndiqet një qasje e ngjashme, duke e përshtatur këtë model në kontekstin kombëtar, ku ndarja e kompetencave të jetë e qartë.
Nisur nga skepticizmi që kultivojnë përfaqësues të caktuar të shoqërisë shqiptare ndaj nismave të reja, e sidomos kur ato vijnë nga kryeministri Rama, për të siguruar që kjo nismë të jetë e suksesshme, duhet të krijohet një komision i përbashkët shtetëror e fetar, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj nisme dhe të vlerësojë hap pas hapi ecurinë e saj. Raportet periodike mbi efektet ekonomike, sociale dhe kulturore gjatë fazës përgatitore, do të ndihmonin jo vetëm në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij projekti, por edhe në pranimin e tij si një risi, e cila synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë shpirtërore të bektashizmit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një model global të harmonisë ndërfetare. Përmes dialogut të hapur dhe bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar, nisma mund të kthehet në një sukses që e forcon identitetin kombëtar shqiptar dhe promovon vlerat e paqes dhe tolerancës.
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016