Dr.Adem Harxhi
Botuar në DITA
Është mirë të mbahen parasysh këto rregulla të thjeshta, kur bisedohet për seksin me fëmijën:
Prindërit duhet ta dinë që fëmijët kanë shumë informacion për seksin, ndonëse shpesh të gabuar. Në këto kushte, detyra e prindit është të pastrojnë keqinformimet që kanë fëmijët dhe këtë ta bëjnë me shumë kujdes. “Nuk ka gjë që nuk e dimë për seksin”, “Nuk kemi ç’të mësojmë në shkollë dhe nga prindërit për seksin”, – thonë djemtë dhe vajzat 12-13-vjeçare. Adoleshentët, në një moment, mund të thonë gjëra bizare (për fëmijët në shkollë që janë seksualisht aktivë). Shumë herë ata gënjejnë. Në këto momente prindi nuk duhet të qeshë e të bëjë shaka. Kurrë mos u përsërisni fëmijëve si qortim, ato që ata vetë ua kanë treguar. Po qe se bëhet kjo, me siguri ata nuk do t’u besojnë më kurrë prindërve të tyre.
Prindërit duhet t’i bëjnë të qarta për fëmijët, pikëpamjet e tyre lidhur me seksin. Prindi duhet të dijë se kur nuk ka rregulla të qarta prindërore dhe kur fëmijët nuk dinë se çfarë presin prindërit prej tyre, ata ndikohen më shumë nga shokët. Studimet, kudo në botë, kanë treguar se, kur fëmijët e kanë të qartë qëndrimin e prerë të prindërve, që ata nuk janë dakord me seksin në moshë të hershme, këta fëmijë përfshihen më pak dhe më vonë në marrëdhënie seksuale. Adoleshentët e rinj, kanë nevojë ta dëgjojnë të formuluar shumë qartë kërkesën e prerë të prindit: “Ti je shumë i ri për të bërë seks”. Fëmijët duhet ta kenë të qartë se, pavarësisht nga ç’kanë dëgjuar, shumica e fëmijëve të kësaj moshe nuk bëjnë seks.
Prindërit duhet të dinë për sjelljet dhe ndjenjat seksuale të fëmijëve të tyre. Leksionet mund të ndihmojnë, por mendimet këmbehen e gjallërohen, vetëm nëpërmjet diskutimeve. Fëmijët duhet të inkurajohen që t’i thonë hapur mendimet e tyre për seksin, ndërkohë që prindërit duhet t’i dëgjojnë me vëmendje dhe të tregojnë se i respektojnë ato që thonë fëmijët.
Të krijohet atmosfera e përshtatshme dhe e hapur kur diskutohen çështje që lidhen me seksin. Unë e kuptoj, kjo për shumë prindër nuk është e lehtë, por le të mundohen të respektojnë këtë rregull të përgjithshëm: Të mos nevrikosen, kur fëmijët u thonë diçka që është diametralisht e kundërt me ato që mendojnë ata.
Edhe kur prindërit shpalosin mendimet dhe rregullat e tyre, fëmijët duhet të ndjejnë se mund t’i shprehin mendimet e tyre pa u shqetësuar se prindi do t’i ndëshkojë. Fëmijët druhen dhe impresionohen kur u bëhen pyetje specifike, lidhur me sjelljet seksuale personale.
Prindërit duhet të gjejnë dhe të zbulojnë tendencat seksuale të fëmijëve, duke i pyetur se çfarë mendojnë, si veprojnë dhe si reagojnë ndaj këtyre sjelljeve dhe veprimeve “fëmijët e tjerë në shkollë”
JA DISA NGA PYETJET QË PRINDËRIT MUND T’I PËRDORIN, PËR TË FILLUAR DISKUTIMIN PËR PROBLEME TË SEKSIT, ME FËMIJËT E TYRE.
Çfarë mendojnë shokët për një vajzë që takohet me një djalë? Në se kjo është mirë, kur është mirë që ata të fillojnë të bëjnë seks?
Pse mendon që disa fëmijë të moshës tënde bëjnë seks?
Cilat janë disa nga arsyet që adoleshentë e moshës tënde, duhet të presin për të bërë seks?
Si mund t’i tregosh një djali, ose një vajze, se ti e do atë edhe pa bërë seks?
Si mund t’i thuash të dashurit, ose të dashures, se ti nuk je gati për seks?
Pse është e vështirë t’i thuhet “Jo” një partneri?
Pse mendon që disa fëmijë u bëjnë presion të tjerëve, për të bërë seks?
Prindërit duhet të dinë se ka disa pyetje, që ata u bëjnë fëmijëve lidhur me seksin, që i dëshpërojnë fëmijët. Pas këtyre pyetjeve, fëmijët e mbyllin komunikimin me prindin aq shpejt, sa prindit i vjen mendja vërdallë. Këto pyetje që nuk duhet t’u bëhen fëmijëve, kanë të bëjnë me hollësira intime. Mos u bëni kurrë fëmijëve pyetje të kësaj natyre:
Cila nga shoqet e tua bën seks?
Sa larg ke shkuar ti me dashnoren tënde?
Çfarë duhet të përmbajë programi për edukimin seksual të fëmijëve në shkollën 8-vjeçare?
SHUMICA E EKSPERTËVE REKOMANDOJNË SE, PËRVEÇ MËSIMIT TË BAZAVE TË ANATOMISË DHE FIZIOLOGJISË SË TRUPIT TË TË RINJVE, ATA DUHET TË DINË PËR:
Emocionet që zgjon intimiteti fizik;
Mekanikën e aktit seksual dhe si ta zbulojnë shtatzëninë;
Mënyrat si ta parandalojnë shtatzëninë;
Të njohin abstinencën dhe kontracepsionin, (përfshi kondomet dhe hapat për kontrollin e lindjes);
Cilat janë pasojat e tjera negative të interkursës seksuale; Të dinë për sëmundjet infektive seksuale (SIS) dhe HIV/AIDS;
Të dinë si të parandalohen këto pasoja negative (abstinenca dhe kondomi);
Si të thonë “jo”, kur kanë presion për të bërë seks, ose kur preken në një mënyrë që nuk u pëlqen;
Format e ndryshme të seksualitetit, heteroseksualizmi, homoseksualizmi dhe biseksualizmi;
Mënyrat si t’i shprehin ndjenjat seksuale për dikë, pa kryer marrëdhënie seksuale (puthjet, përqafimet, prekjet).