Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Sot, 75-vjetori i lindjes: Moikom Zeqo si prekje e mahnitshme e dritës
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Sot, 75-vjetori i lindjes: Moikom Zeqo si prekje e mahnitshme e dritës
KultureLajmi i fundit

Sot, 75-vjetori i lindjes: Moikom Zeqo si prekje e mahnitshme e dritës

Published: June 3, 2024
Shpërndaje

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

 

- Publicitet -

Moikom Zeqo është një artist i madh. I paqtë si njeri dhe polemist si artist. I ndërlikuar në artin e tij; mes nesh sikur vezullon, lëviz, sjell imazhet e papërsëritura dhe të duket si një princ, në fakt është princ i mendimit të lartë estetik, i shpirtit të mrekullueshëm, i modernizmit të jashtëzakonshëm, i erudicionit; rreth tij sillen ëndrrat si imazhe, të koncentruar në heshtje dhe, në të njëjtën kohë, në gjëmim.

Ai ka vendosur këmbët e letërsisë së tij në dy kohëra: në të sotmen dhe në të ardhmen.

Sa më e fuqishme bëhet e tashmja, aq më tepër ai vjen drejt nesh, si gjërat e mrekullueshme që vijnë në fillimin e stinëve; poezia e Moikomit është si lojërat e ajrit, diellit, erës, mendimit, të ardhmes, perëndive, intimes dhe të përjetshmes.

Postscriptum: Nuk shkrova rastësisht “është”, jo “ishte”, sepse… është.

“Lavdia i takon Atij që s’vdes kurrë” – shkruan Borges.

Dhe unë e pranoj këtë.

*   *   *

As ai vetë nuk e di pse është i prirur të jetojë midis gjërave, të cilat janë skajore, të ndërlidhë të pangjashmet, të arsyetojë paradokset, të ndërlikojë të thjeshtat, të gjurmojë enigmën, të jetë asket ndaj joshjes pasurore, të jetë i lënduar dhe të mos lëndojë askënd; nuk e di e, ndoshta, nuk ka për ta ditur kurrë përse përpiqet të zbulojë atë që, ndoshta, nuk mund të zbulohet kurrë, të ndërtojë me një ngulm të pashoq koleksione të tilla të përafërta, të cilat, më pas krijojnë fragmente të imazheve të jetësore që lëvizin në këtë peizazh jo vetëm shqiptar, ato copëza të mëdha hapësire dhe dendësi kohërash të pabesueshme; nuk e di përse është i prirë të thyejë veten si rrallëkush e të mendojë gjëra të pamendueshme dhe të ndërtojë një piramidë të pazëvendësueshme, të cilën nuk e prish dot as rrëkeja e viteve, as ashpërsimi i moteve, as mëria dhe harresa.

Ky poet filozof dhe filozof poet nuk më ka lënë asnjëherë të sodis, të qëndroj i huaj, apo i jashtëm, në ftohtësirë akullnajore; në të kundërtën, si është pritur, ai të sjell momentet shpërthyese, drithëruese, më shpesh kryengritëse dhe djallëzore, ngre krye përmes përplasjeve, dialog i pafund me kohën e shkuar dhe parathënës i kohës së ardhshme, i pakufizuar, pasi kufizimi është marrëzi; i pathyeshëm sepse thyerja është nënshtrim; kërkues pasi kërkimi është etja e tij e pashuar; kryengritës sepse e urren përuljen, skeptik pasi dashuron marrëzisht të pazakontën, njeriu që nuk hesht sepse është në të drejtën e tij për të mos heshtur; përmbysës i normave dhe strikteve galaktike, në fund të fundit, arsyeja për të besuar në mitin sizifian të poezisë, prozës, meditimit, esesë, shkencës, politikës, filozofisë, artit, miqësisë.

I veçantë në llojin e tij, ai është i paimitueshëm, megjithëse idetë e tij, pasi marrin fillesën-bulojnë tek të tjerët. I dëshpëruar dhe i gëzuar njëkohësisht, i dashuruar marrëzisht dhe krijues i një perandorie të pashoq, që nuk gardhohet dot dhe as nuk mund të ishte e sajuar, përtëritës migjenian i një bote tjetër lloj dhe risjellës i kumtit të Gjon Buzukut, De Radës, Mjedës, Poradecit, njëjtë si sjell ankthet e pa-uruara të Apolinerit, të Hajnes, Erazmit të Roterdamit, i lidhur me magjitë e poezisë së tij – nga hutimi i së bukurës – zërat që i dëgjon nëpër shkulmimin e detrave – baladat që kumbojnë nëpër tisin e natës – brengën e varrit të Buzukut – si një kumtesë e përshpirtshme jashtë kambanarëve – surrealizmin e çuditshëm si mjellmë e përgjakur – gëzimin e jetës të Horacit – gjurmët si ecja e ngadaltë në rërën e Currilave – poezinë hebraike dhe vrapimet e gazelës në brigjet e Nilit – një stil deri në çmenduri lakonik dhe kumbimi i ecjes së Hygoit nëpër natën e kishës së Zonjës Tonë pariziene – imazhet që vezullojnë dhe, në fund, vdekja, si substancë e filozofisë me përsiatjet për qenien apo mos qenien.

*   *   *

Kam pasur një jetë të trazuar. Do të thosha se shpeshherë kam qenë i lumtur dhe e kam përjetuar lumturinë si një ndijim fizik që përshkon tërë trupin.

Në rrugëtimin e çuditshëm të jetës sime kam hasur njerëz, disa nga të cilët ishin miqtë e mi më të afërt, që përcaktuan fizionominë dhe ndryshimet e mëdha të fundshekullit të shkuar, por edhe të këtyre dekadave.

Në fakt jam një njeri i mposhtur nga miqësia njerëzore.

Ndër rastet më fatlume që kam përjetuar, më e magjishme është ajo ditë e largët vjeshte, kur u njoha me Moikomin. Ishte njëlloj si të njihesh me një pafundësi njerëzore, ku shpirti i butë i dijetarit të shquar ishte bërë bashkë me poetin rebel dhe të veçantë, të papërsëritshëm; ku eruditi i shquar ishte edhe luftëtari i madh, në të cilin mund të gjeje veten, po aq natyrshëm sa frymëmarrja.

Më ka habitur kurdoherë kultura e tij e pamatë, përmasat e së cilës më dukeshin të pakapshme për një mendje të zakonshme.

Një mbrëmje, shumë vite të shkuara, Moikomi më telefoni dhe më tha se ishte nisur të vinte në Shkodër. Ishte fund tetori, e njëzet e shtata ditë, një nga ato ditë kur dielli shndrin fort dhe ngroh pak, netët dukeshin të pafund dhe të fshehta, shirat ende nuk kishin ardhur, dhe, si rrallë herë, trëndafilat e bardhë kishin çelur të gjithë.

– I çuditshëm ky tetor, më tha porsa erdhi, – zakonisht ky është muaji që çvesh drurët në të gjitha udhët, por kjo nuk është e trishtueshme.

Në sobën e sapondezur vendosëm gështenja. Piqeshin ngadalë dhe Moikomi, i përshkënditur nga zjarri, më shumë bisedonte me nënën time se sa me mua. Nuk njoh tjetër që të ketë dashur me aq zjarr dhe pasion të pakundërshtueshëm poezinë dhe prozën e Migjenit. Poeti i Veriut ishte i adhuruari i tij dhe, nëse do të kishte qenë në vendimin e tij, patjetër, ai do e kishte shpallur “shenjt” në të gjitha besimet.

“Metaforikisht, më tha pastaj, kur nëna u largua në dhomën e saj, në tekstet e Homerit, të Dantes të Shekspirit, por edhe të Migjenit, ka simbole dhe kumte të profecive biblike. Nganjëherë, tërë qytetërimet janë edhe nën lëkurën e një njeriut të vetëm të gjallë. Kur ai vdes, vdesin së bashku. Vdekja e njeriut është humbje e kuptimshmërisë së ekzistencës së tij, por kjo nuk është vdekja e vërtetë. Degradimi i njeriut është vdekja e vërtetë.”

Ishte viti 1988 dhe kishte ardhur koha e profecive. Dhe befas, atë natë fundtetori, filloi të fliste për Biblën, Dhiatën e Vjetër dhe të Re. I pasionuar ishte sidomos pas pergamenave të Detit të Vdekur, posaçërisht ato të Isait, si i referohen “Ungjillit të Pestë”.

“Ky Ungjill është një nga monumentet më të fuqishme letrare, sikur të jetë shkruar njëkohësisht, në një dorë të vetme, nga mendja e përbashkët e Eskilit, Dantes dhe Shekspirit.”

Sytë i kishin një ndriçim të thellë dhe enigmatik.

Disa vite më parë kishte botuar vëllimin poetik, “MISCELLANEA 6” dhe në faqen e parë kishte shkruar, “Për Bedriun tim, ç’korpus fantazmagorik, a thua, më kanë shteruar forcat, por jo përfytyrimet?”

*   *   *

Moikom Zeqo ishte si prekje e mahnitshme e dritës. E lehtë, e pjellore, drithëruese. Më shumë se njeri, ai ishte frymë. I ngjante lumenjve që ikin pllajave si drerët dhe siç duket, ngutja e tij për të qenë në të ardhmen, duke ikur befasisht, e bëri mitin e tij të pazakontë dhe të pakapshëm.

Ai është, edhe sot e kësaj dite, një ndër mendimtarët më të lirë të kohës sonë, i virtytshëm deri në skaj dhe i guximshëm me gjithë atë që shfaq. Shpesh herë ai është vizioni që përplaset në shkëmbinjtë e së pamundurës.

Një ndër pararendësit e idesë në të ardhmen dhe oh, çfarë pararendësi i madh, njeriu në vend të religjionit do të ketë filozofinë se mendimtarët do të jenë si edhe shenjtorët në religjionin e krishterë.

Kryengritës i poezisë, sidomos asaj post moderniste, profet i Kryengritjes së re Poetike, eseist i një lloji të veçantë, sui generis, ai ka hapur aq shumë ujdhesa dhe pjesë kontinentale të një letërsie frymëmarrëse, saqë nga bashkimi i tyre mund të formohet një kontinent i tërë.

Asnjë poet s’ka besuar kaq shumë në poezinë e tij, asnjë nuk e njohu kurrë më shumë sesa Ai besimin në ëndrrat e veta, asnjë tjetër nuk mori ato përmasa jetësore në kufirin e së pamundurës dhe nuk na tronditi me gjithçka që solli.

Ai bëri, në kaq vite, një punë titanike dhe do të mbetet gjatë i pakuptueshëm si arriti të ndërtojë një botë të tillë, si magjia e artit të tij përputhej me vetë jetën e njeriut Moikom, si vrulli i këtij shpirti nuk u ndal kurrë, edhe kur e dinte se sëmundja ishte fatale.

Ai e krijoi botën e tij fillimisht me pasion, ishte njeri pasionant, dëshirat shpërthenin nga gjoksi i tij migjenian. E krijoi me diturinë e pashembullt që nuk dihej si mund të ishte grumbulluar te një njeri i vetëm. E brumosi me vullnetin e pazakontë që i ishte bërë veti, shprehje, gjendje jetësore, mbi të gjitha me talentin dhe kujtesën e tij fenomenale. Është e çuditshme, por e vërtetë, sesi një poet aq modern, thellësisht modern, të ishte në të njëjtën kohë një përpirës i tmerrshëm e urtësisë njerëzore.

Poezia është ekzistenciale deri në thelbin e Mosqenies dhe të Verbimit. Nëse filozofia ideon, poezia jetëson. Përtej tyre s’ka më asgjë tjetër thelbësore, janë lëvozhgët që bien nga kumti i moteve, përplasjet ballas me njëra – tjetrën në këtë ankth diellor, ekstazë të pafund, diell dhe shpresë.

Shpeshherë poezia moikomiane të duket se është shkëputur nga traditat hebraike të Dhiatës së Vjetër, herë tjetër është si rrjedhje burimore nga himnet fetare të asirianëve dhe egjiptianëve të vjetër, më pas përplasen me poezitë e dashurisë së këtij trualli të habitshëm, deri në Mosbesim se mund të ketë qenë, zanafillë e kohës në Fillimin e ngritjes së gjërave, kthjelltësim i dashurisë, Pasjetë e panjohur dhe enigmë danteske; ku, në cilin rreth të ferrit do të jenë poetët, apo e Nëndheshmja ka përgatitur një parajsë të veçantë për ta, zbërthim i kodeve të lashtë si në papiruset egjiptiane, hyrja triumfuese e Jezu Krishtit në Jeruzalem, endja mosiane e çifutëve nëpër shkretëtirë, pa e ditur asnjëherë cakun ku do të ishin një ditë dhe shpërndarjen si kokrrat e orizit nëpër botën e gjithandejshme… dhe çuditërisht, një dituri që dikur është quajtur “dituria solomonike.”

Kufiri mes poetikes së madhërishme dhe konkretes së habitshme bëhet herë – herë i padukshëm, por nuk është vetëm kjo. Poezia e Moikomit, me hir a me pahir, të shpie te ideja e Ekzistencës apo e Mosekzistencës në raport me veten, me dëshirën, në raportet midis sendeve dhe pamjeve, dëshirës së hershme dhe mosarritjes së Ëndrrës. Sa ëndrra kemi humbur në këtë rrugëtim të pashoq! Në fund të fundit ai, si ndoshta askush tjetër në poezinë shqipe, ka bërë Riformatimin e saj.

Për Moikomin, si për Çomskin, nuk është e rëndësishme çfarë mbulojmë, por çfarë zbulojmë. Duke mos e njohur kufizimin, nuk e tjetërson hapësirën. Duke u endur në hapësirë krijon përmasën e tij të veçantë, i egërsuar me vetveten qetëson të tjerët. Tiraninë e fjalës e vë në përmbysjen e tiranisë së kufizimit, marramendës si pakkush ka gjithnjë mendimin se fjalët nuk duhen mbajtur me veten, por duhen shpërthyer. Poezia e tij ka bërë ridimensionimin e saj. Eksplorues që nga një reliev babilonas deri tek e kuqja e ndezur e Onufrit, poezi tunduese në lëmin e fjalës, hutues i të papriturës.

Nëse ai ka mendimin se secili njeri ka brenda vetes statuja të paraardhësve të vet, nuk e di se çfarë fshihet në brendësinë e tij, të shkuarit e shumtë janë të plotfuqishëm, tiranë në shpirtin e tij dhe nga kjo tirani e përbotshme ka lindur një poezi sui generis.

Dikur filozofi i vjetër grek, Taleti ka thënë se gjithçka është e mbushur me hyjni. Enigma ime është ku qëndron hyjnia e Moikomit.

Poezia është thelbi i tij. Ai është i mbushur me një hy të tillë.

Në fund të fundit, ai është poeti që nuk i ka interesuar kurrë vetja, por e vërteta. Ka qenë Princ dhe Skllav i të Vërtetës. Profet dhe shërbëtor i saj. Kryengritës dhe i Përulur. Mendim i saj dhe Fjalë Masakruese. Atlantida e dalë nga humbësira e ujërave dhe i Rebeluari i fjalës.

Nga të gjitha këto ka dalë poezia e tij.

 

* * *

Është shumë e vështirë të shkruash për Moikomin, ndoshta duket e pamundur. Mes shumë shkaqeve, mendoj se njëri është më përcaktues, është njëkohësisht në një kohë tejet të shkuar, po aq sa edhe përtej kohës sonë dhe vështirë i arritshëm.

Të merresh me studimin e korpusit moikomian është një punë sizifiane nëpërmjet të cilës mendon disa herë se je ngjitur në majë dhe befas duhet t’ia nisësh nga fillimi.

Kjo s’ka të bëjë me shumësinë e jashtëzakonshme të botimeve të tij që në më shumë se 110 librat e botuar, përbëjnë thuajse 52 000 faqe, por edhe nga publikimi i jashtëzakonshëm, tejet erudit i gjithçkaje që ka të bëjë me jetën dhe vdekjen, të mirën dhe të keqen, orientin dhe perëndimin, të shkuarën dhe të tashmen, Poezinë dhe Mendimin, Vizionin dhe Ëndrrën, Universalitetin abstrakt dhe Alternativat e historisë, Njerëzoren dhe Marramendjen e Pasjetës, Iluminizmin dhe Fatalitetin, gjuhën e sotme shqipe dhe hieroglifet e lashta, Ikonografinë dhe Postmodernen, Lëvizjet Sokratike të mendimit dhe Përceptimet Konfuciane, Botën e Fjalëve dhe Heshtjen e domosdoshme…

Të gjitha po ashtu, përbëjnë një korpus tjetër të pamatë, nga të cilat do të ngrihej edhe një vargmal tjetër marramendës, në majën e të cilit e ke të vështirë, në mos të pamundur të ngjitesh. Por nga rrugëtimi për atje nuk mund të shkëputesh. Mund të jesh i lodhur, mund të të ndjellë pushimi në çastin e tij, por që do të kthehesh e rikthehesh është e sigurt.

Moikomi është krijues i çuditshëm dhe vështirë i përsëritshëm. Ndoshta, është më i çuditshmi i letrave shqipe. Jo vetëm të kohës sonë. Në fakt, është përtej kohëve, në një botë mitike, përmes së cilës ai shfaqet si profetët e lashtë dhe shpresëdhënësit e rinj. Kalimi nga njëra kohë në tjetrën, nuk e bën atë më pak njerëzor, e bën të gjithkohshëm dhe njëkohësisht shumë të prekshëm.

Ai është pa dyshim mistifikimi i një bote në ngjizje me të ardhmen dhe dëshmues i fuqisë së fjalës përmes së vërtetës.

“Asgjë nuk është e bukur veç së vërtetës. Vetëm e vërteta është e bukur”, shkruante Bualo.

Kryeqyteti i Moikom Zeqos është e Vërteta. Aty ka ngritur fillimisht kasollen e tij të habitshme me poezitë e para, pastaj tullë pas tulle, si në Babiloninë e Lashtë, ka gatitur një strehë modeste për të shkuar drejt arketipit të tij – një piramidë veprash dhe mendimi që zor se i gjendet shoqja në truallin ballkanik e duhet thënë, shumë më përtej tij.

Armik i të zakonshmes dhe mik i të çuditshmëve, si Frederik Reshpjes dhe Lagushit, të mohuarve të mëdhenj të letrave shqipe, si një e vërtetë natyrore ai e gjen veten në dialogun e pamohueshëm dhe njerëzor me ata që e duan të vërtetën, që e ndjejnë atë dhe s’kanë asgjë më të shenjtë.

Me Moikomin do të ndodhë diçka e çuditshme. Brezi që do të vijë pas nesh do ta njohë atë shumë më mirë se bashkëkohësit. Mes fjalëve të tij dhe konceptimit poetik të brezit që do të vijë nuk do të ketë asnjë ndarje. Koha e sotme është e pazonja të studiojë si duhet atë, të nxjerrë përfitimet dhe përjetimet e poetit dhe dijetarit, ashtu siç ka qenë e pamundur për shumë nga artistët e mëdhenj të kohërave.

Ai bën pjesë në këtë plejadë me natyrshmërinë e artistit që nuk është thjeshtë vizionar. Në rastin e Moikomit gjithçka është kaq e gjallë, moderne, e prekshme dhe enigmë njëkohësisht, ai ka arritur që në veprën e tij shumë, shumë të gjerë të ketë edhe unin e tij, pra të jetë i pranishëm, i konceptueshëm, ndonëse gjithë kjo mund të ketë qenë e pavetëdijshme.

Korpusi i tij, më shumë se 100 vepra madhore, është aq i gjerë sa mendja e njeriut të vetëm duhet të jetë tej të zakonshmes së një gjeniu. Ai rroku kaq shumë tema dhe personazhe, saqë prej tyre mund të kemi një bibliotekë të pazakontë, ose edhe një enciklopedi. Ai e bën veten pjesë të dhimbjes duke e ndjerë atë dhe gjithë kjo e bën të duket e pamundura vështirë e arritshme, por ja që është arritur.

Moikomi s’ka një të ngjashëm në kulturën shqipe. Mund të ketë shumë të tillë, po kurrë vetëm një. I shpërndarë në shumë fusha, kudo vështirë i arritshëm, i përcjellë nga tradita magjike e fjalës dhe këndvështrimi enigmatik i njeriut fisnik, i saktë në të vërtetën e tij dhe i vërtetë në të saktën që ka përcjellë, i pasionuar ndaj qytetërimit njerëzor dhe gërmues i së shkuarës…

Atë është e vështirë ta përcaktosh se çfarë bart në vete. Arkeolog, studiues i nënujërave, biograf, poet, meditues, historian, shkrimtar, përkthyes, gërmues i arkivave… I gjithëdijshëm! Të gjitha së bashku në një njeri janë si shumë, por edhe kjo nuk është e mjaftueshme.

Ai është ndër njerëzit e pakët, specie në zhdukje, që bart mendimin e shumë shekujve dhe këtë barrë do t’ia përcjellë edhe brezave të tjerë. I pangjashëm nga të tjerë, në një mjedis të vetmisë së pashpjegueshme, edhe pa qenë në një luftë të ditur ai është luftëtari që ekziston. Armik i varfërimit mendor të shtetit në vetvete, shpall kredon e tij, lirinë e të menduarit dhe dijen si mundësi ekzistence, shkencën si domosdoshmëri dhe poezinë si arti më i lartë i të mundshmes.

Moikomi e ka trajtuar atdheun më shumë se një akt besimi, përkushtimi dhe malli. E ka ndjerë vendin e tij në çdo qosh, në gjithë përbërësit e tij, në të gjitha këndvështrimet. I zakontë apo i pazakontë të ketë qenë një vend, e zakontë apo e pazakontë koha e tij, kjo s’ka qenë e rëndësishme. Për të, si për krijuesit e kohës, mbi të gjitha si fillim ai është ndjerë shpirtërisht i lidhur me vendin e tij, me ujërat, lumenjtë, lartësitë e maleve, me kreshtat, luginat, tokën… E ka ndjerë veten të shumëlindshëm njëkohësisht shkodran, durrsak, tepelenas, sarandjot, drenicas, llapjan, dukagjinas, lab, pogradecar, mitrovicas…

Shikimi i tillë do ta bëjë atë një ndër studiuesit dhe publicistët më të angazhuar në luftën për çlirimin e Kosovës, duke botuar dhjetëra e dhjetëra shkrime në mbështetje të UÇK, duke polemizuar dhe argumentuar luftën si shansin e fundit për kombin.

Dhe gjithë kjo, pa kërkuar asnjëherë, asnjë shpërblim, sado modest.

 

*   *   *

Ka qenë jashtëzakonisht e mundimshme krijimi i një perandorie të tillë, për më tepër dykrerëshe.

Nga njëra anë ajo që ai vetë ka krijuar, siu generis, e tija dhe vetëm e tija, asgjë e njëjtë me idhujt e tij si Migjeni, Mjeda, Reshpja, Poradeci, Noli, Borges, Kafka, Xhojs, Shekspir, Dante, Gëte dhe përsëri e njëmendtë me krijimet e tyre.

E veçantë në perceptimin e botës, në stilin krijues, në të papriturën e vargut, në figuracionin rrëqethës, në shumëllojshmërinë e botimit, në rrokjen e hapësirës universale shqiptare, ndoshta që nga krijimi i botës e deri në shekujt që do të kenë shumë gjëra të përbashkëta me perandorinë e tij.

Është një botë e tërë, e studiuar, e eseizuar, e rikthyer në mit, e poetizuar, e ringjallur, e përlindur, e afruar bujarisht, e bartur në shpinën e mendimit, e gdhendur dashurisht dhe e dyshuar njerëzisht.

Kjo perandori letrare, ngritur mundimshëm dhe përmes studimit të njëmendshëm, e dhënë bujarisht për të tjerët, pa asnjë prag pengues apo mohues, është në të njëjtën kohë e lëvizshme, por e qëndrueshme.

Duke qenë një shkrimtar i madh, ai është i prekshëm si njeri, çka nuk ndodh zakonisht. Perandoria që ka ngritur e ka zmbrapsur ndërlikimin e tij, sepse ka hapur portat. Nëse ndonjëherë do të krijohet mbretëria shqiptare e letrave, Moikomi do të jetë pa dyshim princi më i njohur i bukurisë së shpirtit dhe i hulumtimit të papërsëritshëm, vezullues, lëvizës, përcjellës imazhesh dhe ëndrrash, i koncentruar dhe i heshtur që sa më shumë koha të kalojë, aq më modern do të bëhet.

Ai luan me kohën në perandorinë e tij, jetues i dy shekujve që përgatit veprën edhe për shekuj të tjerë. Ai ka arkitekturën e veçantë të kësaj perandorie që sa është e ngjashme me perandorinë kadareiane, aq është edhe e ndryshme. E ka ngritur këtë si një mbret, por dhe skllav i fjalës, por duke qenë i lirë. Ka robëruar kohën për të çliruar shpirtin. Filozof i prognozave të mëdha dhe gërmues i metamorfozës së sistemit, ai ka bërë vend për studimin e religjioneve të mëdha dhe perandoria e tij e ka pranuar këtë, sepse është e pamatë, e lirshme dhe e hapur.

Në vitin 2002, në Durrësin e tij, Moikomi ka shkruar mes të tjerave:

“Pa e hapur derën, ju mund t’ia hapni zemrën botës…”

Ky njeri zemrën e ka hapur për të gjithë botën. Ai ishte ndër të paktët që preku ajrin, i uritur për Absoluten, u bë themelvënës i së Ardhmes.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
3 Comments
  • demo says:
    June 3, 2024 at 1:58 pm

    I korruptuar nuk ishte.Nuk pati gje ne dore.
    Ishte nje Gjithollog,,qe frymezoi nje tufe gjithollogesh,qe nga Edi Rama deri tek Marin Mema dhe Luiz Ejlli..
    Te gjithe keta jane Shkolla e Zeqos.TE PADITUR,,TE GJITHEDITUR.
    Quazi piktore,Quasi shkrimtare,Quasi historiane,Quazi arkeolloge,Quasi kengetare,,etj.
    Por dishepujt e Zeqos nuk kane vetem aftesite jodemtuese te Zeqos..
    KETA TE RRUJNE.
    Ikona te vjedhura,Fototeka te pervetesuara,Studime te Plagjatueme,Kredi te pashlyeme,tinguj te kopjueme…
    Po u ra Shteti ne dore,keta e Rrujne edhe Shtetin.
    Zeqos edhe Muzeun ja hoqen nga dora.Mund ta linin Ciceron.Per ate pune ishte Adapt.

    Reply
  • Fjale me vend says:
    June 3, 2024 at 2:00 pm

    I thotë edhe Demo ca të vërteta ndonjëherë.

    Reply
  • TIRONA says:
    June 3, 2024 at 9:06 pm

    Moikom Zeqo do te mbetet i Pavdekshem!

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Telat me gjemba rrethojnë Baks-Rrjollin, banorët: Po na nëpërkëmbin dinjitetin
  • Irani dhe Izraeli ndalin sulmet, Trump: Jemi pranë një marrëveshjeje
  • Rama kapet sërish me influenceret: Nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj, punojnë në Instagram dhe flasin për jetën luksoze
  • “Bën ironi ti shëmtirë”, Zegjineja ofendon influenceren
  • Projekti në Zvërnec, gazeta amerikane: Si po sfidon demokracinë projekti i Kushner

Komentet e Fundit

  1. Naftetari on Shqipëria e bukur është në shesh
  2. ING. AFRIMI on Shqipëria e bukur është në shesh
  3. Luan Dauti on Shqipëria e bukur është në shesh
  4. Protestusi on Shqipëria e bukur është në shesh
  5. demo on Shqipëria e bukur është në shesh

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?