Nga Fatos Tarifa
Nuk kërkoj një kryeministër të pagabueshëm, as një personalitet të jashtëzakonshëm, të pajisur me virtyte që rrallë gjenden te një njeri i vetëm. Aq më pak një shpëtimtar, një prijës si ky që kemi, pa të cilin vendi s’do mund të bënte një hap përpara. Do të dëshiroja thjesht një kryeministër që të mishëronte disa cilësi intelektuale, morale dhe njerëzore, pa të cilat pushteti politik rrezikon të shndërrohet nga një përgjegjësi publike në një privilegj personal.
Si do të doja të ishte ky njeri?
1. Në moshën 40–50 vjeç, mundësisht. Jo sepse mosha është garanci për mençuri, energji apo integritet, por sepse në këtë periudhë të jetës një individ mund të ketë fituar pjekurinë e nevojshme intelektuale e profesionale, pa humbur energjinë, ambicien krijuese dhe guximin për të menduar e vepruar ndryshe.
2. Me një formim të shëndoshë universitar (dëshirueshëm në shkencat sociale ose në disiplinat humane), brenda ose jashtë vendit. Një njeri që e kupton shoqërinë jo thjesht si një mekanizëm administrativ, ekonominë jo vetëm si statistikë dhe politikën jo si teknologji të marrjes e të ruajtjes së pushtetit, por si një veprimtari thellësisht njerëzore, morale dhe shoqërore.
3. I ndershëm dhe me integritet të lartë moral. Një individ, emri i të cilit të mos jetë përlyer nga afera korruptive, abuzime apo veprime që cenojnë besimin publik. Dikush për të cilin ndershmëria të mos jetë një slogan elektoral, por një mënyrë jetese.
4. Pa një të kaluar në forumet e larta drejtuese të asnjërës prej partive kryesore politike. Jo domosdoshmërisht pa bindje apo përvojë politike, por pa qenë pjesë e establishmentit partiak që ka dominuar dhe, në shumë drejtime, deformuar jetën politike shqiptare. Një personalitet që të mos ia detyrojë karrierën e vet servilizmit apo bindjes ndaj një kryetari partie.
5. Një zë publik i njohur dhe i respektuar në fushën e ekspertizës së vet. Jo një fytyrë e panjohur që shfaqet papritur në skenën politike, as një personazh i fabrikuar nga propaganda apo nga mediat, por një individ që ka dëshmuar publikisht pavarësi mendimi, kompetencë profesionale dhe kurajë intelektuale.
6. I respektuar në qarqet profesionale, intelektuale dhe shoqërore të vendit. Një njeri, autoriteti i të cilit të jetë fituar përmes dijes, punës, meritës dhe kontributit të tij në shoqëri, jo përmes posteve, lidhjeve politike apo privilegjeve që ofron pushteti.
7. Me cilësi të spikatura njerëzore dhe karakteriale: modest, i matur, i arsyeshëm, i komunikueshëm, empatik dhe i aftë të dëgjojë. Një individ që nuk e sheh vendosmërinë e të tjerëve si arrogancë, vetëbesimin e tyre si mendjemadhësi dhe kritikën ndaj tij si armiqësi. Një njeri që di të pranojë gabimet dhe nuk i trembet mendinit ndryshe.
8. I aftë të zgjedhë dhe të afrojë rreth vetes bashkëpunëtorë të aftë, ekspertë të kualifikuar, të ndershëm dhe me personalitet. Një kryeministër që nuk kërkon vartës të bindur, por kolegë me aftësi të spikatura, që nuk trembet nga inteligjenca e të tjerëve por e çmon atë dhe nuk e konsideron besnikërinë personale si kriterin kryesor të përzgjedhjes së tyre. Një drejtues që e kupton se cilësia e qeverisjes varet edhe nga cilësia e njerëzve me të cilët qeveris.
9. Njohës shumë i mirë i gjuhës angleze, si gjuhë e komunikimit ndërkombëtar, të cilën ta përdorë me siguri, saktësi dhe elegancë në marrëdhëniet me homologët e tij dhe në forumet ndërkombëtare. Jo thjesht për të komunikuar pa përkthyes, por për të qenë i aftë të artikulojë dhe të mbrojë me dinjitet interesat e vendit në një botë gjithnjë e më të ndërvarur.
10. Nëse vjen nga bota akademike, mundësisht të ketë fituar gradën e doktorit në një universitet perëndimor me reputacion të lartë. Jo sepse një doktoraturë e bën domosdoshmërisht dikë një politikan të mirë, por sepse një formim serioz shkencor mund të kultivojë disiplinën e mendimit, respektin për faktet, aftësinë për analizë kritike dhe, mbi të gjitha, vetëdijen se askush nuk e zotëron të vërtetën përfundimtare.
Këto nuk janë dhjetë kushte të panegociueshme, as një recetë për të prodhuar një kryeministër ideal. Janë dhjetë cilësi që do të dëshiroja t’i shihja te njeriu që një ditë do të drejtojë qeverinë e vendit tim. Nëse cilësi të tilla do i kishte një grua, le të kishim, për herë të parë, një kryeministre grua.
Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër që e identifikon veten me shtetin, me partinë apo kombin, por për dikë që e di se shteti u përket qytetarëve dhe është në shërbim të tyre, se pushteti është i përkohshëm dhe se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Mbi të gjitha, do të doja një kryeministër që të mos synonte të hynte në histori duke qëndruar sa më gjatë në pushtet, por duke e ushtruar atë me aq përgjegjësi dhe dinjitet, sa të dinte edhe kur duhej të largohej prej tij.
