Jo në çdo rast dhimbjet e forta të kokës kanë të bëjnë me sëmundjen e migrenës. Mjekët thonë se një dhimbje koke “migrene”, vjen si rezultat i ndryshimeve të caktuara fiziologjike brenda trurit, gjë e cila prodhon simptomat dhe dhimbjet karakteristike të migrenës.
Zakonisht dhimbjet e kokës të tipit migrenoz lidhen me provokime shumë të thjeshta, si për shembull një aromë e caktuar, një ndezje e papritur drite, apo një lëvizje jo e zakonshme e qafës. Përveç kësaj, shumë pacientë përjetojnë të përziera, ose të vjella.
Dhimbjet migrenoze të kokës në përgjithësi përfshijnë njërën anë të kokës, por në disa raste ndodh që pacientët përjetojnë dhimbje në të dyja anët e kokës. Gjithashtu janë të shumta edhe rastet në të cilat pacientët që vuajnë nga migrena të përjetojnë para fillimit të dhimbjes së kokës shenja të veçanta paralajmëruese, si një atmosferë tipike dhe që vazhdon pastaj gjatë si dhimbje e fortë koke. Në jo pak raste dhimbja fillon në mënyrë dramatike, si një goditje e fortë dhe e menjëhershme e kokës. Megjithatë, jo të gjitha dhimbjet e rënda të kokës përfaqësojnë migrenën dhe nga ana tjetër migrena nuk është i vetmi kusht për të shkaktuar dhimbje të rënda të kokës. Janë ekzaminimet përkatëse mjekësore ato që ndihmojnë në vendosjen e diagnozës së saktë mjekësore të migrenës.
Shenjat paralajmëruese të migrenës
Shenjat më të zakonshme klinike të migrenës janë dhimbja e kokës, zakonisht në njërën anë me intensitet nga të moderuar në të rëndë, të përziera ose të vjella, ndjeshmëri ndaj dritës dhe tingujve (fotofobia dhe fonofobia), dhimbje sysh, etj. Dhimbjet e kokës mund të kenë edhe karakter pulsues, të cilat rëndohen edhe nga aktiviteti fizik. Një dhimbje koke migrenoze zakonisht zgjat nga disa orë, deri në disa ditë. Në disa raste dhimbjet përfshijnë të dyja anët e kokës. Rreth një e treta e pacientëve përjetojnë shenja paralajmëruese, siç janë për shembull të përzierat, ose të vjellat, dhimbjet e thella rënduese të syve, ndjenja e mpirjes së kokës në një anë kur ndizet një dritë e fortë papritur, kur fillojmë menjëherë një vrap të shpejtë (për shembull për të kapur autobusin), ose kur ngjisim shkallët.
Si vendoset diagonza e kësaj sëmundjeje
Në rastet e dhimbjeve migrenoze të kokës ekzaminimet e pacientit dalin normale (analizat e gjakut, skaneri dhe ezheja e kokës). Padyshim që diagnoza e migrenës i takon mjekut specialist neurolog, pasi edhe diagnoza diferenciale e dhimbjeve të kokës është mjaft e rëndësishme, në disa raste jetike. Padyshim që sot ka trajtime të shumta medikamentoze që menaxhojnë mjaft mirë dhimbjet migrenoze të kokës.
Si mund të menaxhohet migrena
Mjekët thonë se janë vetë pacientët ata që mund të luajnë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e shpeshtësisë dhe të ashpërsisë së krizave migrenoze. Rekomandohet që këta pacientë të mbajnë shënime të rregullta për episodet migrenoze që përjetojnë, për faktorët që kanë shpërthyer dhimbjen, duke bërë të mundur evitimin e mëvonshëm të tyre. Kjo mund të ndihmojë në identifikimin e modeleve që paraprijnë migrenën, si edhe në identifikimin e faktorëve që kontribuojnë në zhvillimin e dhimbjeve të kokës.
Ndikimi i ushqimeve që konsumojmë
Pacientëve u rekomandohet një regjim i rregullt ushqimor dhe në mënyrë të veçantë i gjumit. Shmangni disa ushqime që mund të provokojnë dhimbje koke (alkooli, çokollatat, produktet e qumështit, kikirikët). Kujdes duhet treguar edhe me hidrimin e trupit (marrja e sasive të duhura të lëngjeve), pasi dehidrimi renditet ndër shkaqet që favorizon migrenën.
Ndihma që jep aktiviteti fizik
Aktiviteti fizik luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin dhe lehtësimin e simptomave të kësaj sëmundjeje.Rekomandohet kryerja e ushtrimeve fizike, të cilat çojnë në relaksimin e muskujve, sidomos të muskujve të qafës, por zhvillimi i tyre duhet të bëhet vetëm pas këshillave të marra nga instruktorë sportivë, ose mjekë specialistë të kësaj fushe. Mjaft pozitive rezultojnë të jenë edhe teknikat e meditimit, joga. Shumë gra gjatë shtatzanisë përjetojnë një stabilitet të migrenës për shkak të niveleve më të qëndrueshme të hormoneve qe ndodhin gjatë shtatzanisë.
Ndikimi i akuapunturës
Edhe pse studimet e akupunturës nuk janë përfundimtare, shumë pacientë përgjigjen mjaft mirë ndaj saj. Kjo është një terapi e vjetër kineze që bazohet në shpime me age shumë të holla në zona të caktuara që nxisin relaksimin muskular. Dhe, me rritjen e moshës, zakonisht pas moshës 50 vjeç, intensiteti i dhimbjeve migrenoze bie dhe përgjithësisht shkon drejt zhdukjes.
Faktorët që favorizojnë migrenën
- Janë identifikuar shumë faktorë si shkaktarë të dhimbjeve migrenoze. Në radhë të parë përmenden luhatjet normale hormonale, të cilat ndodhin me cikle të rregullta menstruale dhe që mund të predisponojnë një grup grash të përjetojnë dhimbje koke të tipit migrenoz.
- Po ashtu disa lloje të kontraceptivëve oralë (pilula kontraceptive që merren nga goja) mund të shtojnë rrezikun për dhimbje migrenoze. Kjo është edhe arsyeja se pse femrat e moshave të reja dhe që janë seksualisht aktive preken më shpesh nga dhimbja migrenoze.
- Ushqime të veçanta mund të jenë shkaktarë të migrenës, si për shembull lloje të ndryshme verërash, çokollatat, djathëra të ndryshëm, mishrat e tymosur, produktet e qumështit, alkooli , orët e tepërta, apo të pakta të gjumit, etj.
- Gjithashtu edhe ekspozimi ndaj stimujve të fortë, të tillë si: drita të forta verbuese, zëra apo tinguj të lartë, ndryshimet barometrike të presionit atmosferik, janë përshkruar si faktorë shpërthyes të dhimbjeve migrenoze.
- Duhet theksuar se jo çdo individ që vuan nga migrena do të përjetojë një dhimbje migrenoze të radhës kur ekspozohet ndaj faktorëve të tillë. Identifikimi individual i faktorëve që çojnë në shpërthimin e dhimbjeve migrenoze për çdo individ mund të jetë mjaft i dobishëm për parandalimin e tyre.
- Shkaku specifik se pse shkaktohet migrena nuk dihet por, mendohet se ndodhin ndryshime specifike të substancave kimike (neurotransmetuese) që përcjellin mesazhet në qelizat e trurit. Pikërisht këto ndryshime mund të predispozojnë disa njerëz për të përjetuar dhimbje koke të tipit migrenoz. Rreth 25 për qind e njerëzve kanë provuar të paktën një herë në jetën e tyre dhimbje migrenoze. Pas periudhës së adoleshencës femrat preken rreth tre herë më shumë se meshkujt nga këto lloj dhimbje të kokës. Migrena duket se nuk ka predispozitë gjenetike, apo familjare.
p.k\dita
