Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Sot, 85 vjetori i lindjes së Prof. Xhevat Lloshit, jubileu i shënuar i një gardiani të madh të shqipes
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Aktualitet > Sot, 85 vjetori i lindjes së Prof. Xhevat Lloshit, jubileu i shënuar i një gardiani të madh të shqipes
AktualitetKulture

Sot, 85 vjetori i lindjes së Prof. Xhevat Lloshit, jubileu i shënuar i një gardiani të madh të shqipes

Published: January 28, 2023
Shpërndaje

Prof. Emil Lafe

Sot gjuhëtari ynë i mirënjohur, prof. Xhevat Lloshi lë prapa 85 vjet të jetës dhe vështron përpara drejt punëve që e presin, me besim të plotë për t’i shtuar vepra të reja bibliografisë së jashtëzakonshme të veprimtarisë së tij studimore e botuese. Sivjet bie edhe 65-vjetori i diplomimit dhe i fillimit të karrierës së tij të pasur arsimore, shkencore, publicistike e shoqërore. Xhevat Loshi u diplomua 65 vjet më parë, më 1958 (në degën e gjuhës ruse) dhe i takon grupit të parë të filologëve që kanë në diplomë emrin e Universitetit të Tiranës, të themeluar një vit më parë, në shtator 1957. Me vullnetin e fortë dhe punën këmbëngulëse, tipare të përhershme të tij, krahas rusishtes, arriti të zotërojë shumë mirë gjuhët më të rëndësishme të kulturës botërore: anglishten, frëngjishten, italishten, gjermanishten, si edhe të shfrytëzojë literaturën shkencore në disa gjuhë të tjera.

Xhevati Lloshi është një nga punëtorët më të fortë dhe një nga mendjet më pjellore që ka nxjerrë Universiteti i Tiranës jo vetëm në fushën e shkencave filologjike, por edhe të shkencave shoqërore e të kulturës në përgjithësi. Bibliografia prej 62 faqesh e shkrimeve të tij (e botuar me rastin e 80-vjetorit), që nisin më 1960, na habit edhe ne, kolegët e afërt, që e kemi ndjekur veprimtarinë e Xhevatit që prej fillimeve. Kjo bibliografi është pasuruar në këta pesë vjetët e fundit me një varg librash, studimesh e artikujsh të rinj, që janë fryt i pasionit shkencor, i zellit të pashuar dhe i një jete intelektuale aktive. Veprimtaria shkencore dhe botuese e prof. Xhevat Lloshit është e gjerë dhe e shumanshme: punime studimore, kumtesa në veprimtari shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në një varg vendesh të tjera, shkrime në shtypin e përditshëm, kërkime në terren, arkiva apo biblioteka, përkthime, vlerësime, kritika, redaktime, recensione, raporte për udhëtime studimore etj. Nuk ka pasur fushë të veprimtarisë kulturore e shkrimore, ku ai të mos jetë përfshirë gjallërisht dhe të mos ketë sjellë ide e njohuri të reja. Bibliografia e Xh. Lloshit shpërfaq një spektër aq të gjerë temash e botimesh, saqë duket sikur nuk është një Xhevat që i ka shkruar ato vepra e studime, po dy-tre të tillë.
Prof. Xh. Lloshi e nisi veprimtarinë e tij shkencore më 1961 në sektorin e leksikografisë e të leksikologjisë të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë. Për fat të keq, puna e tij e parë u ndërpre dhe mbeti e pabotuar. Është fjala për një fjalor shqip-rusisht me rreth 40.000 fjalë, që nisi ta hartonte nën drejtimin e prof. A. Kostallarit. Qe një guxim i tepruar ndërmarrja e këtij fjalori në rrethanat e vitit 1961 (dhe vijimi i tij deri te shkronja K, d.m.th. më se një e treta e fjalorit), kur në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike kishte filluar “dimri i madh”. Xh. Lloshi i hyri me zell rinor punës për një fjalor shqip – gjuhë e huaj, duke u mbështetur te lënda e Kartotekës së Leksikut të Shqipes (në atë gjendje që ishte atëherë). Kështu ai u bë i pari nga brezi ynë që përveshi mëngët në magjen e praktikës leksikografike dhe kjo e çonte detyrimisht te studimi i literaturës themelore për leksikografinë e leksikologjinë. Megjithëse veprimtaria e Xhevatit më pas u degëzua ashtu siç degëzohet lumi kur zbret në fushë, prapëseprapë boshti i veprimtarisë së tij gjuhësore mbetet fjala dhe disiplinat për fjalën: leksikografia, leksikologjia dhe stilistika, sepse edhe te kjo disiplinë fjala, jo vetëm me kuptimet, po edhe me ngjyrimet e vlerat e saj, është element qendror.

- Publicitet -

Në veprimtarinë shkencore të Xh. Lloshit një vend me rëndësi zënë fjalorët. Ai ka qenë jo vetëm një ndër hartuesit dhe redaktorët e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980), por edhe një forcë lëvizëse në kuptimin e drejtpërdrejtë të këtij termi. Sepse, siç dihet, në shumë punë ka forca lëvizëse (që dinë t’i përcaktojnë e t’i përballojnë punët e detyrat) dhe “forca të lëvizshme” (që duhen ndihmuar, drejtuar e udhëzuar për realizimin e veprave të mëdha kolektive). Si dëshmitar i atyre pesë viteve sa zgjati procesi i hartimit dhe botimit të fjalorit, them se kontributi i Xhevatit ka qenë shumë i lartë në të gjitha drejtimet. Me rëndësi të veçantë për leksikografinë e gjuhës shqipe janë edhe dy vepra të shënuara të tij: Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht dhe latinisht-shqip (2010, 619 fq.) dhe Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve anglisht-shqip dhe shqip-anglisht (2014, 540 fq.), me të cilët ka arritur të vërë rregull në larminë tepër të theksuar të emërtimeve të këtyre fushave, duke i saktësuar, duke mënjanuar emërtimet tjetër për tjetër si dhe emërtimet e huaja të panevojshme dhe duke arritur një standardizim të pranueshëm. Nga fusha e fjalorëve duhet përmendur pjesëmarrja e tij në hartimin e Fjalorit frazeologjik ballkanik në pesë gjuhë (1999), që e bëri të hyjë më thellë në vështrimin e fjalorit e të frazeologjisë së shqipes edhe në kuadrin e lidhjeve historike me gjuhët kryesore të Ballkanit, një temë për të cilën ka shkruar artikuj e kumtesa. Bibliografia e Xh. Lloshit dëshmon sa e hapët është veprimtaria e tij në leksikologji e leksikografi: ai është redaktor në 34 vëllime (shumica vepra leksikografike) që arrijnë mbi 18 mijë faqe e në më shumë se gjysmën e tyre ai është redaktor i vetëm; nga dhjetë recensione që ka botuar, pesë janë për fjalorë të ndryshëm dygjuhësh ose terminologjikë. Libri Fjalorët e shqipes me turqishten (2020, 238 fq.), është vepra më e re ne tij nga fusha e leksikografisë, me një përmbajtje të pasur, që i kapërcen caqet e titullit.

Vepra madhore e akademisë së Shkencave Fjalor enciklopedik shqiptar (1985), ndonëse ka karakter shumëdisiplinor, sidoqoftë quhet fjalor dhe i përket edhe leksikografisë. Xhevat Lloshi është arkitekti kryesor i kësaj vepre, e cila pa dyshim ka qenë një nga punët më të lodhshme e më të mundimshme të jetës së tij, megjithëse ka pasur një grup bashkëpunëtorësh të cilësuar e me përvojë në fushat përkatëse. Ky fjalor enciklopedik inauguron një praktikë të re si vepër leksikografike shqiptare: për herë të parë kemi një vepër enciklopedike me përmasa të tilla në gjuhën shqipe. Me gjithë disa trajtime të diktuara nga ideologjia e politika e kohës, ky fjalor enciklopedik ka kryer një shërbim të madhe si vepër referimi dhe burim të dhënash për Shqipërinë, shqiptarët, trojet e tyre, historinë, kulturën, gjuhën, jetën ekonomike e shoqërore etj.

Një disiplinë ku Xh. Lloshi meriton të cilësohet si themelvënës, është stilistika. Për stilistikën në fushën e shqipes si drejtim studimesh mund të thuhet pa ngurrim: stilistika para Xhevatit dhe stilistika me Xhevatin. Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp (1977) është botimi i tij i parë si tekst mësimor për degën e gazetarisë. Pas dhjetë vjetësh ai botoi tekstin Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe (1987), që u ribotua në Prishtinë pas një viti. Më 1999 doli teksti i ri Stilistika dhe pragmatika, që ka pasur edhe tri ribotime (2001, 2005, 2012). Teksti ka pasur recensione e vlerësime shumë pozitive në shtypin shkencor. Këta dy libra janë fryt dhe sintezë e hulumtimeve dhe vëzhgimeve të tij shumëvjeçare në fushën e stilistikës së shqipes. Krahas tyre Xh. Lloshi ka shkruar edhe një varg artikujsh e kumtesash me tema nga stilistika. Është me rëndësi të theksohet se me tekstet e tij dhe me punën disavjeçare në auditor si pedagog, Xhevati jo vetëm themeloi një lëndë universitare të munguar, por edhe ushqeu studimet e mëtejshme në këtë fushë, duke u bërë mbështetje teorike për një numër disertacionesh e dhjetëra kumtesa të studiuesve të rinj. Sipas vëzhgimeve të mia tekstet e tij të stilistikës janë ndër veprat më të cituara të në studimet për gjuhën shqipe. Xhevati ka dhënë ndihmesën e tij edhe për arsimin parauniversitar me një numër tekstesh kryesisht për stilistikën gjuhësore.

Karakteri jo vetëm dinamik, por edhe luftarak i Xhevatit spikat sidomos në botimet dhe diskutimet e tij të mirënjohura për gjuhën e sotme letrare ose standarde. Si delegat i Kongresit të Drejtshkrimit dhe me bindje shkencore ai iu kundërvu që në fillim dhe u dha përgjigje të argumentuara orvatjeve për të rishikuar ose reviduar ato që u vendosën në kongres, me pretendimin absurd se gjuha standarde shqipe mban vulën e diktaturës dhe tani kohët kanë ndryshuar, prandaj çështja do shtruar edhe një herë për diskutim nga e para, duke zbatuar politika gjuhësore të guximshme (!). Pa e zgjatur do të thosha se këto përpjekje kundërshkencore e kundërhistorike, tepër të dëmshme e të rrezikshme, tani duken deri diku të fashitura, por jo të shuara, pasi gjejnë përkrahje të dukshme e të nëndheshme nga rrethe të ndryshme dhe marrin forma të stërholluara akademike.

Një rast fatlum e ka çuar Xh. Lloshin të prekë Kristoforidhin, dhe i detyrohemi Xhevatit që e njohim tani me mjaft hollësi, përmes dokumentimit, këtë figurë qendrore dhe unike të Rilindjes sonë Kombëtare. Ka qenë pikërisht njeriu i duhur në kohën e duhur! Duke u marrë për 50 vjet me jetën, veprimtarinë dhe me veprën e atij që cilësohet si “babai i gjuhës shqipe”, prof. Xh. Lloshi ka botuar mbi 20 shkrime për Kristoforidhin, ndër to edhe libri i mirënjohur Kristoforidhi përmes dokumentimit (2005, 412 fq.). Librat e Kristoforidhit të kthyer në alfabetin e sotshëm, të përgatitur për shtyp nga prof. Xh. Lloshi dhe të botuar nga Instituti për Studime Shqiptare e Protestante me bashkëpunimin dhe dashamirësinë e dr. David Hosaflook-ut na ringjallin veprën themelvënëse të këtij rilindësi të madh. Këta janë: “Bibla (në gegërisht) Kriesa, Të Dalëtë.” (2009); “Psalmet gegërisht dhe toskërisht” (2015); “ Pesë libra të Dhiatës së Vjetër në versionin toskërisht 1882-1884 (Të Bërëtë; Të Dalëtë; Nom i Dytë; Fialët e Urta të Sollomonit; Isaia).” (2017); “Historia e Shkrimit të Shenjtë (1870 e 1872) dhe Katër katekizma (1867 e 1872).” (2017) – gjithsej rreth 1600 faqe. Bashkë me librat studimorë e dokumentarë “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit, 1819-1827” (2012, 398 fq.) dhe “Thesaret për gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike. I. 1815-1883” ( 2017, 636 fq.) këta libra përbëjnë një bibliotekë të tërë për hulumtime filologjike të gjithanshme dhe për historinë e shkrimit të gjuhës shqipe në shek. XIX.

Me ato që kam lexuar nga ç’ka shkruar prof. Xh. Lloshi për Kristoforidhin (dhe nuk i kam lexuar të gjitha), më duket sikur ndërmjet tyre është vendosur një lloj marrëdhënieje intime, sikur studiuesi e ka njohur nga afër dhe sikur e ndien së brendshmi Elbasanasin e Madh si një katragjysh shpirtëror. Është një privilegj i rrallë ngazëllues, që vijon të japë fryte befasuese: para dy vjetësh u botua vepra e re e prof. Xh. Lloshit Udhëkryqet e Kristoforidhit dhe aventura e librit shqip. (2021, 676 fq.). Titulli shpreh më së miri rrugën e mundimeve të Kristoforidhit dhe gjerësinë e vështrimit të veprimtarisë së tij dhe të shkrimtarisë së Rilindjes nga autori i kësaj trajtese studimore me një dokumentim aq të pasur dhe shpesh befasues. Në këtë hulli vjen dhe vepra tjetër e tij Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit. Vëllimi I. Jeta, veprimtaria dokumente dhe shkrime. Vëllimi II. Dokumente dhe shkrime, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup, 2019, 567 + 551 fq.)

Me punën kërkimore e studimore të prof. Xh. Lloshit historia përpjekjeve për shkrimin dhe mësimin e shqipes në shek. XIX dhe për caktimin e një alfabeti sa më të përshtatshëm del tani më e plotë, më e ndriçuar, më mbresëlënëse dhe e mbështetur gjerësisht në dokumente të besueshme, që shfrytëzohen për herë të parë. Arritjet shkencore të prof. Xh. Lloshit janë një pasuri e tërë vlerash shkencore, që duhen pasur parasysh në botimet e reja për historinë e gjuhësisë, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare.

Me botimet e shumta, edhe në shtypin shkencor të huaj, dhe me pjesëmarrjen në një varg veprimtarish ndërkombëtare, sidomos në kongreset e Shoqatës së Studimeve të Vendeve të Europës Juglindore (AIESEE), prof. Xhevat Lloshi është një personalitet shkencor me emër në albanologji e ballkanologji.

Është fat të jetosh 85 vjet dhe fat i lumtur që në këtë moshë ta ndiesh veten me energji krijuese e me optimizëm për të ardhmen, ashtu si kolegu im i nderuar Xh. Lloshi! Por është edhe kënaqësi e madhe shpirtërore që nga lartësia e 85 viteve të shikosh pemët e shumta që ke mbjellë gjatë rrugës së jetës dhe frytet e tyre, si dhe të marrësh urime e përgëzime të çiltra nga të njohur e të panjohur. Në librin me bibliografinë e prof. Xhevat Lloshit ka edhe një numër të madh shkrimesh për të nga kolegë e studiues të tjerë të fushave të tij të studimit. Kjo dëshmon se prof. Xhevat Lloshi, përveçse një dijetar i shquar në fushën e shkencave filologjike, është edhe një personalitet kulturor e shoqëror me ndikim në jetën intelektuale të botës shqiptare. Si anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave (2012) dhe i Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare (2014), prof. Xh. Lloshi, gjithnjë i papërtuar e i pakursyer, e ka pasuruar jetën e tyre shkencore me pjesëmarrjen në shumë veprimtari të rëndësishme.

Në këtë ditëlindje të shënuar të gjithë kolegët, miqtë e dashamirët e shumtë, i urojnë prof. Xh. Lloshit rrugëtim të mbarë drejt caqeve të tjera të larta të jetës e të veprimtarisë. Njerëzve të tillë punëshumë e punëmirë prof. Aleksandër Xhuvani u jepte urimin e vjetër popullor elbasanas: Mos të raftë shpina për tokë! (d.m.th. qëndrofsh gjatë e më gjatë mbi këtë tokë, mos vdeksh kurrë).

Tiranë, 23.01.2023

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Një cirk i dështuar
  • Xhafaj kritika KLGJ: Gabim i madh zbatimi i hartës së re gjyqësore, ua thashë që në fillim
  • Çfarë do të ndodhë me protestën
  • Dështon konsensusi në Strasburg për rezolutën Shqipëri-BE, PS dhe PD përplasen për amendamentet
  • EMRAT: Krim në familje, burri vret me çifte bashkëshorten në Shkodër, bie në pranga

Komentet e Fundit

  1. O nëne, o nëne on Çfarë do të ndodhë me protestën
  2. K O R C A on Çfarë do të ndodhë me protestën
  3. Phoenix on Çfarë do të ndodhë me protestën
  4. Anonymous on Çfarë do të ndodhë me protestën
  5. Komshiu on Çfarë do të ndodhë me protestën

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?