– Profesor Tarifa, në vijim të intervistës së djeshme, e cila është pritur me interes, dëshiroj sot të flasim për rolin e intelektualëve shqiptarë në jetën publike dhe atë politike të shoqërisë por, më parë, më lejoni t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë? Përse nuk jeni marrë me politikë?
– Kam zgjedhur t’i rri larg politikës qysh kur refuzova një ftesë të Fatos Nanos për të qenë kandidat i PS-në në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992.
– Arsyeja?
– Politika nuk ishte në atë kohë, as u bë më vonë, vokacioni im. Akademia po. Ndaj edhe zgjodha akademinë. Për një periudhë kohe, rreth shtatë vite, edhe diplomacinë dhe diplomacia është politikë me mjete të tjera. Clausewitz i ka thënë këto fjalë për luftën, por unë mendoj se ato i përshtaten fare mirë edhe diplomacisë. Edhe kjo është politikë me mjete të tjera. Veçse jo ajo politikë që keni ju në mendje.
– A nuk mendoni se politika shqiptare do të ishte shumë më ndryshe me intelektualë si ju?
– Politika dhe intelektuali nuk shkojnë mirë bashkë. Politika kërkon bindje, intelektuali kërkon liri. Politika e vret lirinë e mendimit, intelektuali nuk bën dot pa të.
– Por intelektualët mund të ndihmojnë ta ndryshojnë politikën
– Ky, është një iluzion. Në rastin më të mirë, një dëshirë e mirë. Çdo qeveri shqiptare, kjo e sotmja edhe më shumë, është shquar për anti-intelektualizëm. Shihni parlamentin e sotëm dhe thuajse çdo kabinet qeveritar të këtyre dy dekadave të fundit. Cilët qo të quanit intelektualë dhe sa të tillë ka?
– Pse ka ndodhur e ndodh kështu? Shteti ka nevojë për mendimin e intelektualëve dhe ekspertizën e tyre.
– Jo. Në fakt, “the State does not think”—shteti “nuk mendon”. Burokracia shtetërore kërkon efektivitet dhe kontroll, jo mendim. Filozofi i njohur francez, Alain Badiou, thotë se, nëse politika është mendim—dhe në atë masë që ajo është e tillë—është e pamundur që ajo të administrohet nga Shteti; ajo nuk mund të konceptohet apo të reduktohet në dimensionin e saj shtetëror. Badiou sugjeron një formulë hibride, pasi, sipas tij, “Shteti nuk mendon”, ndaj edhe ushtrimi i politikës duhet kthyer te “gjykimi i lirë” dhe te “diskutimi” në një hapësirë publike ku opinionet çmohen.
– Ky është një mendim filozofik i thellë, jo për një intervistë si kjo. Por, a nuk ka qenë gjithnjë kështu?
– Jo. Në fakt, me këtë pyetje ju më grishni të zgjatem disi në një çështje që ka të bëjë pikërisht me rolin e intelektualëve në shoqëri. Prandaj, deri në pyetjen e radhës, më lejoni të shpjegohem. Historikisht, intelektualët më të shquar, kanë qenë ata që kanë formuluar parimet e organizmit politik të shoqërisë. Soloni, ligjvënësi i famshëm i Athinës, ishte poet. Poezitë dhe reformat e tij shquhen për një frymë reflektimi të thellë dhe cilësi të qarta intelektuale dhe ai mbahet mend si një ligjvënës që bashkoi artin e poezisë me mençurinë e qeverisjes. Roli i intelektualëve të shquar iluministë në zhvillimet politike në Angli, në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në periudhën e hershme të modernitetit ka qenë edhe më i rëndësishëm. Në Angli, idetë e filozofit John Locke për të drejtat natyrore dhe kontratën shoqërore frymëzuan kufizimin e pushtetit mbretëror dhe konsolidimin e monarkisë kushtetuese, ndërsa mendimtarë si Adam Smith, Jeremy Bentham dhe John Stuart Mill zhvilluan më tej traditën liberale duke e vënë theksin te liritë individuale dhe ekonomia e tregut. Në Francë, mendimtarë si Montesquieu, Voltaire dhe Rousseau sfiduan absolutizmin dhe autoritetin e Kishës, duke promovuar lirinë, barazinë dhe sovranitetin popullor, ide që u bënë shtylla ideologjike e Revolucionit Francez dhe e republikanizmit. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, parimet e Iluminizmit u përfshinë drejtpërdrejt në dokumentet themeluese të Republikës Amerikane. Deklarata e Pavarësisë pasqyroi vizionin që kishte Locke për të drejtat e njeriut, Kushtetuta u ndërtua mbi konceptin për ndarjen e pushteteve që formuloi Montesquieu, ndërsa figura si Benjamin Franklin dhe Thomas Paine i përkthyen këto ide në praktikë politike dhe retorikë revolucionare. Idetë e mendimtarëve iluministë krijuan, pra, bazën intelektuale për demokracinë moderne dhe për kornizat kushtetuese që përcaktojnë qeverisjen edhe sot.
– Por, a nuk ndodh kështu edhe sot?
– Sot kjo nuk ndodh më. Intelektualët, thuajse kudo, janë të margjinalizuar, ose shihen me dyshim, si “elitistë”. Mendimin intelektual e kanë zëvendësuar karizma, mediat dhe populizmi emocional. Gjatë shekullit të 20-të, por edhe sot, mendimtarë të shquar si Jean Paul Sartre, Gilles Deleuze apo Jacques Rancière në Francë; Hannah Arendt, Jürgen Habermas, Axel Honneth, Claes Offe apo Ulrich Beck në Gjermani; Isaiah Berlin, Anthony Giddens dhe Eric Hobsbawm në Britani; Noam Chomsky dhe Richard Rorty në SHBA; Umberto Eco në Itali dhe shumë të tjerë, kanë pasur e kanë ndikim të madh në filozofi, në politikë, në sociologji dhe në kulturë, por idetë e tyre kritike mbi pushtetin dhe qeverisjen shpesh janë neglizhuar ose injoruar nga qeveritë e vendeve të tyre. Ky kontrast dëshmon një traditë të gjatë mosbesimi ndaj intelektualëve, mendimi kritik dhe vizioni i të cilëve nuk pëlqehen nga strukturat e pushtetit, edhe pse rëndësia e tyre akademike, kulturore e politike është e pakundërshtueshme.
– Shumë shpesh, edhe në këtë gazetë, ju keni shkruar për politikën dhe politikanët tanë, dhe fjalët juaja nuk shkojnë pa u vënë re nga publiku. Ndonjëherë edhe vetë kryeministri ka reaguar ndaj tyre.
– Dhe çfarë ka ndryshuar? Shpesh më thonë: Të drejta janë këto që thua, por kujt ia thua? Kush dëgjon? Dhe nuk jam vetëm unë. Ka edhe intelektualë të tjerë që, si unë, janë kritikë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe mendimet e tyre i shprehin hapur e publikisht. Por, përsëri, ato bien në veshë të shurdhër.
– Sytë dhe veshët e politikanëve tanë janë të mbyllur, por mendjet e publikut janë të hapura.
– Publiku? Cili publik? Ne edhe publikun e kemi ndarë në të majtë dhe të djathtë. Kjo është një tjetër arsye pse intelektualët nuk dëgjohen si një zë i arsyes për të gjithë, por shpesh etiketohen si “të majtë” ose “të djathtë” dhe përdoren si armë në luftën politike mes partive. Një rrethanë e tillë e minimizon rolin e intelektualëve publikë si ndërgjegje kritike e shoqërisë dhe e bën publikun edhe më indiferent ndaj mendimit të tyre. Kjo indiferencë nuk është pa pasoja. Kur publiku i shpërfill intelektualët e shoqërisë së vet, demokracia rrezikon të bjerë, kultura varfërohet dhe politika mbetet e verbër.
– Keni të drejtë. Por çfarë duhet bërë?
– Duhet kuptuar se e vërteta nuk është as e Majtë, as e Djathtë. Ta kërkosh atë majtas ose djathtas do të thotë ta përçash publikun, ndërkohë që e vërteta kërkon një shoqëri të bashkuar e jo të përçarë, sepse, duke mishëruar unitetin e arsyes, ajo u shërben të gjithëve njëlloj. Michel Foucault i referohej një koncepti që e zhvilluan grekët e lashtë dhe që, për të parën herë, e gjejmë tek Euripidi—“parrhēsia”—me çka grekët e kashtë, kuptonin të thënët e së vërtetës pa pasur frikë, guximin për t’u shprehur, apo detyrën morale për të thënë kurdoherë të vërtetën. Sokrati e mishëroi këtë koncept në pyetjet që u bënte pa reshtur qytetarëve të Athinës, edhe pse kjo e çoi në gjyq dhe në vdekje. Foucault e shihte atë si aktin e të shprehurit hapur e me ndershmëri, edhe nëse kjo e rrezikon folësin, duke e konsideruar atë një detyrë njëherësh politike dhe etike. Në një shoqëri si e jona, ndarë Majtas dhe Djathtas, guximi për të thënë të vërtetën është ura që mund ta bashkojë publikun dhe ta vejë pushtetin para gjyqit të arsyes. Kur intelektualët flasin pa frikë, ata e orientojnë shoqërinë në atë drejtim nga ku politika polarizuese e ka larguar. E vërteta i shërben lirisë së të gjithëve. Dhe e vërteta jo vetëm na bën të lirë; ajo na mban të lirë.
– Ju falënderoj, duke shpresuar në një intervistë tjetër si kjo në të ardhmen.
Intervistoi Johana Lubonja
